Videot kryesore
Në korrik të vitit 2018 kur në Kuvend po diskutohej projektligji për prishjen e godinës së Teatrit, Lulzim Basha, iu bashkua artistëve protestues në oborrin e “qëndresës”, me një letër në dorë: “Unë jam Teatri”.
Ishte një fjalë e shkurtër, por me shumë premtime.
Basha nuk do të lejonte që drafti të bëhej ligj në Kuvend (kaloi me shumicën e votave të mazhorancës). Edhe nëse do të miratohej do të ndërhynte tek Meta që të mos e dekretonte (Presidenti e kishte kauzë të vetën) dhe akti i fundit; “Ne do të jemi këtu me trupat tanë për t’ju kundërvënë me të gjitha mjetet, me çdo formë dhe me çdo cmim këtij akti mafioz dhe kriminal”
Basha premtoi dy vjet më parë se ai do ta mbronte Teatrin brenda Kuvendit, ndërsa artistët jashtë saj.
Muaj më vonë, Basha doli përfundimisht edhe nga Kuvendi. Teatri mbeti pezull dhe po aq edhe premtimet…
…Pak ditë më parë, Rama gjeti një tjetër mekanizëm edhe më të shpejtë se burokracitë parlamentare. Shfrytëzoi pandeminë dhe brenda tre ditësh debat mbylli kapitullin 22 vjeçar të shembjes së godinës. Reagoi edhe Basha. Foli sërish për vija të kuqe, si dy vjet me parë. Ndërsa fadromat kësaj here i mori përsipër për t’i ndalur me trup Monika Kryemadhi.
Me lojëra fjalësh se kush e kishte radhën për dezhurn, Lulzim Basha shkoi aty në mëngjes herët, pas dy orësh kur fasada e Teatrit kishte rënë. Artistët që e mbronin kishin përfunduar në komisariat. Dhe media ishte tulatur nga nxitimi i policëve për t’i shpërndarë.
Mbahet mend vetëm zëri i një aktivisteje, që filmonte fillimin e shëmbjes dhe ndërhyrjen e fortë të policisë; “Hajdeni ju lutem, ku jeni?”
Aty Basha kishte dërguar vetëm Flamur Nokën. Njeriun e gabuar të mbronte të pambrojtshmen.
Sepse “Unë jam teatri” ishte një kronikë e një fati të paracaktuar…
…Basha mbledh aleatët, më pas edhe strukturat natën vonë. Premton se do të mbeshtesë protestën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Shfaqet në protestë, i rrethuar nga gratë e PD-së dhe me një qëndrim krejt të paqtë.
U thotë artistëve se kur të vijë në pushtet do të ndërtojë një teatër të njëjtë me atë të mëparshmin, por me një kleçkë premtuese jo pak të vogël.
“Ripërsëris edhe njëherë vendosmërinë time dhe të Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar, për t’i qëndruar kontratës së firmosur me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit për rindërtimin e Teatrit në vendin ku ishte sipas të gjitha përcaktimeve, siç ishte nga jashtë…”, tha Basha, duke shkuar më tej se, nuk do të lejojë ndërtimin e Teatrit të ri.
“Përfitoi” politikisht edhe me kauzën. Se sot duhet protestuar më shumë se për Teatrin, për diktaturën, tiraninë dhe vendosjen e demokracisë.
Vija e kuqe tashmë ndryshoi ngjyrë…
“Unë jam Teatri” mbeti si arkiva e vetë atrit e zhytur në kanalet e zeza të bashkisë pas gërmadhave, që la shëmbja e godinës…
Në përpjekje për të mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit, që ushtroi dhunë ndaj një 15-vjeçari që kishte shkelur rregullat e ndalim-qarkullimit dy javë më parë, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu duket se i ka shtuar më shumë telashe vetes.
Veliu paraqiti para Komisionit të Sigurisë një video të dy grave, njëra prej të cilave është me pistoletë në dorë. Ai tha se “nuk po e tregonte këtë video për të marrë në mbrojtje policinë, por për të treguar se nga ç’familje mbërrinte adoleshenti 15-vjeçar”.
“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim Duhet të kemi parasysh se çfarë përfaqëson ai djali”, deklaroi Veliu para deputetëve të Komisionit.
Ajo që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk sqaroi ishte se videoja që ai tregoi ishte shkëputur nga prapaskenat e xhirimit të një filmi, ku mamaja e 15-vjeçarit, Zaida Çobo ka marrë pjesë si aktore.
