Presidenti i ri, PS miraton kërkesat e Alibeajt dhe rrëzon Mediun për përfshirjen e Berishës
Partia Socialiste pranoi kërkesën e Enkelejd Alibeajt për zhvendosjen me një javë të datës së nisjes së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe rrëzoi kërkesën e Fatmir Mediut për të përfshirë në këtë proces të gjithë deputetët e Kuvendit, jo vetëm ata që janë anëtarë të grupeve parlamentare.
Alibeaj mori pjesë në konferencën e kryetarëve si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, megjithëse u shkarkua në Kuvendin e fundit të PD të organizuar nga Sali Berisha.
Propozimi i parë i tij ishte që të shtyhej data e mbledhjes së konferencës së kryetarëve, që Kushtetuta e cilëson si data e nisjes së procesit për në 10 maj dhe më 17 maj të mbahet raundi i parë i votimit.
Propozimi i dytë i tij lidhej me kohën mes zhvillimit të pesë raundeve të votimit në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar të PS ja miratoi të dyja kërkesët, por me një ndryshim të vogël.
“E ndërpresim mbledhjen pa vendimmarrje sot dhe mblidhemi në datën 10 dhe data 16 maj të jetë raundi i parë i votimit. Kushtetuta e përcakton që votimi i parë të jetë jo më vonë se shtatë ditë dhe jo më vonë se shtatë do të organizohen edhe raundet e votimit në Kuvend”, tha Balla.
Mediu kërkoi përfshirjen në procesin e bisedimeve jo vetëm të grupeve parlamentare, por edhe e deputetëve jashtë grupeve. Jashtë grupeve është Sali Berisha dhe tre deputetët Albana Vokshi, Flamur Noka dhe Edmond Spaho. Gjithashtu, jashtë grupeve janë edhe katër deputetët e LSI-së.
“Propozoj që të arrijmë në marrëveshje që të kemi një President garant të unitetit dhe mbi palët, duhet të konsiderojmë edhe deputetët, edhe grupet dhe të gjitha palët. I bëj këtë kërkesë kësaj mbledhjeje që është në interes të këtyre bisedimeve që të ketë një përfaqësi të mazhorancës dhe një përfaqësi të unifikuar të të gjithë deputetëve të opozitës për të qenë seriozë në këtë procesi”, tha Mediu.
“Procesi do të zhvillohet vetëm në Kuvend dhe vetëm në nivelin e grupeve parlamentare dhe është kushti i vetëm që PS ka në këtë proces. E tillë është Kushtetuta dhe fryma e saj. Bini dakord ju dhe hajdeni një treshe përfaqësuese, por procesi do të zhvillohet në Kuvend dhe me grupet parlamentare si organizime të mirëfillta të parlamentit”, deklaroi ai.