Videot kryesore
Një banesë është përfshirë nga flakët në qytetin e Pogradecit këtë të shtunë.
Pamjet e siguruara nga gazeta “Si”, tregojnë shtëllungat e tymit që dalin nga shtëpia në fjalë. Fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Mbetet e paqartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin në këtë banesë.
Duke sjellë në vëmendje një deklaratë 2016-ës të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për mensat sociale të hapura nga bashkia dhe dokumentacionin që kërkohet aktualisht për të ngrënë në këto mensa, Partia Demokratike thotë se ranë maskat e kryebashkiakut të kryeqytetit, që përdor këto mensa për propagandë.
“Erion Veliaj është kryebashkiaku mashtrues dhe me dy fytyra i Tiranës. Njërën fytyrë e ka për propagandën e shtrenjtë në ekrane, fytyra tjetër është ajo më pranë të vërtetës, shpërfillja e më të pamundurve deri në refuzimin e një pjate supë”, deklaroi nga Selia Blu, Orjola Pampuri.
PD iu referua një investigimit të emisionit “Boom”.
“Faktet e ofruara nga emisioni investigativ “Boom” janë të pakundërshtueshme. Të sigurosh një pjatë në mensat sociale të Erion Veliajt është më e vështirë dhe ka më shumë burokraci sesa të gjesh një punë. Në rrugët e Tiranës në këto ditë të ftohta dimri gjen plot njerëz që enden rrugëve, të pamundur për t’u ushqyer, apo për të siguruar një çati ku të shmangin të ftohtin. Ata i duhen kryemashtruesit të Tiranës vetëm për festa, që të verë përparësen, të marrë garuzhden, e të shesë një realitet të rremë, kur, në të vërtetë, pjatën e ngrohtë e pengon një mal me burokraci”, shtoi Pampuri.
Në dytën e dytë të zbritjes në terren, njësia speciale “Operacioni Forca e Ligjit” njoftoi se ka dorëzuar kërkesat për të provuar burimin e ligjshëm të pasurive tek Lulzim Berisha në Durrës dhe tek Ardian Çapja në Elbasan.
I pari u dënua në 2012 me burgim të përjetshëm për një sërë akuzash të rënda, por u lirua me kusht në 2016 pas një vendimi të kundërshtuar të Gjykatës së Apelit të Durrësit. Ndërkohë, për Ardian Çapjan ka dyshime se është i përfshirë në aktivitetin e vrasjeve me pagesë përgjatë periudhës 2009-2016 dhe akuzohet gjithashtu edhe për “vrasje të efektivit të policisë, mbetur në tentativë”, në një ngjarje të ndodhur pak vite më parë në qytetin e Elbasanit, ku dyshohet se Ardian Çapja ka qëlluar ndaj një patrulle policore.
Erind Cara është njëri nga 17 personat që konsiderohen të shëruar nga koronavirusi, pasi edhe testi i dytë i ka rezultuar negativ.
I riu pret që të largohet nga Spitali Infektiv ditën e enjte, pas 10 ditësh qëndrimi në të. Para se të largohet nga spitali dhe të vetëngujohet për 14 ditë në shtëpi, ai përçon një mesazh për të gjithë qytetarët.
Mesazhi i plotë
Corona virus kryefjala e çdo bisede në të gjithë boten!
Sot pas 10 ditesh ne terapi prane Spitalit Infektiv ne QSUT dhe pas rezultatit te dy testeve që rezultuan negativ ndaj COVID -19 , mund të them qe betejen time e fitova dhe po kthehem ne shtëpi i qetë dhe me shëndet të plotë .
Por humba dhe miq te cilet i njoha gjate kesaj beteje që nuk ja dolën , dhe pse luftuan deri ne frymen e fundit bashke me Mjek e Infermier !
Te dashur miq ! Un fitova betejen me Covid-19 , por për të fituar luften duhet kontributi i të gjithve NE . Nuk kërkohet asgjë e jashtëzakonshme në këtë luftë, por vetëm një gjë, që të gjithë kur nuk e kemi e duam aq shumë : Te qendrojmë ne shtëpi dhe te kalojmë kohë me familjarët tanë.
