PD propozon moratorium ndaj vettingut për gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor
Përmbyllja e reformës zgjedhore brenda 15 marsit, afati që i kanë vendosur vetes mazhoranca dhe opozita në Këshillin Politik vihet në pikëpyetje. Shkak është bërë një propozim i Partisë Demokratike për përjashtimin përkohësisht nga procesi i vettingut i gjyqtarëve që do të zgjidhen pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor, që do të shqyrtojë ankesat për procesin e zgjedhjeve.
Demokratët thonë se me këtë propozim përmbushin një prej rekomandimeve kryesore të ekspertëve të ODIHR.
“Aktualisht është e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vettingut, siç kërkon ODIHR, pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon më vetting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vettingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rëndësishëm për zgjedhjet”, thotë PD.
Por, përse PD nuk propozon që Kolegji Zgjedhor të përbëhet vetëm nga gjyqtarë të Apelit që kanë kaluar vettingun? Së pari, Oerd Bylykbashi tha se numri i këtyre gjyqtarëve është i pakët dhe së dyti shqetësimi i hershëm i opozitës se procesi i vettingut po shfrytëzohet nga Edi Rama si mekanizëm për të kërcënuar gjyqtarë e prokurorë dhe për të kapur drejtësinë.
“Së pari, numri i gjyqtarëve që kanë kaluar vettingun është shumë i vogël dhe së dyti është një proces thelbësisht problematik. Kemi rastin e gjyqtarit Dvorani, që megjithëse nuk justifikon 100 mln lekë e kaloi vettingun dhe askush nuk e ankimoi atë vendim të turpshëm, që bëri më pas të mundur të gjithë këtë që kemi sot”, deklaroi Bylykbashi.
Megjithatë, Partia Demokratike nuk e përjashton vettingun për këta gjyqtarë, por me propozimin e vet u jep një imunitet të përkohshëm 4-vjeçar, aq sa është edhe mandati i Kolegjit Zgjedhor, me qëllim që vettingu të mos mund të përdoret si mjet presioni i mazhorancës ndaj këtyre gjyqtarëve në momentin që janë duke shqyrtuar një ankesë të mundshme zgjedhore.
PD thotë se kjo nuk është pengesë për procesin e vettingut në tërësi, pasi numri i gjyqtarëve që do të përjashtoheshin përkohësisht nga ky proces është mjaft i vogël. Në varësi të ndryshimeve që do të ndodhin në Kodin Zgjedhor, opozita e përllogarit këtë numër nga 8 deri në 15 gjyqtarë, sipas formulës që do të bien dakord palët për përbërjen e këtij institucioni. Këto shifra, PD thonë se përbëjnë nga 2 deri në 4 për qind të gjyqtarëve në rang vendi.
PD dhe opozita propozojnë që vetingu për këta gjyqtarë të nisë me mbarimin e mandatit 4 vjeçar në gjykatën e zgjedhjeve. Sipas llogarive të opozitës, moratoriumi prek një numër të papërfillshëm të gjyqtarëve 2-4% të tyre, në varësi të numrit të anëtarëve të kësaj trupe 8 ose 15.
Kodi Zgjedhor aktual përcakton se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor zgjidhen me short nga radhët e gjyqtarëve të apelit në të gjithë vendin. Këta gjyqtarë janë në listën parësore të organeve të vettingut, që për opozitën do të thotë se janë edhe nën presionin e vazhdueshëm. Për këtë, PD propozon edhe zgjerimin e bazës së gjyqtarëve që mund të bëhen pjesë e Kolegjit edhe me gjyqtarët e gjykatave të Shkallëve të Para në të gjithë vendin, me kusht që të kenë të paktën 7 vite përvojë në punë.
Propozimi i dytë ka marrë pëlqimin e socialistëve, por jo propozimi i parë, pra ai i përjashtimit përkohësisht nga procesi i vettingut i gjyqtarëve që zgjidhen anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Damian Gjiknuri konfirmoi deklaratën e Oerd Bylykbashit në lidhje me reagimin e socialistëve për këtë propozim. Para mediave ai tha se do të ishte antikushtetuese që të ndalohej procesi i vettingut.
“Nuk mund të vendosim në pikëpyetje të gjithë reformën në drejtësi. Ne jemi gati të gjejmë kompromis, por duke respektuar parimet kushtetuese dhe jo hallet që kemi me reformën në drejtësi t’i kthejmë në tryezë. Nuk duket normale që procesi i vettingut të bllokohet për shkak të formimit të Kolegjit Zgjedhor. Mund të ishte më e arsyeshme që gjyqtarët që kanë kaluar vettingun të jenë pjesë e procesit për Kolegjin Zgjedhor. Pse mos të jenë ata shporta nga e cila të përzgjidhet?! Kushtetuta ka përcaktuar detyrimin që çdo gjyqtar të kalojë në vetting dhe kjo nuk mund të pezullohet”, deklaroi përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.
Me gjithë këto ndasi në mes, 15 marsi si afat për përfundimin e reformës zgjedhore, i vënë si qëllim në vetvete nga të dyja palët, duket shumë i afërt. Përveç ndasisë për përbërjen e Kolegjit Zgjedhor, palët publikisht janë shfaqur larg dakordësisë edhe në lidhje me disa propozime të tjera të PD-së, mes të cilave edhe ai për qeverinë tranzitore dhe për drejtor të ri të Policisë së Shtetit 100 ditë para zgjedhjeve.
Kolegji aktual zgjedhor përbëhet nga 8 gjyqtarë të Gjykatave të Apelit, por vendimmarrjet për 30 qershorin janë kryer vetëm nga gjashtë prej tyre. Tomor Skreli u dorëhoq para vettingut, ndërkohë që Gjin Gjoni ishte me leje lindjeje 1-vjeçare. Mandati i këtij kolegji përfundon këtë vit dhe po këtë vit duhet të hidhet shorti për përbërjen e kolegjit të ri, që mbetet për t’u parë nëse do të jetë me 8, apo 15 anëtarë, apo me një shifër ndërmjet këtyre dyjave.
Nga propozimi i Partisë Demokratike për moratorium 4-vjeçar për anëtarët e këtij Kolegji mund të përfitojnë “imunitet” të përkohshëm ndaj vettingut emra gjyqtarësh si Gjin Gjoni, Fatmira Hajdari, apo Alaudin Malaj, gjithmonë nëse shorti do t’u buzëqeshë dhe të zgjidhen anëtarë të këtij kolegji.