Vetë Zaida Çobo e sqaroi më vonë këtë pjesë, madje në rrjetet sociale qarkulluan edhe vide-fragmente nga roli i saj në filmin në fjalë.
Deklarata e Veliut shkaktoi furtunë në internet, ku kreu i Policisë së Shtetit u akuzua se “i bëri gjyqin publik një familjeje” dhe për “rrëmim në jetën personale të një nëne”, që nuk ishte as e kërkuar dhe as e dyshuar për ndonjë krim.
Nga aktivistë e deri tek studiues të shkencave politike në vendin tonë dënuan deklaratën dhe kërkuan dorëheqjen e Veliut.
“Drejtori i Policisë fyeu, denigroi dhe cenoi jetën private të një 15 vjecari. Ai mori në mbrojtje dhunuesit e tij. Shfaqja e drejtorit Veliu ishte jo etike, jo ligjore, jo demokratike. Ai duhet të kërkojë ndjesë familjes dhe publikut. Nëse jo ai meriton reagim & largim sa më parë”, shkruan drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi.
Dorëheqjen e kërkoi edhe Partia Demokratike.
“Sipas këtij qëndrimi kriminal, nëse Ardi Veliut nuk i pëlqej çfarë bëj unë apo ti, atij i lind e drejta të na rrahë fëmijët, pastaj të gërmojë në jetën tonë private, të vjedhë fotot dhe videot tona në rrjetet sociale, siç ka bërë me ato të nënës së djalit, të sajojë me to një histori dhe, në fund, ta bëjë atë publike për të na dhunuar e për të na poshtëruar përsëri”, deklaroi ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.
Opozita serbe akuzon Presidenti Aleksandër Vuçiç se po përpiqet që të arrijë me shpejtësi dhe fshehurazi një marrëveshje me Kosovën, mundësisht brenda muajit shtator.
Politikanin liberal, Cedomir Jovanoviç, një prej të paktëve zëra në Beograd që njohin shtetin e Kosovës dhe bëjnë thirrje që Serbia ta njohë zyrtarisht atë në kufijtë ekzistues thotë se skenari i Aleksandër Vuçiç, që përfshin shkëmbimin e territoreve mund ndezë konflikte të reja të armatosura në rajon.
“Serbia po kërkon që të kontrabandojë një zgjidhje me Kosovën brenda shtatorit, mundësisht edhe para këtij muaji. Kjo është e pakuptimtë”, tha ai.
Jovanoviç thotë se marrëveshja po nxitet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos nga i dërguari i posaçëm, Riçard Grenell. Ky i fundit kërkon me ngulm që pakti të nënshkruhet para muajit tetor në mënyrë që në para zgjedhjeve presidenciale në SHBA të shitet si sukses në politikën e jashtme të Donald Trump.
Ndërkohë, Vuçiç dhe partia e tij, Partia Progresiste Serbe (SNS) janë vënë në qendër të kritikave pas shfaqjes dhe më pas tërheqjes me shpejtësi të një spoti elektoral, në të cilin nuk përfshihej Kosova.
Mediat serbe e kanë hamendësojnë se spoti është bërë me vetëdije dhe heqja e Kosovës jo pa qëllim, por për të mos shkaktuar pakënaqësi në Prishtinë në një kohë që Beogradi pret formimin e Qeverisë së re për të përparuar në diskutimet për shkëmbimin e territoreve.
Serbia do të mbajë zgjedhjet më 21 qershor, ndërkohë që në Kosovë zgjedhjet e parakohshme u shmangën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të njohur dekretin e Hashim Thaçit që mandaton Abdullah Hotin për Kryeministër pas rrëzimit të Qeverisë “Kurti”. Vuçiç është shprehur i gatshëm që të rinisë së më parë me Hotin dialogun.
Gjatë 5 viteve të funksionimit të tij bilanci statistikor i ligjit të dekriminalizimit është pozitiv. Instituti i Studimeve Politike thotë se kurba e përfshirjes në vendimmarrje të individëve me të shkuar kriminale është në rënie, por megjithatë sistemi i parandalimit mbetet ende i brishtë.
Megjithatë, standardi “për politikë dhe zyrtarë të pastër”, sipas ISP mbetet ende një sfidë për demokracinë funksionale, shtetin e së drejtës, përfaqësimin cilësor në vendimmarrje dhe mirëqeverisjen e vendit. Për këtë arsye theksi vendoset tek roli i partive politike.