Më parë kishim qindra justifikime , puna , koha , pamundesia ,lodhja etj .
Sot ështe momenti i duhur të japim dhe marrim dashuri , te bisedojme me njeri - tjetrin , t’u tregojme sa shume i duam . Po po sa shumë i duam prinderit , motrat , vllezërit , gjysherit , miqtë e te gjithë ata qe ne konsumojmë me ta gjenë më të rendesishme “KOHËN” !
Dy fjale për ata që mendojnë se ky virus është diçka pa rëndesi ! Qëndroni ne shtëpi !
Ky virus nuk të jep një mundesi të dytë . Shoku im i dhomës ishte nje djalë i ri , qe nuk kishte asnje semundje të mëparshme , kishte nje familje te mrekullueshme , nuk i mungonte asgje, por ky virus i rëndoh shëndetin . Nje frymenarrje të thellë thjesht kerkonte ! Luftoi , luftoi deri ne frymen e fundit sepse ishte larguar pa u pershendetur me askend , kishte ardhur se nuk ndjehej mirë , siç mund te jemi secili nga ne . Por mbrem ai u dorzua , nuk ia doli dot , la cdo gje mbrapa dhe koronavirusi e mori pa mëshir edhe pse ishte i ri dhe i shendetshëm . PRANDAJ , QENDRONI NE SHTEPI !
Për disa të rinj të fort , e të shëndetshëm si unë , qendroni në shtepi ,mendoni për familjarët tuaj , prinderit , gjysherit imuniteti i te cilëve është më i dobët dhe COVID - 19 e ka më të thjeshtë për ti marrë në gjirin e tij.
NDAJ QENDRONI NE SHTEPI PER TE DASHURIT TUAJ !
Dy fjale të sinqerta për njerzit më të rendesishem në këtë lufte , mjekët , infermierët , farmacistët ,sanitarët dhe te gjithë ato qe sherbejnë dhe kontribuojnë në këtë luftë kundër Covid -19 . Ata jan front në vijën e parë të kësaj beteje 24/24 për te dhënë më të mirën e tyre edhe pse rreziku është shume i lartë. Te mendosh se dhe ata kanë lëne çdo gje familjen , prinderit , femijet , vellezerit , motrat , per te qen aty per tu sherbyer pacienteve te tyre , atyre qe nuk e donin kete virus , por ai erdhi dhe i infektoj , por do iu sherbejë dhe atyre që thonin “ Nuk na ben gjë ne Virusi “se kur të arrish atje kërkon vetëm mëshirë , ndihme dhe përkundesje , kupton sa e rëndesishme është JETA , por qe tani nuk është vetem ne doren tënde , por te Mjekve , Infermierve , Koronavirusit dhe Zotit lart në qiell , qe po na jep sinjalet e tij të kuptojmë sa e rendesishme eshte JETA , gjë të cilën e kishim harruar sepse na “mbyten“ angazhimet , punet , facebook , instagram , kafet dhe gjerat e pa rendesishme .
Duhet të qendrojmë në shtepi qe keta Infermier , Mjek të jenë sa më pak të rrezikuar .
Një falenderim i veçantë shkon për Stafin e Spitalit Infektiv : Dr Najaden , Dr Arjanin , Dr Gentin etj Infermieret Semi , Dasho , Lukja , Eni , Emanuela , e te tjer .
Për të dytën ditë me radhë numri i rasteve të reja me të infektuar me Covid-19 nuk kalon 10 persona. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 9 raste të reja dhe po 9 persona konsiderohen të shëruar.
Rastet e reja janë identifikuar në dy vatra që konsiderohen të nxehta sa i përket infeksionit. Pesë janë në Tiranë dhe katër të tjerat janë në rrethin e Krujës. Instituti i Shëndetit Publik tha se këto raste ishin të vetmet që rezultuan pozitivë nga 245 testime që ishin kryer në 24 orët e fundit.
Në total, numri i të infektuarve aktivë, ISHP tha se janë 263, ku vetëm 33 prej tyre janë të shtruar në spital. Nga pjesa që është shtruar në Spitalin Infektiv dhe në Spitalin Shefqet Ndroqi shtatë pacientë janë në terapi intensive.
