Videot kryesore
Në fund të takimit me Angela, Rama ka hedhur në rrjetet sociale këtë video, të cilën e shoqëron me një shënim të shkurtër, ku fjala “negociatë” mungon.
“Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel”, shkruan ai, duke e vlerësuar Angela Merkel si mike të vërtetë të Shqipërisë.
Kompanite britanike të prodhimit të automjeteve janë shumë prapa në krahasim me koleget e tyre amerikane dhe gjermane sa i takon modeleve elektrike.
Këtë diferencë synon që ta shkurtojë kompania Lotus me modelin e saj “Evija”.
Bëhet fjalë për të parën makinë britanike krejtësisht elektrike me një kosto që pritet të shkojë rreth 2.5 mln euro.
Kompania premton se “Evija” do të jetë makina më e fuqishme elektrike në botë, me kapacitetin për të kapur 300 kilometra në orë për më pak se 9 sekonda dhe një shpejtësi maksimale mbi 340 kilometra për orë.
Irani hakmerret ndaj SHBA-së pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani. Sulmi u pohua nga rojet e Revolucionit Islamik: “Hakmarrja e ashpër ka filluar”. Irani e ka urdhëruar SHBA që të tërheqin trupat nga rajoni dhe kërcënon të godasë aleatët amerikanë gjatë hakmarrjes.
Në 1:20 të mëngjesit me kohën lokale, dhjetëra raketa nga Irani goditën bazat ushtarake të Ayn al-Asad dhe Erbil në Irak. Të dy gjithashtu presin personelin e koalicionit anti-Isis amerikan dhe ndërkombëtar. Siç shkruajnë mediat italiane, gjatë natës, në orët menjëherë pas sulmit, luftëtarët amerikanë kanë fluturuar mbi Siri dhe luftëtarë iranianë në hapësirën ajrore të Irakut. Televizioni shtetëror iranian citon burime të informuara të Gardës Revolucionare se rreth 80 njerëz u vranë, dhe 200 të tjerë u plagosën, pas bastisjes.
TV raportoi për “80 terroristë amerikanë” të vrarë. “Humbje të mëdha i janë shkaktuar në dronë, helikopterë dhe pajisje ushtarake të shumta në bazë” në al-Asad. Sipas Gardës Revolucionare, të paktën 15 raketa kanë goditur bazat amerikane, dhe asnjë prej tyre nuk është përgjuar nga ushtria amerikane.
Ndërkohë, presidenti Trump ka reaguar në “Twitter”.
“Gjithçka është mirë! Irani hodhi raketa në dy baza ushtarake në Irak. Është duke u bërë vlerësimi për viktimat dhe dëmet. Deri tani, mirë! Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe më të pajisur në botë, shumë më tepër se kushdo! Do të bëj një deklaratë nesër në mëngjes”, shkruan ai.
Sulmi u pohua menjëherë nga rojet e Revolucionit Islamik, ose Pasdaran, të cilët cilësojnë atë si operacioni “Dëshmori Soleimani”. “Hakmarrja e ashpër e Gardës Revolucionare ka filluar”, thotë Teherani.
Presidenti Trump u informua menjëherë për sulmet në vazhdim në Irak dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh në Shtëpinë e Bardhë. Lajmi për sulmet vjen vetëm disa ditë pas një përshkallëzimi të tensionit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pas vrasjes së gjeneralit me ndikim iranian Qassem Soleimani, i cili u godit në një sulm amerikan në Irak më 3 janar.
Gjuha e kujdesshme dhe e përzgjedhur në konferencën e përbashkët për shtyp nuk arriti që të fshehë ndasinë e thellë mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit sa i takon nismës për krijimin e një tregut të përbashkët ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës tha se kjo temë ishte trajtuar shkurtimisht në këtë takim të parë me Edi Ramësn si Kryeministër dhe për këtë la të hapur diskutimet në të ardhmen, por pa dhënë afate. Kurti nënkuptoi se i ashtuquajturi “Shengeni Ballkanik” është i një rëndësie të vogël për Qeverinë që ai drejton në Prishtinë, që ka një tjetër prioritet.
