Videot kryesore
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, që prej marrjes së detyrës. Gjatë vizitës në Prishtinë, Cakaj zhvilloi një sërë takimesh me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës.
Presidenti Ilir Meta kërkoi mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen e punonjësve të tyre me pagesa nga Qeveria, nëse këto të fundit nuk përmbushin dhe garantojnë standardet e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Është me mjaft rëndësi që të respektohen kudo distancat fizike dhe standarde të detyrueshme nga institucionet e shëndetit publik për çdolloj aktiviteti. Çdo nënvlerësim do të ishte me pasoja edhe njerëzore, financiare dhe ekonomike. Duhet përqëndrim më i madh në këtë drejtim për të parandaluar krijimin e vatrave të reja në mënyrë të paparashikuar. Nëse nuk garantohen standardet aktivitete të tilla nuk duhet të lejohen dhe punonjësit duhet të mbështeten nga ana e Qeverisë”, deklaroi në një konferencë për shtyp Presidenti Meta.
Meta komentoi këtë tematikë pas shpërthimit të dy vatrave me koronavirus në Krujë dhe Laç. Në të dyja këto vatra, pjesa dërrmuese e rasteve të reja me Covid-19 janë punonjëse të fasonerive dhe familjarë të tyre.
Mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen financiare nga ana e Qeverisë të 70 mijë punonjësve të këtij sektori e ka kërkuar edhe Partia Demokratike. Ish-deputetja Orjola Pampuri tha se shifrat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e ngritur që në fillim nga ana e opozitës, që fasoneritë janë “mina me sahat” e pandemisë.
“Të dhënat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e Partisë Demokratike se mbajtja hapur me kokëfortësi e fasonerive i ka kthyer ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit. Në Krujë, sot ka më shumë të infektuar se dje. Janë 18 persona të tjerë që kanë rezultuar pozitiv. Të gjithë punonjës fasonerie, kryesisht gra dhe vajza. Urojmë që të dhënat të pasqyrojnë realitetin dhe virusi të mos jetë përhapur akoma më shumë, por edhe kaq sa është, kemi një situatë shumë problematike”, deklaroi ajo.
Por, ndryshe nga Presidenti, opozita thotë se nga këqyrja që ka bërë në terren është e pamundur që të respektohet distanca fizike mes punonjësve dhe protokollet e tjera të sigurisë anti Covid.
“Ne ishim atje, kemi parë kushtet, kemi biseduar me sipërmarrësit dhe me punonjësit. Është e pamundur që në një mjedis të tillë aq të vogël të ruhet distanca sociale dhe të respektohen standardet e kërkuara. Duhet mbyllja e tyre, e shoqëruar me një mbështetje financiare. Sa më shpejt, aq më mirë!”, vijon ajo më tej.
PD është e bindur se pas qëndrimit të Qeverisë për të mos mbyllur fasoneritë është këmbëngulja e Edi Ramës për të mos anuluar tendera dhe koncesione, që opozita i cilëson si korruptive.
“Ka vetëm një arsye pse Edi Rama është i gatshëm të luajë bixhoz me jetën dhe shëndetin e 70 mijë nënave dhe motrave. Ai nuk do që të sakrifikojë nga paratë që ndan me një grusht oligarkësh për disa koncesione korruptive. Anulimi i pagesave për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit mbulon koston e pagesës minimale për 70 mijë gra e vajza të fasonerive”, tha Pampuri.
Një grup eurodeputetësh të së djathtës europiane kërkuan prej Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi detaje se në çfarë faze ishte plotësimi i kushteve të vendosura nga ana e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Pyetjet u bënë gjatë një seance të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku një pjesë e eurodeputetëve ishin të pranishëm fizikisht në sallë dhe pjesa tjetër përmes lidhjeve online ngritën shqetësimet e tyre.