Numri i rasteve të përgjithshme me Covid-19 në Shqipëri shkoi në 782, ndërsa persona që konsiderohen si të shëruar janë 488 të shëruar.
Dhjetra qytetarë janë mbledhur në Bulevardin kryesor të Tiranës në shenjë proteste kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Qytetarët janë vendosur përballë forcave të shumta policore që kanë bllokuar hyrjen në pedonalen, që të çon në sheshin e Teatrit, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike mes dy palëve.
Mes protestuesve janë edhe ish-deputetët të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në përpjekje për të mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit, që ushtroi dhunë ndaj një 15-vjeçari që kishte shkelur rregullat e ndalim-qarkullimit dy javë më parë, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu duket se i ka shtuar më shumë telashe vetes.
Veliu paraqiti para Komisionit të Sigurisë një video të dy grave, njëra prej të cilave është me pistoletë në dorë. Ai tha se “nuk po e tregonte këtë video për të marrë në mbrojtje policinë, por për të treguar se nga ç’familje mbërrinte adoleshenti 15-vjeçar”.
“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim Duhet të kemi parasysh se çfarë përfaqëson ai djali”, deklaroi Veliu para deputetëve të Komisionit.
Ajo që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk sqaroi ishte se videoja që ai tregoi ishte shkëputur nga prapaskenat e xhirimit të një filmi, ku mamaja e 15-vjeçarit, Zaida Çobo ka marrë pjesë si aktore.
Vetë Zaida Çobo e sqaroi më vonë këtë pjesë, madje në rrjetet sociale qarkulluan edhe vide-fragmente nga roli i saj në filmin në fjalë.
Deklarata e Veliut shkaktoi furtunë në internet, ku kreu i Policisë së Shtetit u akuzua se “i bëri gjyqin publik një familjeje” dhe për “rrëmim në jetën personale të një nëne”, që nuk ishte as e kërkuar dhe as e dyshuar për ndonjë krim.
Nga aktivistë e deri tek studiues të shkencave politike në vendin tonë dënuan deklaratën dhe kërkuan dorëheqjen e Veliut.
“Drejtori i Policisë fyeu, denigroi dhe cenoi jetën private të një 15 vjecari. Ai mori në mbrojtje dhunuesit e tij. Shfaqja e drejtorit Veliu ishte jo etike, jo ligjore, jo demokratike. Ai duhet të kërkojë ndjesë familjes dhe publikut. Nëse jo ai meriton reagim & largim sa më parë”, shkruan drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi.
Dorëheqjen e kërkoi edhe Partia Demokratike.
“Sipas këtij qëndrimi kriminal, nëse Ardi Veliut nuk i pëlqej çfarë bëj unë apo ti, atij i lind e drejta të na rrahë fëmijët, pastaj të gërmojë në jetën tonë private, të vjedhë fotot dhe videot tona në rrjetet sociale, siç ka bërë me ato të nënës së djalit, të sajojë me to një histori dhe, në fund, ta bëjë atë publike për të na dhunuar e për të na poshtëruar përsëri”, deklaroi ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.
Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, institucioni kryesor që është ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes për zbatimin e masave kundër përhapjes së infeksionit të Covid-19, nuk i ka kapacitetet as njerëzore dhe as materiale që ta kryejë këtë detyrë në të gjithë vendin.
Gazeta “Si” mëson se drejtuesit e ISHSH-së janë ankuar vazhdimisht në Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë të stafit për të realizuar misionin e garantimit të protokolleve të sigurisë, të diktuara nga aktet normative dhe vendimet e tjera të Qeverisë dhe Kuvendit.
“Inspektoriati nuk ka burime njerëzore e logjistike të mjaftueshme për të kryer këtë detyrë. Janë me mijëra biznese e aktivitete që duhet të kontrollohen periodikisht dhe me stafin që kemi nuk mbulojmë dot as Tiranën, jo më të gjithë Shqipërinë”, thonë për gazetën “Si” burime brenda këtij Inspektoriati.
