Videot kryesore
Pas më shumë se tre orë mbledhje, ku pjesën më të madhe të kohës e mori leximi i raportit 96 faqesh, Komisioni Hetimor Parlamentar gjeti se shkeljet e Presidentit Meta të një morie nenesh të Kushtetutës klasifikoheshin si të rënda dhe unanimisht i propozohet Kuvendit në seancë plenare shkarkimi i tij.
“Është një dokument gjithpërfshirës që do të shërbejë për punë studimore në të ardhmen. Është shterues brenda objektit të hetimit të caktuar në kërkesën e 49 deputetëve të Kuvendit”, tha anëtarja e Komisionit, Vasilika Hysi.
Raporti është hartuar mbi bazën provave fizike e virtuale, ku janë të pasqyruar të gjitha deklaratat e Presidentit para, gjatë dhe pas 25 prillit, që në vlerësimin e 49 deputetëve nismëtarë për shkarkimin e Metës bien ndesh me rolin e tij mbi palët.
Raporti thotë se Presidenti bëri fushatë hapur kundër partisë në pushtet dhe roli i tij nuk perceptohet në popull si unifikues, rrezikoi marrëdhëniet me ndërkombëtarët me akuzat për korrupsion për diplomatët e huaj, nxiti dhunën dhe urrejtjen, madje për këtë të fundit, Komisioni kërkon edhe ndjekjen penale.
“Thirrjet që nxisin dhunë janë subjekt i ndjekjes penale nga organet kompetente”, thotë raporti.
Veç tyre, Komisioni ka administruar si prova edhe postime me foto, video dhe tekst të Presidentit në rrjetet sociale. Prova tjetër është korrespondenca e Presidentit me Gjykatën Kushtetuese, që anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar e interpretojnë si shantazh të tij ndaj kësaj gjykate.
Komisioni akuzon Presidentin se jo vetëm ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por e ka bërë këtë në mënyrë të përsëritur.
“Bëhet fjalë për shkelje të përsëritura në 19 intervista televizive, 9 deklarata për mediat dhe 45 postime në rrjetet sociale”, tha kreu i Komisionit, Alket Hyseni.
Si prova janë administruar edhe të dhënat e mbledhura nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga SPAK në lidhje me kallëzimet për krimet zgjedhore. Komisioni tha se ka administruar edhe informacione nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe një informacion të klasifikuar si sekret nga ana e Policisë së Shtetit, nën dyshimet se Presidenti Ilir Meta mund të jetë takuar me eksponentë të Agimit të Artë.
Informacion është marrë edhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura prej kësaj të fundit për përplasjen në lidhje me zyrat e Frymës së Re Demokratike si dhe raste të shkarkimit të Presidentit në Letoni dhe vende të tjera europian. Si provë janë administruar edhe dhënia e titujve, dekoratave, procedurave dhe dekreteve të shtetësisë së dhëna nga ana e Presidentit Meta para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
Gjithashtu, raporti është bazuar edhe te dy mendimet e dhëna nga ekspertët Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri.
Raporti do t'i dorëzohet Kuvendit brenda javës së ardhshme. Kuvendi më pas duhet të vendosë në seancë plenare me të paktën 94 vota pro për shkarkimin e Metës. Votimi i Parlamentit, së bashku me raportin e Komisionit Hetimor dorëzohet më pas në Gjykatën Kushtetuese, që jep vendimin përfundimtar, ose për shkarkimin, ose e rrëzon raportin dhe Presidenti Meta vijon detyrën.
Presidenti Ilir Meta u prit në Budapest nga Kryeministri hungarez, Viktor Orban, vetëm disa ditë pasi ky i fundit priti në të njëjtën zyrë, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Përherë kënaqësi të takohem me Kryeministrin Orban, mik i sinqertë i Shqipërisë, të cilin e falënderoj për pritjen, si gjithmonë të veçantë. Bisedë e hapur, e ngrohtë dhe produktive për shumë çështje me interes të përbashkët, në dobi të qytetarëve tanë dhe forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe historike, tradicionale dhe premtuese për të ardhmen”, deklaron Meta përmes rrjeteve sociale, duke e shoqëruar postimin me një video të shkurtër nga takimi me Orban.
Meta ndodhej në Hungari për të marrë pjesë në përurimin e bustit të Skënderbeut në parkun e kryeqytetit hungarez. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Megjithatë, në njoftimet zyrtare si Presidenca, ashtu edhe Bashkia e Tiranës jo vetëm që nuk përmendet titullarët e instititucionit tjetër, por i shmangën ata edhe nga fotot e rastit.
Departamenti i Shtetit dënon dhunën e përdorur më 8 janar në selinë e Partisë Demokratike dhe thotë se ajo nuk mund të jetë kurrë mjet për të marrë nën kontroll një parti politike.
“Është për të ardhur keq që dikush dëshiron që të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë nën kontroll një parti politike. Ne e dënojmë këtë!”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar.
Zyrtari i DASh e bëri të qartë se jo kushdo brenda Partisë Demokratike mund të pretendojë se është një partner i rëndësishëm për SHBA.
“Jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni tani”, vijoi ai.
Sipas Escobar, SHBA do të vazhdojë të mbështesë dhe të jetë e angazhuar në rajon dhe jo vetëm për çështjet politike, por edhe për çështje ekonomike. Intervista e plotë do të transmetohet në emisionin “Ditari” të Zërit të Amerikës pasditen e sotme.