Komisioneri i Zgjerimit tha se dy ishin çështjet e rëndësishme që po diskutohen aktualisht. Të parën renditi reformën zgjedhore dhe të dytën ligjin antishpifje, që u ngrit si shqetësim nga eurodeputeti suedez, David Lega. Në lidhje me paketën antishpifje, Varhelyi thotë se kishte marrë premtimin e Qeverisë shqiptare për të mos miratuar asnjë rregullore që mund të bjerë ndesh me atë se çfarë do të rekomandojë Komisioni i Venecias.
“Po, ne e kemi një plan për plotësimin e 15 pikave para se mbledhjes ndërqeveritare për negociatat dhe po punojmë me autoritetet shqiptare. Ka një progres në këtë drejtim dhe jam shpresëplotë se do të kemi një progres edhe domethënës në vazhdim. Janë dy çështje, reforma zgjedhore dhe e dyta ligji antishpifje. Kam marrë sinjale pozitive nga Qeveria shqiptar që nuk ka asnjë interes që të vazhdojë me rregulla që mund të cenojnë lirinë e medias dhe të shprehjes dhe që shkojnë përkundër rekomandimeve që do të japë Komisioni i Venecias”, deklaroi ai.
Në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioneri tha se vijojnë të mbeten një problem shqetësues për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por për Shqipërinë vlerësoi si mjaft pozitiv ligjin për bllokimin e pasurive të krimit të organizuar, miratuar në kuadër të paketës anti-KÇK.
Që ky ligj të jetë i suksesshëm, Varhelyi thotë se nevojitet bashkëpunimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi janë pikërisht këto vende ku krimi i organizuar shqiptar ka aktivitetin e tij më të madh.
“Nëse e shihni Shqipërinë, një ligj bllokimi asetesh kriminale u adoptua, ku çdo kriminel i akuzuar për krim të organizuar duhet të provojë menjëherë burimin e pasurisë. Kjo kërkon edhe bashkëpunimin e vendeve anëtare të BE”, deklaroi ai.
Sa i takon korrupsionit, Varhelyi deklaroi se ai mbetet një problem që kërkon vëmendje të vazhdueshme, për të gjitha vendet e rajonit.
Komisioneri u pyet gjithashtu mbi mundësinë që plani i rimëkëmbjes ekonomike post Covid-19 i Bashkimit Europian të zgjerohet edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai nuk e përjashtoi këtë si mundësi, por e mbetet për t’u vendosur në një periudhë të mëvonshme. “Është mirë që e njëjta krizë të luftohet me të njëjtat masa”, u shpreh Varhelyi.
Një tjetër shqetësim i eurodeputetëve ishte emigracioni. Komisioneri tha se BE po punon me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për reformimin e sistemit të arsimor në mënyrë që të përafrohet me standardet e Bashkimit Europian dhe të përgatisë e përshtasë më mirë me nevojat e tregut të rinjtë e rajonit.
Komisioneri foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe idenë e shkëmbimit të territoreve. Këtij skenari i la derën hapur pak ditë më parë edhe vetë Përfaqësuesi për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Por, disa eurodeputetë anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së e cilësuan si të rrezikshme këtë ide dhe kërkuan nga Brukseli që ta kundërshtojë me forcë.
Me një gjuhë diplomatike, vetë Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi nuk u rreshtua me asnjërën palë. Ai e cilësoi çështje dytësore shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Parësore, sipas tij mbetet rikthimi i palëve në tryezën e bisedimeve.
“Është një çështje dytësore që nuk ka asnjë kuptim që të diskutohet për ndryshim kufijsh, përsa kohë nuk kemi asnjë palë në tryezë, ndaj prioritet duhet të jetë rifillimi i dialogut dhe më pas faza tjetër për gjetjen e një marrëveshjeje. Shkëmbim territoresh, ose jo nuk është një çështje emergjence, por thjesht ndalon çdo dialog me kuptim”, u përgjigj ai.
