Videot kryesore
Lulzim Basha zhvendosi turin e takimeve me qytetarët dhe bizneset jashtë Tiranës. Kreu i Partisë Demokratike u ndal në qytetin e Durrësit, nga ku bëri një panoramë edhe më të zymtë të gjendjes ekonomike dhe sociale në të cilën ndodhet vendi.
Basha thotë se dhjetëra tregtarë që takoi i treguan për rënien drastike të konsumit dhe për mosmarrjen e asnjë qindarke ndihmë nga shteti, duke faktuar, sipas tij, se dështimet e Edi Ramës po u kushtojnë shumë shtrenjtë qytetarëve, që po varfërohen edhe më shumë.
Opozita thotë se veç kësaj, bizneset po përballen edhe me faturime të rritura të energjisë elektrike dhe të ujit. Sipas Bashës, pronarët e bizneseve të vogla e përkufizojnë si vjedhje vendimin e Qeverisë për faturat aforfe të dritave dhe të ujit.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, Basha është takuar edhe me pronarë hotelesh dhe agjencish turistikë, disa prej të cilëve të njohur si mbështetës të Partisë Socialiste.
“Disa prej tyre, të njohur në Durrës si mbështetës të PS, shprehën zhgënjimin për braktisjen e plotë nga qeveria për sektorin e turizmit. Kërkesa e tyre për anulimin e taksave lokale deri në mars 2021 është mbështetur nga Kryetari Basha. Të gjithë ishin të një mendimi se qeveria duhet të ndihmonte bizneset që të mbante hapur vendet e punës dhe jo të bënte amnisti fiskale për paratë e pista te krimit dhe të klienteles së saj”, thuhet në njoftimin e PD.
“Fletë-rrufe, paçavure dhe brutalitet ndërkombëtar fyes, ndaj të cilit shqiptarët duhet të bashkohen dhe ta kundërshtojnë ndërkombëtarisht”. Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë që përcolli Edi Rama nga konferenca e shtypit në Prishtinë në përfundim të vizitës dyditore.
Kreu i Qeverisë së Shqipërisë foli për rreth 1 orë e 40 minuta. Në krye të fjalës tha se vizita nuk synonte që të bashkonte klasën politike të Prishtinës, por për të përcjellë mesazhin se nuk bëhet fjalë për një akuzë ndaj dy personave.
“Kush mendon se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personave, apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për çkapjen e shtetit, është ose naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi. Nuk ka mundësi tjetër”, tha Rama.
Kryeministri foli për një moment kritik në të cilin ndodhen sot shqiptarët, veçanërisht ata në Kosovë, që mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën. Ai tha se qytetarët duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për shumë më shumë se një akt-akuzë ndaj dy individëve.
“Nëse në këtë moment nuk ndajmë qartë drejtësinë me padrejtësinë....Qëndrimi im lidhet me padrejtësinë. Për mua ajo komunikatë që lajmëroi botën mbarë se pritet të vijë një akt-akuzë që nuk është formalizuar nga gjykata, përbën jo vetëm një shkelje flagrante të çdo praktike të mirë të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe një akt brutal ndaj vetë Kosovës. Sot duhet pak vetëpërmbajtje dhe duhet fokus se ajo fletë-rrufe ka goditur shumë më larg dhe shumë më thellë sesa në ballin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Këtu bëhet fjalë për drejtimin e lartë politik të UÇK-së dhe përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në, si të ishte një ushtri e rregullt agresorësh që vinin nga Beogradi”, u shpreh ai.
Rama thotë se ky akt i ndërkombëtarëve nuk duhet nënvlerësuar, edhe për faktin se sipas tij, aleatët që urdhëruan bombardimin e Serbisë gjatë luftës kanë dalë në pension dhe “ndërkombëtarët” e rinj nuk janë familjarë si me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet... Nuk e dinë të gjithë se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë. Ka më pak se 10 vendime nga Haga për Serbinë për deportim të 1 milion njerëzve me dhunë, pa llogaritur 20 mijë raste përdhunimesh dhe pastaj edhe të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit dhe sa janë personat e proceduar në të gjitha këto shkallë gjyqesh për UÇK-në. Si ndërtohet ky raport?! Sa janë në Serbi ata që janë gjykuar për krime lufte?! Ka një disproporcion kolosal. Pastaj edhe nivelet e goditjes, ku në Kosovë goditen presidentë e kryeministra”, u shpreh ai.
Padrejtësinë ndërkombëtare ndaj Kosovës Rama e ilustroi edhe përmes procesit të liberalizimit të vizave.
“Për liberalizimin e vizave thanë që duhen plotësuar kushtet. U plotësuan kushtet dhe edhe vetë e pranuan, por më thanë që më parë duhej bërë demarkacioni me Malin e Zi. Se ç’lidhje kishte demarkacioni me liberalizimin e vizave?! Unë nuk di që në atë pjesë të kufirit të Kosovës kishte ndonjë shteg që të çonte në Paris. Pra, ishte një vendim krejtësisht politik. Megjithatë, u zgjidh edhe demarkacioni, por sërish vizat nuk u liberalizuan”, deklaroi Rama.