“Ky ishte takimi ynë i paarë dhe natyrisht që ka edhe shumë tema të tjera që do të trajtojmë. Mund të them që kjo temë (Shengeni Ballkanik) ishte një temë e trajtuar shkurtimisht, meqënëse takimi sot ishte më shumë për makro-shengenin shqiptar sesa për “Minishengenin ballkanik”, deklaroi Albin Kurti.
Por, Edi Rama nuk e sheh të arritshëm krijimin e “makroshengenin shqiptar” pa “minishengenin ballkanik. Ai përforcoi ndasitë e shfaqura edhe në të shkuarën mes dy kryeministrave sa i takon kësaj teme.
“Në këtë pikë kemi një diskutim për të çuar para. Por, unë besoj që nuk ka makroshengen shqiptar pa minishengenin ballkanik”, u shpreh ai.
Albin Kurti, kritik i bashkëpunimit të deritanishëm mes shqiptarëve këtëj dhe andej kufirit, kërkoi që mes Tiranës dhe Prishtinës të ketë një fillim të ri të fuqishëm bashkëpunimi.
“Çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet. Vendosëm që të formojmë një komision ndërshtetëror i përbërë edhe nga ministra edhe nga deputetë që 77 marrëveshjet që janë nënshkruar të zbatohen dhe të shtohen në marrëveshje të tjera. Të shtojmë bashkëpunimin dhe bashkërendimin”, u shpreh ai.
Rama, që ka firmosur pjesën më të madhe të këtyre marrëveshjeve dhe ka qenë në tryezë në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive me Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn nuk hodhi poshtë bashkëpunimin e deritanishëm, por foli për nevojën e një ndryshimi marrshi e shpejtësie në këtë drejtim.
Presidenti Ilir meta nuk komentoi përmbajtjen e pjesëve të draftit paraprak të Komisionit të Venecias, që u bënë publike pasditen e së premtes.
Në vend të kësaj Presidenti foli parimisht duke deklaruar se nuk bëhet fjalë për një çështje të Venecias, por për një përplasje për drejtësinë.
“Nuk mendoj se kjo është një çështje e Venecias, sepse Kushtetutën e Shqipërisë e ka shkruar Komisioni i Venecias. Prej 115 ditësh kjo është një çështje e drejtësisë dhe hetimit, që të bëjë veprimet e duhura që askush të mos dalë mbi Kushtetutën dhe ligjin”, tha Presidenti.
Meta nuk komentoi raportin duke deklaruar se mbi dokument ka pasur një konfidencialitet të cilit palët duhet t’i binden. Megjithatë, copëza të draft-raportit u publikuan ditën e premte. Sipas përmbajtjes së tyre, Venecia i jep të drejtë Presidentit të Republikës në betejën e tij me mazhorancën për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Po ashtu, draft-raporti vë në dyshim edhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa mazhoranca konfirmoi marrjen e një drafti paraprak, nuk rrëzoi përmbajtjen e pjesëve të publikuara, por tha se ato janë shkëputur në mënyrë selektive nga drafti si një i tërë. Në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla nënkuptoi se drafti që duhej të ruhej konfidencial ka rrjedhur nga Presidenca.
Forcat e Armatosura kanë shuar sot një zjarr në malin e Dajtit, pranë zonës së Linzës.
Ministria e Mbrojtjes thotë se krahas angazhimit nga toka të efektiveve të zjarrfikësve u kërkua ndërhyrja nga ajri.
Për shuarjen e zjarrit u angazhua edhe një helikopter i Forcës Ajrore dhe ekuipazhi i tij.