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
I ri, agresiv, ambicioz dhe me shpesh me vetëbesim në kufijtë e arrogancës, aq sa para zgjedhjeve të 30 gushtit ishte gati të vinte dorën në zjarr se ai dhe lëvizja “URA” që drejton do të përcaktonte Qeverinë e re. Dritan Abazoviç ka profilin e një politikani të pashoq në Ballkan.
I lindur në Ulqin, 35-vjeçari ja doli mbanë që pasi e gërreu për vite me radhë pushtetin e Milo Gjukanoviçit, pushtet i akuzuar se është ngritur mbi korrupsionin, lidhjet me krimin e organizuar dhe nepotizmin për vite me radhë ta rrëzonte atë, duke realizuar atë që s’e ka bërë njeri në Mal të Zi në tre dekada.
Se deri ku shtrihen kufijtë e ambicies së Dritan Abazoviçit e tregon koha e shkurtër me të cilën ngriti karrierën e tij politike nga aktivist i përfshirë në lëvizjet qytetarë serbo-malazeze në “kingmaker”. Ai refuzon edhe sot që të cilësohet politikan, pasi me këto fjalë identifikon klasën e vjetër të udhëheqësve malazezë, që i akuzon si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
Por, me “piruetat” e bëra në harkun kohor të pesë viteve e kanë bërë më shumë se politikan. 35-vjeçari duket se ka gjetur formulën e një ekuilibri që deri para tij konsiderohej i paarritshëm; të bëjë bashkë malazez, serbë dhe shqiptarë.
Malazezët e lodhur nga sundimi 30-vjeçar i Milo Gjukanoviçit i joshi me guximin e treguar me akuzat që bënte publike, si në rastin kur e akuzonte, në atë kohë Kryeministër, se kishte futur në xhepat e kompanive të zotëruara prej tij miliona dollarë para të taksapaguesve malazezë.
Në atë kohë nuk i kishte mbushur ende 30 vjeç dhe deputet i partisë “Mali i Zi Pozitiv”. Pati guximin që t’i drejtohej Gjukanoviçit në sallën e Parlamentit për një skandal për të cilin të gjithë kolegët ishin në dijeni, por askush nuk e përmendte publikisht. Nga akuzat e tij, Milo Gjukanoviç e humbi durimin dhe në debat e sipër i kthehet duke i thënë “Turp të kesh! Faqezi!”, duke nënkuptuar se 35-vjeçari kishte tradhtuar elektoratin shqiptar.
Pikërisht përplasja e fortë me Gjukanoviç u hamendësua më vonë edhe si shkak i përçarjes së partisë “Mali i Zi Pozitiv”. Abazoviç, së bashku me disa drejtues serbë të kësaj partie kërkonin një ballafaqim të drejtpërdrejtë dhe agresiv me Gjukanoviçin, deri në rrëzimin e tij. Kjo binte ndesh me “pragmatizmin” e shumicës në këtë fraksion politik, që çoi në largimin e Abazoviçit dhe themelimin prej tij dhe një grupi bashkëpunëtorësh serbë dhe malazezë të lëvizjes qytetare “URA”.
Programi i “URA”-s përafron më shumë me programin e social-demokratëve të Gjukanoviçit. Megjithatë, Abazoviç orientoi katër mandatet e fituara drejt nacionalistëve malazezë dhe partive serbe, në një lëvizje që më shumë se parimore duket se është kushtëzuar nga basti që i riu i kishte vënë vetes për të rrëzuar Gjukanoviçin. Qeveria e re do të ngrihet me ekspertë, sipas kushtit të vendosur prej tij, duke e lënë politikën në Parlament.
Jo aq e papritur
Zgjedhja e bërë prej Dritan Abazoviçit ka lënë jo pak të habitur. Edhe vetë koalicioni nacionalist e proserb, të paktën publikisht, nuk e ka pritur këtë. Por, kjo lëvizje nuk duket edhe aq e papritur për profilin e 35-vjeçarit, që noton prej më shumë se një dekade në ujërat shpesh të trazuara të politikës malazeze.