“Ato mund e duhet të aplikojnë standarde etike dhe integriteti brenda vetë strukturave të tyre, të marrin përgjegjësi dhe të promovojnë kandidatë e zyrtarë të pastër në fushata elektorale dhe në qeverisjen e vendit. Sistemi i meritës dhe promovimit duhet mbështetur nga një database të qëndrueshme shtetërore të burimeve njerëzore të bazuar tek integriteti, aftësia dhe kualifikimi”, vlerëson Instituti.
Sa i takon bilancit, në total, sipas Institutit të Studimeve Politike deri më tani janë 555 persona të zgjedhur apo emëruar që janë dorëhequr, ose shkarkuar pasi ishin subjekt i këtij ligji, ndërkohë që një sërë hetimesh për deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë të Këshillave bashkiake dhe zyrtarë të tjerë të lartë vazhdojnë.
ISP thotë se në pesë vite 9 deputetë dhe 3 kryetarë bashkish dhanë dorëheqjen, ose humbën mandatet e tyre nga dekriminalizimi, 183 persona të tjerë anëtarë të këshillave bashkiakë po ashtu, 195 persona janë dorëhequr, ose larguar nga postet me emërim në administratën publike dhe 165 të tjerë janë dorëhequr, ose larguar nga institucionet qendrore dhe vendore.
Në këtë video tregohet momenti kur një infermiere britanike rikthehet në shtëpi pas më shumë se dy muajsh për t’u takuar me dy vajzat e saj.
Infermierja Suzie Vaughan, 43 vjeç, kaloi 9 javë pa u takuar me fëmijët e saj Hettie dhe Bella, 7 dhe 9 vjeç për shkak të angazhimit në vijën e parë në luftën kundër koronavirusit dhe frikë se mund t’u transmetonte njërzve të saj të dashur infeksionin.
“Në majën e Bylisit, në Shqipëri, mes mbetjeve arkeologjike të qytetit grek homonim”. Ky ishte mbishkrimi me anë të të cilit publicisti dhe kritiku italian i artit, Vittorio Sgarbi shoqëronte një foto në rrjetet sociale.
Postimi, në pamje të parë të krijon përshtypjen se tregon faktin historik të ndikimit të fortë të kulturës dhe stilit grek të ndërtimit të qyteteve në antikitet në këtë zonë të Ilirisë dhe referimi i Sgarbit mund të interpretohet në këtë mënyrë.
“Ju sqaroj se përkufizimi “grek” që i dha Sgarbi Bylisit është interpretativ në kuptimin e stilit. Grekë quhen edhe qytetet antike të Siçilisë, apo Italisë së Jugut, pavarësisht se qenë troje ilirësh. Grekë janë quajtur 18 qytete që themeloi Aleksandri me emrine tij, pavarësisht se ai vetë ishte maqedon, sikurse ka qytete romake nëpër Europës. Nuk është gabim! Sgarbit nuk ja ndjen për nacionalizmat e sotme ballkanike dhe po t’ia ndjente ai e ka zgjedhur me kohë anën tonë. Mandej, ju merreni kot me përkufizimin e një qyteti të vdekur, kur greku sot po ju ha hapësirat e gjalla, prej detit dhe tokës”, shkruan studiuesi Astrit Cani.
Por, arkeologu Neritan Ceka, që një pjesë të mirë të viteve të jetës i ka kaluar pikërisht në zbulimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit zbulon mes fjalëve të Sgarbit lapsusin e tij.
“Nuk e marr dot me mend përse Sgarbi e cilëson Bylisin si “citta omonima”, pra “qytet me të njejtin emër”. Me cilin qytet? I gjori Sgarbi, në shoqërinë e gjizëngrënësve dhe rakipirësve, mund të ketë mësuar së emri i qytetit fqinj të Ballshit vjen pikërisht nga emri Byllis. Por nuk besoj t’i kenë thënë se në dokumentet mesjetare Byllis/Ballsh përkthehet në greqisht si Kefalenia, ndërsa në ato sllave si Glavinica, që do të thotë “kokë”, “ballë”, pra kryevend. Sigurisht ishte një fjalë që vinte nga ilirishtja dhe jo nga greqishtja”, shkruan ai.
Kjo ka mjaftuar që një emër jo pak i njohur në Shqipëri të përfundojë në faqet e para të mediave dhe ndaj llogarive të tij në rrjetet sociale, ku është tepër aktiv, të vërshojnë një lum kritikash nga qytetarët shqiptarë. Sgarbi është njohur me këto kritika dhe ka reaguar përmes një postimi të dytë, ku thotë se nuk ka bërë asnjë lapsus dhe i referohet enciklopedisë italiane “Treçani”.
