Videot kryesore
Prindërit e nxënësve të gjimnazit “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit, ku një ditë më parë u helmuan 60 gjimnazistë kanë hyrë me forcë në ambientet e shkollës këtë të enjte duke penguar mësimin.
Ata kërkojnë garanci për jetën dhe shëndetin e fëmijëve të tyre, pasi edhe mëngjesin e sotëm dy gjimnazistë shfaqen probleme me frymëmarrjen si pasojë e helmimit, pasi një nxënëse u dërgua në urgjencë në gjendje të fikti.
Mbetet e paqartë nëse problemet e dy të rinjëve janë pasojë e helmimit me spraj ditën e mërkurë, apo ambientet e shkollës janë të paajrosura ende dhe me gjurmë të gazit që dyshohet se është përdorur nga dy adoleshentë me inicialet A.M. dhe A.H., që të dy 15-vjeç.
Por, drejtorja e Zyrës Arsimore të Fierit, Yllka Beci thotë se vajza në fjalë nuk kishte humbur ndjenjat për shkak të helmimit, por për një tjetër arsye. “A mund të them një gjë si nënë, si prind, si motër jashtë kamerave?! Vajza është shtatzënë”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, ndaj dy të adoleshentëve që dyshohet se përdorën gazin helmues policia ka nisur procedimet penale. Burime të gazetës “Si” pohojnë paraprakisht se nga dëshmitë e para të dhëna prej tyre edhe në prani të psikologut 15-vjeçarët fillimisht e kanë mohuar autorësinë, ndërsa më pas e kanë pranuar duke deklaruar se gjithçka e kanë bërë me shaka dhe të pavetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktonte spraji helmues që kanë hedhur në drejtim të bashkëmoshatarëve të tyre.
Shqipëria dhe Greqia do t’u drejtohen gjykatave ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufirit detar.
Kjo është dakordësia e arritur mes dy vendeve e njoftuar këtë të martë nga Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.
“Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi I në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit”, njoftoi Kryeministri Edi Rama.
Nikos Dendias e konfirmoi këtë.
“Marrëveshja për t’iu drejtuar Hagës mbështetet në vullnetin e dy vendeve për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve”, u shpreh ai.
Kryediplomati grek tha gjithashtu se është rënë dakord që dy vende të rishikojnë marrëveshjen e ’96-ës, njohur si traktati i miqësisë mes dy vendeve dhe u zotua se do t’i jepet zgjidhje edhe çështjes së ligjit të luftës.
“Ramë dakord që të rishikojmë marrëveshjen e ’96 dhe ramë dakord që kjo marrëveshje ka nevojë për thellim dhe të bëjmë një marrëveshje të re. Tani kemi referuar çështjen e ligjit të luftës, është anakronizëm, edhe këtë do ta zgjidhim së bashku”, tha Dendias.
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Greqia që të trajtojë shqiptarët që jetojnë atje, ashtu sikundër trajton Shqipëria minoritetin grek.
“Nuk është një çështje e Greqisë çështja e të drejtave të minoriteti grek në Shqipëri, është edhe e jona gjithashtu. Nëse duam standarde dhe të drejta për minoritetin nuk e bëjmë se do Greqia, por është në nderin e Shqipërisë, por e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi”, tha ai.
Partia Demokratike thotë se të dhënat e INSTAT në lidhje me popullsinë dhe vdekjet në vend nxorrën zbuluar propagandën e Edi Ramës me pandeminë.
Sipas opozitës, Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve në Europë që nga fillimi i pandemisë.
“Dështimin e Edi Ramës me pandeminë e paguan qytetarët e thjeshtë, të cilët mbetën të pambrojtur ndërkohë që përgjigjja e vetme që qeveria kishte, ishte si përherë propaganda. Teksa qytetarët vuanin dhe ekonomia lëngonte, Rama nuk hoqi asnjëherë dorë nga mashtrimet dhe gënjeshtrat, nuk hoqi dorë as nga shpenzimet e majme për klientët e tij, nuk hoqi dorë nga koncesionet korruptive dhe nga tenderat sekretë në kohë fatkeqësie”, deklaroi deputetja e zgjedhur e PD, Albana Vokshi.
