Videot kryesore
Ndryshimet cekin disa nene, kryesisht nenet që parashikojnë masat disiplinore për anëtarët e organeve të drejtësisë së re, por edhe nenin 221 të këtij ligji, që përcakton kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u emëruar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Mes kushteve ishtë edhe ai që kandidatët duhet të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Presidenti Meta fajësonte këtë nen që prej fillimit të vitit të kaluar si shkaktar të ngërçit për ngritjen e këtij Këshilli.
Përmbyllja e reformës zgjedhore brenda 15 marsit, afati që i kanë vendosur vetes mazhoranca dhe opozita në Këshillin Politik vihet në pikëpyetje. Shkak është bërë një propozim i Partisë Demokratike për përjashtimin përkohësisht nga procesi i vettingut i gjyqtarëve që do të zgjidhen pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor, që do të shqyrtojë ankesat për procesin e zgjedhjeve.
Demokratët thonë se me këtë propozim përmbushin një prej rekomandimeve kryesore të ekspertëve të ODIHR.
“Aktualisht është e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vettingut, siç kërkon ODIHR, pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon më vetting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vettingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rëndësishëm për zgjedhjet”, thotë PD.
Por, përse PD nuk propozon që Kolegji Zgjedhor të përbëhet vetëm nga gjyqtarë të Apelit që kanë kaluar vettingun? Së pari, Oerd Bylykbashi tha se numri i këtyre gjyqtarëve është i pakët dhe së dyti shqetësimi i hershëm i opozitës se procesi i vettingut po shfrytëzohet nga Edi Rama si mekanizëm për të kërcënuar gjyqtarë e prokurorë dhe për të kapur drejtësinë.
“Së pari, numri i gjyqtarëve që kanë kaluar vettingun është shumë i vogël dhe së dyti është një proces thelbësisht problematik. Kemi rastin e gjyqtarit Dvorani, që megjithëse nuk justifikon 100 mln lekë e kaloi vettingun dhe askush nuk e ankimoi atë vendim të turpshëm, që bëri më pas të mundur të gjithë këtë që kemi sot”, deklaroi Bylykbashi.
Megjithatë, Partia Demokratike nuk e përjashton vettingun për këta gjyqtarë, por me propozimin e vet u jep një imunitet të përkohshëm 4-vjeçar, aq sa është edhe mandati i Kolegjit Zgjedhor, me qëllim që vettingu të mos mund të përdoret si mjet presioni i mazhorancës ndaj këtyre gjyqtarëve në momentin që janë duke shqyrtuar një ankesë të mundshme zgjedhore.
PD thotë se kjo nuk është pengesë për procesin e vettingut në tërësi, pasi numri i gjyqtarëve që do të përjashtoheshin përkohësisht nga ky proces është mjaft i vogël. Në varësi të ndryshimeve që do të ndodhin në Kodin Zgjedhor, opozita e përllogarit këtë numër nga 8 deri në 15 gjyqtarë, sipas formulës që do të bien dakord palët për përbërjen e këtij institucioni. Këto shifra, PD thonë se përbëjnë nga 2 deri në 4 për qind të gjyqtarëve në rang vendi.
PD dhe opozita propozojnë që vetingu për këta gjyqtarë të nisë me mbarimin e mandatit 4 vjeçar në gjykatën e zgjedhjeve. Sipas llogarive të opozitës, moratoriumi prek një numër të papërfillshëm të gjyqtarëve 2-4% të tyre, në varësi të numrit të anëtarëve të kësaj trupe 8 ose 15.
Kodi Zgjedhor aktual përcakton se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor zgjidhen me short nga radhët e gjyqtarëve të apelit në të gjithë vendin. Këta gjyqtarë janë në listën parësore të organeve të vettingut, që për opozitën do të thotë se janë edhe nën presionin e vazhdueshëm. Për këtë, PD propozon edhe zgjerimin e bazës së gjyqtarëve që mund të bëhen pjesë e Kolegjit edhe me gjyqtarët e gjykatave të Shkallëve të Para në të gjithë vendin, me kusht që të kenë të paktën 7 vite përvojë në punë.
