Videot kryesore
Presidenti Ilir Meta zgjodhi me kujdes fjalët e përgjigjeve në lidhje me reformën zgjedhore, për të shmangur ndonjë “hatërmbetje” të mundshme dhe ruajtur barazlargësinë mes palëve që diskutojnë në Këshillin Politik.
Por, thelbi i përgjigjeve të tij duket se nuk e fshehu mesazhin drejtuar kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha (me të cilin pranoi se kishte pasur një bisedë telefonike paraditen e së premtes, por që nuk komentoi përmbajtjen e kësaj bisede), që të firmosë marrëveshjen e ofruar nga Yuri Kim.
“Mesazhet e mia kanë qenë të qarta. Mesazhi im për opozitën ka qenë që duhet të jetë e qartë dhe të unifikojë kërkesat e saj dhe të koordinohet me partnerët tanë, me Bundestagun dhe Komisionerin e Zgjerimit. Mesazhi im ka qenë i qartë qëkur u shkatërrua në mënyrë të paligjshme Teatri dhe i kam thënë mos bini pre e provokimit të radhës duke u larguar nga tryeza e reformës, mos paraqisni një listë dëshirash, por qëndrime parimore të qarta dhe bazike për të pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve”, deklaroi Presidenti.
Ambasadorja e SHBA e vizitoi në Presidencë kreun e shtetit, para se ky i fundit të dilte në konferencën për shtyp. Meta refuzoi të komentojë se çfarë është diskutuar mes tyre, por në këto ditë kryetema e Yuri Kim dhe ambasadorëve të tjerë në Shqipëri ka qenë reforma zgjedhore.
“Vendi është në krizë institucionale të madhe dhe është me rëndësi që të shkohet sa më parë në zgjedhje të gjithëpranuara. Por, mesa duket kemi ngelur akoma në detaje që kanë të bëjnë me numërimin dhe çështje që nuk duhet të ekzistonin sot”, u shpreh Presidenti.
Meta kujtoi se në lidhje me këtë çështje duhet një vendim para datës 8 qershor, që t’i ofrohet Komisionit Europian një material për t’ua shërbyer vendeve anëtare të BE si progres të Shqipërisë, kur do të mblidhet për të vendosur mbi udhërrëfyesin e negociatave. Por, ai kujtoi gjithashtu edhe se çdo hap pas mund të penalizojë jo vetëm në mospërmbushjen e objektivave të vendosura, por edhe në revokimin e arritjeve të deritanishme.
“Dëshiroj dhe apeloj për konsensus, sepse është detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, që duhet të kenë sa më shumë siguri që vota e tyre do të jetë e lirë, detyrim i padiskutueshëm ndaj procesit të integrimit europian dhe data 8 qershor ëshë me shumë rëndësi dhe shpresoj që të arrihet marrëveshja para kësaj date, që KE të shënojë një zhvillim pozitiv para vendeve anëtare. Duhet të kuptojmë se qasja e re e metodologjisë së BE, pas propozimit francez rrezikon jo vetëm perspektivën e shpejtë të negociatave, por edhe këto arritje formale që kemi deri më tani, sepse asgjë nuk është më tani si e mirëqënë. Nëse bëjmë hapa prapa humbasim shumë nga këto mundësi që kemi fituar deri më tani nga ky proces”, u shpreh ai.
Presidenti foli për mungesë vullneti politik për të realizuar një reformë me qëllime të mira dhe me “qëllime të mira” nënkuptoi edhe ndryshimin e sistemit.
“Fakti që u shty kaq kohë tregon mungesën e vullnetit për të bërë ndryshime thelbësore në sistem, megjithatë…i dini qëndrimet e mia për sistemin që në 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese, e dini se si kryetar i një partie të re në 2005 dhe i sulmuar në atë kohë nga të dyja partitë unë nuk e kam vendosur emrin në listën e proporcionalit, por vetëm tek mazhoritari. Askush nuk duhet të ketë frikë nga humbja! Churchill fitoi Luftën e Dytë Botërore dhe më pas humbi zgjedhjet, por u rikthye”, vijoi ai.
Presidenti mirëpriti angazhimin e ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore, por nuk fshehu as pakënaqësitë me qëndrimet e mbajtura prej tyre në të shkuarën për çështje të tjera.
“Roli i ndërkombëtarëve ka qenë dhe është i mirëpritur gjithmonë. Dje në Parlament një përfaqësues i mazhorancës tha se ç’i duhet BE që merret me punën e zgjedhjeve në Shqipëri. Mendoj se të gjithë ambasadorët e BE kanë të drejtë të shprehen për çdo cenim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sepse e detyron Shqipërinë që të respektojë standardet që kemi rënë dakord me BE që të hedhim hapa të tjerë përpara. Do të ishte mirë që çdo ambasador i BE të denonconte publikisht sa herë që vëren shkelje të MSA dhe jo heshtja, apo më keq deklarata që më shumë shkaktojnë konfuzion”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat se masat për rritjen e pagave për mësuesit dhe mjekët dhe masat e tjera lehtësuese të ndërmarra për biznesin, veçanërisht për biznesin e vogël kanë prapavijë elektorale.
