Videot kryesore
Kryeministri Edi Rama shtriu dorën për ndihmë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Turqia në Stamboll për investimet publike e private. Rama thotë përmes postimit në rrjetet sociale, se fjalën e mbante me ftesë të Presidentit turk, Recep Taip Erdogan.
Pasi falenderoi për mbështetjen e dhënë deri më tani dhe pasi përshkroi shkurtimisht pasojat e tërmetit në humbje njerëzore dhe materiale, Rama kërkoi ndihmë, duke cituar edhe islamin.
“Qëndroj përpara jush për t’ju kërkuar ndihmë. Cila është vërtetë fytyra më e bukur në islam? Sipas profetit të Zotit, paqja qoftë mbi të, të ushqesh atë që është në nevojë, të përshëndesësh dhe të shpëtosh ata që njeh dhe ata që nuk njeh. Dëshiroj t’u falenderoj secili nga vëllezërit tanë që deri më tani kanë qenë shëmbëllim i kësaj fytyre dhe dua të falenderoj paraprakisht të gjitha ata që duan të bëhen shëmbëlltyra e këtyre fjalëve. Qoftë bamirësia juaj e pranuar!”, deklaroi Rama.
Kryeministri njohu të pranishmit me fondet e dhuruara nga qytetarët shqiptarë, por nënkuptoi se ato janë të pamjaftueshme.
“Besoj që me ndihmën tuaj do të arrijmë që të bëjmë me Durrësin atë që Turqia bëri me Izmirin pas tërmetit të 1999. Të dhënat tona paraprake janë tronditëse dhe shumica e ndërtesave janë të shkatërruara. Janë banesa të ndërtuara me ndërtime të dobëta. Shumica e këtyre janë struktura shumëkatëshe, që strehojnë dhjetra familje. Kjo është arsyeja se përse nuk kemi një shifër finale zyrtare. Besojmë se dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj që është njerëzisht e përballueshme prej nesh. Pra pa kontribute nga jashtë koha që do të na duhet për të shëruar plagët tona do të jetë shumë e gjatë”, tha Kryeministri.
Dhjetëra protestues janë mbledhur sërish sot në Tiranë kundër pjesëmarrjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në samitin e Minishengenit.
Ndërkohë që pritet të nisë takimi kokë më kokë, mes kryeministrit Zoran Zaev,presidentit malazez Milo Gjukanovic , Vuçiç dhe Ramës, protestuesit e Lëvizjes Vëtëvendosje dhe anëtarë të shoqërisë civile u mblodhëmn me pankarta duke kërkuar largimin e presidentit serb nga Tirana.
“Kosova, zemra e Shqipërisë”, “Rama ik”, “Turp, turp”, “Edvin tradhtar”, janë disa nga thirrjet e protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë.
Protestat janë ndezur edhe më shumë nga deklaratat e Vuçiç, i cili ka mohuar masakrën e Reçakut duke thënë se disa nga viktimat aty ishin pjesëtar të UÇK-së. Presidenti serb e ka quajtur masakrën e Reçakut, të njohura nga gjithë bota ‘krim të fabrikuar’.
Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur bashkëpunimin me Serbinë në kuadër të Ballkanit të Hapur duke iu referuar shpesh shembujve nga historia. Shembulli i preferuar i tij është ai mes Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore.
Lufta e Dytë Botërore ishte kulmimi i armiqësisë shekullore mes dy vendeve, që vendosën të themelojnë Bashkimin Europian, pasi ndër shekuj kishin pushtuar njëra-tjetrën duke vrarë e prerë. Ky krahasim i Ramës u kritikua nga disa si i pavend me arsyetimin se Franca e Gjermania përgjatë historisë së tyre konfliktuale kanë qenë herë agresore, herë viktima, ndërsa Kosova e shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë agresorë të Serbisë, por vazhdimisht viktima të politikave shoviniste të Beogradit me spastrime etnike, i fundit prej të cilëve vetëm dy dekada më parë.
