Videot kryesore
Qeveria këmbëngul se rritja e çmimit të naftës është pasojë e luhatjes së tyre në tregjet ndërkombëtare dhe jo produkt i taksave të vendosura.
Pas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, këtë qëndrim e mbrojti këtë të enjte në seancë plenare edhe zv.Kryeministri Arben Ahmetaj.
“Do të ishte naivitet të thuash që fajin e ka qeveria për rritjen e çmimit të karburanteve, se në 2009, çmimi ishte 193 lek, ndërsa taksa e qarkullimit ishte 7 lek. Tani është 193 lek, ndërsa taksa e qarkullimit është 27 lek”, deklaroi Ahmetaj.
Kryeministri Edi Rama tha se pret një përgjigje zyrtare dhe publike nga Komisioni Europian nëse komisionerët e BE-së kanë të drejtë të bëhen palë në një proces zgjedhor, apo jo. Përgjigjja zyrtare dhe publike, siç Rama e kërkon ndoshta do të mbërrijë në ditën në vazhdim, por një precedent i verës së 2020-ës sinjalizon përmbajtjen e saj.
Bëhet fjalë për debatin e ndezur pas shfaqjes të as më pak dhe as më shumë, por të vetë Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duke u bërë palë në zgjedhjet qendrore në Kroaci në krah të partisë së kryeministrit Andrej Plenkoviç.
Presidentja e KE-së është filmuar në muajin korrik të 2020-ës, dy ditë para se kroatët të votonin për qeverinë e tyre të re. Ajo shfaqet me në krah zëvendësen e saj, Dubrakva Suica dhe politikanë të tjerë europianë të qendrës së djathtë, si kancelari austriak, Sebastian Kurz teksa përsërisin sloganin e partisë së Kryeministrit Andrej Plenkoviç, “Sigurna Hrvatska”, e përkthyer në shqip “Kroacia e sigurtë”.
Pjesëmarrja e Presidentes së KE, përfshirë këtu dakordësia e dhënë për t’u filmuar nga zyrat dhe selia e Komisionit për të përçuar mesazhin në mbështejte të një pale në zgjedhjet kroate nga ngjalli reagime dhe kritika që mbërritën deri në zyrën e Avokatit të Popullit të BE-së, Emily O’Reilly.
Përmes një letre dorëzuar Komisionit më 14 korrik 2020, O’Reilly e vë në dijeni këtë institucion se kritikat dhe shqetësimet e ngritura ishin të bazuara.
“...dhe nën dritën e këtyre shqetësimeve, përfshirë këtu edhe nga publiku i gjerë, vlerësoj me rëndësi që Komisioni të sqarohet mbi këtë çështje”, thuhej ndër të tjera në letrën e saj.
Avokatja e BE-së ngrinte pyetjet nëse Kodi i Sjelljes dhe Etikës mbi bazën e të cilit ushtrojnë funksionet e tyre komisionerët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të këtij institucioni ishte mjaftueshëm i qartë në këtë pjesë? Nëse ishte e nevojshme ndërhyrja tek ky Kod dhe nëse rregullat zbatoheshin nga Presidentja e KE?
Kodi i Sjelljes dhe Etikës u lejon komisionerëve që të marrin pjesë aktive në politikë-bërjen e vendeve anëtare të BE-së, por gjithashtu thekson se “nëse kandidojnë në zgjedhje, ose luajnë një rol aktiv në fushata zgjedhore, duhet që më parë të dorëhiqen, ose pezullohen nga detyra dhe posti që mbajnë te Komisioni përsa kohë zgjat ky aktivitet, ose të paktën përgjatë fushatës zgjedhore”.
Një zëdhënës i von der Leyen reagoi në atë kohë duke u mbrojtur se klipi me mesazhin e përçuar prej saj në mbështetje të hapur për Andrej Plenkoviç në Kroaci ishte përçuar jo në emër të institucionit që ajo drejton, por si qëndrim personal i saj, pavarësisht se në mesazh kjo nuk sqarohej.
Më vonë, Komisioni i thotë Avokates O’Reilly se ishte në përgjegjësinë dhe vlerësimin e çdo anëtari të Komisionit nëse dëshiron që të angazhohet në një fushatë elektorale të një vendi anëtar, por duke plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 9 të Kodit të Sjelljes.
