Up next

Të gjithë skenarët / Kur vota është vlefshme dhe kur jo

49 Shikime· 04/05/21
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Pasi Kolegji Zgjedhor i vuri kapak odisesë e debatit mbi modelin e fletës së votimit, duke vendosur numrat në vend të emrave të kandidatëve, sfida tashmë mbetet informimi masiv i qytetarëve mbi mënyrën e votimit dhe rastet kur fleta e tyre konsiderohet e pavlefshme.

Për të sqaruar këto detaje teknike thelbësore për një proces zgjedhor, këtë të hënë Komisioneri Ilirjan Celibashi doli në një konferencë për shtyp. Si fillim, kreu i KQZ-së tha se para se t’i drejtohen një qendrë votimi, qytetarët duhet të kenë të qartë dhe fiksojnë mirë numrin e partisë, apo koalicionit të preferuar dhe numrin e kandidatit të preferuar të kësaj partie, apo koalicioni.

“Në çdo qendër votimi do të vendosim postera për të treguar se çfarë numri ka çdo kandidat i çdo partie. Nëse ndonjë nga votuesit do të ngatërrohet për numrin e kandidatit, mund ta konsultojë edhe njëherë informacionin me fletëpalosjen te dhoma e fshehtë”, tha Celibashi.

Duke marrë me radhë të gjitha kombinimet e mundshme Komisioneri sqaroi se kur një fletë votimi vlerësohet e vlefshme dhe kur e pavlefshme.

“Një votues mund të zgjedhë partinë, ose koalicionin dhe një kandidat të kësaj partie. Nuk mund të zgjedhin dy kandidatë. Nuk mund të zgjedhë një parti dhe një koalicion dhe një kandidat të një partie, apo koalicioni tjetër. Në çdo rast kandidati duhet të jetë brenda kësaj partie. Njëkohësisht një votues mund të votojë vetëm partinë dhe asnjë nga kandidatët që ajo ka propozuar. Fleta është e vlefshme edhe nëse zgjedh vetëm një kandidat dhe nëse nuk ke zgjedhur partinë, apo koalicionin. Kjo fletë numërohet si votë për kandidatin, por edhe për partinë apo koalicionin që i përket. Nuk mund të zgjedhësh dy kandidatë, apo dy parti”, sqaroi ai.

Për të sqaruar edhe më tej, KQZ do të ndërmarrë një fushatë informimi masiv të qytetarëve mbi të gjitha detajet teknike të procesit zgjedhor. Celibashi tha se ky program informimi do të përçohet te të gjithë qytetarët.

Në lidhje me afatet dhe kostot e prodhimit të fletëve të votimit, pas alarmit të ngritur nga kompania sllovene e kontraktuar për printimin e tyre, Ilirjan Celibashi tha se me modelin e thjeshtuar me numra të miratuar nga Kolegji procesi nuk rrezikohet dhe as shkakton shpenzime shtesë.

“Nëse ne do të vonoheshim edhe më, kostot do të ishin më të mëdha, sepse do të paguhej më shumë për transportin, sepse do të ishim në kushtet e emergjencës. Por, me modelin e miratuar kemi të gjithë mirëkuptimin e kompanisë së fletës së votimit, që edhe pse ne jemi shumë vonë pasi do të duhej të kishim dorëzuar modelin e fletës që më 26 mars, ata brenda të njëjtave termave financiarë do të përmbushin detyrimet e tyre për të printuar dhe transportuar fletët e votimit pa asnjë kosto shtesë”, tha Celibashi.

KQZ ka kontraktuar kompaninë sllovene Cetis për printimin e 3.6 mln fletëve të votimit. Përmes një letre dërguar KQZ-së në fillim të këtij muaji, kjo kompani ngriti shqetësimin se vonesat e mëtejshme dhe vështirësia e modelit të fletëve rrezikonin mospërmbushjen e dorëzimit të tyre brenda afateve.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next