Dekriminalizimi largoi mbi 500 zyrtarë në 5 vjet

20 Shikime· 06/03/20
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Gjatë 5 viteve të funksionimit të tij bilanci statistikor i ligjit të dekriminalizimit është pozitiv. Instituti i Studimeve Politike thotë se kurba e përfshirjes në vendimmarrje të individëve me të shkuar kriminale është në rënie, por megjithatë sistemi i parandalimit mbetet ende i brishtë.

Megjithatë, standardi “për politikë dhe zyrtarë të pastër”, sipas ISP mbetet ende një sfidë për demokracinë funksionale, shtetin e së drejtës, përfaqësimin cilësor në vendimmarrje dhe mirëqeverisjen e vendit. Për këtë arsye theksi vendoset tek roli i partive politike.

“Ato mund e duhet të aplikojnë standarde etike dhe integriteti brenda vetë strukturave të tyre, të marrin përgjegjësi dhe të promovojnë kandidatë e zyrtarë të pastër në fushata elektorale dhe në qeverisjen e vendit. Sistemi i meritës dhe promovimit duhet mbështetur nga një database të qëndrueshme shtetërore të burimeve njerëzore të bazuar tek integriteti, aftësia dhe kualifikimi”, vlerëson Instituti.

Sa i takon bilancit, në total, sipas Institutit të Studimeve Politike deri më tani janë 555 persona të zgjedhur apo emëruar që janë dorëhequr, ose shkarkuar pasi ishin subjekt i këtij ligji, ndërkohë që një sërë hetimesh për deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë të Këshillave bashkiake dhe zyrtarë të tjerë të lartë vazhdojnë.

ISP thotë se në pesë vite 9 deputetë dhe 3 kryetarë bashkish dhanë dorëheqjen, ose humbën mandatet e tyre nga dekriminalizimi, 183 persona të tjerë anëtarë të këshillave bashkiakë po ashtu, 195 persona janë dorëhequr, ose larguar nga postet me emërim në administratën publike dhe 165 të tjerë janë dorëhequr, ose larguar nga institucionet qendrore dhe vendore.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By