Rojtari kundër Covid nuk na ruan dot
Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, institucioni kryesor që është ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes për zbatimin e masave kundër përhapjes së infeksionit të Covid-19, nuk i ka kapacitetet as njerëzore dhe as materiale që ta kryejë këtë detyrë në të gjithë vendin.
Gazeta “Si” mëson se drejtuesit e ISHSH-së janë ankuar vazhdimisht në Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë të stafit për të realizuar misionin e garantimit të protokolleve të sigurisë, të diktuara nga aktet normative dhe vendimet e tjera të Qeverisë dhe Kuvendit.
“Inspektoriati nuk ka burime njerëzore e logjistike të mjaftueshme për të kryer këtë detyrë. Janë me mijëra biznese e aktivitete që duhet të kontrollohen periodikisht dhe me stafin që kemi nuk mbulojmë dot as Tiranën, jo më të gjithë Shqipërinë”, thonë për gazetën “Si” burime brenda këtij Inspektoriati.
ISHSH e nisi punën këtë vit me 202 punonjës, por aktualisht funksionon me rreth 120 të tillë për shkak të largimeve, statusit të pasigurtë dhe transferimit tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky numër punonjësish duhet të kontrollojë periodikisht rreth 160 mijë biznese të vogla e të mëdha (sipas të dhënave zyrtare të sipërmarrjes për 2019, të publikuara nga INSTAT), për t’u siguruar që zbatojnë protokollet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kjo do të thotë se mesatarisht, një inspektor i ISHSH-së duhet të kontrollojë më shumë se 13 mijë aktivitete.
Por sa është kapaciteti real? Në postimet në rrjetet sociale, ISHSH njofton se brenda një dite ka kontrolluar pak më shumë se 1 mijë aktivitete. Kjo do të thotë se për të kontrolluar të gjitha bizneset nëse respektojnë apo jo masat anti-COVID, këtij Inspektorati me këto ritme i duhen të paktën 150 ditë, ose pesë muaj kohë. ISHSH thotë gjithashtu se gjatë të gjithë kësaj periudhe ka kryer rreth 67 mijë inspektime, duke vendosur 205 masa administrative, që nga gjobat e deri tek heqja e lejes së ushtrimit të aktivitetit.
Problematika përshkallëzohet nga mungesa e mjeteve logjistike, duke filluar që nga mjetet e qarkullimit dhe për më tepër mungesa e inspektorëve të specializuar për inspektimin e kushteve higjieno-sanitare.
“E kemi ngritur këtë si problematikë. Edhe në muajin mars drejtoresha (Vjollca Braho) e ngriti këtë shqetësim në Parlament gjatë diskutimeve për ndryshimin e ligjit “Për inspektimin sanitar”, thonë burimet për gazetën “Si”.
Drejtorja e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho paralajmëroi efektet anësore negative që do të kishte për inspektoriatin që ajo drejton ndarja e kompetencave për kontrollin e ushqimeve mes ISHSH-së dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Gjatë diskutimeve në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Braho ngrinte alarmin se shumë prej inspektorëve të ISHSH-së do të largoheshin në drejtim të AKU-ut.
Vetë AKU kërkonte që së bashku me kalimin e kompetencave për të mbikëqyrur respektimin e kushteve higjieno-sanitare të ushqimeve t’i kalonin edhe të paktën 70 inspektorë të ISHSH-së në varësi.
“Unë nuk jam kundër këtij ligji, por jam kundër asaj që kërkonte AKU-ja në relacion, sepse ne kemi qenë këtu dhe së bashku kemi dëgjuar pretendimin që kishte AKU-ja për marrjen e punonjësve për inspektimin sanitar në subjektet e ushqimit, e cila kërkonte 120 punonjës. Kur unë kam në organikë 28 persona, që merren me inspektimin sanitar, si mund të kërkosh 120 veta?! Janë 140 mijë subjekte që kontrollojmë sa i përket inspektimit sanitar dhe vetëm 20 mijë subjekte, të cilat kalojnë të AKU-ja. AKU-së nuk i shtohen subjektet, ajo ka të njëjtat subjektet që do të inspektojë, por i shtohet vetëm një ‘check list’ për inspektimin sanitar. Unë nuk futesha te subjektet e AKU-së dhe nuk kontrolloja ushqimin, por kontrolloja vetëm kushtet higjieno-sanitare. Atë ‘check list’ që unë bëja te këto subjekte, përsëri do ta bëjë AKU-ja, por vetëm nëpërmjet një ‘check list’-e dhe nuk do t’i shtohet numri i subjekteve”, deklaronte Braho në mbledhjen e Komisionit të 4 marsit.