Vokshi thotë sse Shqipëria renditet e fundit në Europë për numrin e testimeve, për numrin e mjekëve për banorë, për ndihmën ekonomike dhe e para për jetët e humbura në raport me popullsinë totale të vendit.
“Rama refuzoi planin e PD me 5 pika, sepse ai kishte planin e tij për të plaçkitur taksat e shqiptarëve edhe në kohë pandemie. Atë që sot zbulon INSTAT-i, qytetarët e kanë jetuar dhe vuajtur në lëkurën e tyre. Këto janë pasojat e pashmangshme të sundimit të një pakice që ka braktisur shqiptarët dhe punon vetëm për veten dhe klientët e saj”, mbyll deklaratën e saj, Albana Vokshi.
Kjo video tregon një nga sulmuesit e dyshuar për sulmin që ndodhi ditën e pashkëve në Sri Lanka. Një burrë i cili mban një çantë shpine shihet, duke hyrë në kishën e Shën Sebastianit në qytetin Negombo. Si pasojë e sulmeve, humbën jetën qindra njerëz me kombësi të ndryshme. Shpërthimet tronditën edhe tre hotele luksoze në qytetin më të madh të vendit, Colombo. Tragjedia ndodhi kur të krishterët po mblidheshin për festimet e të dielës së Pashkëve.
Në mungesë të një vaksine të certifikuar dhe në mes të amullisë së informacioneve për kurat e patestuara kundër koronavirusit, këshilla numër një e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është higjiena sanitare.
Theksi i këshillës është veçanërisht larja e shpeshtë e duarve me sapun, madje për këtë OBSH ka publikuar edhe një video-manual sesi duhet të lahen duart.
Të shtënat midis një polici dhe një gruaje me ngjyrë në Nashville, Amerikë kanë shkaktuar një tjetër debat të madh në vend.
Nika Holbert përplasi makinën e saj pasi oficeri Josh Baker e qëlloi nga një distancë e afërt pas një ndalimi trafiku të premten në mëngjes. Gruaja 31-vjeçare më vonë vdiq nga plagët e marra. Baker pritet të shërohet. Por ishte gjithçka që ndodhi ajo që ka hapur një debat të madh se kush kishte faj.
Baker ndaloi Holbert sepse makina që ajo po ngiste ishte e regjistruar në emrin e një burri me precedent penale.
Këtu filloj gjithçka. Baker lejoi Holbertin të përdorte telefonin e saj celular dhe të bënte një telefonatë. Kur Baker shkoi për të prangosur Holbert pasi gjeti një qese të vogël me "pluhur" ajo rezistoi dhe iku, rreth makinës së saj dhe pastaj përsëri në anën e shoferit, ku ajo hyri.
Gjithë ngjarja u kap nga kamera e trupit të Bake dhe kamera që ndodhet në makinën e tij të policisë.
Pamjet tregojnë se Baker po i afrohej Holbert, e cila në fillim ishte e qetë dhe e lejoj oficerin të kontrollonte çantën e saj i cili gjeti një qese të vogël mariuhanë. Baker e mori atë, i ktheu shpinën Holbert për të shkuar te makina e tij për të siguruar qesen e mariuhanës para se të kthehej te shoferja, e cila po qëndronte atje duke e pritur.
Në këtë moment Holbert tentoj të largohej duke hipur në makinën e saj.
Me derën akoma të hapur, Baker përdori paralizuesin e tij për ta ndaluar por pa sukses. Ky është momenti kur, sipas Departamentit të Policisë Metropolitane në Nashville, Holbert zgjati dorën për një armë, duke e nxitur Baker të nxirrte armën e tij dhe të qëllonte mbi të nga rreth dy metra larg. Departamenti tha se Holbert gjuajti gjithashtu me armë dhe goditi Baker në bark me një të shtënë që kaloi nën jelekun e tij antiplumb.
