Depolitizimi, Rama zbulon çfarë i ka ofruar opozitës
Mazhoranca nuk tërhiqet nga kushti i depolitizimit të administratës zgjedhore, duke u dhënë partive politike vetëm mundësinë e vëzhgimit të procesit të votimit dhe numërimit, por jo të vendimmarrjes. Kryeministri Edi Rama e përforcoi këtë qëndrim gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjteje në Kuvend.
“Depolitizimi i komisioneve është i domosdoshëm, sepse nuk mendoj që ligji bëhet sot për nesër”, deklaroi ai.
Rama hodhi poshtë arsyetimin e opozitës se depolitizimi i procesit është i pamundur për shkak të politizimit të vetë administratës publike. Veç kësaj ai foli edhe për garancitë që i jep opozitës për paanshmërinë e komisionerëve apartiakë.
Kryeministri tha se 67 për qind e rreth 9 mijë punonjësve me status e shërbimit civil nën varësinë e pushtetit ekzekutiv janë në detyrë që para 2013-ës dhe më pas shpjegoi në vija të trasha ofertën socialiste për opozitën. Ai i ofroi opozitës që të drejtojë procesin e trajnimit të komisionerëve apartiakë, përveç garancive ligjore që jepen në propozim.
“16.500 komisionerë na duhen me formulën e 3 komisionerëve për çdo qendër votimi. Të trajnohen dhe ta ndjekë vetëm PD trajnimin e tyre dhe në fund të hidhet shorti. Në fund dalin njerëzit, për të garantuar zgjedhjet. Është vënë detyruese që kujt i del emri që të shkojë në qendrën e votimit, 48 orë para hidhet shorti dhe i thuhet që të paraqitet në qendrën e votimit filan. Nëse nuk paraqitet, hiqet nga puna dhe humbet të drejtën për të hyrë në punë shteti për të gjithë jetën dhe nëse kapet duke bërë ndonjë gjë tjetër ndiqet edhe penalisht”, u shpreh ai.
Garancia tjetër e ofruar nga Rama është sistemi i kamerave në çdo qendër votimi, një propozim i Partisë Demokratike i pranuar nga socialistët dhe katër vëzhgues, dy të opozitë dhe dy të mazhorancës, por që përjashtohen nga procesi i vendimmarrjes.
“Do të kemi kamera në çdo qendër votimi dhe veç tyre, edhe shumica dhe opozita, që duhet ta gjejmë kush është, kanë nga dy monitorë specialë që të rrijnë atje nga fillimi deri në fund. Ata mund të shkruajnë gjithçka që shohin keq dhe ta çojnë tek KQZ dhe KZAZ dhe nëse rezulton se kërkesa e tyre është e drejtë hetohet”, tha Rama.