“Gazetari shqiptar që ngriti një polemikë të panevojshme është thjesht një injorant i mjerë. Kur unë thashë qytet antik grek iu referova civilizimit, arkitekturës dhe jo territorit. Çfarë doni që më çani kokën! Turp për ty që nuk di se Iliria u pushtua nga grekët. Pra vajza ime duhet të më tregojë nëse një vend është grek apo ilir? Është grek, i dashur gazetar injorant”, thotë ai në videon e dytë.
Pas këtij postimi të dytë të italianit në debatin e nisur është përfshirë edhe studiuesi Auron Tare.
“Jam i sigurtë që postimi i parë i Sgarbit ka qenë një lapsus, por këmbëngulja e tij për lapsusin e mëparshëm nuk ka më sens”, shkruan Tare, duke rishpërndarë videon e hedhur nga kritiku italian.
Megjithatë, si Neritan Ceka, ashtu edhe Auron Tare shfajësojnë studiuesin italian dhe gishtin e fajit e drejtojnë nga institucionet dhe Ministria e Kulturës.
“Do t’i rekomandoja Sgarbit të shikojë me vëmendje se kush e ka rrethuar gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe sa të ndryshëm janë ata nga shqiptarët që ka njohur dhe njeh çdo ditë në Itali. Më të pakulturuarit e tyre, që drejtojnë sot kulturën shqiptare janë neofuturistët tanë, që në emër të së resë shkatërrojnë të vjetrën, teatrin kombëtar, banesat e Toptanasve në Tiranë, kishat me afreske të Myzeqesë, Beratit, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës, Korçës e Pogradecit. Janë vëllezërit e vonuar të futuristëve italianë të periudhës së fashizmit, që propozonin të lyhej me gëlqere Kapela Sistina”, shkruan arkeologu.
Ndërsa, Auron Tare imagjinon me doza të forta ironie një bashkëbisedim të titulluar “Fragment nga dy ekspertë të Ministrisë së Kulturës" që shoqëruan Vittorio Sgarbin në Parkun Arkeologjik të Bylisit.
“Po çfarë?
Romake!
Pse romake?
Po çfarë?
Bizantine!
Bizantine?
Po ca o bizantine?!
Nuk e di po varja, e kam nigju kur e thonë në televizion.
Jo me jo më mirë romake, ja gjeta edhe i mbishkrimi romak.
Ça thua? Ka mbishkrim romak?
Po ore ja ku është tek hyrja e Portës së Bylisit. E pashë se kalova andej se nuk kishte banjo gjëkundi këtu.
Dreqin! Si s’e dinim. S’na tha asnjoni, edhe Klosi që e ka shtëpinë këtu afër nuk e ditka që paska mbishkrime romake. Ta kishte pa Zgarbi të paktën nuk do bëhej gjithë kjo gjullurdi.
Po pra edhe ky ku dreqin erdhi këtu pa le po e boni me zë. Në Butrint të paktën ishte me muzikë, nuk e kuptoi njeri ça tha.
Varja! Hajde dëgjoi këta që nuk marrin vesh nga këto punë”, shkruan Tare.
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
Partia Demokratike e konsideron të prishur marrëveshjen e 5 qershorit, pas qëndrimit të fundit të Edi Ramës për të hapur listat, e ndaluar koalicionet parazgjedhore.
“Me aktin e sotëm, Edi Rama ka hedhur në erë marrëveshjen e 5 qershorit…”, tha Rama.
Ai i kërkoi Ramës të reflektojë, ndërsa nuk dha përgjigje (edhe pse u pyet disa herë) se cili do të jetë hapi konkret i PD-së nëse Rama kalon paketën e dytë për zgjedhjet, kësaj here me opozitën parlamentare.
Basha nënvizoi disa herë gjatë konferencës se diskutimi dhe problemi nuk është për listat e hapura, por për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Basha për herë të parë foli edhe për një ofertë politike nga njerëzit e Edi Ramës ndaj tij pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare
“Pazar kërkoi, por pazar nuk mori e nuk do të marrë…”, tha ai. Por cila ishte oferta?