ISHSH e nisi punën këtë vit me 202 punonjës, por aktualisht funksionon me rreth 120 të tillë për shkak të largimeve, statusit të pasigurtë dhe transferimit tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky numër punonjësish duhet të kontrollojë periodikisht rreth 160 mijë biznese të vogla e të mëdha (sipas të dhënave zyrtare të sipërmarrjes për 2019, të publikuara nga INSTAT), për t’u siguruar që zbatojnë protokollet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kjo do të thotë se mesatarisht, një inspektor i ISHSH-së duhet të kontrollojë më shumë se 13 mijë aktivitete.
Por sa është kapaciteti real? Në postimet në rrjetet sociale, ISHSH njofton se brenda një dite ka kontrolluar pak më shumë se 1 mijë aktivitete. Kjo do të thotë se për të kontrolluar të gjitha bizneset nëse respektojnë apo jo masat anti-COVID, këtij Inspektorati me këto ritme i duhen të paktën 150 ditë, ose pesë muaj kohë. ISHSH thotë gjithashtu se gjatë të gjithë kësaj periudhe ka kryer rreth 67 mijë inspektime, duke vendosur 205 masa administrative, që nga gjobat e deri tek heqja e lejes së ushtrimit të aktivitetit.
Problematika përshkallëzohet nga mungesa e mjeteve logjistike, duke filluar që nga mjetet e qarkullimit dhe për më tepër mungesa e inspektorëve të specializuar për inspektimin e kushteve higjieno-sanitare.
“E kemi ngritur këtë si problematikë. Edhe në muajin mars drejtoresha (Vjollca Braho) e ngriti këtë shqetësim në Parlament gjatë diskutimeve për ndryshimin e ligjit “Për inspektimin sanitar”, thonë burimet për gazetën “Si”.
Drejtorja e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho paralajmëroi efektet anësore negative që do të kishte për inspektoriatin që ajo drejton ndarja e kompetencave për kontrollin e ushqimeve mes ISHSH-së dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Gjatë diskutimeve në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Braho ngrinte alarmin se shumë prej inspektorëve të ISHSH-së do të largoheshin në drejtim të AKU-ut.
Vetë AKU kërkonte që së bashku me kalimin e kompetencave për të mbikëqyrur respektimin e kushteve higjieno-sanitare të ushqimeve t’i kalonin edhe të paktën 70 inspektorë të ISHSH-së në varësi.
“Unë nuk jam kundër këtij ligji, por jam kundër asaj që kërkonte AKU-ja në relacion, sepse ne kemi qenë këtu dhe së bashku kemi dëgjuar pretendimin që kishte AKU-ja për marrjen e punonjësve për inspektimin sanitar në subjektet e ushqimit, e cila kërkonte 120 punonjës. Kur unë kam në organikë 28 persona, që merren me inspektimin sanitar, si mund të kërkosh 120 veta?! Janë 140 mijë subjekte që kontrollojmë sa i përket inspektimit sanitar dhe vetëm 20 mijë subjekte, të cilat kalojnë të AKU-ja. AKU-së nuk i shtohen subjektet, ajo ka të njëjtat subjektet që do të inspektojë, por i shtohet vetëm një ‘check list’ për inspektimin sanitar. Unë nuk futesha te subjektet e AKU-së dhe nuk kontrolloja ushqimin, por kontrolloja vetëm kushtet higjieno-sanitare. Atë ‘check list’ që unë bëja te këto subjekte, përsëri do ta bëjë AKU-ja, por vetëm nëpërmjet një ‘check list’-e dhe nuk do t’i shtohet numri i subjekteve”, deklaronte Braho në mbledhjen e Komisionit të 4 marsit.
Drejtorja e ISHSH ngrinte shqetësimin se duhej përcaktuar se sa inspektorë të institucionit që drejtonte do t’i kalonin Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pasi i druhej një hemorragjie për shkak të statuseve të ndryshme që ofronin dy organet sa i takon sigurisë në punë të inspektorëve, ku tek AKU punonjësit rekrutohen sipas Kodit të Punës, që u jep më shumë mbrojtje punonjësve. Braho paralajmëronte më 4 mars, pesë ditë para se Shqipëria të konfirmonte zyrtarisht rastin e parë me Covid-19 se kishte rrjedhje të punonjësve të këtij inspektoriati edhe nga frika e koronavirusit.