“...mund të bëhen pjesë e politikës së vendeve anëtare, organizatave, ose fushatave elektorale, përfshirë këtu për zgjedhje vendore ose qendrore, por duke siguruar që ky angazhim nuk cenon dhe pengon detyrën e tyre si pjesë e Komisionit”, thuhet në këtë artikull.
Reagimi dhe sqarimi i KE-së u mirëprit, por ndezi debatin për ndërhyrje në Kodin e Sjelljes, ku disa propozime janë që të ndalohet plotësisht pjesëmarrja e tyre në fushatat zgjedhore të vendeve anëtare.
E në mes të këtij debati, Komisioni njoftoi në fillim të këtij viti se do të rishikojë këto rregulla me synim qartësimin e kushteve dhe rrethanave se kur një komisioner mund të përfshihet në fushata elektorale në vendet anëtare.
Deri më tani, rregullat ende nuk kanë ndryshuar dhe komisionerëve u lejohet pjesëmarrja në fushatat elektorale...të paktën në ato për vendet anëtare. Për vendet kandidate, siç është Shqipëria, nuk ka një parashikim konkret.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku njoftoi se aeroporti i Rinasit ka nisur funksionimin, ndonëse për momentin i kufizuar vetëm për fluturimet që konsiderohen thelbësore.
“Pra, rinisin fluturimet humanitare, shëndetësore, fluturimet shtetëore, diplomatike dhe ato ushtarake”, tha Balluku.
Fluturimet civile, pra ato të transportit të qytetarëve dhe të mallrave, Balluku tha se po punohet që të hapen sa më shpejt që të jetë e mundur. Ajo nuk përjashtoi që kjo të ndodhë brenda ditës së enjte, por rikthimin në normalitet e vlerësoi si të sigurtë mëngjesin e ditës së premte.
“Fluturimet komerciale do të fillojnë nga nesër në mëngjes”, tha Balluku.
Një grup agjentësh të Policisë së Shtetit janë zhveshur nga uniforma dhe në vend të pistoletës dhe pajisjeve të tjera që ua ngarkon detyra, kanë marrë telefonin me kamera në dorë dhe po patrullojnë në rrugët e kryeqytetit.
Në shënjestër të tyre janë personat që drejtojnë automjetet duke përdorur telefonin celular. Përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, Policia thotë se përdorimi i aparatit celular mbart një rrezikshmëri të lartë në shkaktimin e aksidenteve rrugore.
Për këtë arsye rrugorët e kryeqytetit janë angazhuar, sipas policisë, me forma kontrolli nga më efikaset, përfshi edhe agjentë civilë në terren.
“Të cilët monitorojnë dhe dokumentojnë sjelljen e përdoruesve të rrugës në zona të ndryshme të kryeqytetit”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Numri i agjentëve në terren nuk bëhet me dije, por besohet grupi shkon në disa dhjetra persona, që lëvizin me makina civile, motoçikleta, biçikleta, madje edhe në këmbë. Objektivi i tyre është filmimi i drejtuesve të mjeteve që gjenden në shkelje duke përdorur celularin. Bashkë me këtë filmim regjistrohet koha e shkeljes dhe targa e automjetit, që më pas penalizohet sipas masës së shkeljes së gjetur.
Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor të ngritur për çështjen e incineratorëve nuk u zhvillua për mungesë kuorumi për shkak të mungesës së anëtarëve socialistë të komisionit.
Nga Partia Demokratike akuzuan se bojkoti i mbledhjes nga ana e Partisë Socialiste është i qëllimshëm për të penguar hetimin e këtij koncesioni, që sipas opozitës është kryekëput korruptiv.
“Hetimi i Komisionit për Incinerëtorët u bllokua sot nga Partia Socialiste. Deputetët e saj nuk morën pjesë sot në mbledhjen e lajmëruar më herët nga kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku. Mospjesëmarrja e deputetëve socialistë ndikon në mosarritjen e kuorumit për shumicën, duke bllokuar kështu hetimin për incineratorët”, thuhet në deklaratën e PD.
Kjo do të ishte mbledhja e parë e këtij Komisioni pas arrestimit nga SPAK të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili akuzohet se ka marrë 3.7 milionë euro në këmbim që tenderin e incineratorit të Elbasanit t’ja jepte kompanisë Albtech Energy të Stela Gugallja, gjithashtu nën hetim nga SPAK së bashku me Klodian Zoton.
