Rama: Tsipras nuk e donte Hagën për çështjen e detit
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria ka dashur të çojë në Gjykatën e Hagës çështjen e detit me Greqinë që gjatë bisedimeve me Qeverinë “Tsipras”, por se ka qenë Athina në atë kohë kundër kësaj ideje.
“Më në fund, pala greke ra dakord me ne, se me qeverinë e mëparshme nuk kishim rënë dakord, në duart e një gjykatë që i ka të gjitha ekspertizën që të japë drejtësi të drejtë për këtë problem”, deklaroi Kryeministri këtë të martë gjatë një konference për shtyp.
Rama e cilëson një zgjedhje ideale adresimin e kësaj përplasjeje në një gjykatë ndërkombëtare dhe premton se Shqipëria do të përgatitet siç e kërkon procedura për të marrë një marrëveshje të drejtë.
“Një zgjidhje ideale, që në bazë të protokolleve dhe do të përgatitemi sic e kërkon procedura për të arritur në një zgjidhje të drejtë”, u shpreh ai.
Rama hodhi poshtë pretendimet se për Shqipërinë kjo çështje nuk ekziston dhe se është sponsorizuar dhe hapur nga Greqia.
"Çështjen e detit e ka hapur Shqipëria dhe jo Greqia, për këtë të fundit ka qenë e mbyllur për marrëveshjen e bërë me Saliun, Lulin dhe Ilir Metën, nuk ka pasur asnjë pretendim më shumë sesa aq sa mori nga ajo marrëveshje. Atë e hapa unë me PS kur ishim në opozitë dhe aleatë, në Gjykatën kushtetuese ka shkuar PS, 9-0 Gjykata e rrëzoi me kërkesë si paditës të PS dhe çështja është rihapur falë këmbënguljes, durimit dhe vullnetit tonë në komunikimin me palën tjetër”, u shpreh ai.
Kryeministri ndan bindjen se sot Greqia ka vullnetin më të mirë për të gjetur një zgjidhje.