Propozimi i dytë ka marrë pëlqimin e socialistëve, por jo propozimi i parë, pra ai i përjashtimit përkohësisht nga procesi i vettingut i gjyqtarëve që zgjidhen anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Damian Gjiknuri konfirmoi deklaratën e Oerd Bylykbashit në lidhje me reagimin e socialistëve për këtë propozim. Para mediave ai tha se do të ishte antikushtetuese që të ndalohej procesi i vettingut.
“Nuk mund të vendosim në pikëpyetje të gjithë reformën në drejtësi. Ne jemi gati të gjejmë kompromis, por duke respektuar parimet kushtetuese dhe jo hallet që kemi me reformën në drejtësi t’i kthejmë në tryezë. Nuk duket normale që procesi i vettingut të bllokohet për shkak të formimit të Kolegjit Zgjedhor. Mund të ishte më e arsyeshme që gjyqtarët që kanë kaluar vettingun të jenë pjesë e procesit për Kolegjin Zgjedhor. Pse mos të jenë ata shporta nga e cila të përzgjidhet?! Kushtetuta ka përcaktuar detyrimin që çdo gjyqtar të kalojë në vetting dhe kjo nuk mund të pezullohet”, deklaroi përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.
Me gjithë këto ndasi në mes, 15 marsi si afat për përfundimin e reformës zgjedhore, i vënë si qëllim në vetvete nga të dyja palët, duket shumë i afërt. Përveç ndasisë për përbërjen e Kolegjit Zgjedhor, palët publikisht janë shfaqur larg dakordësisë edhe në lidhje me disa propozime të tjera të PD-së, mes të cilave edhe ai për qeverinë tranzitore dhe për drejtor të ri të Policisë së Shtetit 100 ditë para zgjedhjeve.
Kolegji aktual zgjedhor përbëhet nga 8 gjyqtarë të Gjykatave të Apelit, por vendimmarrjet për 30 qershorin janë kryer vetëm nga gjashtë prej tyre. Tomor Skreli u dorëhoq para vettingut, ndërkohë që Gjin Gjoni ishte me leje lindjeje 1-vjeçare. Mandati i këtij kolegji përfundon këtë vit dhe po këtë vit duhet të hidhet shorti për përbërjen e kolegjit të ri, që mbetet për t’u parë nëse do të jetë me 8, apo 15 anëtarë, apo me një shifër ndërmjet këtyre dyjave.
Nga propozimi i Partisë Demokratike për moratorium 4-vjeçar për anëtarët e këtij Kolegji mund të përfitojnë “imunitet” të përkohshëm ndaj vettingut emra gjyqtarësh si Gjin Gjoni, Fatmira Hajdari, apo Alaudin Malaj, gjithmonë nëse shorti do t’u buzëqeshë dhe të zgjidhen anëtarë të këtij kolegji.
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
Pasi Kolegji Zgjedhor i vuri kapak odisesë e debatit mbi modelin e fletës së votimit, duke vendosur numrat në vend të emrave të kandidatëve, sfida tashmë mbetet informimi masiv i qytetarëve mbi mënyrën e votimit dhe rastet kur fleta e tyre konsiderohet e pavlefshme.
Për të sqaruar këto detaje teknike thelbësore për një proces zgjedhor, këtë të hënë Komisioneri Ilirjan Celibashi doli në një konferencë për shtyp. Si fillim, kreu i KQZ-së tha se para se t’i drejtohen një qendrë votimi, qytetarët duhet të kenë të qartë dhe fiksojnë mirë numrin e partisë, apo koalicionit të preferuar dhe numrin e kandidatit të preferuar të kësaj partie, apo koalicioni.
“Në çdo qendër votimi do të vendosim postera për të treguar se çfarë numri ka çdo kandidat i çdo partie. Nëse ndonjë nga votuesit do të ngatërrohet për numrin e kandidatit, mund ta konsultojë edhe njëherë informacionin me fletëpalosjen te dhoma e fshehtë”, tha Celibashi.
Duke marrë me radhë të gjitha kombinimet e mundshme Komisioneri sqaroi se kur një fletë votimi vlerësohet e vlefshme dhe kur e pavlefshme.