Tre persona kanë mbetur të vrarë prej një breshërie me të paktën 50 plumba kallashnikovi te Mbikalimi i Fushë Krujës.
Viktimat po udhëtonin në të njëjtin automjet, kur ndaj tyre dyshohet se nga një tjetër makinë në lëvizje është shkrehur një breshëri automatike.
Nga të shtënat mjeti tip “Volkswaggen” ku ndodheshin viktimat ka shpërthyer në flakë. Të vdekur kanë mbetur shtetasit Brilant Martinaj 23 vjec, i afërm i Ervis Martinajt, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata 30 vjec.
Diklen Vata ka dalë i gjallë nga makina e përfshirë nga flakët, por menjëherë sapo kanë parë këtë, autorët e sulmit janë rikthyer me makinë duke e qëlluar sërish.
Automjeti ndaj të cilit u bë atentat dyshohet se ishte në pronësi të Diklen Vatës, por është e paqartë nëse shënjestra e sulmit ishte ai, apo Brilant Martinaj, pasi që të dy ata rezultojnë emra me precedentë penalë, i pari i kapur në 2017-n për shpërndarje kokaine dhe i dyti i akuzuar për vrasjen e efektivit të FNSh-së, Xhulio Prela në ngjarjen e ndodhur më 5 dhjetor 2020.
Autorët janë larguar me shpejtësi me automjet në drejtim të fshatit të fshatit Larushk, ku më pas policia ka gjetur një automjet Volkswaggen Passat të djegur plotësisht, rreth 5 kilometra larg nga vendi i atentatit. Brenda makinës janë gjetur tre armë, dy kallashnikovë dhe një armë MP5.
Numri i autorëve dyshohet se ka qenë katër, ku tre prej tyre kanë qëlluar me armë dhe njëri ka qenë në timon.
Nga dinamika e ngjarjes, dyshohet paraprakisht se autorët i kanë prerë rrugën automjetit të viktimave në vendin e njohur si mbikalimi i Fushë Krujës. Më pas, nga makina kanë dalë tre prej tyre, dy të armatosur me Kallashnikovë dhe një tjetër me armë të tipi MP5. Të trija armët mbajnë në total deri në 90 fishekë. Kjo shpjegon faktin se pse në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 60 gëzhoja.
Ndërkohë, forca të shumta të policisë dhe të RENEA-s dhe FNSH-së kanë zbarkuar në zonën e Niklës, ku dyshohet se janë larguar autorët pasi kanë djegur automjetin e tyre pranë fshatit Larushkë.
Reperi Cllevio, ishte sot për të dhënë dëshminë e tij në GJKKO në procesin ndaj të akuzuarve si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu. Pas shtyrjes së seancës, ai foli për mediat, ku tha se ishte palë e dëmtuar në këtë proces, pasi ishte dhunuar fizikisht nga reperi Noizy. Ai pati deklarata edhe më të rënda, duke pretenduar se qarkullon me makinë të blinduar, pasi sipas tij, Noizy është i gatshëm të paguajë para për ta eleminuar fizikisht. Më tej, jshtoi se për këtë gjë ka dijeni edhe reperi tjetër, Stresi.
Dy persona kanë gjetur vdekjen në rrugën "Islam Alla" në Tiranë, që lidh Rrugën e Kavajës me Rrugën Myslym Shyri.
Nga të shtënat dyshohet se autori është një burrë që ka qëlluar për vdekje vëllanë dhe kunatën e tij.
Nga informacionet e para, ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të një agjencie turistike.
Policia nuk ka dalë ende me një informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Kryeministri Edi Rama premtoi mbështetje financiare dhe amnisti fiskale për të ardhurat për të gjithë emigrantët që vendosin të rikthehen në Shqipëri për të investuar në agro-turizëm.
“Në planin tonë të veprimit kemi vendosur që gjatë mandatit të tretë do t’i japim 5 mijë euro grant çdo emigranti që do të vijë në Shqipëri për të rindërtuar shtëpinë e gjyshërve, të babaës dhe do t’i japim mundësinë çdo emigranti që do të investojë te këto shtëpi, mundësinë e sjelljes së parave në bankat e Shqipërisë pa i kërkuar llogari nga asgjë tjetër, përveçse ato të mos jenë para të krimit”, deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë foli këtë të hënë nga qyteti i Belshit, ku ai kërkoi votën për të mbajtur këto premtime.