Kreu i Qeverisë theksoi se masat lehtësuese për biznesin dhe rritja e pagave për mjekët dhe mësuesit janë produkt i reformave të ndërmarra, që sipas tij, tani po japin frytet e veta.
“Këto masa, duke filluar nga ligji i korrikut, kur ne e bëmë realitet zerimin e taksave, të tatim-fitimit dhe të TVSH-së për biznesin e vogël si asnjë vend tjetër në rajon, nuk ka të bëjë me fushatën elektorale. Nuk është se ne u kujtuam sot, por janë fryte që merren sot pas një pune të gjatë, sepse janë masa që nuk mund të bëheshin kurrë, as mendoheshin 4 vite më parë, apo 7 vite më parë kur u përballëm me të gjithë atë gropë të zezë në llogaritë e shtetit dhe atë mal të madh me borxhe për kompanitë”, u shpreh Rama.
Kryeministri foli gjatë një aktiviteti ku prezantoi tre programe për nxitjen e punësimit, veçanërisht të shtresës së personave që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë.
Rama tha gjithashtu se Shqipëria u godit më pak në sektorin e punësimit nga kriza e Covid-19, ndërsa përsëriti premtimin për rritjen e pagave për mjekët dhe mësuesit.
Kryeministri u shpreh se Qeveria është duke realizuar edhe objektivin për rritjen e pagës minimale në 300 mijë lek të vjetra.
“Po shkojmë drejt realizimit drejt vendosjes së pagës minimale 300 mijë lek, për të mos pasur më paga nën këtë shifër, sidomos në sektorin e manifakturës”, u shpreh ai.
Vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu që prej ditës së djeshme dhe kjo është shoqëruar me probleme në disa qytete të vendit.
Probleme janë hasur në qytetin e Durrësit ku janë përmbytur disa nga rrugët kryesore, si rruga “Aleksandër Goga”, nga Spitali tek Muzeu i Dëshmorëve, lagjja numër 5, zona tek stadiumi dhe rrethrrotullimi i stacionit të trenit.
Shqipëria dhe Greqia do t’u drejtohen gjykatave ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufirit detar.
Kjo është dakordësia e arritur mes dy vendeve e njoftuar këtë të martë nga Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.
“Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi I në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit”, njoftoi Kryeministri Edi Rama.
Nikos Dendias e konfirmoi këtë.
“Marrëveshja për t’iu drejtuar Hagës mbështetet në vullnetin e dy vendeve për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve”, u shpreh ai.
Kryediplomati grek tha gjithashtu se është rënë dakord që dy vende të rishikojnë marrëveshjen e ’96-ës, njohur si traktati i miqësisë mes dy vendeve dhe u zotua se do t’i jepet zgjidhje edhe çështjes së ligjit të luftës.
“Ramë dakord që të rishikojmë marrëveshjen e ’96 dhe ramë dakord që kjo marrëveshje ka nevojë për thellim dhe të bëjmë një marrëveshje të re. Tani kemi referuar çështjen e ligjit të luftës, është anakronizëm, edhe këtë do ta zgjidhim së bashku”, tha Dendias.
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Greqia që të trajtojë shqiptarët që jetojnë atje, ashtu sikundër trajton Shqipëria minoritetin grek.
“Nuk është një çështje e Greqisë çështja e të drejtave të minoriteti grek në Shqipëri, është edhe e jona gjithashtu. Nëse duam standarde dhe të drejta për minoritetin nuk e bëjmë se do Greqia, por është në nderin e Shqipërisë, por e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi”, tha ai.
Politika ka ndezur motorët për 25 prillin dhe përmes nxehtësisë së punës së tyre, përveç premtimeve ekonomike e sociale, premton edhe të “shkrijë skrap”. “Lojën” e hapi Kryeministri Edi Rama, që në konferencën e përjavshme për mediat dha “thelbin”, sipas tij, të marrëveshjes me Lulzim Bashën më 17 maj 2017.
“Çuarja për skrap e LSI ishte praktikisht projekt i përbashkët me Bashën, por i tradhtuar nga ai. Basha e ka tradhtuar projektin, sepse ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për ta çuar LSI për skrap. Ishte ai që u betua se s’do ketë më matrapazllëqe me LSI e Sh.P.K, dhe sot është thjesht një aksioner në Sh.P.K-në e katër ortakëve, ku ai është ortak minorance, sepse kryesor është Saliu dhe Ilir Meta. LSI është projekt që duhet zhbërë. Besoj se LSI është një sistem që duhet çmontuar komplet”, deklaroi Kryeministri.
