Videot kryesore
Politika ka ndezur motorët për 25 prillin dhe përmes nxehtësisë së punës së tyre, përveç premtimeve ekonomike e sociale, premton edhe të “shkrijë skrap”. “Lojën” e hapi Kryeministri Edi Rama, që në konferencën e përjavshme për mediat dha “thelbin”, sipas tij, të marrëveshjes me Lulzim Bashën më 17 maj 2017.
“Çuarja për skrap e LSI ishte praktikisht projekt i përbashkët me Bashën, por i tradhtuar nga ai. Basha e ka tradhtuar projektin, sepse ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për ta çuar LSI për skrap. Ishte ai që u betua se s’do ketë më matrapazllëqe me LSI e Sh.P.K, dhe sot është thjesht një aksioner në Sh.P.K-në e katër ortakëve, ku ai është ortak minorance, sepse kryesor është Saliu dhe Ilir Meta. LSI është projekt që duhet zhbërë. Besoj se LSI është një sistem që duhet çmontuar komplet”, deklaroi Kryeministri.
Basha u kundërpërgjigj po në një konferencë me gazetarët. “Pohimin” e Ramës nuk e mohoi.
“Është kaq i lodhur që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër. Sa herë do ta kapni duke gënjyer, shumë shpejt do të thotë të njëjtën gjë në darkë, në mëngjes do ta përgënjeshtrojë. Nuk mban më Rama! Është e shkuara! Ka mbaruar, ndaj nuk po merrem më me të. Tani do të merremi me të ardhmen. Në të ardhmen koalicioni që do të drejtoj me LSI dhe partitë e tjera, hapi i parë është largimi i Ramës dhe më pas do të nisim zbatimin e planit tonë të punës, që do të sjellë normalizim, shanse dhe mirëqenie për çdo shqiptar. Nuk kam premtuar dhe premtoj mrekulli, por marr angazhime”, u përgjigj ai.
Përgjigje dha edhe Monika Kryemadhi.
“Prandaj shikojmë një Kryeministër në ikje që turfullon me orë të stërzgjatura në televizion. I la dhe televizionet pa reklama, sepse ka dy orë e gjysmë që vetëm flet, i falimentoi më shumë se ç’janë dhe cili është programi i vetëm që ai ka? Me atë që kemi dëgjuar në 8 vjet; programi politik i Rilindjes dhe i Edi Ramës ka qenë: ‘Të çojmë LSI-në për skrap’. Ky program i tij ka dështuar, po shkon për skrap për vete", tha ajo.
Futbolli europian, si asnjëherë më parë dominohet nga Anglia. Pas Ligës së Kampionëve, edhe në finalen e “Europa League” do të jetë një derbi londinez, mes të cilëve do të diskutohet fituesi i këtij kompeticioni. Çesli mposhti Eintrahtin e Frankfurtit, ndërsa Arsenali fitoi edhe përballjen e dytë me Valencian.
Ish deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia, gjatë orëve të mëngjesi ka mbërritur në ambientet e gjykatës së Shkodrës. Mësohet se seanca në ngarkim të ish-deputetit do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Të gjithë kolegët e tij e tij, së bashku me mbështetës të opozitës, janë mbledhur për të mbështetur ish deputetin. Në prani të gjykatës janë edhe forca të policisë, mes tyre dhe efektive të FNSH.
Bebe Rexha, këngëtarja shqiptare me famë botërore do të ndërpresë turin me “Jonas Brothers” për t’u ardhur në ndihmë viktimave të tërmetit që goditi Shqipërinë ditën e martë.
Vetë këngëtarja e ka bërë publike këtë lajm përmes një video-mesazhi të shkurtër në llogarinë e saj në Instagram.
“Unë jam shqiptare dhe vendosa që të hap një llogari “gofundme” për të ndihmuar familjet në nevojë. Do të largohem nga turneu dhe personalisht do të fluturoj për në Shqipëri që të ndihmojë njerëzit me ushqime, ujë dhe t’i ndihmoj në rindërtimin e banesave. Do të sigurohem personalisht që paratë të përdoren ashtu siç duhet. Çdo qindarkë mund të ndihmojë!”, thotë këngëtarja shqiptare.
Për ndihmat, Bebe Rexha ka publikuar linkun https://www.gofundme.com/f/aft....er-the-earthquake-he ku deri më tani janë mbledhur mbi 30 mijë dollarë. 10 mijë dollarë janë kontribut i vetë Bebe Rexhës.
Ambasada Amerikane në Tiranë thotë se Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën.
“Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, mësoni se si Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar, ose SPAK, do të funksionojë. Me t’u ngritur, do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit të lartë. Kjo video tregon se si mbështetja prej 2 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara po përdoret për të siguruar që SPAK do të ngrihet dhe do të funksionojë në mënyrë të pavarur”, thotë përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.
Lulzim Basha prezantoi përmes një video-mesazhi se përse propozimet e opozitës për reformën zgjedhore janë me rëndësi për të garantuar mirëqeverisjen, llogaridhënien dhe shtetin ligjor. Kreu i PD-së thotë se sistemi duhet të reformohet që t’i takojë popullit dhe jo vetëm partive politike.
Sipas Bashës vota e shqiptarëve ëshë zhvlerësuar për shkak të paracaktimit të rezultatit si pasojë e ndërhyrjes së krimit të organizuar në shit-blerjen e tyre. Për këtë arsye, ndryshimi i parë që ai propozon është një mekanizëm strik dhe kushtetues kontrolli të figurës së kandidaturave. Ky kontroll duhet t’i besohet një organi të pavarur.
Ndryshimi i dytë i propozuar nga Basha lidhet më shumë me vullnetin politik. Basha premton tolerancë zero për të gjithë ata që përfshihen në shitblerjen e votës. “Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg”, tha ai.
Pika tjetër që ceku kreu i demokratëve lidhet me financimin e partive, një pikë për të cilën palët duket se kanë ndasi në Këshillin Politik. Basha vë theksin se përse nevojitet financimi 100 për qind nga buxheti i shtetit, apo mekanizmi penalizues për individët, apo kompanitë që financojnë partitë politike.
“Që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë”, deklaroi Basha.
Identifikimi, votimi dhe numërimi elektronik është një tjetër kërkesë që sipas opozitës përforcon garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha kërkon gjithashtu një sistem më të thjeshtë dhe për këtë nënkupton mbajtjen edhe të një referendumi.
“Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë. Vendimi për sistemin duhet t’u takojë të gjithë qytetarëve, jo vetëm partive politike”, shtoi Basha.
Që sistemi zgjedhor të sigurojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve dhe që pushteti të mos përqëndrohet në një dorë Basha propozon edhe ngritjen e një Senati në Parlament. Kjo, sipas Bashës nuk do të lejonte imponimin e pushtetit ekzekutiv ndaj atij legjislativ.
“40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”, shtoi Basha.
Pika tjetër lidhet me qeverinë kalimtare, ose qeverinë kujdestare për zgjedhjet. Basha propozon që deri kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, 100 ditë paara zgjedhjeve caktohe tnjë qeveri që do të menaxhojë procesin zgjedhor dhe garantojë zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë.
Qëndrimi i kryetarit të Partisë Demokratike për reformën zgjedhore mbërrin në një kohë që Këshilli Politik, organi jashtëparlamentar i ngritur nga demokratët dhe socialistët me detyrë hartimin e reformës zgjedhore brenda 15 marsit nuk e zhvilloi mbledhjen e radhës këtë të premte. Shtyrja është kërkuar nga ana e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.
Mbledhja e radhës është përcaktuar për ditën e hënë, kur PD pritet që të paraqesë në tryezë, propozimet e opozitës për reformimin e administratës zgjedhore. Ajo që dihet deri më tani është që socialistët kërkojnë depolitizimin e administratës, ndërsa PD është skeptike për këtë.
Kryeministri Edi Rama solli fjalën e eurodeputetes, Genoveva Ruiz Calavera për të përforcuar pretendimin e tij se nuk ka 15 kushte të vendosura nga Bashkimit Europian para hapjes formale të bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë.
Rama e shoqëron videon e publikuar nga fjala e zonjës Calavera në Komitetin për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, mbajtur ditën e hënë me një shënim për të gjithë ata që pretendojnë të kundërtën.
“Për të gjithë ata që e këndojnë apo e përsërisin pasi e dëgjojnë, këngën e 15 kushteve për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk ka 15 kushte dhe kush e përsërit atë këngë e ka thjesht për qëllimin politik të luftës qorre me Qeverinë në mexhelisin poplitik dhe mediatik”, shkruan Rama.
Ndërkohë, në fjalën e saj në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE-së, Calavera flet në emër të Komisionit Europian, si drejtore në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Zgjerimit. Ajo e pranon se janë 15 kushte, por sqaron eurodeputetët e këtij Komiteti se jo të gjitha janë vendosur për t’u plotësuar përpara hapjes formale të negociatave.
“Të 15 kushtet janë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por mendoj se ne duhet t’i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve ndërqeveritare. Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushte të tjera që duhet të plotësohen në përparimin e Shqipërisë drejt Europës dhe të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare”, tha Calavera.
