Videot kryesore
Presidenti Ilir Meta e cilësoi si tërësisht artificiale krizën politike dhe institucionale që ka përfshirë Shqipërinë prej muajsh tashmë. Në një intervistë dhënë për RTV21, kreu i shtetit e lidhi krizën e Tiranës me zhvillimet në dialogun Serbi-Kosovë.
“Kjo krizë artificiale në të cilën ndodhet Shqipëria dhe që nuk e meriton populli shqiptar, padyshim që për mendimin tim ka një lidhje edhe me zhvillimet në Kosovë, me dialogun Kosovë-Serbi. Për mua ka qenë dhe mbetet shqetësuese: përse kërkohet patjetër ky konflikt në Shqipëri?! Nuk mund ta teproj ndoshta edhe po të them: përse po kërkohet edhe një gjakderdhje në Shqipëri?!”, deklaroi ai për emisionin satirik “Kojshia Show”.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, që prej marrjes së detyrës. Gjatë vizitës në Prishtinë, Cakaj zhvilloi një sërë takimesh me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës.
Presidenti Ilir Meta kërkoi mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen e punonjësve të tyre me pagesa nga Qeveria, nëse këto të fundit nuk përmbushin dhe garantojnë standardet e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Është me mjaft rëndësi që të respektohen kudo distancat fizike dhe standarde të detyrueshme nga institucionet e shëndetit publik për çdolloj aktiviteti. Çdo nënvlerësim do të ishte me pasoja edhe njerëzore, financiare dhe ekonomike. Duhet përqëndrim më i madh në këtë drejtim për të parandaluar krijimin e vatrave të reja në mënyrë të paparashikuar. Nëse nuk garantohen standardet aktivitete të tilla nuk duhet të lejohen dhe punonjësit duhet të mbështeten nga ana e Qeverisë”, deklaroi në një konferencë për shtyp Presidenti Meta.
Meta komentoi këtë tematikë pas shpërthimit të dy vatrave me koronavirus në Krujë dhe Laç. Në të dyja këto vatra, pjesa dërrmuese e rasteve të reja me Covid-19 janë punonjëse të fasonerive dhe familjarë të tyre.
Mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen financiare nga ana e Qeverisë të 70 mijë punonjësve të këtij sektori e ka kërkuar edhe Partia Demokratike. Ish-deputetja Orjola Pampuri tha se shifrat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e ngritur që në fillim nga ana e opozitës, që fasoneritë janë “mina me sahat” e pandemisë.
“Të dhënat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e Partisë Demokratike se mbajtja hapur me kokëfortësi e fasonerive i ka kthyer ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit. Në Krujë, sot ka më shumë të infektuar se dje. Janë 18 persona të tjerë që kanë rezultuar pozitiv. Të gjithë punonjës fasonerie, kryesisht gra dhe vajza. Urojmë që të dhënat të pasqyrojnë realitetin dhe virusi të mos jetë përhapur akoma më shumë, por edhe kaq sa është, kemi një situatë shumë problematike”, deklaroi ajo.
Por, ndryshe nga Presidenti, opozita thotë se nga këqyrja që ka bërë në terren është e pamundur që të respektohet distanca fizike mes punonjësve dhe protokollet e tjera të sigurisë anti Covid.
“Ne ishim atje, kemi parë kushtet, kemi biseduar me sipërmarrësit dhe me punonjësit. Është e pamundur që në një mjedis të tillë aq të vogël të ruhet distanca sociale dhe të respektohen standardet e kërkuara. Duhet mbyllja e tyre, e shoqëruar me një mbështetje financiare. Sa më shpejt, aq më mirë!”, vijon ajo më tej.
PD është e bindur se pas qëndrimit të Qeverisë për të mos mbyllur fasoneritë është këmbëngulja e Edi Ramës për të mos anuluar tendera dhe koncesione, që opozita i cilëson si korruptive.
“Ka vetëm një arsye pse Edi Rama është i gatshëm të luajë bixhoz me jetën dhe shëndetin e 70 mijë nënave dhe motrave. Ai nuk do që të sakrifikojë nga paratë që ndan me një grusht oligarkësh për disa koncesione korruptive. Anulimi i pagesave për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit mbulon koston e pagesës minimale për 70 mijë gra e vajza të fasonerive”, tha Pampuri.
Edi Rama dhe Lulzim Basha pasqyruan krejt ndryshe gjendjen e fermerëve dhe të tregtarëve të fruta-perimeve në takimet që zhvilluan këtë të mërkurë në pak kilometra distancë nga njëri-tjetri. Kryeministri u ndal në tregun agro-ushqimor të Divjakës dhe tek një fermë e mbarështimit të lopëve në zonë, ndërsa kryedemokrati tek tregu agro-ushqimor i Rrogozhinës.
I shoqëruar nga kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Kryeministri vizitoi një pikë grumbullimi fruta-perimesh në Divjakë, që me financimet e BE-së në kuadër të programit IPARD ka zgjeruar kapacitetet dhe modernizuar ambientet.
Rama e solli si këtë rast si udhërrëfyes të transformimit të fshatit dhe orientimit të tregut drejt marrëdhënieve privat-privat.