Me deklaratat dhe qëndrimet e mbajtura në të shkuarën ai ka synuar gjithmonë që të dalë mbi të gjitha etnitë në Mal të Zi. Nuk e kërkoi asnjëherë votën e shqiptarëve si shqiptar, ndoshta duke llogaritur peshën e vogël elektorale dhe përçarjen e madhe të tyre. Por, fitoi besimin e malazezëve të lodhur nga regjimi i Gjukanoviçit dhe simpatinë e serbëve me disa deklarata kontraverse.
Mes tyre është edhe deklarata e bërë për Skënderbeun, me rastin e vendosjes së monumentit të tij në qytetin e Ulqinit, vendlindja e Dritan Abazoviçit. Deklaronte me bindje se Ulqini nuk kishte nevojë për një monument të tillë, por zhurmën e shkaktoi kur nënkuptoi se Skënderbeu ishte serb.
“Edhe fëmijët në çerdhe e dinë që ata që kanë baba dhe mama serbe, nuk mund të jenë shqiptarë”, u përgjigjej ai akuzave që i vinin nga shqiptarët e Malit të Zi dhe jo vetëm mbi një deklaratë të bërë në televizionit malazeze se Skënderbeu ishte serb.
Deklarata e tij nuk ishte e pallogaritur. Ajo mbërrinte pak kohë pasi opozita proserbe e akuzonte se kishte për qëllim përçarjen e elektoratit serb dhe për sulme ndaj Kishës Serbe të Malit të Zi. Me këtë deklaratë ja doli mbanë që të qetësojë serbët, por ndoshta edhe t’i përçajë ata, duke siguruar një grusht të mirë votash në zgjedhjet e fundit.
Qëndrimet dashamirëse ndaj serbëve i përforcoi me bërjen publike të idesë së tij për marrëdhëniet me Serbinë dhe për ligjin e miratuar nga Gjukanoviç që sekuestron pronat që kleri fetar në Mal të Zi nuk është në gjendje që të provojë me dokumentacion zotërimin e tyre historik. Abazoviç premton shfuqizimin e këtij ligji dhe kalimin e një ligji tjetër për lirinë e besimit fetar, që premton se do të jetë “i standardeve europiane”.
Po ashtu, në një deklaratë të bërë jo shumë kohë më parë shprehej se Mali i Zi duhet të përpiqej që të ndërtonte politika të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët e vet, por sidomos me Serbinë që e shihte si “më të afërt”.
Pas mjekëve, Qeveria premton rritje pagash edhe për mësuesit. Synimi u bë me dije këtë të hënë nga vetë Kryeministri Edi Rama në një takim me mësues që gjatë pandemisë dhanë mësim përmes kanalit “RTSH Shkolla” të televizionit publik.
“Do të bëjmë çmos që ta rrisim mbështetjen për mësuesit, edhe pse kushtet nuk janë optimale për të menduar për këtë, por ne mendojmë që për mjekët dhe mësuesit duhet të bëjmë një sforco të madhe”, tha Rama.
Kryeministri tha se Qeveria do të dalë shumë shpejt me një propozim konkret për këtë. Por, ndryshe nga rasti i mjekëve ku foli për një rritje “domethënëse” të pagave mbi 7 për qind, për mësuesit nuk dha asnjë shifër.
Megjithatë, kreu i Qeverisë tha se rritja do të kalojë së bashku me buxhetin e ardhshëm dhe përveçse do të jetë e përgjithshme, pra për të gjithë mësuesit, do të shqyrtohet edhe mundësia e vlerësimit të mësuesve mbi një sistem meritokracie.
"Po mendojmë për një sistem të vlerësimit të mësuesve që po e analizojmë dhe nga viti i ardhshëm shkollor do të jeë gati ku mësuesit më të mirë do të duhet të vlerësohen financiarisht ndryshe”, u shpreh ai.