Megjithatë, veç rastit Francës e Gjermanisë, nga samiti i Ohrit në kuadër të Ballkanit të Hapur, Kryeministri Rama solli një shembull tjetër, që tha se nuk ishte i veti, por i diplomatit amerikan, Christopher Hill.
“Ambasadori Chris Hill më tha diçka që në fakt s’e kisha menduar asnjëherë. Shumë thjesht: SHBA kanë hedhur dy bomba atomike në Japoni dhe një nga aleancat strategjike më të forta dhe miqësitë më të ngushta sot në arenën ndërkombëtare është aleanca e SHBA me Japoninë...pas dy bombave atomike dhe urdhëroni se ku është sot Japonia dhe nuk do të ishte sot aty nëse do të qëndronte me kurriz nga SHBA, duke kërkuar më parë që SHBA të uleshin në gjunjë për bombat atomike”, deklaroi Rama.
Por, as krahasimi me marrëdhënien Japoni-SHBA nuk është i duhur. Dy bombat atomike amerikane mbi Japoni ishin kulmimi i një lufte të ashpër mes tyre në Paqësor dhe vende të treta, si Tajlandë, Filipine e Kinë. Për më tepër, ishte Japonia ajo e para që sulmoi SHBA në Pearl Harbour.
Sulmi me dy bombat bërthamore më 6 dhe 9 gusht ishte i pari i amerikanëve në Japoni. Më 15 gusht, Japonia shpalli kapitullimin dhe më 2 shtator të 1945-s u zyrtarizua ky kapitullim. Sipas termave të caktuara nga fituesi, SHBA dhe aleatët e saj australianë, britanikë e neozelandezë do të qëndronin në Japoni si pushtues. Kjo është hera e parë dhe e vetme kur është pushtuar vendi ishullor.
Por, qëllimi i SHBA dhe aleatëve të saj nuk ishte spastrimi etnik në Japoni, siç ishte për një shekull qëllimi e politika e serbëve në Kosovë. Qëllimi i amerikanëve ishte ndryshimi i krejt sistemit dhe mënyrës së qeverisjes japoneze.
Nën udhëheqjen e gjeneralit Douglas MacArthur SHBA detyruan Perandorin Hirohito që të hiqte dorë nga imazhi prej ‘hyu’ që kishte krijuar në shoqërinë vendase. Heqja dorë nga ‘hyjnia’ ishte hapi i parë i progresit të shoqërisë. Ushtria u shpërnda, politikanët e Luftës së Dytë Botërore u ndaluan nga punësimi në qeveri, u shkatërruan konglomeratet që kontrollonin ekonominë, u ndërmor reforma agrare që shpërndau toka për njerëzit e thjeshtë, u legalizuan unionet e punonjësve, iu dha e drejta e votës grave dhe mbi të gjitha u decentralizuan dhe demokratizuan institucionet arsimore.
Shumë prej këtyre ndryshimeve u vendosën në Kushtetutë para se SHBA dhe aleatët e saj të largoheshin nga Japonia në vitin 1952, jo si të detyruar nga bombardimet e një shteti, apo aleance ushtarake. Ajo që lanë pas ishte një Japoni të transformuar dhe gati për të ecur vetë, por tani me rregulla krejtësisht të reja e më të drejta, duke lënë pas mbylljen shekullore, që kishte shërbyer si katalizator i agresioneve japoneze në Paqësor.
Po në Kosovë? Për një shekull përpjekjet serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës kanë qenë të përhershme e në forma herë të heshtura, herë agresive e ushtarake. Spastrimi i heshtur realizohej përmes mungesës së investimeve në infrastrukturë, ekonomi, arsim, shëndetësi e çdo fushë tjetër për t’u vështirësuar jetën shqiptarëve.
Ushtarakisht dy kanë qenë spastrimet e mëdha, fillimisht në përfundim të Luftës së Parë Ballkanike dhe me luftën e vitit 1999. Përgjatë gjithë kësaj periudhe shqiptarët u vranë, u dëbuan. Atyre që mbetën iu mohua arsimimi në gjuhën amë, u zhvendosën me forcë për t’u zëvendësuar nga kolonët serbë, u përjashtuan nga vendimmarrja, u lanë jashtë institucioneve për të mos folur.