Tregjet, kryesisht ato të fruta-perimeve kanë qenë vendet më problematike këto ditë përsa i përket mungesës së ruajtjes së distancës. Pavarësisht thirrjeve për kujdes, qytetarët janë dynduar nëpër pikat e shitjes në Tiranë, duke shkelur rregullin e distancimit social.
Bashkia e Tiranës thotë se duke filluar nga e hëna, kjo problematikë do të zgjidhet. Policia dhe ushtria do të kontrollojnë hyrje-daljet e tregjeve dhe asskush nuk do të lejohet që të hyjë në treg pa patur më parë autorizimin e daljes.
Një prej tregjeve më problematikë është vlerësuar ai në Kombinat. Bashkia ka vendosur në këtë treg një kordon sanitar për dezinfektimin në hyrje dhe në dalje të qytetarëve. Tregu do të ketë vetëm një hyrje dhe një dalje, pa pasur mundësi kthimi pas.
Kriza me të cilën po kalojnë njerëzit në tokë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri nuk e ka ndaluar Elon Musk që të vazhdojë të shohë nga qielli.
Kompania e tij, Space X lëshoi në hapësirën dërgesën e radhës me satelitë, që miliarderi amerikan thotë se janë pjesë e projektit gjigant “Lidhja e Yjeve” (Starlink), që do të përmirësojë ndjeshëm si mbulimin me internet të globit, ashtu edhe cilësinë e shpejtësinë e internetit.
Këtë radhë bëhej fjalë për rreth 400 satelitë që u hodhën në orbitë duke shfrytëzuar anijen hapësinore “Falcon 9” e cila u ngrit nga Cape Canaveral Air Force Station në Florida. Një pjesë e tyre u pa me sy të lirë edhe nga Tirana, si në videon e mëposhtme.
Kjo është dërgesa më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë si pjesë e këtij projekti, që Elon Musk synon që të zgjerohet me 12 mijë satelitë dhe mundësinë që ky numër të shkojë në 42 mijë të tillë.
Musk është i bindur se në përfundim të projektit nuk do të ketë cep të globit pa akses në internet, ndërkohë që kritikuesit e programit e qortojnë duke deklaruar se numri i lartë i satelitëve mund të ndikojë në destabilizimin e klimës në Tokë.
Presidenti Ilir Meta doli para gazetarëve për të arsyetuar edhe juridikisht kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave që kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës godinat dhe truallin e Teatrit Kombëtar.
Shkelja kryesore kushtetuese në këtë vendim, sipas Presidentit Meta, është tejkalimi i kompetencave nga ana e Bashkisë së Tiranës. Presidenti tha se teatri është një vepër kombëtare me interes të rëndësishëm për vlerat dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore që nuk mund t’i kalohet në menaxhim pushtetit vendor.
“Bashkia Tiranë nuk mund të ketë në pronësi këtë truall, pasi është kombëtar. Për një pasuri të tillë publike pronësia duhet të jetë vetëm pronë e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Presidenti.
Në vendimin e datës 9 maj të Qeverisë, kushtëzohet kalimi i pronësisë me prishjen e objektit ekzistues dhe ndërtimit të një objekti të ri. Pikërisht për këtë arsye, kreu i shtetit i kërkon Gjykatës Kushtetuese që ta marrë në shqyrtim dhe të vendosë për pezullimin e të gjitha veprimeve, pasi në të kundërt, siç tha ai, vendi rrezikon të humbasë një pjesë të identitetit kombëtar dhe historinë 80-vjeçare të teatrit.
“Pasojat do të ishin të parekuperueshme. Prandaj, kjo e bën të domosdoshme që të vendoset pezullimi i të gjitha akteve deri në marrjen e një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha Meta.