“Për një muaj e gjysmë Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij, pothuajse çdo ditë me të njëjtin mesazh, ti kryeministër unë president vetëm të heqim koalicionet. Ramës nuk i bëhet vonë për njerëzit. Për këtë besoj nuk ka nevojë të zgjatem sepse është në fund në ikje dhe bëmat e gjëmat e tij i njeh çdo kush. Rama merakoset vetëm për pushtetin e tij.
Ky ka qenë mesazhi i tij, heqim koalicionet dhe ti kryeministër e unë president. Kështu e sheh Rama politikën si një pazar i ndyrë, si një lojë me porta të vogla për të vjedhur dhe zhvatur shqiptarët siç ka bërë në këto shtatë vite e gjysmë. Kryeministri në ikje nuk e prek dot Kushtetutën me 122 deputetë, nga të cilët gjysma nuk përfaqëson askënd përveç se paratë e Taulant Ballës dhe favoret me të cilat janë blerë dhe shitur. Çdo hap në këtë drejtim është fund i marrëveshjes së 5 qershorit ”, tha Basha.
Me lëvizjen e fundit të Ramës, Basha tha se ranë dorezat, por edhe maskat.
“Ranë dorezat sepse shqiptarët e kanë të qartë se Edi Rama ka vetëm një frikë dhe tmerr- koalicionin opozitar dhe zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë. Ndërsa maskat ranë, sepse, deri tani, kishte vënë alibi për këtë kërkesë, një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë parti të opozitësh, njerëz që në në këtë sallë u blenë si gjë e gjallë me para të thata në dorë, me leje ndërtimi me premtime për tu nxjerrë njerëz nga burgu dhe lloj-lloj dallavaresh të tjera. Janë mall i blerë nga Edi Rama, ose siç i quajnë deputete të kafes së parlamentit, ballaopozita, në tërësinë e saj, se ka edhe përjashtime, u përdor si mish për top dhe doli kundër interesave elementare që mund të ketë një individ, një I pavauir, një parti e vogël. Ishin ata që propozuan heqjen e koalicioneve, kur, në fakt janë ata më të interesuarit për koalicionet. Propozuan rritjen e pragut, kur dihet se pragu sa më i ulët favorizon partitë e vogla…”, tha ai.
Basha nënvizoi se nuk ka kuptim që për Kodin Zgjedhor duhet konsensus me opozitën, ndërsa për Kushtetutën nuk duhet.
Gjashtë bova të reja (shenja dalluese në liqen), 3 prej të cilave me sinjal ndriçues për natën janë vendosur në vijën kufitare me Malin e Zi në liqenin e Shkodrës.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha sot se “bovat u vendosën nga helikopterët e Forcës Ajrore në mirëkuptim të plotë me palën malazeze”.
Peshkatarët shqiptarë dhe malazezë, por edhe policitë kufitare të të dy vendeve do ta kenë më të lehtë të orientohen dhe të dallojnë vijën kufitare gjatë lundrimit në liqenin e Shkodrës
Shqipëria feston për të dytin vit me radhë në kushte aspak të zakonta Ditën e Flamurit. Nëse një vit më parë, vendi ishte në zi kombëtare pas tërmetit të 26 nëntorit që la pas 51 të vdekur dhe mbi 900 të tjerë të plagosur, këtë vit është pandemia e Covid.
Ceremonitë e bujshme zyrtare dhe festimet mungojnë për shkak të masave të vendosura kundër përhapjes së koronavirusit, mes të cilave edhe ajo e ndalimit të grumbullimit të më shumë se 10 personave, si në ambientet të mbyllura, ashtu edhe në ambientet e hapura.
Për këtë arsye, mesazhi i përçuar nga ministrja e Shëndetësisë ishte kujdesi dhe respektimi i masave parandaluese anti-Covid.
“Patriot është ai që qëndron në shtëpi dhe mbron familjen nga infektimi”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Lulzim Basha është i bindur se opozita do ta përmbysë rezultatin, thotë se deri më tani janë hapur kutitë në zonat bastion të Partisë Socialiste dhe akuzon PS se po bllokon procesin e numërimit në bastionet e Partisë Demokratike.
“Derisa janë ndëshkuar në ato që i konsideronin si bastione, ne presim që fitorja e Aleancës për Ndryshim të konfirmohet në të gjithë vendit. U bëj thirrje t’i lënë lojërat, të vazhdohet numërimi, sepse vullneti i popullit është në ato kuti. Numërimi do të bëhet në mënyrë strikte. Unë jam i bindur se në fund të këtij numërimi fitorja do të jetë e prekshme”, tha Basha.