Basha u kundërpërgjigj po në një konferencë me gazetarët. “Pohimin” e Ramës nuk e mohoi.
“Është kaq i lodhur që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër. Sa herë do ta kapni duke gënjyer, shumë shpejt do të thotë të njëjtën gjë në darkë, në mëngjes do ta përgënjeshtrojë. Nuk mban më Rama! Është e shkuara! Ka mbaruar, ndaj nuk po merrem më me të. Tani do të merremi me të ardhmen. Në të ardhmen koalicioni që do të drejtoj me LSI dhe partitë e tjera, hapi i parë është largimi i Ramës dhe më pas do të nisim zbatimin e planit tonë të punës, që do të sjellë normalizim, shanse dhe mirëqenie për çdo shqiptar. Nuk kam premtuar dhe premtoj mrekulli, por marr angazhime”, u përgjigj ai.
Përgjigje dha edhe Monika Kryemadhi.
“Prandaj shikojmë një Kryeministër në ikje që turfullon me orë të stërzgjatura në televizion. I la dhe televizionet pa reklama, sepse ka dy orë e gjysmë që vetëm flet, i falimentoi më shumë se ç’janë dhe cili është programi i vetëm që ai ka? Me atë që kemi dëgjuar në 8 vjet; programi politik i Rilindjes dhe i Edi Ramës ka qenë: ‘Të çojmë LSI-në për skrap’. Ky program i tij ka dështuar, po shkon për skrap për vete", tha ajo.
Procesi i numërimit të votave në Kosovë po shkon drejt fundit. Sipas tabelave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur janë numëruar mbi 98 për qind e tyre, Vetëvendosje kryeson me 48.17 për qind e tyre, ndjekur më pas me radhë nga PDK, LDK dhe AAK.
Aktualisht janë duke u numëruar votat me postë dhe votat me kusht. Pas Vetëvendosjes PDK ka marrë 17.3 për qind dhe LDK 13.1 për qind. E treta renditet AAK me 7.4 për qind.
Nisma e Fatmir Limajt nuk e ka kapur pragun prej 3 për qind për të hyrë në Kuvend. Të gjitha partitë politike e uruan Vetëvendosjen për fitoren, ndërsa procesi është vlerësuar si shembullor nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Ky referendum për drejtësi, punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën mbrëma.
Ai u zotua se qeveria e tij nuk do të hakmerret me askënd, por do të kërkojë llogaridhënie. Lideri i LVV-së tha se fitorja “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.
Kurti falënderoi kundërshtarët për garën e drejtë dhe i ftoi që të reformohen. I pyetur për mundësinë e koalicioneve, sipas tij, rezultati zgjedhor sugjeron se ata mund të krijojnë vetë qeverinë.
“Ky rezultat tani ne na e konfirmon se nuk kemi nevojë, e nuk kemi interes për ata që duhet të reformohen në opozitë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, që garon për postin e Presidentes tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.
“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare radhitet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha nga ana tjeter se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor. Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane.
Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t'i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit. Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se në ditët në vijim, do të bëjnë një analizë të thellë të zgjedhjeve.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës ka uruar nga ana tjetër Kurtin për fitoren, por paralajmëroi se nuk do të formonte një qeveri me Vetëvendosjen. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.
Ka nisur në dita e parë e punimeve të Forumit Strategjik të Bled në Slloveni, ku Shqipëria përfaqësohet me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme, Olta Xhaçka. Samiti me udhëheqësit e Bashkimit Europian mbahet me fokus te integrimi i rajonit në BE, sfidat me të cilat po përballet, përfshirë këtu Covid dhe koordinimi i përgjigjes ndaj pandemisë, ndërsa një deklaratë e Miroslav Lajçak duket se do të përfshijë në këto diskutime edhe nismën “Ballkani i Hapur”.
BE përfaqësohet në këtë samit nga Komisioneri për Zgjerimin, OIiver Varhelyi dhe i dërguari i posaçëm i BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Një ditë më parë, në një deklaratë për Radio Europa e Lirë, Lajçak e cilësoi nismën “Ballkani i Hapur” si të pashëndetshme për rajonin.
Nga pamjet e shpërndara nga Kryeministria në pritjen para nisjes së këtij samiti, Kryeministri Edi Rama shfaqet duke u takuar me Komisionerin Varhelyi, Miroslav Lajçak, Kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe atë grek, Kyriakos Mitsotakis.
Ndërkohë, Vuçiç, Rama dhe Zaev u takuan së bashku pasditen e së martës. Ishte Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç që postoi në rrjetet sociale një foto nga ky takim, duke shkruar: “Me dy miq të mirë në Samitin e Bledit nën hijen e Ballkanit të Hapur”.