Kamera nga kroskoti i Baker tregoi Holbert që hidhte një armë dhe largohej përpara se të përplasej aty pranë. Nuk është e qartë nëse dëmtimet vdekjeprurëse u bënë gjatë përplasjes apo nga të shtënat e Bakerit.
Departamenti lëshoi pamjet më vonë të njëjtën ditë të premten.
Ndërsa shumë njerëz thonë se Holbert duhej të respektonte ndalimin, të tjerë në mediat sociale thonë se nuk kishte nevojë që ndalimi të ishte përshkallëzuar deri aty.
Zyra e Prokurorit të Qarkut në Nashville njoftoi verën e kaluar se nuk do të ndiqte më penalisht për posedim të më pak se 14 gram mariuhanë. Sasia që Holbert kishte dukej se ishte një sasi e vogël. Meqenëse Holbert nuk ishte personi që Baker dyshonte se po ngiste makinën, Baker madje mund të dëgjohet duke thënë në radio policie se "ai nuk është këtu", po ata kritikë të mediave sociale thonë që oficeri duhej ta kishte lënë të shkonte me një paralajmërim ose më së shumti një gjobë.
Të tjerët argumentuan se Baker humbi mundësi të shumta për të kapur në mënyrë adekuate dhe të sigurt Holbertin në vend që ta lejonte atë të bënte siç dëshironte, të tilla si të hynte dhe dilte nga makina e saj në disa raste para se të ndodhnin të shtënat.
Sipas ligjit në Nashville, shoferët "duhet të qëndrojnë në automjetet e tyre në çdo kohë, përveç nëse u thuhet të bëjnë ndryshe dhe nuk mund të kundërshtojnë".
Argumenti është se nëse Baker do e kishte kapur në kohën e duhur, ajo kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje të ikte, aq më pak të hynte në makinën e saj, t'i rezistonte paralizuesit, të zgjaste një armë dhe ta qëllonte atë.
Familja e Holbert thuhet se i ka kërkuar Departamentit të Policisë Metropolitane Nashville të hetojë Bakerin për "përdorimin e forcës së tepruar ndërsa bënte një ndalim trafiku", duke treguar pamjet video si provë.
Të shtënat në Nashville erdhën disa ditë pas publikimit të një raporti që zbuloi se shumica e rasteve të dhunës vdekjeprurëse të policisë në ShBA vitin e kaluar ndodhën gjatë rasteve kur nuk u raportua anjë krim, si me rastin e Holbert. Më shumë se 120 njerëz u vranë pasi një oficer i ndaloi ata për një shkelje të trafikut në vitin 2020.
Duke filluar nga dita e hënë (3 shkurt) subjektet e ligjit special për masat pasurore ndaj personave të dënuar, apo akuzuar për krim të organizuar do të njoftohen përmes një kërkesë për të plotësuar një formular për burimin e pasurive të tyre.
Subjektet do të kenë afat 48 orë për të plotësuar këtë formular, që më pas do të dorëzohet tek Struktura e Posaçme Antikorrupsion, që do të vlerësojë sipas rasteve brenda 15 ditëve nëse burimi i pasurisë është i justifikuar për pushimin e çështjes dhe nëse gjen mospërputhje ta dorëzojë atë në gjykatë.
“Nga nesër do të duhet të paraqesin provat e burimit të pasurisë së tyre. Nga nesër një letër do t’u dërgohet këtyre subjekteve dhe do ta plotësojnë brenda 48 orësh kërkesat e formularit për burimin e pasurive të tyre dhe më pas formulari do të shkojë tek SPAK, deri në 15 ditë dhe nga SPAK në gjykatë deri në 15 ditë dhe ata do të duhet të vijnë para gjykatësit për të provuar sesa fort e kanë punuar tokën, sesa shumë ullinj e portokalle kanë mbledhur, sa shumë kanë bërë roje natën në objekte, sa janë lodhur dhe stërmunduar në fasoneri, sesa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda, apo jashtë vendit nëse duan që t’i mbajnë ato pasuri që kanë. Përndryshe, gjithçka që ata kanë sot nesër do të jetë pronë e shtetit dhe e Policisë së Shtetit”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e njësisë së re speciale “Operacioni Forca e Ligjit -OFL”.