Për Ramën nuk ka asnjë mëdyshje që Kosova nuk duhet të vetëizolohet dhe dialogun me Serbinë duhet ta vazhdojë me ndërmjetësimin e SHBA, edhe nëse Uashingtoni do ta mbështesë akt-akuzën e ngritur ndaj Hashim Thaçit.
Një panoramë të qëndrimit të Uashingtonit e bëri ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, i sapokthyer nga një vizitë atje ku u takua me të dërguarin e posaçëm të Trump, Richard Grenell dhe zyrtarët e tjerë të lartë të DASH, si Palmer e Reeker.
“Vizita ka qenë e planifikuar më herët dhe nuk lidhej drejtpërdrejtë me Kosovën. Por ju siguroj tre gjera nga bisedat e mia atje, së pari që nuk ka marrëveshje sekrete. Së dyti nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe mend në kokë nuk beson që Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës bën plane për ndarjen e Kosovës. E treta nuk ka nxitim në rastin e Kosovës, për çdo interes elektoral në SHBA. Këto janë qëndrimet që edhe vetë Grenell i ka komunikuar në vazhdimësi. Të tjerat prirje për të shkaktuar keqkuptime të brendshme”, sqaroi Cakaj.
Nga ana tjetër, Rama hoqi të gjitha mëdyshjet edhe nëse ishte tërhequr nga nisma e përbashkët me Aleksandër Vuçiç për shengenin ballkanik, që e mbron si një zhvillim strategjik për shqiptarët. Ai hodhi poshtë si konspirative dhe të pabazuara zërat kundër kësaj nisme, sipas të cilëve nga kjo përfiton vetëm Serbia.
Rama tha se në agjendë kishte planifikuar edhe një takim me Ramush Haradinajn, por ky i fundit e kishte refuzuar për shkak të procesit gjyqësor ku është i paditur për shpifje. Megjithatë, Kryeministri njoftoi se tërheqjen nga kjo padi.
“Unë kam 22 padi për shpifje dhe kjo që kam bërë këtu për Ramushin ka bërë më shumë zhurmë, por janë 22 të tilla me figura politike kryesisht që i kam në proces. Nuk janë bërë publike dhe nuk i kam bërë për t’i bërë publike. Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve, për të shkuar ta vizituar në seli, apo shtëpinë e tij dhe si paditës që shkon tek i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër doja të diskutoja edhe me të për këtë çështje që është shumë më e madhe se Haradinaj, Hashimi dhe Kadriu, sepse ndikimet mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen. E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime do të bëj një konferenc ku do të tërheq padinë, jo se ajo është e vogël për mua, por është shumë më e madhe ajo që sot është më e madhe nga të gjithë. Padia do të tërhiqet edhe zyrtarisht”, u shpreh Rama.
Ministria e Arsimit nuk ka një strategji konkrete në lidhje me vitin e ri shkollor, nëse do të zhvillohet nëpër banka, apo do të jetë në distancë. Përmes një video-mesazhi, ministrja Besa Shahini tha se institucioni që ajo drejton është i përgatitur për çdo skenar, por se vendimi final i takon Komitetit të Ekspertëve.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini, nëpërmjet një video-mesazhi është shprehur mbi çështjen e fillimit të ri shkollor duke nënvizuar se vendimi mbi skenarin e tij do të merret nga Task-Forca për Koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë:
“Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, deklaroi Shahini.
Ministrja tha se po mbikëqyren me kujdes përvojat nga vendet e tjera.
“Gjermania, tashmë i ka hapur shkollat, por ka qenë e detyruar t’i mbyllë disa për shkak të shpërndarjes së virusit. Turqia ka vendosur të mos i hapë shkollat, por të punojë vetëm në kushte shtëpie fillimisht. Ndërsa Shqipëria do ta marrë këtë vendim kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor”, cilëson ajo.
Në fund të mesazhit të saj, Shahini thotë se MASR do të vendosë për strategjinë që do të ndjekë në momentin e parë që do të marrë orientimin nga task-forca e ngritur për koronavirusin.
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria ka dashur të çojë në Gjykatën e Hagës çështjen e detit me Greqinë që gjatë bisedimeve me Qeverinë “Tsipras”, por se ka qenë Athina në atë kohë kundër kësaj ideje.
“Më në fund, pala greke ra dakord me ne, se me qeverinë e mëparshme nuk kishim rënë dakord, në duart e një gjykatë që i ka të gjitha ekspertizën që të japë drejtësi të drejtë për këtë problem”, deklaroi Kryeministri këtë të martë gjatë një konference për shtyp.
Rama e cilëson një zgjedhje ideale adresimin e kësaj përplasjeje në një gjykatë ndërkombëtare dhe premton se Shqipëria do të përgatitet siç e kërkon procedura për të marrë një marrëveshje të drejtë.
“Një zgjidhje ideale, që në bazë të protokolleve dhe do të përgatitemi sic e kërkon procedura për të arritur në një zgjidhje të drejtë”, u shpreh ai.
Rama hodhi poshtë pretendimet se për Shqipërinë kjo çështje nuk ekziston dhe se është sponsorizuar dhe hapur nga Greqia.