“ISHSH-ja funksionon me DAP-in për sa i përket rekrutimit të punonjësve në punë, por dua të them se para dy javësh, kur kaloi ligji për ushqimin, punonjësit e AKU-së nuk do të jenë më nëpunës civilë. Rekrutimi i tyre do të bëhet me Kod Pune. Rekrutimi i punonjësve është shumë i vështirë dhe tani që jemi në kushtet kur po ndjekim nga mëngjesi në darkë në aeroporte, porte, pika kufitare për sëmundjen e koronavirusit, disa inspektorë e kanë lënë detyrën nga frika, pavarësisht se të gjitha masat mbrojtëse janë marrë nga ISHSH, por ka qenë zgjedhja e tyre personale për ta bërë këtë”, ka deklaruar Braho.
Task Forca u ngrit… në Facebook
Më 16 prill në Kuvend u miratuan ndryshimet e Kodit Penal, ku u futën parashikimet për ndëshkimin me burg të personave që hapnin me dhe pa dashje infeksione virale. Në ditët që pasuan, Ministria e Shëndetësisë tha se këto ndryshime përforconin garancinë e zbutjes së masave kufizuese dhe hapjes graduale të vendit.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi nisjen e hapjes graduale, fillimisht me zgjerimin e fashës orare të lëvizjes dhe me hapjen e bizneseve duke filluar me ato që kategorizoheshin me rrezikshmëri të ulët. Paralelisht më këtë, Qeveria njoftoi se do të ngrihej një task forcë me detyrën e posaçme mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë, si distancimi fizik dhe kushtet higjieno-sanitare.
Qeveria tha më 20 prill se brenda javës do të ngrihej një Task Forcë Anti-COVID-19, bërthama e së cilës do të ishte në Kryeministri, e më pas rajonale, bashkiake dhe në territoret që do të ndjekin nga afër përmbushjen e standardeve për të gjithë ata që hapin bizneset. Pjesë e kësaj task force, sipas Qeverisw, do të ishte edhe pushteti vendor, pra bashkitë.
Gazeta “Si” kontaktoi me Ministrinë e Shëndetësisë për të mësuar më shumë mbi përbërjen e task forcës. Por, në Ministrinë e Shëndetësisë janë të paqartë, si për përbërjen, ashtu edhe punën e task forcës. Në vend të kësaj, Ministria thotë se po e kryen pjesën e saj të detyrës përmes Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor dhe të orienton tek veprimtaria e këtij inspektoriati.
Burime të gazetës “Si” pranë këtij Inspektoriati “shfrynë” task forcën e ngritur për mbikëqyrjen në territor të zbatimit të masave anti-Covid19. Burimet thonë se me përjashtim të 2-3 bashkive, task forca anti-Covid19 funksionon “vetëm në Facebook”.
Po duke iu referuar këtyre burimeve, gazeta “Si” mëson se ISHSH e ka përforcuar prej të paktën një muaji alarmin se po përballon thuajse e vetme barrën e rëndë të kontrolleve me mangësi të theksuara burimesh njerëzore, financiare dhe logjistike.
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
Prej ditësh, Edi Rama ndodhet nga njëra anë nën presionin e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që të miratojë në Kuvend pa vonesa dakordësinë e arritur në Këshillin Politik për reformën zgjedhore dhe nga ana tjetër nën presionin e opozitës jashtëparlamentare për ndryshimin e sistemit, hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Por, Partia Socialiste mendon se ka një ekuilibër për të plotësuar kërkesat e dy opozitave dhe kërkesën e pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë hapjen e listave. Ekuilibri, sipas socialistëve është miratimi pa asnjë ndryshim i marrëveshjes së 5 qershorit të arritur në Këshillin Politik me PD dhe LSI dhe hapja e listave sipas kërkesës së opozitës parlamentare.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se dy proceset ecin paralelisht dhe nuk cenojnë njëri-tjetrin.