Ky ishte sqarimi i kreut të Qeverisë sa u takon parashikimeve të ligjit special për pasuritë e personave të dënuar, apo të akuzuar për krim të organizuar. Masa tjetër është paketa “anti-KÇK”, që në shënjestër ka prokurorë e gjykatës të sistemit të drejtësisë, që sipas Kryeministrit Edi Rama janë në aleancë me krimin e organizuar.
“Në çdo rast kur do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim, paketa kërkon brenda 3 ditësh pezullimin nga detyra dhe nisjen e hetimit për ta. Ata janë bashkë, edhe sot që po na shohin janë bashkë dhe ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin të dyja palët”, vijoi ai.
Për këtë kategori prokurorësh e gjyqtarësh, Rama u zotua se do të vijë dita që të përballen me drejtësinë.
“Vettingu nuk është gjykatë, as prokurori. Nuk ka për detyrë të ndëshkojë ata që kanë vënë pasuri marramendëse me çekiçin e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin, kur ata që nuk justifikojnë pasuritë largohen dhe ata të cilët dalin të pastër, siç janë të gjithë anëtarët e sotëm të SPAK, futen në sistem dhe siç ndodh në këtë operacion nga nesër janë sistemi i ri që bashkë me OFL dhe policinë do t’u kërkojnë subjekteve të ligjit që të provojnë burimin e pasurisë së tyre, jo më të stërmundohet e gjithë policia dhe prokuroria për të gjetur prova dhe provuar para gjykatësish, që në të shumtën e herës janë kriminelë dhe jo gjykatës”, tha ai.
Kryeministri premtoi gjithashtu se pasuritë e sekuestruara nga krimi do të përdoren për rritjen e rrogave dhe kapaciteteve për Policinë e Shtetit. Ligjet në fjalë i cilësoi si instrumenta ekstreme në një kohë që kërkon masa ekstreme, që e çojnë në një tjetër nivel përballjen e shtetit me krimin e organizuar.
“Kemi në dispozicion një instrument jashtëzakonisht të fortë në duart e shtetit, në duart e Policisë së Shtetit dhe në duart e OFL, ligji special për marrjen e të gjitha masave të nevojshme pasurore ndaj të gjithë atyre që në 30 vjet janë dënuar, apo janë akuzuar për krim të organizuar, terrorizëm, krime të rënda dhe sot ndryshe nga më parë ne kemi një garanci më shumë, SPAK-un. SPAK tanimë është ngritur dhe kjo është sporva e parë për vetë SPAK”, u shpreh ai.
Rama tha se as ai vetë dhe as Qeveria që drejton nuk mund të akuzohet për mungesë vullneti për të ndërmarrë dhe çuar përpara reforma të guximshme në vend, ndërsa kujtoi edhe disa parashikime të tjera kufizuese të ligjit special për pasuritë me burime të dyshimta.
“Ligji parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe familjarëve të tyre në tendera, apo në çdo aktivitet ku ka një qindarkë nga taksat e qytetarëve, heqjen e të gjitha licencave që disponojnë. Ju e dini shumë mirë dhe unë e besoj, këta ruajnë me polici private, këta nuk do të gëzojnë me asnjë licencë nga ato që zotërojnë. Kanë sisteme videosh, e survejimesh nuk do t’i gëzojnë, ose duhet të provojnë ligjshmërinë e tyre”, deklaroi Kryeministri.
Rama e mbylli fjalën e tij duke thënë se në dorë të OFL-së është një investim i madh për të shtuar besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë tek shteti.
Ndërkohë, në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi nga opinioni publik dhe mediat që në këtë operacion të rreshtohen në krah të Policisë së Shtetit dhe jo të krimit.
Kryeministri Edi Rama u përplas me Dora Bakojanisin, ish-ministren e Jashtme greke gjatë diskutimit në forumin ekonomik të organizuar në Athinë nga “The Economist”.
Debati mes Ramës dhe Bakojanisit, që është njëkohësisht edhe e motra e Kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis u zhvillua rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare që rrëzoi marrëveshjen e detit të arritur në 2009, ku si ish-kryediplomate e Greqisë, Dora Bakojanis është firmëtare e saj.