"Çështjen e detit e ka hapur Shqipëria dhe jo Greqia, për këtë të fundit ka qenë e mbyllur për marrëveshjen e bërë me Saliun, Lulin dhe Ilir Metën, nuk ka pasur asnjë pretendim më shumë sesa aq sa mori nga ajo marrëveshje. Atë e hapa unë me PS kur ishim në opozitë dhe aleatë, në Gjykatën kushtetuese ka shkuar PS, 9-0 Gjykata e rrëzoi me kërkesë si paditës të PS dhe çështja është rihapur falë këmbënguljes, durimit dhe vullnetit tonë në komunikimin me palën tjetër”, u shpreh ai.
Kryeministri ndan bindjen se sot Greqia ka vullnetin më të mirë për të gjetur një zgjidhje.
Këtë të shtunë ka nisur procesi i vaksinimit të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës.
Qëndrat e vaksinimit janë hapur në Tiranë dhe rrethe. Në kryeqytet, efektivët e policisë po vaksinohen në stadiumin “Air Albania”.
Në ceremoninë e nisjes së këtij procesi mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Në total janë 11,800 punonjës së Policisë së Shtetit dhe 1300 të Gardës së Republikës që do të vaksinohen.
Lapsusi i Ministres së Bujqësisë ishte titull në çdo portal. Por fjalia e saj "është e rendë të thuash se rritja e çmimeve nuk ka ardhur nga lufta" vlen të diskutohet me shumë se lapsusi njerëzor".
E them këtë se ministrja e Bujqësisë është ndër të paktat ekonomiste me përvojë që ka kabineti qeveritar.
Të bindësh veten edhe pastaj publikun "që rritja e çmimeve ka ardhur vetëm nga lufta" nuk i shkon arsyetimit të një ekonomisti mediokër jo më një ministri.
Besoj ministrja e di që Inflacioni është si temperatura e trupit - nuk është një shkak, por një simptomë e problemeve të mundshme themelore.
Pra, për ta trajtuar siç duhet atë, së pari duhet bërë një vlerësim i saktë klinik i arsyeve që e kanë shkaktuar këtë situatë.
Shenjat e para të inflacionit kanë filluar në mars të vitit 2021 dhe që prej tetorit 2021, ka nisur diskutimi nëse inflacioni ishte tranzitor apo do të qëndronte gjatë.
Mjaftuan vetëm 2 muaj dhe në dhjetor të vitit 2021 optimizmi ra. Bankat qendrore duke përfshirë edhe Bankën Qendrore Shqiptare, e hoqën nga narrativat e tyre fjalën tranzitor edhe pranuan që inflacioni do të qëndronte me ne deri në 2023.
Thënë këtë që pas rihapjes së ekonomive pas bllokimeve të COVID, inflacioni filloi të bëhej një problem.
Pyetja që duhet të shqetësonte çdo ekonomist politik-bërës që prej mesit të 2021 ( përfshirë këtu edhe Ministren e Bujqësisë) ishte përcaktimi i arsyes së rritjes së inflacionit. A u rrit ai si rezultat i stimulit të tepërt monetar, apo ishte ringjallja e kërkesës globale e cila tejkaloi aftësinë e furnitorëve për të përballuar kërkesën (e ashtuquajtura "çarje apo pengese" e zinxhirit të furnizimit), e cila u kombinua edhe me rritjen e mprehtë të çmimeve të energjisë?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve përcaktojnë edhe mjetet me të cilat përballohet situata.
Fjalia e parë e ministres me shqetësoi pikërisht sepse tregonte mungesën e kësaj analize. Tregoi mohimin e shkaqeve të inflacionit, edhe si rrjedhim pamundësi për ta kontrolluar.
Ndërkohë që Ministrja deklaronte që çmimet janë rritur për shkak të luftës, duke e konsideruar të rëndë çdo pohim tjetër, Banka e Shqipërisë rriti normat e interesit.
Shkaku inflacionit i përshkruar nga ministrja, nuk "mjekohet" me rritjen e normave të interesit.
Kjo mospërputhje shkaqesh me mjetet e përdorura do të ndikojë tek fermerët, të cilët jo vetëm janë në kushtet e shtrenjtimit apo edhe mungesës së lëndës së parë, por tani e tutje do të përballen edhe me rritjen e kostos së borxhit. Ndihma shtesë nga shteti është 500 milion lek.
Ndërsa u gajasëm me lapsusin e saj, nga sot kemi një kosto me shumë për fermerët.
Gjashtë bova të reja (shenja dalluese në liqen), 3 prej të cilave me sinjal ndriçues për natën janë vendosur në vijën kufitare me Malin e Zi në liqenin e Shkodrës.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha sot se “bovat u vendosën nga helikopterët e Forcës Ajrore në mirëkuptim të plotë me palën malazeze”.
Peshkatarët shqiptarë dhe malazezë, por edhe policitë kufitare të të dy vendeve do ta kenë më të lehtë të orientohen dhe të dallojnë vijën kufitare gjatë lundrimit në liqenin e Shkodrës