Veç integrimit dhe pandemisë, Shqipëria mund të ngrejë në këtë takim edhe çështjen e refugjatëve afganë dhe të kërkojë më shumë ndërgjegjësim nga vendet e BE.
Në ditën e parë të takimit do të diskutohet pandemia, transformimi i gjelbërt dhe digjitalizimi në kuadër të procesit të zgjerimit të BE.
Në këto takime pritet që të diskutohet edhe për çështjen e hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në pranverë, Bullgaria vendosi veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke djegur edhe Shqipërinë, pasi udhëheqësit e unionit kërkuan mosndarjen e dy vendeve.
Diskutimet mund të shërbejnë si njësi matëse e pulsit të Brukselit në lidhje me këtë temë, të stërzvarritur deri më tani. Jozyrtarisht Shqipëria nuk ka kërkuar ndarjen nga Maqedonia e Veriut, por përballë një vetoje tjetër të mundshme bullgare në samitet e vjeshtës të udhëheqësve të BE-së, nuk është çudi që Qeveria shqiptare të kërkojë ndarjen.
Sinjalin e dha Kryeministri Edi Rama në intervistën e fundit të dhënë për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA. “Është e çuditshme dhe e pashpjegueshme që ëndrra europiane e Shqipërisë të mbahet e bllokuar nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Takimet e Sllovenisë i paraprijnë samitit të tetorit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. Nga ky samit mund të kuptohet më shumë në lidhje me vendimmarrjen e Brukselit sa i takon hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Zv.Kryeministri dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj iu shmang pyetjeve në lidhje me arrestimin e Lefter Kokës për çështjen e incineratorit të Elbasanit.
Ish-ministri i Financave përjashtoi qeverinë dhe ministritë e tjera nga përgjegjësia kolektive në lidhje me këtë koncesion, në të cilin, sipas akuzës së SPAK, Lefter Koka ka përfituar 3.7 milionë euro ryshfet për t’i hapur rrugë ndërtimit.
“Përgjegjësia para drejtësisë është individuale, nuk është as kolektive dhe as politike”, tha Ahmetaj.
Ministri i Rindërtimit, që në kohën e dhënies së këtyre koncesioneve ka mbajtur postin e ministrit të Financave e shmangu fjalën “incinerator” dhe e cilësoi investimin në Elbasan si aset shtetëror.
Kontrata e koncesionit të incineratorit të Elbasanit përfundon ditën e enjte dhe pas kësaj faze u kalon bashkive të qarkut të Elbasanit për ta menaxhuar. Por si do të funksionojë tani që është nën sekuestro? Ahmetaj tha se ka një procedurë ligjore që e zgjidh këtë, pa dhënë më shumë detaje.
Kreu i SPAK, Arben Kraja iu përgjigj deklaratave të fundjavës të Kryeministrit Edi Rama që kërkoi hetimin e Sali Berishë dhe të Ilir Metës duke thënë se struktura që ai drejton nuk funksionon me deklarata politike, por me kallëzime.
Rama iu kundërpërgjigj duke shpjeguar se përse nuk bën kallëzime në SPAK.
“Partitë politike që bëjnë kallëzime janë një devijacion i madh. Nuk ndodh në asnjë vend të botës demokratike që partitë të bëjnë kallëzime. Por, edhe ne kemi bërë kallëzime. Ne nuk e ndërtuam prokurorinë speciale që të dëgjojmë të njëjtën histori që kemi dëgjuar gjithë jetën, që ne nuk kemi kallëzim”, deklaroi Rama në një konferencë për shtyp bashkë me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
“I them Arben Krajës çfarë kërkon nga unë? Çfarë kallëzimi kërkon nga unë?! Pse duhet të vijnë kallëzimet nga partia politike në pushtet?! Kallëzimet do të çohen në SPAK nga njësia antikorrupsion dhe shumë shpejt do të kemi kallëzime dhe për figura për kryetarë bashkie të Partisë Socialiste. Nuk na shkon ne që të bëjmë kallëzim për non gratën. Ajo është gjëja e parë, ka dalë”, vijoi ai.
“Një gjykatëse një javë para se ta shporrte vettingu bën sigurim padie për pronën shtetërore dhe mban peng ndërtimin e një teatri për fëmijët. Ne e kemi denoncuar me njësinë antikorrupsion dhe sot nuk e dimë se çfarë po ndodh me të. Ça do Arben Kraja nga unë në këtë rast?! Çfarë kallëzimi kërkon nga unë! Unë kam shumë respekt për drejtuesin e SPAK, për goditjet që ka bërë në oborrin e PS, kam respekt dhe për goditjet ndaj krimit të organizuar”, shtoi ai.