Pasi shprehu “keqardhjen” për vendimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, Bakojanis nënkuptoi se pas këtij vendimi qëndronte Turqia dhe ndërhyrja e saj.
“Ndjeva keqardhje për vendimit e gjykatës në shqipëri për marrëveshjen e detit. Mendoj që ndërhyrja e vendeve të treta në këtë çështje nuk ndihmon. Ne e dimë që Turqia ka qenë shumë kundër kësaj marrëveshjeje”, deklaroi ajo.
Rama e kundërshtoi duke thënë se në kohën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ai nuk ka pasur asnjë takim me Erdogan dhe se edhe pas këtij momenti, Turqia nuk ka shfaqur asnjëherë interes për këtë çështje.
“Gjykata Kushtetuese mori vendim për këtë marrëveshje në 2009 dhe në atë kohë, as e kisha takuar dhe as kisha folur me Erdogan, asokohe Kryeministër i Turqisë. Nuk kishim asnjë raport. Ne vendosëm që marrëveshjen ta çonim në gjykatë për një arsye të thjeshtë, kishte një debat të madh në shoqëri, që u nis nga shoqëria civile dhe nuk doja që ky debat të shndërrohej në politik dhe në luftën e zakonshme mes opozitës dhe pozitës dhe ne e çuam në gjykatë. Është e pavërtetë ndërhyrja nga Turqia. Asnjëherë në asnjë takim me Presidentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij që kjo marrëveshje është e ndonjë interesi për Turqinë. Na duhet të qartësojmë, sepse këto ide ndikojnë tek qëndrimet tona ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh Rama.
Shqipëria ka partneritet strategjik si me Turqinë, ashtu edhe me Greqinë. Por, Rama thotë se kjo nuk e vendos Tiranën në mes të dy zjarreve. Kryeministri shqiptar, që të hënën u takua me Erdogan në Turqi, tërthorazi përcolli në Athinë “porosinë” e Presidentit turk për dialog.
“Ajo që mund të them pa asnjë dyshim është që Presidenti turk nuk është një politikan antigrek. E shkuara ka treguar se kur ka vullnet ka një rrugëzgjidhje. Duhet një dialog i mirëfilltë. Nuk është e thjeshtë, por jo e pamundur. Jam i bindur se marrëdhëniet konstruktive turko-greke mund të jenë me vlerë të shtuar për të gjithë Europën. Greqia është në pozicionin e duhur për të qenë ndërmjetësi i ndershëm për këtë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, duke iu rikthyer çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, Rama konfirmoi qëndrimin zyrtar të palës shqiptare që ja njeh të drejtën greke për t’u zgjeruar me 12 milje, por për të zgjidhur mosmarrëveshjen sugjeroi që dy vendet t’i drejtohen një vendi të tretë mik, ose gjykatave ndërkombëtare.
“Ne mund ta zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve. Nëpërmjet palëve të treta që na ndihmojnë miqësisht, apo edhe gjykatës ndërkombëtare. Do të jetë e drejtë objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët këtu dhe në Shqipëri”, u shpreh ai.
“BE, rruga e vetme për ne“
Kryeministri Edi Rama është i bindur se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe këtë e theksoi edhe gjatë fjalës që mbajti në forumin ekonomik të organizuar në Greqi nga revista “The Economist”.
“Alternativa e vetme është Bashkimi Europian, jo sepse na e kërkojnë miqtë më të mëdhenj e të fuqishëm, por sepse kjo është një kërkesë e fëmijëve tanë, e brezit të ardhshëm, është ëndrra e përhershme e etërve tanë”, shton ai.
Rama vlerësoi si pozitive aftësinë e udhëheqësve të rajonit për t’u ulur dhe biseduar me njëri-tjetrin për çështje të ndryshme, pavarësisht se në mes qëndrojnë ende ndasi të thella, si në rastin e Kosovës me Serbinë.