Pra, nëse SHBA la pas një Japoni më të demokratizuar e zhvilluar vetëm në 7 vjet, ato që Serbia mbolli në Kosovë për një shekull ka qenë vetëm shkatërrimi, terrori, genocidi e spastrimi etnik. Për më tepër, SHBA nuk e mohoi asnjëherë shtetësinë e Japonisë, as në vitet kur e mbajti të pushtuar.
Serbia vijon ta mohojë shtetin e Kosovës, madje pak ditë para se të merrte pjesë në samitin e Ohrit për Ballkanin e Hapur, Vuçiç u betua se do ta mbajë Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë. Këto janë dallimet mes dy shembujve të sjellë nga Kryeministri Rama dhe këto dallime ndoshta janë të mjaftueshme për të nxitur mosbesimin te Serbia në Prishtinë.
Besimi fitohet dhe për ta fituar këtë, gjëja e parë që Serbia duhet të bëjë para se të ftojë Kosovën në Ballkanin e Hapur është njohja si shtet. Të tjerët do të pasojnë...
Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj është paraqitur sot në SPAK për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar që prej muajit shkurt. Xoxa u mor e pandehur disa ditë më parë nën akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Ajo akuzohet nga SPAK se së bashku me Veliajn kishin ngritur një skemë për përvetësimin e fondeve publike të bashkisë Tiranë
Në përpjekje për të mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit, që ushtroi dhunë ndaj një 15-vjeçari që kishte shkelur rregullat e ndalim-qarkullimit dy javë më parë, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu duket se i ka shtuar më shumë telashe vetes.
Veliu paraqiti para Komisionit të Sigurisë një video të dy grave, njëra prej të cilave është me pistoletë në dorë. Ai tha se “nuk po e tregonte këtë video për të marrë në mbrojtje policinë, por për të treguar se nga ç’familje mbërrinte adoleshenti 15-vjeçar”.
“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim Duhet të kemi parasysh se çfarë përfaqëson ai djali”, deklaroi Veliu para deputetëve të Komisionit.
Ajo që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk sqaroi ishte se videoja që ai tregoi ishte shkëputur nga prapaskenat e xhirimit të një filmi, ku mamaja e 15-vjeçarit, Zaida Çobo ka marrë pjesë si aktore.
Vetë Zaida Çobo e sqaroi më vonë këtë pjesë, madje në rrjetet sociale qarkulluan edhe vide-fragmente nga roli i saj në filmin në fjalë.
Deklarata e Veliut shkaktoi furtunë në internet, ku kreu i Policisë së Shtetit u akuzua se “i bëri gjyqin publik një familjeje” dhe për “rrëmim në jetën personale të një nëne”, që nuk ishte as e kërkuar dhe as e dyshuar për ndonjë krim.
Nga aktivistë e deri tek studiues të shkencave politike në vendin tonë dënuan deklaratën dhe kërkuan dorëheqjen e Veliut.
“Drejtori i Policisë fyeu, denigroi dhe cenoi jetën private të një 15 vjecari. Ai mori në mbrojtje dhunuesit e tij. Shfaqja e drejtorit Veliu ishte jo etike, jo ligjore, jo demokratike. Ai duhet të kërkojë ndjesë familjes dhe publikut. Nëse jo ai meriton reagim & largim sa më parë”, shkruan drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi.
Dorëheqjen e kërkoi edhe Partia Demokratike.
“Sipas këtij qëndrimi kriminal, nëse Ardi Veliut nuk i pëlqej çfarë bëj unë apo ti, atij i lind e drejta të na rrahë fëmijët, pastaj të gërmojë në jetën tonë private, të vjedhë fotot dhe videot tona në rrjetet sociale, siç ka bërë me ato të nënës së djalit, të sajojë me to një histori dhe, në fund, ta bëjë atë publike për të na dhunuar e për të na poshtëruar përsëri”, deklaroi ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.