Presidenti thotë se në thelb, si VKM-ja e Qeverisë, ashtu edhe ligji për dhënien me koncesion të këtij trualli, që kreu i shtetit e ka dorëzuar në Kushtetuese që në korrik të 2019 janë e njëjta gjë. Meta shmangu komentin mbi deklaratat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që pak ditë më parë tha se teatri i ri do të bëhet dhe kërkoi nga Presidenti që “të mos fuste hundët tek punët që s’i takojnë”, duke përdorur shprehjen tiranase “graj gamorin tat”.
Por, ai tha se çështja e Teatrit Kombëtar është një çështje e ngritur në nivele kushtetuese tashmë dhe nuk kurseu tonet e forta.
“Presidenti është gjithmonë në krye të detyrës së tij në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar e publik. Sa i takon ndonjë karagjozi, apo karagjozëve që kërkojnë të bëjnë prova force me Presidentin, duhet ta ketë të qartë se Presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë dhe i ka bërë paralajmërimet të përsëritura. Presidenti do të bëjë detyrën e tij, pa rënë në provokime banale”, deklaroi ai.
Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e VKM-së së Qeverisë u dorëzua më herët nga Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj.
“Kjo është kërkesa e dytë që Presidenti i dorëzon kushtetueses dhe në të kërkohet shfuqizimi i vendimit të 8 majit 2020, që kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës, godinën e Teatrit Kombëtar, që sipas qëllimit të shprehur në vetë VKM-në e Qeverisë duhet të prishet”, deklaroi për Zërin e Amerikës, këshilltari Dervishaj.
Dervishaj tha se kërkesa është në vijimësi të padisë së parë kundër prishjes së godinës.
“Argumentat kushtetues mbeten të njëjtë, që godina paraqet interes të lartë publik dhe kombëtar dhe prishja e saj shkakon humbje. Prandaj, Presidenti kërkon nga Gjykata Kushtetuese fillimisht pezullimin e efekteve të këtij akti deri kur gjykata të shprehet. Të ndalohet çdo veprim administrativ që cenon godinën e teatrit”, tha Dervishaj.
Dorëzimi i kërkesës nga ana e Presidentit i paraprin mbledhjes së parashikuar për të premten të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku në rend të ditës është edhe shqyrtimi i vendimit për prishjen e godinës ekzistuese dhe ngritjes së godinës së re.
Ndërkohë, pasdite e së mërkurës forca të shumta të policisë bashkiake u panë afër teatrit, duke shkaktuar reagim të fortë nga grupi i artistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile që protesojnë prej muajsh kundër shembjes së godinës.
Pa skenë. Pa sallë për publikun. Sepse dëgjuesit mund të jenë kudo. Mjafton të kenë një smart phone a një kompjuter dhe drama “Babai im” është gjithkund e në çdo kohë me to. Në audio. Në website-in e gazetës “Si”. Në një format që vjen për herë të parë në Shqipëri. Më 22 maj ora 18.00.
Kur nisi të merrte formë si projekt, pikërisht në ato ditët e para të izolimit masiv prej Covid-19, nuk kish si të dihej se koha e prezantimit dhe e premierës së dramës “Babai im” do të përkonte pothuajse me ditët e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe gjithë protestave para dhe pas këtij akti kaq shumë të komentuar pro e kundër. Por, gjithë çfarë ndodhi nuk ia ndryshon dot rrjedhën dramës “Babai im”, sepse që në krye të herës ishte projektuar të vinte vetëm si audiodramë, pra jo në skenë e në salla të mbushura me publik, por në telefona, Ipad e kompjuterat që kemi të gjithë ndër duar. Pra publiku është i garantuar, pa pasur nevojë të vërë këmbë në një godinë teatri.
Nuk është hera e parë që një dramë na vjen vetëm në audio. Nostalgjikët kujtojnë “Radiodramatizimi” që për shumë e shumë vite me radhë është trasmetuar nga Radio Tirana, për t’u dëgjuar në çdo shtëpi nëpër radiot “Iliria”, po aq sa dhe “Rruga me pisha” ca vite më pas, që erdhi si një frymë e re kur kohët në Shqipëri ishin modernizuar paksa nga ndërrimi i sistemeve.