Si shembull të bashkëpunimit dhe zgjidhjeve që mund të prodhohen përmes dialogut, Rama solli marrëveshjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Për ta përmbyllur, mund të përmend një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të kësaj kohe, që është zgjidhja dialogu mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është një mësim për të gjithë”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi rolin e Zoran Zaev, që sipas Ramës theu tabutë dhe i fitoi sërish zgjedhjet, pavarësisht se mund të kishte krijuar shumë pakënaqësi në vendin e tij me marrëveshjen e arritur me Greqinë.
Puna e komisioneve të përhershme parlamentare nisi me përplasje. Socialistët respektuan vendimin e Konferencës së Kryetarëve për mbajtjen online të tyre, ndërsa demokratët vendimin e grupit të tyre parlamentar për prani fizike.
Komisioni i parë që u mblodh ishte ai i ligjeve. Deputetët e PD u shfaqën fizikisht në kryesinë e Kuvendit dhe në sallën ku kryetarja Klotilda Bushka nga PS nisi drejtimin e mbledhjes së përcaktuar online.
Kjo çoi në përplasje mes kryetares Bushka dhe anëtarëve të Partisë Demokratike në Komision. Bushka, pasi i falenderoi që në sallë po respektonin distancën fizike, u kërkoi që të futen online për të vijuar mbledhjen e Komisionit.
“Nuk e cakton ti se si duhet të logohemi ne. Ti je prezent në sallë, unë jam prezent! A ka mundësi të na japësh fjalën?!”, iu përgjigj Gazmend Bardhi nga PD.
Kryetarja Bushka refuzoi që t’i japë fjalën duke deklaruar se ajo po respektonte vendimin e konferencës së kryetarëve për mbajtjen e mbledhjes online.
“Mblidhemi të konferenca e kryetarëve dhe hajde ta ndryshojmë atë vendim. Unë po respektoj vendimin”, tha Bushka.
Duke dalë nga mbledhja, deputetët e PD-së kanë grisur fletët e rendit të ditës dhe të vendimeve të komisionit, duke nënkuptuar se vendimet e marra në këtë mbledhje nuk do t’i njohin. Opozita akuzoi se PS i mohoi të drejtën e fjalës.
“Deputetëve të opozitës iu mohua sot, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, e drejta e fjalës. Është qartazi përpjekje për të hequr transparencën që qytetarët të mos kuptojnë se cilat janë aferat që Edi Rama i kthen në ligj. Ne nuk do ta lejojmë kurrsesi një gjë të tillë. Ne do ta ndalim Ramën që të mos e kontrollojë këtë shtet në çdo qelizë të tij. Ne jemi prezent. Rama po i mohon opozitës mundësinë të marrë pjesë në komisione, që të mos denoncohen aferat e tij dhe të zhvasë çdo ditë shqiptarët”, tha deputeti Oerd Bylykbashi.
Nga shpejtësia në lëvizje drejtuesi i automjetit tip benz që mbeti viktimë Leonard Dushku, u përplas me bordurën prej betoni. 20 vjecari ndërroi jetë në vend ndërsa 4 shokët e tij të plagosur po marrin mjekim në spitalin e Lushnjes.
Presidenti Ilir Meta kujtoi përmes rrjeteve sociale se sipas dekretit që nxorri një ditë më parë, data kushtetuese për zgjedhjet vendore është 13 tetori. Për të nuk ka asnjë dilemë se vendimi i tij është në përputhje të plotë dhe të padiskutueshme me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit.
Përballë këmbënguljes së Kryeministrit për të zhvilluar zgjedhjet këtë të dielë, Meta këshillon qytetarët që, sipas tij, të mos bien pre e provokimeve dhe të shmangin dhunën në procesin e së dielës e cilëson një proces tërësisht partiak.
“Ju këshilloj ta merrni atë me qetësi e mençuri, dhe të mos bini pre e provokimeve, sepse ato u shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak.T’i respektojmë dhe të mos konfrontohemi me të gjithë ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto votime socialiste. Konfrontimi dhe dhuna nuk i shërben Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane dhe sidomos bashkëjetesës sonë qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet dhe në të g jithë shoqërinë tonë”, shkruan Meta.