“Procesi i ndryshimeve kushtetuese ecën në mënyrë tërësisht të pavarurr nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Dakordësimi i 5 qershorit nuk do të preket. Më 15 korrik ligjet diskutojnë dhe nuk preket asnjë prej atyre amendimeve dhe dokumenti i plotë sipas marrëveshjes që kemi dakordësuar më 5 qershor. Janë dy procese të pavarura që duhet të përmbyllen sa më shpejt”, u shpreh Balla.
Por, hapja e listave, siç deklaroi Kryeministri Edi Rama, do të duhet të shoqërohet me ndalim të koalicioneve parazgjedhore për çështje praktike.
“Listat e hapura e bëjnë të pamundur formulën aktuale të koalicioenve, se i bie që të kemi në një fletë votimi, llogariteni, artimetikisht, 40 parti këtej dhe 40 andej, nga 35 kandidatë në Tiranë, një fletë votimi që do të ishte një qilim nga universiteti deri te monumenti i Skënderbeut. Por kjo nuk do të thotë se kemi ndonjë tendencë, apo qëllim që të pengojmë marrëveshjet, kjo është çështje e tyre”, u shpreh Rama.
Për të ilustruar se nisma për hapjen e listave nuk prek sistemin zgjedhor, Rama solli qëndrimet e Venecias.
“…(Venecia) thotë se janë tre elementë që përbëjnë një sistem zgjedhor; sistemi në vetvete, ne kemi sot një proporcional rajonal dhe kjo nuk preket dhe pavarësisht se nga ana e opozitës parlamentare është kërkuar kombëtar, që do të thotë ndryshim sistemi. Së dyti, madhësia e zonave zgjedhore, nuk preket dhe së treti KQZ. Kjo preket, por si rezultat i marrëveshjes së 5 qershorit, jo prekje e sistemit që vjen jashtë konsensusit të 5 qershorit, pra produkt i kësaj”, deklaron ai.
Kryeministri mendon se nuk ka arsye se përse Partia Demokratike ta refuzojë hapjen e listave për mungesë kohe, përsa kohë ka pranuar ndryshimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Ky (ndryshimi i KQZ-së) është një ndryshim esencial, shumë më esencial se hapja e listave dhe derisa bëjmë këtë s’ka pengesë që të bëjmë tjetrën. Qoftë Venecia, apo instancat e tjera çështje si lista të hapura, lista të mbyllura, apo pragu kaq e aq, i konsiderojnë mekanizma korrektues të një sistemi”, u shpreh ai.
Rama sqaroi edhe kohën kur i lindi bindja se listat duhen hapur.
“Vendimi reflekton bindjen se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice, apo pakice qeverisëse. E di që ka një përpjekje që kjo gjë të tregohet, sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur edhe mbi veten, sepse ambicia jonë ka qenë e shprehur vazhdimisht depolitizimi i administratës zgjedhore”, deklaroi ai.
Kryeministri iu përgjigj edhe shqetësimeve se nisma për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve mund të shkaktojë reagimin e ndërkombëtarëve, që ndërmjetësuan marrëveshjen e 5 qershorit me Partinë Demokratike.
“Adresimi i shqetësimit është korrekt nga ana e të gjithë miqëve tanë dhe po kaq korrekte është edhe përgjigjia e Partisë Socialiste: marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preket”, tha ai.
Ndryshimet sipas marrëveshjes së 5 qershorit janë futur në kalendarin e punimeve për në seancën e 23 korrikut, ndërkohë që më 30 korrik është vendosur diskutimi i nismës së opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesa për hapjen e listave.
Socialistët kanë sugjeruar më herët edhe një marrëveshje trepalëshe, me shpresën e gjetjes së një dakordësie për hapjen e listave. Por, hapja e listave u kundërshtua nga Partia Demokratike ditën e enjte, me arsyetimin se nuk ka më kohë për ta realizuar një gjë të tillë.
Serbia nuk heq dorë nga “këngët e vallet diplomatike”. I fundit që shijoi tinguj muzikorë në Beograd është Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Grenell publikon një grimcë nga një darkë e delegacionit amerikan me palën serbe, ku në tryezë është edhe Presidenti Aleksandër Vuçiç. Në sfond është kënga “Sweet Home Alabama”. Nga ajo sa ofron Grenell në video nuk shfaqet ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i famshëm për “diplomacinë e këngës”.
