Rama me fjalën e Calaveras: Nuk ka 15 kushte para nisjes së bisedimeve me BE
Kryeministri Edi Rama solli fjalën e eurodeputetes, Genoveva Ruiz Calavera për të përforcuar pretendimin e tij se nuk ka 15 kushte të vendosura nga Bashkimit Europian para hapjes formale të bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë.
Rama e shoqëron videon e publikuar nga fjala e zonjës Calavera në Komitetin për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, mbajtur ditën e hënë me një shënim për të gjithë ata që pretendojnë të kundërtën.
“Për të gjithë ata që e këndojnë apo e përsërisin pasi e dëgjojnë, këngën e 15 kushteve për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk ka 15 kushte dhe kush e përsërit atë këngë e ka thjesht për qëllimin politik të luftës qorre me Qeverinë në mexhelisin poplitik dhe mediatik”, shkruan Rama.
Ndërkohë, në fjalën e saj në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE-së, Calavera flet në emër të Komisionit Europian, si drejtore në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Zgjerimit. Ajo e pranon se janë 15 kushte, por sqaron eurodeputetët e këtij Komiteti se jo të gjitha janë vendosur për t’u plotësuar përpara hapjes formale të negociatave.
“Të 15 kushtet janë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por mendoj se ne duhet t’i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve ndërqeveritare. Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushte të tjera që duhet të plotësohen në përparimin e Shqipërisë drejt Europës dhe të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare”, tha Calavera.
Eurodeputetja u referohet tre kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman dhe më pas të pasqyruara edhe në vendimin e Këshillit Europian, që përcaktoi si kushte që duhen plotësuar përpara mbledhjes së parë ndërqeveritare plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, plotësimin e Gjykatës së Lartë dhe reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.