Një ekip inxhininerësh dhe shkencëtarësh holandezë testuan me sukses atë që njihet si modeli i avionit të së ardhmes. Bëhet fjalë për modelin “Flying-V”, një dezajn i konceptuar që të jetë më efikas për nga konsumi i karburantit.
“Flying-V” përmbledh tek krahët ambientet për pasagjerët, bagazhet dhe depozitën e karburantit. Ekspertët holandezë shpresojnë që forma e tij aerodinamike redukton konsumin e karburantit me të paktën 20 për qind në krahasim me avionët tradicionalë të sotëm.
Testimi i parë është kryer me anë të një modeli të vogël vetëm 22.5 kilogram si peshë dhe 3 metra gjatësi në një aerodrom në Gjermani.
“Shqetësimi ynë kryesor ishte mundësia që avioni të kishte vështirësi në ulje, nisur nga fakti që sipas përllogaritjeve dhe simulimeve tona kompjuterike manovrimi ishte i vështirë. Inxhinierët tanë e tejkaluan këtë problem përmes një mekanizmi të thjeshtë kontrollues të rrymave ajrore të sinkronizuara në të dy krahët e avionit e që shërbejnë si timon orientues i tij”, tha Roelof Vos pjesëmarrës në këtë studim dhe profesor i inxhinierisë hapësinore në Universitetin e Teknologjisë Delft në Holandë.
Pas projektit qëndrojnë si financues një sërë kompanish të fuqishme në fushën e transportit ajror, si Airbus, KLM e deri tek flota ajrore holandeze.
Patrullat e policisë do të vëzhgojnë me rreptësi hapësirat publike dhe ambientet e tjera ku pas ditës së enjte do të vendoset me detyrim mbajtja e maskave për qytetarët.
Paralajmërimi është dhënë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
“Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar që të mbajë maskë që në momentin që del nga dera e shtëpisë së tij. Patrullat policore do të monitorojnë ambientet dhe hapësirat publike, ku nga e enjtja është e detyruar mbajtja e maskës”, tha Veliu.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se për të gjitha rastet policia do të zbatojë kuadrin ligjor për masat ndëshkimore ndaj qytetarëve. Në fund, Veliu kërkoi nga qytetarët bashkëpunim me policinë dhe të respektojnë masat anti-Covid.
A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, veccanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate mes konkurentëve pasi të ketë filluar procesi zgjedhor dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve për vetë cilësinë dhe besueshmërinë e procesit të zgjedhjeve?
Nëse rregullat, veccanërisht ato që kanë të bëjnë me transforimin e votave në mandate midis konkurrentëve ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë, ose ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë së ligjit, sigurisë juridike dhe rregullave të barabarta të lojës së konkurrimit që janë kycce për të përmbushur angazhimet e OSBE-së për zgjedhje demokratike? A e kompromentojnë këto ndryshime procesin zgjedhor? A kompromentojnë ato stabilitetin politik nëse bëhen në kundërshtim me konsensusin e 24 janari dhe 5 qershorit të arritur nga shumica e partive politike?
A shkelet përfundimisht parimi i garancive proceduriale nëse ndryshime të tilla në ligjin zgjedhor të miratuara njëanshmërisht dhe me nxitim bëhen në mungesë të një gjykatë kushtetuese funksionale, e cila mund të kontrollojë përpuethshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë të Kodit Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit nuk ishin pjesë e rekomandimeve të hershme të OSBE/ODIHR për Shqipërinë, a është procedura urgjente një motiv i ligjshëm për të justifikuar ndyrshimet e njëanshme nga një Parlament i kontestuar që nuk plotëson kuorumin kushtetues prej 140 deputetësh? A kishte ndonjë nevojë kushtetuese sipas standardeve ndërkombëtar për t’i modifikuar ato në mënyrë të njëanshme?