30 persona janë paraqitur për mjekim në Spitalin e Traumës si pasojë e dhunës së shpërthyer mbrëmjen e së martës në rrugët e Tiranës.
20 prej të lënduarve janë efektivë të Policisë së Shtetit, që u përballën me tifozeritë e Romës dhe të Fejnordit, ndërsa 10 të tjerë janë tifozë të të dyja skuadrave.
Policia njoftoi se ka shoqëruar në komisariate 60 tifozë, 48 italianë dhe 12 holandezë, si dhe ka dëbuar me një traget në drejtim të Italisë 70 tifozë të tjerë të Romës.
Shërbimet e Policisë kanë tentuar t'i ndalojnë në rrugën "Mustafa Matohiti", ku tifozët e skuadrës Fejnord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.
Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.
Tjetër përplasje u raportua vonë afër pranë vendit të njohur si Pallati me Shigjeta.
Më herët, një shtetas shqiptar u rrah brutalisht nga tifozët e Fejnordit pas një incidenti në një kafe në zonën e “9 katësheve”
Në Pallatin e Brigadave u zhvillua mbrëmjen e së premtes Festa e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ajo që ra në sy ishte ngjitja në skenë në krah të Ambasadores Yuri Kim e Presidentit Ilir Meta dhe mungesa e Edi Ramës.
Ceremonia tradicionale festive organizohet nga Ambasadat e SHBA në mbarë botën para 4 korrikut, kur është dita e shpalljes së Pavarësisë së SHBA.
Në festën e organizuar në Tiranë merrnin pjesë një numër i madh personash nga politika, biznesi, media dhe institucionet e drejtësisë.
Nga politika merrte pjesë edhe Presidenti në largim, Ilir Meta dhe Presidenti i zgjedhur Bajram Bega. E pranishme ishte gjitthashtu edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe ministra të kabinetit qeveritar, si ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.
I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, por në këtë festë mungonte Edi Rama.
Nga opozita merrte pjesë Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi, si dhe deputetët që duket se janë larguar nga qëndrimi i Bashës e afruar me Berishën si Grida Duma e Ervin Salianji. Nga Rithemelimi merrte pjesë deputeti Tritan Shehu. Enkelejd Alibeaj ishte gjithashtu në festë ku u pa vazhdimisht në shoqërinë e zyrtarëve të Ambasadës së ShBA.
Veç kësaj, ajo që ra më shumë në sy në festën e organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë ishte prania e Metës, madje ky i fundi u ngjit në foltore me ftesën e Ambasadores Yuri Kim.
"Dhe tani, zoti President dhe të ftuar, ju lutem bashkohuni me mua për të ngritur një gotë për ditëlindjen e 246-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për 100 vjet miqësi jetëgjatë amerikano-shqiptare dhe – më e rëndësishmja – për të ardhmen! Gëzuar! Edhe një qind!", tha Ambasadorja në fund të fjalës së vet.
Meta mbajti edhe një fjalim për të pranishmit në këtë ceremoni.
“Ne jemi edhe më të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike që ka forcimi i marrëdhënieve mes dy popujve tanë, veccanërisht sot kur Europa dhe bota janë tronditur thellë nga agresioni rus ndaj Ukrainës”, tha Meta ndër të tjera në fjalën e mbajtur.
Meta dhe Ambasada e SHBA në Tiranë nën drejtimin e Yuri Kim kanë pasur një marrëdhënie të trazuar, ku në qendër të përplasjeve kanë qenë çështje që lidhen me reformën në drejtësi, siç ishte përplasja për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, apo edhe ajo me ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani.
Dvorani u padit nga Meta për shpërdorim detyre dhe si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndërkohë që Departamenti i Shtetit të SHBA i dha medaljen e “Kampionit të Luftës Antikorrupsion”.
Për këto arsye, ndoshta kjo dalje e Metës në skenë më shumë se Edi Ramën do të shqetësojë Sali Berishën, që sërish me ndoshta mund të ketë përgatitur opozitarizmin me Metën pas 24 korrikut, kur Presidentit i mbyllet mandati pesëvjeçar.
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës në Bulqizë, ku për pasojë një person ka ndërruar jetë.
Dy automjete janë përplasur dhe për pasojë ka humbur jetën një 25-vjeçar, i identifikuar si Esmerald Nika. Aksidenti ka ndodhur në rrugën që lidh qytetin e ri me qytetin e vjetër.