Drejtorja e ISHSH ngrinte shqetësimin se duhej përcaktuar se sa inspektorë të institucionit që drejtonte do t’i kalonin Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pasi i druhej një hemorragjie për shkak të statuseve të ndryshme që ofronin dy organet sa i takon sigurisë në punë të inspektorëve, ku tek AKU punonjësit rekrutohen sipas Kodit të Punës, që u jep më shumë mbrojtje punonjësve. Braho paralajmëronte më 4 mars, pesë ditë para se Shqipëria të konfirmonte zyrtarisht rastin e parë me Covid-19 se kishte rrjedhje të punonjësve të këtij inspektoriati edhe nga frika e koronavirusit.
“ISHSH-ja funksionon me DAP-in për sa i përket rekrutimit të punonjësve në punë, por dua të them se para dy javësh, kur kaloi ligji për ushqimin, punonjësit e AKU-së nuk do të jenë më nëpunës civilë. Rekrutimi i tyre do të bëhet me Kod Pune. Rekrutimi i punonjësve është shumë i vështirë dhe tani që jemi në kushtet kur po ndjekim nga mëngjesi në darkë në aeroporte, porte, pika kufitare për sëmundjen e koronavirusit, disa inspektorë e kanë lënë detyrën nga frika, pavarësisht se të gjitha masat mbrojtëse janë marrë nga ISHSH, por ka qenë zgjedhja e tyre personale për ta bërë këtë”, ka deklaruar Braho.
Task Forca u ngrit… në Facebook
Më 16 prill në Kuvend u miratuan ndryshimet e Kodit Penal, ku u futën parashikimet për ndëshkimin me burg të personave që hapnin me dhe pa dashje infeksione virale. Në ditët që pasuan, Ministria e Shëndetësisë tha se këto ndryshime përforconin garancinë e zbutjes së masave kufizuese dhe hapjes graduale të vendit.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi nisjen e hapjes graduale, fillimisht me zgjerimin e fashës orare të lëvizjes dhe me hapjen e bizneseve duke filluar me ato që kategorizoheshin me rrezikshmëri të ulët. Paralelisht më këtë, Qeveria njoftoi se do të ngrihej një task forcë me detyrën e posaçme mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë, si distancimi fizik dhe kushtet higjieno-sanitare.
Qeveria tha më 20 prill se brenda javës do të ngrihej një Task Forcë Anti-COVID-19, bërthama e së cilës do të ishte në Kryeministri, e më pas rajonale, bashkiake dhe në territoret që do të ndjekin nga afër përmbushjen e standardeve për të gjithë ata që hapin bizneset. Pjesë e kësaj task force, sipas Qeverisw, do të ishte edhe pushteti vendor, pra bashkitë.
Gazeta “Si” kontaktoi me Ministrinë e Shëndetësisë për të mësuar më shumë mbi përbërjen e task forcës. Por, në Ministrinë e Shëndetësisë janë të paqartë, si për përbërjen, ashtu edhe punën e task forcës. Në vend të kësaj, Ministria thotë se po e kryen pjesën e saj të detyrës përmes Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor dhe të orienton tek veprimtaria e këtij inspektoriati.
Burime të gazetës “Si” pranë këtij Inspektoriati “shfrynë” task forcën e ngritur për mbikëqyrjen në territor të zbatimit të masave anti-Covid19. Burimet thonë se me përjashtim të 2-3 bashkive, task forca anti-Covid19 funksionon “vetëm në Facebook”.
Po duke iu referuar këtyre burimeve, gazeta “Si” mëson se ISHSH e ka përforcuar prej të paktën një muaji alarmin se po përballon thuajse e vetme barrën e rëndë të kontrolleve me mangësi të theksuara burimesh njerëzore, financiare dhe logjistike.