Eurodeputetja u referohet tre kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman dhe më pas të pasqyruara edhe në vendimin e Këshillit Europian, që përcaktoi si kushte që duhen plotësuar përpara mbledhjes së parë ndërqeveritare plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, plotësimin e Gjykatës së Lartë dhe reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Shqipëria dhe Greqia do t’u drejtohen gjykatave ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufirit detar.
Kjo është dakordësia e arritur mes dy vendeve e njoftuar këtë të martë nga Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.
“Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi I në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit”, njoftoi Kryeministri Edi Rama.
Nikos Dendias e konfirmoi këtë.
“Marrëveshja për t’iu drejtuar Hagës mbështetet në vullnetin e dy vendeve për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve”, u shpreh ai.
Kryediplomati grek tha gjithashtu se është rënë dakord që dy vende të rishikojnë marrëveshjen e ’96-ës, njohur si traktati i miqësisë mes dy vendeve dhe u zotua se do t’i jepet zgjidhje edhe çështjes së ligjit të luftës.
“Ramë dakord që të rishikojmë marrëveshjen e ’96 dhe ramë dakord që kjo marrëveshje ka nevojë për thellim dhe të bëjmë një marrëveshje të re. Tani kemi referuar çështjen e ligjit të luftës, është anakronizëm, edhe këtë do ta zgjidhim së bashku”, tha Dendias.
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Greqia që të trajtojë shqiptarët që jetojnë atje, ashtu sikundër trajton Shqipëria minoritetin grek.
“Nuk është një çështje e Greqisë çështja e të drejtave të minoriteti grek në Shqipëri, është edhe e jona gjithashtu. Nëse duam standarde dhe të drejta për minoritetin nuk e bëjmë se do Greqia, por është në nderin e Shqipërisë, por e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi”, tha ai.
Pas Tiranës dhe Shkodrës procesi i vaksinimit të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit të shëndetësisë nisi edhe në qytetin e Vlorës.
Vaksinimi nisi tek Pallati i Sportit, ndërkohë që në dispozicion për bluzat e bardha të Vlorës dhe të jugut të Shqipërisë janë 1500 doza për 745 persona.
Të pranishëm në nisjen e këtij procesi ishte edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së enjtes, Presidenti Ilir Meta u pyet në lidhje me çmimin e dhënë nga Departamenti i Shtetit për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
DASh e vlerësoin Dvoranin me titullin “Kampion i luftës kundër Korrupsionit”.
Presidenti tha se ky vlerësim për ish-kreun e KED nuk i ndryshon mendimin, që për të, Dvorani duhej të ishte në burg.
Meta nënkuptoi se ky titull është blerë nga Edi Rama.
Po në këtë intervistë, Meta shtjelloi edhe se çfarë nënkupton me togfjalëshin “mafie ndërkombëtare”, që thotë se ka kapur vendin.
Disa orë pas këtyre deklaratave të Presidentit, përfaqësitë kryesore ndërkombëtare në Tiranë, që këto ditë janë përqëndruar më fort tek fushata zgjedhore dhe mesazhet për një proces të paqtë, të rregullet e të ndershëm, iu rikthyen temës së reformës në drejtësi.
Ambasada e SHBA përshëndeti procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të BKH-së, ndërsa Ambasasdorja Yuri Kim tha se reforma në drejtësi nuk mund të ndalet nga “djemtë e këqinj”.
“SPAK po heton më shumë, po sekuestron më shumë asete dhe po vendos kriminelë më shumë pas hekurave. Gjykata Kushtetuese është funksionale, Gjykata e Lartë ka nisur shqyrtimin e dosjeve, vettingu vazhdon. Inspektorët e BKH-së po trajnohen! Reforma nuk është e lehtë, e shpejtë dhe as perfekte, por po ecën përpara, pavarësisht se djemtë e këqinj nuk e duan”, shkruan Kim.
Edhe Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca përshëndeti përzgjedhjen e anëtarëve të parë të BKH-së.
“Mirëpresim përfundimin e procesit të verifikimit për kandidatët e parë si hetues në BKH. Ata do të nisin trajnimet e specializuara. Me rëndësi hapja e një thirrjeje të dytë. BE vazhdon të mbështesë SPAK”, thuhet në mesazhin e Soreca-s.
Ky video-përgjim po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale. Në dëgjohet biseda mes dy personave për blerjen e votave për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Njëri prej personave të regjistruar është identifikuar si shtetasi Etien Joka, i njohur si aktivist i LSI-së. Joka ka reaguar duke e cilësuar këtë video si montazh.