Por, është hera e parë që një dramë na vjen audio jo më përmes radios, por përmes teknologjisë së evoluar, në website-in e gazetës “Si”, si një opsion argëtimi për të gjithë që kanë në duar pajisjet elektronike e që mund ta gjejnë aty në çdo kohë që duan.
Subjekti flet për një aksident që do ta trondisë fort një familje e një shoqëri të tërë, sepse shumë të panjohura do të zbulohen pas atij aksidenti. Historia do të zbërthehet nga interpretimi dhe zërat e një kasti shumë simpatik aktorësh, Anisa Dervishi, Valdrin Hasani, Ema Andrea, Petrit e Aneta Malaj, Rozina Kostani, Medi Gura, Alert Çeloaliaj, Genc Fuga e Met Xhelili.
Me internetin përherë me vete, “Babai im” mund ta dëgjojmë duke filluar nga data 22 maj në makinë, në shtëpi, duke gjerbur kafenë, një gotë birrë a verë me veten në një qoshkë bari a restoranti, apo edhe në shtëpi.
Audiodrama është një zhanër i njohur në botë që aktualisht me zhvillimin e teknologjisë po vjen në formën e podcaste-eve apo edhe radiodramave të dikurshme. Eshtë koha për ta shijuar edhe në Shqipëri. Si fillim me 6 seritë e para të “Babai im”.
Audio Radio (ose audio drama, audio play, radio play, radio teatër, ose teatër audio) është një shfaqje e dramatizuar, thjesht akustike. Pa asnjë komponent vizual, drama radio varet nga dialogu, muzika dhe efektet e tingullit për të ndihmuar dëgjuesin të imagjinojë personazhet dhe tregimin: “Është shqisa e dëgjimit në dimensionin fizik, por po aq i fuqishëm si një forcë vizuale në dimensionin psikologjik”. Radio drama përfshin shfaqje të shkruara posaçërisht për radio, dokudrama, vepra të dramatizuara, si dhe shfaqje të shkruara fillimisht për teatrin, përfshirë teatrin muzikor dhe operën.
Drama radio arriti popullaritet të gjerë brenda një dekade të zhvillimit të saj fillestar në vitet 1920. Deri në vitet 1940 ishte një argëtim kryesor popullor ndërkombëtar. Me ardhjen e televizionit në vitet ’50, megjithatë, radio drama filloi të humbasë audiencën e saj, sidoqoftë, në një sërë shtetesh ajo mbetet e njohur.
Deri në shekullin XXI, radio drama pati një prani minimale në radiot tokësore në Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, kombet e tjera ende kanë tradita të lulëzuara të dramës në radio. Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, BBC prodhon dhe transmeton qindra radio drama të reja çdo vit në Radio 3, Radio 4, dhe Radio 4 Extra. Ashtu si SH.B.A., Australia ABC ka braktisur transmetimin e radio dramës, por në Zelandën e Re RNZ vazhdon të promovojë dhe transmetojë një shumëllojshmëri të dramave në valët e saj ajrore.
Falë përparimeve në regjistrimin dixhital dhe shpërndarjen e internetit, drama radio përjetoi një ringjallje rreth vitit 2010. Podcasting ofroi mjetet e krijimit të lirë të dramave të reja radio, përveç shpërndarjes së programeve të cilësisë së mirë.
Shprehjet “audio drama” ose “audio Theater” ndonjëherë përdoren sinonimisht me “radio dramë”; sidoqoftë, drama audio ose teatri audio nuk mund të jenë të destinuara posaçërisht për t’u transmetuar në radio. Drama audio gjithashtu mund të gjenden në CD, kaseta, podcast, webcast, si dhe radio transmetuese.