Kryeministri Edi Rama u qëndroi deklaratave të bërë në Asamblenë e Partisë Socialiste me thirrjet drejtuar SPAK-ut për të hetuar Sali Berishën, thirrje të cilat shkaktuan edhe reagimin e Ambasadores së SHBA, Yuri Kim.
Rama tha se nuk ishte presion ndaj drejtësisë së re, por kërkesë që ajo të bëjë më shumë.
“PS është e vetmja parti që nuk i ka bërë, nuk i bën dhe nuk do t’i bëjë presion drejtësisë. Të kërkosh më shumë nga drejtësia kur SPAK po mbush tre vjet dhe vettingut pesë vjet. Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e ish-Kryeministrit që ka një vit i shpallur non grata me akuzat nga më të rënda?!”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi që të hetohet Gërdeci, 21 janari dhe dosje të tjera për të cilat socialistët akuzojnë Sali Berishën.
Por kush konsiderohet presion ndaj drejtësisë? Rama solli si shembull deklaratën e Komisionit të Rithemelimit kundër gjyqtares Blerina Muça, që ka në dorë apelin e Enkelejd Alibeajt që kundërshton regjistrimin e statutit të 11 dhjetorit dhe deklaratën e Sali Berishës pas ngjarjeve të 21 janarit në 2011.
“Presion në drejtësi është ajo deklarata e djeshme ndaj gjyqtares. Presion është t’i thuash kryeprokurores lavire dhe këtë e ka thënë Kryeministri”, deklaroi Rama.
Kryesocialisti u shpreh se koston e mosveprimit të SPAK-ut po e mban ai dhe mazhoranca që ai drejton.
“Qytetarët më drejtohen mua si njeriu që shiti shpresat te drejtësia e re. Përgjigjet e mia janë të njëjta, që qeveria nuk bën prokurorin, qeveria bën reformën. Pranda, mua s’me jep dot leksione askush për ndërhyrje te drejtësia, as shqip, as anglisht dhe as frëngjisht”, u shpreh ai.
Por, thirrja drejtuar SPAK nga Rama nuk është vetëm për Berishën. Kryeministri kërkoi hetimin e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të shkarkuar nga vettingu.
“Këto hetime kanë rëndësi dhe ne nuk do t’i ndahemi pa vënë para drejtësisë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar të shpallur jo nga ne, por nga vettingu”, deklaroi Rama.
Kriza e çmimeve dominoi debatin parlamentar në seancën e kësaj të enjteje. Mazhoranca dhe opozita u përplasën mbi mënyrën e menaxhimit të kësaj krize nga ana e Qeverisë.
Deputetja Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se në një kohë që vazhdon kryen pagesat në afera korruptive, si ajo e inceneratorëve në anën tjetër ka lënë familjet shqiptare në mëshirë të çmimeve të rritura në treg.
Për të ilustruar idenë e saj, deputetja demokrate iu referua raportit të INSTAT mbi inflacionin në muajin maj. Ajo shmangu inflacionin e përgjithshëm për këtë muaj dhe lexoi pjesën e raportit ku flitet për ndryshimet vjetore të çmimeve në grupet kryesore të tyre.
Në këtë pjesë, INSTAT thotë se “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 29,1 për qind, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 18,6 për qind dhe “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,4 për qind.
Deputetes demokrate iu përgjigj vetë Kryeministri Edi Rama. Ai shmangu pjesën e inflacionit për vajrat dhe yndyrnat dhe u përqëndrua te inflacioni i përgjithshëm, që siç tha Kryeministri, është më i ulti në rajon.
Ilir Meta doli në konferencë për shtyp për të denoncuar një grup mafioz, sipas tij, që po vendos çmimin e naftës në vend, por në të njëjtën dalje foli për dy qëndrime të kundërta të Edi Ramës në politikën rajonale.
E para lidhej me çështjen e detit me Greqinë. Këtu akuzoi se Rama me qëndrimet e tij po dëmton interesat kombëtare.
“Ne nuk e kemi problemin me Greqinë, por e kemi me Edi Ramën dhe këtu llogaridhënia është e pashmangshme. Kjo aferë do të marri në fund të detit Edi Ramën, pa asnjë diskutim. I kam dërguar një letër Kuvendit dhe u kam çuar 140 deputetëve të Shqipërisë. Edhe një pjesë të dokumentimit të shqetësimeve serioze për këtë çështje, që vijnë si rezultat i gjithë lojërave të Ramës, i papërgjegjshëm, aventurier dhe i marrë peng. Dëmtues i jashtëzakonshëm i interesave tona kombëtare”, tha Meta.
Ish-Presidenti thotë se e ka të mirëdokumentuar të gjithë veprimtarinë e dëmshme ndaj interesave kombëtare të Edi Ramës, por se në publik s'mund të fliste për të gjitha.
“Veprimtaria shumë e dëmshme e këtij individi është shumë e dokumentuar, por nuk dua të flas për të gjitha në publik”, u shpreh ai.
Çështja e dytë ku u ndal Meta është Ballkani i Hapur. Ai thotë se në Presidencë ka qenë i rezervuar, por nismën e kundërshton.
“Rama, dobiçi i Vuçiç në Ballkanin e Hapur. Kam pasur qëndrim të përmbajtur, por e dini se cili është qëndrimi i Presidentit të Malit të Zi, që është nga politikanët më të përgjegjshëm e përvojë në këtë rajon. Edhe Presidenti i Maqedonisë së Verisë ka pasur e shprehur rezervat e tij, për këtë nismë që minon perspektivën europiane të rajonit dhe procesin e integrimit”, u shpreh Meta.