Presidenti nuk kursen ironizimin dhe postimin e tij me shkrim e shoqëron me një video-kronikë nga zgjedhjet e vitit 1982 në Shqipëri, proces që në kohën e regjimit pritej me këngë, daulle e valle.
“Ndoshta e teproj, por për t’i shijuar tamam votimet socialiste dhe për t’ju rikthyer qoftë dhe për 1 ditë asaj periudhë 45-vjeçare, shoqërojini me dajre e daulle si njëherë e një kohë. Ata vetë do votojnë, vetë do t’i numërojnë. Të gjithë shqiptarët së bashku, në mënyrë demokratike, të fshehtë, të lirë dhe të ndershme do të zgjedhin vetëm në 13 tetor 2019. Ndaj ju ftoj të ndiqni dhe këtë video për t’u çtensionuar sadopak në prag të kësaj fundjave interesante”, mbyll reagimin e tij Meta.
Prej një jave tashmë, yje nga gjithë bota janë përpjekur të heqin tapat e shisheve, duke filluar me aktorin e njohur të filmave aksion Jason Statham dhe një John Mayer surprizues. Marifeti është një lëvizje e vetme e cila kërkon aftësi dhe saktësi ekstreme. Disa ja arritën ta kryejnë me sukses, disa dështuan.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, që prej marrjes së detyrës. Gjatë vizitës në Prishtinë, Cakaj zhvilloi një sërë takimesh me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës.
Mazhoranca nuk tërhiqet nga kushti i depolitizimit të administratës zgjedhore, duke u dhënë partive politike vetëm mundësinë e vëzhgimit të procesit të votimit dhe numërimit, por jo të vendimmarrjes. Kryeministri Edi Rama e përforcoi këtë qëndrim gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjteje në Kuvend.
“Depolitizimi i komisioneve është i domosdoshëm, sepse nuk mendoj që ligji bëhet sot për nesër”, deklaroi ai.
Rama hodhi poshtë arsyetimin e opozitës se depolitizimi i procesit është i pamundur për shkak të politizimit të vetë administratës publike. Veç kësaj ai foli edhe për garancitë që i jep opozitës për paanshmërinë e komisionerëve apartiakë.
Kryeministri tha se 67 për qind e rreth 9 mijë punonjësve me status e shërbimit civil nën varësinë e pushtetit ekzekutiv janë në detyrë që para 2013-ës dhe më pas shpjegoi në vija të trasha ofertën socialiste për opozitën. Ai i ofroi opozitës që të drejtojë procesin e trajnimit të komisionerëve apartiakë, përveç garancive ligjore që jepen në propozim.
“16.500 komisionerë na duhen me formulën e 3 komisionerëve për çdo qendër votimi. Të trajnohen dhe ta ndjekë vetëm PD trajnimin e tyre dhe në fund të hidhet shorti. Në fund dalin njerëzit, për të garantuar zgjedhjet. Është vënë detyruese që kujt i del emri që të shkojë në qendrën e votimit, 48 orë para hidhet shorti dhe i thuhet që të paraqitet në qendrën e votimit filan. Nëse nuk paraqitet, hiqet nga puna dhe humbet të drejtën për të hyrë në punë shteti për të gjithë jetën dhe nëse kapet duke bërë ndonjë gjë tjetër ndiqet edhe penalisht”, u shpreh ai.
Garancia tjetër e ofruar nga Rama është sistemi i kamerave në çdo qendër votimi, një propozim i Partisë Demokratike i pranuar nga socialistët dhe katër vëzhgues, dy të opozitë dhe dy të mazhorancës, por që përjashtohen nga procesi i vendimmarrjes.
“Do të kemi kamera në çdo qendër votimi dhe veç tyre, edhe shumica dhe opozita, që duhet ta gjejmë kush është, kanë nga dy monitorë specialë që të rrijnë atje nga fillimi deri në fund. Ata mund të shkruajnë gjithçka që shohin keq dhe ta çojnë tek KQZ dhe KZAZ dhe nëse rezulton se kërkesa e tyre është e drejtë hetohet”, tha Rama.