A është dispozita e futur rishtasi në Kodin Zgjedhor për të drejtën e kryetarit të një partie politike për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe veccanërisht me parimin e mosdiskriminimit mes kandidatëve dhe votuesve?
A e pengojnë rregullat aktuale në fuqi për mbledhjen dhe shndërrimin e tyre në mandate mes konkurrentëve, veccanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura dhe përzgjedhjen e kandidatëve nga votuesit? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura, ndërsa mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten ashtu sicc janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?
A i dëmton të drejtat e partive politike dhe elektorateve të tyre imponimi i njëanshëm i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në lidhje me koalicionet zgjedhore për të kandiduar me një listë unike?
Duke pasur në konsideratë situatën, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të garantuar një proces zgjedhor me standarde europiane për zgjedhje demokratike dhe të dakordësuara nga të gjitha aktorët kryesorë politikë dhe subjektet zgjedhore në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore dhe politike.
Një burrë në Florida u përlesh me një aligator të vogël për të shpëtuar nga dhëmbët e tij qenin 3-muajsh. Ngjarja ka ndodhur në fund të tetorit dhe është kapur nga kamerat e sigurisë të vendosura nga “Florida Wildlife Federation”. Heroi është identifikuar si Richard Wilbanks, i cili gjatë të gjithë aventurës së pakëndshme nuk e ka lëshuar për asnjë moment nga goja cigaren e tij.
Me doza të forta ironie e sarkazme, Kryeministri Edi Rama vendosi përballë disa kandidatë socialistë me kandidatët e ofruar nga opozita për zgjedhjet e 25 prillit, për të ilustruar se përse, sipas tij, më në këtë zgjedhje duhet votuar Partia Socialiste.
Sali Berishën e vendosi përballë Luljeta Bozos dhe Najada Çomos, Evis Kushin në Elbasan përballë një filxhani kafeje, që simbolizonte Monika Kryemadhin, Bujar Leskajn me kryesuesen e listës së PS-së në Vlorë, për të vazhduar më pas me Shpëtim Idrizin, Mesila Dodën, Agron Dukën, Edi Palokën, Dashamir Shehin e Bujar Leskajn.
Krahasimit nuk i shpëtoi as Presidenti Ilir Meta, megjithëse ky i fundit nuk garon më 25 prill. Përballë Metës kishte vendosur ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Përzgjedhja nuk ishte e rastësishme. Rama tha se Meta është akuzuesi i Etilda Gjonajt për reformën në drejtësi dhe shtoi se ata që mendojnë se Presidenti nuk është kandidat në këto zgjedhje gabohen.
Mesha e së Premtes së Mirë
në një kishë polake në Londër u mbyll nga policia për shkelje të rregullave antiCovid,
ndërsa besintarët e mbledhur u kërcënuan gjoba deri në 200 paundë, nëse nuk
linin menjëherë kishën.
Oficerët e policisë mbyllën
ceremoninë fetare në Balham High Street, në jug të Londrës, rreth orës 17.00 të
së premtes, ndërsa pamjet që bënë xhiron e rrjetit tregojnë një oficer t'u
thotë besimtarëve se tubimi ishte “i paligjshëm” dhe se ata duhet të shkonin në
shtëpi.
E njëjta situatë ndodhi edhe në Komisionin e Sigurisë, ku deputetët e opozitës u paraqitën fizikisht në sallë dhe i propozuan kryetarit të këtij Komisioni, Nasip Naço një minutë heshtje në nderim të efektivit të policisë të rënë në Lezhë.
“Vendimi i Konferencës së Kryetarëve thotë këtë gjë: Vendimet, mbledhjet e komisioneve merren online, por kur kushtet janë dhe në raste të jashtëzakonshme ato zhvillohen edhe fizikisht. Po a ka mbledhje që është në raste të jashtëzakonshme siç është edhe ky i sotmi për ngjarjen fatkeqe që ka ndodhur?”, tha deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj.