Daçiç i ka kënduar edhe Edi Ramës këngën “O Sole Mio” gjatë vizitës së Kryeministrit shqiptar në Beograd në 2014-ën, i ka kënduar turqisht “Osman Agën” Presidentit turk, Erdogan, “Kalinkën” Putinit dhe ish-homologut të tij grek, Nikos Kotzias, këngën greke “Mi mou thymonis matia mou”, që himnizon dashurinë mes një ushtari serb dhe një vajze greke gjatë Luftës së Parë Botërore. Kënga ishte përzgjedhur me kujdes, që jo vetëm të argëtonte të pranishmit, por edhe të përcillte fuqishëm simbolikën e marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve të bashkuar nga ortodoksizmi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët myslimanë se Muaji i Madhëruar i Ramazanit fillon ditën e nesërme, e martë, më 13 prill 2021.
Ky është viti i dytë radhazi që besimtarët myslimanë nga e gjithë bota përgatiten për këtë muaj të shenjtë në kushtet e diktuara nga Covid 19.
Përmes një mesazhi për të gjithë besimtarët, kryetari KMSH-së, Bujar Spahiu, uron një agjërim të lehtë, me shpresën se do të jetë muaji i faljes, mirëkuptimit, dashurisë dhe paqes.
“Të dashur qytetarë, motra e vëllezër, nesër, më 13 prill, është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit. Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, ju përcjellë urimet më të sinqerta që ky Ramazan të jetë muaji i mëshirimit të ndërsjellë me njëri-tjetrin, muaji i faljes dhe mirëkuptimi, muaji i ngritjes morale dhe shpirtërore, për përballimin me sukses të sfidave në të cilat ndodhemi dhe ato që na presin. Ju ftojmë të jemi më solidare me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mbarë”, - thotë Spahiu.
Kreu i KMSH-së, uron që ky muaj, “të jetë i faljes, mirëkuptimit, dashurisë, unitetit dhe paqes. Duke ju uruar muajin e Ramazanit më lejoni t’ju dëshiroj një agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi e prosperitet për ju dhe familjet tuaja”, - thotë ai.
16 të arrestuar, dhjetra të tjerë të shpallur në kërkim dhe mijëra rrënjë hashashi të asgjësuara. Ky është bilanci paraprak i operacionit të beftë të Policisë së Shtetit në zonën e Niklës në Krujë, njohur ndryshe edhe si “zona e të fortëve”.
Operacioni i koduar “Agimi” për shkak të nisjes së tij në orët e para të mëngjesit të së shtunës angazhoi dhjetra forca të policisë së Durrësit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës dhe Fierit, si dhe forcat speciale RENEA.
Shtrirja gjeografike e tij ishte në zonën e Niklës, Halilit dhe Arramerras të rrethit Krujë. Operacioni zbuloi përmasat dhe metodat e reja të kultivimit të hashashit në këtë zonë, që ishte kthyer në disa raste në një biznes familjar dhe i maskuar brenda serrave si aktivitet fruta-perimesh.
Mes të arrestuarve janë edhe dy punonjës së OSHEE-së dhe kryeplaku i fshatit Halil, që akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa ndaj personave të tjerë dhe atyre të shpallur në kërkim akuza që rëndon është ajo e kultivimit të bimëve narkotike në bashkëpunim.
Policia thotë se operacioni nisi në të dhënat e mbledhura nga monitorimet me drone të kryera nga ajo vetë dhe nga ajri të kryera me avion nga GDF italiane, si dhe mbi bazën e informacioneve policore të marra më parë, shërbimet e policisë kanë kontrolluar serra, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.
Si rezultat u sekuestrua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa, kubikë dhe fidanë kanabisi, 5 automjete dhe prova të tjera materiale. Policia thotë se në total janë rreth 50 mijë bimë narkotike kanabis të asgjësuara.