Presidenti Ilir Meta doli para gazetarëve jo vetëm për të mbajtur fjalën se dhënë javën e kaluar se do të vendoste një komunikim periodik javor me publikun, por edhe për të prodhuar lajmin se do të firmosë në rastin e parë që do të shohë se i jepet mundësia nga Kodi i ri Zgjedhor dhe Kushtetuta për të caktuar datën e re të zgjedhjeve të përgjithshme, pa u konsultuar me partitë politike.
“Në çdo rast si me konsensus, apo edhe në mënyrë të njëanshme (miratimi i Kodit Zgjedhor), që nuk do të ishte habi, si President do të bëj të qartë që në hapësirën kohore që Kodi do të më lejojë do të shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri dhe nuk do të bëj konsultime me asnjë forcë politike, sepse jam i sigurt që të gjithë në Shqipëri mezi presin një Parlament legjitim, ose sadopak më legjitim se Parlamenti aktual. Nëse Kodi nuk miratohet me konsensus, e them që janë zero shanse çeljesh negociatash të Shqipërisë me BE, jo deri në zgjedhjet që vijnë, por edhe pas zgjedhjeve që vijnë”, deklaroi Meta.
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
Serioziteti i nismës së opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor u minua në mbledhjen e përbashkët të kësaj të premteje të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve.
Deputeti Adriatik Alimadhi tha se deputeti Kostaq Papa, që rezulton mes 28 emrave që kanë firmosur kërkesën për ndryshime Kushtetuese nuk e ka firmosur vetë atë. Ai tha se po të krahasohen firmat e tij me firmën e hedhur në nismën në fjalë ndryshimi është i qartë. Alimadhi deklaroi se në vend të Kostaq Papës firma është hedhur nga një deputet tjetër, pa bërë publik emrin e firmëtarit.
“Të krahasohen firmat. Ajo firmë dhe ato që ka hedhur Kostaq Papa herë të tjera. Firma reale është ndryshe dhe firma që ka firmosur një deputet tjetër është ndryshe. Unë tërhiqem dhe vazhdoni ju mbledhjen. Keni shtrembëruar proceset demokratike, edhe ky propozim shtrembëron votën e votuesve shqiptarë”, deklaroi Alimadhi.
Alimadhi akuzon për falsifikim dhe e cilëson këtë si papërgjegjshmëri dhe mungesë serioziteti për një nismë që prek Kushtetutën.
Deputeti Kostaq Papa pranoi se nuk e ka firmosur personalisht nismën në fjalë, por thotë se e mbështet atë.
“Unë jam deputet fuqiplotë dhe gjithçka që bëj e bëj me ndërgjegje, kur vjen puna për të ndihmuar 85 për qind të shqiptarëve për ndryshimin që duan ata. Unë veproj edhe në forma të tjera. Nuk është ky thelbi. Thelbi është që unë jam dakord me firmën time, jam dakord me procedurën që është bërë. Nuk kam nevojë për avokat. Nuk është thelbi e hodha firmën me një presje, apo me dy presje, apo e firmosur nga dikush tjetër. Unë do të nisem te protokolli dhe do të hedh firmën për herë të dytë”, deklaroi ai.
Edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja thotë se përplasja për firmën e zhvendos debatin nga thelbi, që janë ndryshimet e rëndësishme kushtetuese.
Lulzim Basha paralajmëroi se sistemi shëndetësor i vendit po shkon drejt kolapsit për shkak të mungesës së menaxhimit të pandemisë nga ana e strukturave shtetërore.
Basha renditi një sërë problematikash, që nga mungesa e hetimit epidemiologjik, mungesa e pajisjeve në spitale, përqëndrimi i personave të infektuar vetëm në Tiranë, mungesa e subvencionimit të ilaçeve që përdoren nga personat e infektuar, kurimi me telefon i pacientëve, mungesën e pajisjeve mbrojtëse për mjekët dhe deri tek rënia e personelit mjekësor në krahasim me periudhën e fillimit të pandemisë.