Pas kësaj vizite, po në shoqërinë e ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca Kryeministri Edi Rama u zhvendos në një fabrikë të prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, që me mbështetjen e fondeve IPARD të Bashkimit Europian ka zgjeruar me një të tretën kapacitetin e prodhimit, me mbi 1 mijë kokë lopë.
Edhe këtë rast, Kryeministri e solli si shembull se më shumë sesa vullneti për punë i fermerëve me rëndësi të madhe është orientimi dhe përfshirja në një zinxhir prodhimi e tregtimi më të madh dhe më të sigurtë. Shembullin e orientoi duke pyetur sipërmarrësin e fabrikës.
Por, pak kilometra më në veri, Lulzim Basha bënte një panoramë krejt tjetër nga ajo e Edi Ramës. I ndalur në tregun agro-ushqimor të Rrogozhinës, Basha akuzoi Qeverinë se ashtu si mijëra biznese dhe qytetarë të tjerë ka lënë në mëshirë të fatit edhe fermerët, duke mos ofruar ndihmën e nevojshme financiare për të përballuar krizën e Covid19.
“E vërteta nuk është turp. Turp është për atë që lekët e taksave tuaja ua çon oligarkëve e nuk ua jep ju. Kur vjen dita që t’ju ndihmojë, shteti i merr lekët dhe ia çon oligarkëve, jep tendera e koncensione. Ka lënë gjithë popullin në mjerim”, deklaroi Basha.
Veç Ramës dhe Bashës deklarata kundërshtuese me njëri-tjetrin dhanë edhe fermerët me të cilët ata u takuan. Sipërmarrësit me të cilët u takua Rama në Lushnje u shprehën të kënaqur në lidhje me punën e bërë, investimet në infrastrukturë dhe ndihmën e marrë dhe problematikat kryesore i lidhën përgjithësisht me mungesën e kulturës dhe mentalitetit të fermerit për t’iu bashkuar një zinxhiri prodhimi dhe tregtimi më të madh e që i garanton shitjen.
Të kundërtën shprehën fermerët dhe tregtarët me të cilët u takua Lulzim Basha në Rrogozhinë.
“Shitjet në treg kanë rënë gjysmë për gjysmë. Është krizë e thellë, e hedhim prodhimin që nuk shitet. Asnjë ndihmë nuk kemi marrë”, thanë ata, duke akuzuar drejtpërdrejtë Qeverinë se i ka braktisur në ditët e tyre më të vështira.
Partia Demokratike thotë se kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ka shembur fasadën e propagandës në sistemin e shëndetësisë.
“Në “shëndetësinë falas” të Edi Ramës, shqiptarët blejnë vetë nga ushqimi deri tek respiratorët. Pandemia nga COVID ka shfaqur para syve të të gjithëve sa e mjeruar është gjendja në spitalet tona, sa i madh është dështimi i qeverisë, sa e rrezikshme është kjo qeveri për shqiptarët. Kontrasti mes propagandës së qeverisë dhe realitetit është i jashtëzakonshëm”, tha ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.
Ish-deputetja demokrate e shoqëron këtë reagim me një video, që thotë se janë dëshmitë e të afërmve të pacientëve që po kuron ndaj Covid-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Sipas këtyre dëshmive, situata në këtë spital është krejt tjetër nga ajo që pretendon Qeveria.
“Kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë flasin për spitale si në Zvicër, por qytetarët në hall në dyert e spitaleve tregojnë të vërtetën e dështimit të “shëndetësisë falas”. Ata blejnë vetë nga ushqimi i përditshëm deri tek respiratorët”, vijoi Pampuri.
PD thotë se Shqipëria është e fundit për numrin e testimeve për 1 milion banorë dhe ndër katër vendet e para për vdekje ditore dhe numrin më të lartë të përhapjes së infeksionit.
Endri Dumani ishte njëri prej fëmijëve të rikthyer nga kampi Al Hol në Siri me avionin e fluturimit të Kryeministrit Edi Rama nga Libani për në Tiranë.
Në Shqipëri, ai u prit nga e ëma dhe familjarë të tjerë të tij.
Pas Tiranës dhe Shkodrës procesi i vaksinimit të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit të shëndetësisë nisi edhe në qytetin e Vlorës.
Vaksinimi nisi tek Pallati i Sportit, ndërkohë që në dispozicion për bluzat e bardha të Vlorës dhe të jugut të Shqipërisë janë 1500 doza për 745 persona.
Të pranishëm në nisjen e këtij procesi ishte edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Forumi i Prespës ka takuar edhe njëherë tjetër Edi Ramën me Albin Kurtin. Dy Kryeministrat janë përshëndetur me njëri-tjetrin në prani edhe të kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Nga pamjet e shkurtra filmike të shpërndara për mediat, shihet Kurti që vjen i fundit dhe gjen të ulur në tavolinë Edi Ramën me Ali Ahmetin dhe shoqëruesit përkatës në pjesëmarrjen e këtij forumi.
Ndërkohë, në një tjetër video, Kryeministri i Shqipërisë shfaqet duke komunikuar me ndihmës Sekretarin e Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker.
Reeker merr pjesë gjithashtu në këtë forum, që synon të nxisë dialogun mes vendev të rajonit si e vetmja rrugë për zhvillim. Para mbërritjes në Ohër, zyrtari i DASH pati një ndalesë të shkurtër në Tiranë, ku nga politika u takua vetëm me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, por jo me Presidentin Ilir Meta.