Detaje nga operacioni “Agimi”
Janë vënë në pranga për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" në bashkëpunim, shtetasit Xh.K., dhe D.K., , banues në Halil,(babë e bir) pasi gjatë kontrollit të ushtruar në pronën e tyre, u konstatua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa.
Gjatë operacionit policia gjeti fidanë canabis të kultivuar në sera dhe në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A.D., 27 vjeç, banues në Nikël; M.L., 20 vjeç, banues në Larushkë;
E.K., 18 vjeç, banues në Qerekë; I .K., 33 vjeç, banues në Arrameras; D.D., 49 vjeçe, banuese në Nikël; M.V., 16 vjeç, banues në Halil; F.K., 34 vjeç, banues në Halil; E.A., 30 vjeç, banues në Halil; F.K., 56 vjeçe, banuese në Halil; R.D., 53 vjeç, banues në Halil; E.D., 26 vjeç, banues në Halil.
Në pranga janë vënë edhe Kryeplaku i fshatit Halil, shtetasi F.H., 61 vjeç.
Si dhe dy punonjës të OSHEE, shtetasit E. P., 32 vjeç, dhe S. K., 32 vjeç, banues në Halil për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës i shtetasve: E.L., 17 vjeç, banues në Larushk ; G.C., 70 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Halil dhe H.Xh., 78 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Nikël.
Janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 24 shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitetin kriminal të sipërpërmendur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.
Presidenti Ilir Meta u prit në Budapest nga Kryeministri hungarez, Viktor Orban, vetëm disa ditë pasi ky i fundit priti në të njëjtën zyrë, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Përherë kënaqësi të takohem me Kryeministrin Orban, mik i sinqertë i Shqipërisë, të cilin e falënderoj për pritjen, si gjithmonë të veçantë. Bisedë e hapur, e ngrohtë dhe produktive për shumë çështje me interes të përbashkët, në dobi të qytetarëve tanë dhe forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe historike, tradicionale dhe premtuese për të ardhmen”, deklaron Meta përmes rrjeteve sociale, duke e shoqëruar postimin me një video të shkurtër nga takimi me Orban.
Meta ndodhej në Hungari për të marrë pjesë në përurimin e bustit të Skënderbeut në parkun e kryeqytetit hungarez. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Megjithatë, në njoftimet zyrtare si Presidenca, ashtu edhe Bashkia e Tiranës jo vetëm që nuk përmendet titullarët e instititucionit tjetër, por i shmangën ata edhe nga fotot e rastit.
Gratë e opozitës dhe ato të qeverisë u vunë në një garë denoncuese të ofendimeve, që sipas tyre pësojnë çdo seancë plenare në Kuvend.
Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Flutura Açka nga njëra anë shënjestruan Kryeministrin Edi Rama, ndërsa Belinda Balluku dhe Klotilda Bushka sollën pjesëza nga fjalimet e Lulzim Bashës dhe të deputetit Agron Gjekmarkaj.
Deputetja dhe nënkryetarja e PD, Grida Duma kujtoi episodin e fushatës elektorale, kur imazhi i saj u përdor gjatë prezantimit të kandidatëve nga ana e Kryeministrit Edi Rama.
Jorida Tabaku foli gjithashtu për ofendime të Kryeministrit, vetëm e vetëm, siç tha ajo se denoncon me shifra keqqeverisjen e tij. Flutura Açka nga ana tjetër tha se do të kërkojë që të merren masa në komisionin e etikës, ndërsa akuzoi koleget socialiste se kanë heshtur përballë këtyre episodeve.
Klotilda Bushka kërkoi që të respektohej rregullorja dhe tha hodhi akuza të ngjashme, por ndaj deputetëve burra të opozitës. Ministrja Belinda Balluku solli episodin e një fjalimi të deputetit Agron Gjekmarkaj, në seancën e parë të Kuvendit, ku gratë në qeveri, sipas saj, u quajtën “haremi” i Kryeministrit.
Balluku u ndal edhe te fjalimet e Bashës, të cilin e akuzoi se po në seancë të parë i ka quajtur ministret “kukulla pas të cilave qëndrojnë kriminelë dhe oligarkë”.