PD tha se në Komisionin e Sigurisë, opozitës nuk iu lejua pjesëmarrja fizike dhe nuk iu dha fjala, ndërkohë që maxhoranca refuzoi kërkesën e PD për të mbajtur 1 minutë heshtje për policin e vrarë në krye të detyrës në Lezhë.
“Kjo është frikë nga opozita, kjo është frikë nga parlamentarizmi, ne e kemi bërë me dije gjithmonë, Edi Rama e urren parlamentarizmin. Edi Rama e urren vlerat që përcjell parlamentarizmi, ndaj po bën gjithçka që t’i mbyllë zërin opozitës dhe parlamentarizmit. Opozita është e vendosur që të ndjekë të gjitha hapat për të rikthyer legjitimitetin këtij parlamenti, për t’i rikthyer debatin, diskutimin në parlament dhe për t’u përballur me regjimin që sot është në karrike falë masakrës zgjedhore që ka zhvilluar. Ne do të bëjmë gjithçka që të kthehet parlamentarizmi. Parlamentarizmi është vrarë. Të gjitha hap pas hapi, asgjë nuk bëhet të gjitha bashkë”, deklaroi nënkryetari demokrat i këtij Komisioni, Flamur Noka.
Në Prishtinë mbahet këtë të hënë mbledhja e radhës mes dy qeverive, ku në agjendë janë diskutimet për ndërlidhjen infrastrukturore, portin e ri të Durrësit, qasjen e Kosovës në këtë port, portin e thatë në Kosovë dhe projektin ambicioz të lidhjes hekurudhore.
Kryeministri Edi Rama udhëtoi të dielën në drejtim të Prishtinës, ku e nisi vizitën me një takim në familjen e ish-Presidentit Hashim Thaçi. Vizitën në familjen e Presidentit, Rama e shoqëroi me një set fotografik gjatë takimeve me familjarët e Thaçit.
Gjithashtu, Rama vizitoi edhe një sipërmarrje në Gjakovë, ku premtoi se synimi i qeverisë shqiptare është që të shkrijë të gjitha pengesat në kufi për të lehtësuar shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Ai tha se dëshira e Shqipërisë është që heqja e këtyre barrierave doganore të jetë e ndërsjellë, por tha se Qeveria e Kosovës ka kërkuar më shumë kohë për të analizuar efektet financiare në buxhet. Pavarësisht kësaj, Rama premtoi se Shqipëria do të ndërmarrë, pavarësisht vendimit të Kosovës.
“Ne kemi bërë edhe një plan dhe do ta vëmë tani në lëvizje që do t’i heqim tarifat doganore me Kosovën. Do t'i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale dhe me qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë. Ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar, por ne do ta bejmë do t’i heqim, se nuk ka kuptim ne t’i heqim me Ballkanin e hapur, mos t’i heqim me Kosovën. Kështu që do t’i heqim tarifat për gjithë çfarë vjen nga Kosova përjashto atë të skanimit se asaj s’kemi çfarë i bëjmë se ajo është e trashëguar edhe s'lëviz, por gjithë pjesën tjetër nuk do ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri. Anasjelltas do ta bëjë qeveria e Kosovës dhe ne duam ta bëjmë bilaterale, por në qoftë se qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi, sepse nuk duam që ta kemi të hapur pa tarifa me të tjerët në Ballkanin e hapur dhe të mos e kemi me Kosovën”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, ministrat e kabinetit të Ramës janë nisur me furgon në drejtim të Kosovës paraditen e së hënës. Takimi i përbashkët i Qeverive nis në orën 11:15 me fjalët hapëse të Kryeministrave Kurti e Rama, fjalime të shkurtra nga ministrat dhe me prezantimin e marrëveshjeve që do të nënshkruhen.
Rreth mesditës është planifikuar prezantimi i projekteve infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Porti i thatë në Kosovë. Këtë prezantim do të bajë Eric Smit, drejtor i kompanisë projektuese, “Royal Haskoning DHV”.