Shqipëria në samitin me BE për pandeminë, integrimin, afganët dhe...Ballkani i Hapur
Ka nisur në dita e parë e punimeve të Forumit Strategjik të Bled në Slloveni, ku Shqipëria përfaqësohet me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme, Olta Xhaçka. Samiti me udhëheqësit e Bashkimit Europian mbahet me fokus te integrimi i rajonit në BE, sfidat me të cilat po përballet, përfshirë këtu Covid dhe koordinimi i përgjigjes ndaj pandemisë, ndërsa një deklaratë e Miroslav Lajçak duket se do të përfshijë në këto diskutime edhe nismën “Ballkani i Hapur”.
BE përfaqësohet në këtë samit nga Komisioneri për Zgjerimin, OIiver Varhelyi dhe i dërguari i posaçëm i BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Një ditë më parë, në një deklaratë për Radio Europa e Lirë, Lajçak e cilësoi nismën “Ballkani i Hapur” si të pashëndetshme për rajonin.
Nga pamjet e shpërndara nga Kryeministria në pritjen para nisjes së këtij samiti, Kryeministri Edi Rama shfaqet duke u takuar me Komisionerin Varhelyi, Miroslav Lajçak, Kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe atë grek, Kyriakos Mitsotakis.
Ndërkohë, Vuçiç, Rama dhe Zaev u takuan së bashku pasditen e së martës. Ishte Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç që postoi në rrjetet sociale një foto nga ky takim, duke shkruar: “Me dy miq të mirë në Samitin e Bledit nën hijen e Ballkanit të Hapur”.
Veç integrimit dhe pandemisë, Shqipëria mund të ngrejë në këtë takim edhe çështjen e refugjatëve afganë dhe të kërkojë më shumë ndërgjegjësim nga vendet e BE.
Në ditën e parë të takimit do të diskutohet pandemia, transformimi i gjelbërt dhe digjitalizimi në kuadër të procesit të zgjerimit të BE.
Në këto takime pritet që të diskutohet edhe për çështjen e hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në pranverë, Bullgaria vendosi veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke djegur edhe Shqipërinë, pasi udhëheqësit e unionit kërkuan mosndarjen e dy vendeve.
Diskutimet mund të shërbejnë si njësi matëse e pulsit të Brukselit në lidhje me këtë temë, të stërzvarritur deri më tani. Jozyrtarisht Shqipëria nuk ka kërkuar ndarjen nga Maqedonia e Veriut, por përballë një vetoje tjetër të mundshme bullgare në samitet e vjeshtës të udhëheqësve të BE-së, nuk është çudi që Qeveria shqiptare të kërkojë ndarjen.
Sinjalin e dha Kryeministri Edi Rama në intervistën e fundit të dhënë për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA. “Është e çuditshme dhe e pashpjegueshme që ëndrra europiane e Shqipërisë të mbahet e bllokuar nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Takimet e Sllovenisë i paraprijnë samitit të tetorit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. Nga ky samit mund të kuptohet më shumë në lidhje me vendimmarrjen e Brukselit sa i takon hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.