“Situata paraqitet në prag të katastrofës. Jemi në garë me kohën dhe është e pafalshme që 6 muaj pas nisjes së pandemisë, askush nuk ka një informacion dhe siguri se çfarë masash janë marrë dhe çfarë mësimesh janë nxjerrë deri më tani”, tha ai.
Kreu i PD-së u takua me ekspertë të shëndetësisë dhe mjekë këtë të mërkurë, nga ku tha se Qeveria ka lënë në harresë mjekët dhe akuzoi se mungon një strategji për t’u përballur me përkeqësimin e mundshëm të situatës me rihapjen e shkollave.
Ai tha se brenda javës opozita do të dalë me një platformë konkrete për të përballuar krizën, duke lënë menjëanë luftën politike.
“Brenda javës do të dalim me një propozim konkret, të mos shpërqëndrohemi nga fakti që propozimi ynë i parë nuk u dëgjua. na duhet një propozim konkret sepse tani nuk bëhet fjalë për politikë, por për jetën dhe larg qoftë vdekjen e qytetarëve. ta themi fort fjalën tonë se çfarë duhet të bëjmë urgjentisht dhe çfarë duhet të ndalojmë urgjentisht”, u shpreh Basha.
Gjatë fjalës së mbajtur para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama zbuloi se “njëri prej qëllimeve” të ndryshimit të formulës së koalicioneve parazgjedhore ishte “shpëtimi i Lulzim Bashës”.
Basha vetë nuk ishte shënjestër e drejtpërdrejtë e ironisë së Ramës, por u përfshi në “shënjestrën” e Kryeministrit që ishte Meta, Berisha, Kryemadhi.
“Është hall shumë i madh se shyqyr që u prishëm atë trenin e madh. Këta janë në një situatë sa qesharake dhe aq e rrezikshme. Luli është vetëm pasagjer aty. Po lokomotivën e lëviz Iliri, Saliu është skavamento, që ndot edhe ajrin. Monika është faturino. Luli me kapele që përshëndet me ata që presin në plate dhe u flet për taksat.
Lulin dua ta shpëtoj. Këtë nuk e mohoj.
Luli është bërë si ushtar, duhet ta shpëtojmë. Se imagjinoj dot një demokrat që niset si te piramidat, shkon nisesh ia jep votën Lulit me gjithë këto listat, se votim si ky s’kisha dëgjuar ndonjëherë. Kjo Lulit i vjen nga stresi që ka nga Monika dhe Ilir se nuk i do, do t’i heqë , por nuk di si”, tha Rama.
Presidenti Ilir Meta nuk e ka humbur shpresën për reflektim nga ana e shumicës parlamentare që të tërhiqet nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor të 5 tetorit, por tha se përballë këmbënguljes së socialistëve ka shumë mundësi zgjidhjeje, përfshirë këtu edhe protestat.
“E dëgjoj dhe ndjej jehonën e protestës. Qëllimi i Presidentit nuk është të nxisë protestat, por në kushtet kur ka përpjekje për të shtypur të drejtat e qytetarëve për interes të një pakice që bllokon integrimin, zhyt vendin në borxhe kërcënuese dhe vendos mur në rrugën europiane, padyshim që Presidenti e di se çfarë mendon e kërkon populli shqiptar dhe nuk do të presë popullin t’i japë drejtim kësaj çështjeje, por në të njëjtën gjatësi vale do ta zgjidhim këtë çështje. Po ne shpresojmë tek reflektimi”, deklaroi Presidenti.
Meta tha se ndryshimet jo vetëm që janë të njëanshme, por shkelin Kushtetutën dhe standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Presidenti njoftoi gjithashtu se në lidhje me ligjshmërinë e këtij procesi të ndërmarrë nga socialistët pasi ai kishte dekretuar datën e zgjedhjeve i është drejtuar për mendim Komisionit të Venecias.