“Një votues mund të zgjedhë partinë, ose koalicionin dhe një kandidat të kësaj partie. Nuk mund të zgjedhin dy kandidatë. Nuk mund të zgjedhë një parti dhe një koalicion dhe një kandidat të një partie, apo koalicioni tjetër. Në çdo rast kandidati duhet të jetë brenda kësaj partie. Njëkohësisht një votues mund të votojë vetëm partinë dhe asnjë nga kandidatët që ajo ka propozuar. Fleta është e vlefshme edhe nëse zgjedh vetëm një kandidat dhe nëse nuk ke zgjedhur partinë, apo koalicionin. Kjo fletë numërohet si votë për kandidatin, por edhe për partinë apo koalicionin që i përket. Nuk mund të zgjedhësh dy kandidatë, apo dy parti”, sqaroi ai.
Për të sqaruar edhe më tej, KQZ do të ndërmarrë një fushatë informimi masiv të qytetarëve mbi të gjitha detajet teknike të procesit zgjedhor. Celibashi tha se ky program informimi do të përçohet te të gjithë qytetarët.
Në lidhje me afatet dhe kostot e prodhimit të fletëve të votimit, pas alarmit të ngritur nga kompania sllovene e kontraktuar për printimin e tyre, Ilirjan Celibashi tha se me modelin e thjeshtuar me numra të miratuar nga Kolegji procesi nuk rrezikohet dhe as shkakton shpenzime shtesë.
“Nëse ne do të vonoheshim edhe më, kostot do të ishin më të mëdha, sepse do të paguhej më shumë për transportin, sepse do të ishim në kushtet e emergjencës. Por, me modelin e miratuar kemi të gjithë mirëkuptimin e kompanisë së fletës së votimit, që edhe pse ne jemi shumë vonë pasi do të duhej të kishim dorëzuar modelin e fletës që më 26 mars, ata brenda të njëjtave termave financiarë do të përmbushin detyrimet e tyre për të printuar dhe transportuar fletët e votimit pa asnjë kosto shtesë”, tha Celibashi.
KQZ ka kontraktuar kompaninë sllovene Cetis për printimin e 3.6 mln fletëve të votimit. Përmes një letre dërguar KQZ-së në fillim të këtij muaji, kjo kompani ngriti shqetësimin se vonesat e mëtejshme dhe vështirësia e modelit të fletëve rrezikonin mospërmbushjen e dorëzimit të tyre brenda afateve.
Opozita në Komisionin e Ekonomisë e cilësoi gjysmak relacionin e Ministrisë së Financave në lidhje me ligjin për daljen në tregjet ndërkombëtare për të marrë Eurobond, ndërsa akuzoi se borxhi i ri po merret për të shlyer një më të vjetër.
Projektligji u mbrojt para Komisionit nga ministrja Delina Ibrahimi. Ajo tha se Shqipëria po del në këtë moment për Eurobond për të përfituar nga normat e ulta të interesave dhe shmangur mundësitë e rritjes së tyre për vitin e ardhshëm, sipas sinjalizimeve të dhëna nga Banka Qendrore Europiane dhe Federal Reserve në SHBA.
Por, nga opozita deputeti Dashamir Shehi akuzoi se norma e interesit 3.5 ishte e lartë. Ai tha se nuk ka vend për mburrje, ndërsa deputetë të tjerë u shprehën se mungon transparenca për përdorimin e këtij borxhi.
Ata akuzuan për pakujdesi në marrjen e borxhit, duke ngarkuar me barrë të rëndë fiskale brezat e ardhshëm. Opozita kërkoi që për politika financiare që shkojnë përtej mandatit të një Kuvendi, apo të një qeverie të ketë më shumë transparencë dhe hapa më të kujdesshëm.
Në këtë pikë, deputetët e opozitës gjetën mbështetjen e socialistit, Erion Braçe, ish-kryetari Komisionit të Ekonomisë dhe ish-zv.Kryeministër. Braçe tha se duke filluar nga viti i ardhshëm, qeveria duhet t’u rikthehet politikave të konsolidimit fiskal. Ai e cilësoi momentin e duhur për të dalë për Eurobond, por sugjeroi se ai duhet të përdoret më shumë për pandeminë dhe sidomos vaksinimin.
Mediat daneze i kanë kushtuar rëndësi emigrimit ilegal të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe. "Shqiptarët tentojnë të ikin ilegalisht drejt Britanisë, duke “thyer sigurinë” e portit Esbjerg të Danimarkës", shkruhet në shkrimin e “Dr.dk".