Videot kryesore
Ekipi kombëtar ka vizituar ditën e sotme Shtëpinë e Foshnjes në Durrës. Trajneri Reja, së bashku me ndihmësit Bulku, Salihi, Porrini, dhe lojtarët Berisha, Mavraj, Hysaj, Lenjani, Cikalleshi dhe Roshi shpërndanë dhurata për të gjithë fëmijët. Me kontributet e të gjithë lojtarëve ishin blerë disa pajisje elektroshtëpiake që ndihmojnë sadopak në përmirësimin e kushteve për fëmijët e kësaj shtëpie.
Duke filluar nga dita e nesërme do të hyjnë në fuqi ndryshimet në rregullat e karantinimit për personat që riatdhesohen. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku sqaroi se çfarë përmbajnë ato.
Ndryshimi thelbësor është ndarja e personave që duhet të vetëkarantinohen në dy grupe. Ata që mbërrijnë nga zona me infeksion të lartë Covid-19 do të duhet të vetëkarantinohen në shtëpi. Kjo zgjidhje është menduar si një rrugë që shmang rrezikshmërinë që në rastet kur njëri nga të infektuarit të infektojë një rreth më të gjerë personash në hotel.
"Të gjithë shqiptarë duhet të aksesojnë faqen Air Albania për të kryer rezervimin e biletës, duhet të deklaroni adresën e banimit. Ata që jetojnë në zonët e gjelbra duhet të vetëkarantinohen në hotel, në zonat e kuqe në shtëpi të monitoruara nga policia. Nuk është më i nevojshme prentotimi i hotelit. Gjatë udhëtimit tuaj në bordin e Air Albania, do të keni një formular të deklarimit ku do shkruan edhe një herë adresën e banesës, ky formular ju ngarkon me përgjegjësi ligjore nëse rast se gënjeni do ketë penalizmi”, deklaroi Balluku.
Grupi i dytë, pra personat që mbërrijnë nga vende me rrezikshmëri dhe përhapje të ulët të virusit do të vetëkarantinohen nëpër hotele, ku Balluku tha se 2 të tretën e shpenzimeve do t’i mbulojë shtetit.
Udhëtarët e riatdhesuar do ndahen në dy grupe, në zonat e gjelbra do dërgohen me autobus në hotel. Do të duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet ushqimore, 7 euro ndërsa 14 euro nga shteti. Banorët e zonat e kuqe do vetëkarantinohen në shtëpi, së bashku me familjet. Nëse nga këta të fundit duan të karantinohen në hotel, ta deklarojnë në avion", u shpreh ajo.
Partia Demokratike do të mbështesë protestën e orës 16:30 të thirrur nga ana e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Lulzim Basha deklaroi në fund të mbledhjes së Kryesisë së partisë dhe të ish-grupit parlamentar demokrat se nuk bëhet fjalë për një protestë thjesht kundër shembjes së teatrit.
“Jo thjesht dhe vetëm në mbrojtje të teatrit, kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, kundër tiranisë, kundër shkeljes flagrante të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, kundër mjerimit ekonomik që janë veprat e keqbërësit dhe të keqes më të madhe të vendit që është Edi Rama. Ndaj në mbledhjen e sotme janë marrë të gjitha masat dhe për t’i bërë thirrje çdo qytetari që të angazhohet nesër në 16:30 në protestë që ka për detyrë dhe synim një vlerë shumë më të madhe që është rikthimi tek vlerat e demokracisë të shtetit të së drejtës, të garancive për jetën e qytetarëve. të gjitha këto janë të mundura duke nisur nga kthimi i demokracisë dhe sigurimit të të drejtave themelore të çdo njeriu”, deklaroi Basha.
Kreu i PD ritheksoi premtimin e opozitës, që nesër në pushtet të rindërtojë godinën e Teatrit Kombëtar siç ishte.
“Jo thjesht restaurim, por rindërtim i plotë i Teatrit Kombëtar, siç ishte me parametrat e konceptuar në kuadër të historisë dhe trashëgimisë kulturore të Tiranës. Ky është një zotim që unë personalisht dhe koalicioni opozitar nesër në qeverisje do ta bëjë realitet, sikundër përsërit vendosmërinë për të çuar para drejtësisë dhe prapa hekurave të gjithë përgjegjësve”, u shpreh Basha.
Kreu i PD tha se në këtë situatë nuk do të ketë reformë zgjedhore me pjesëmarrjen e opozitës.
Ndërkohë, mbështetje për protestën e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka garantuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
“Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosi që të mbështesë plotësisht tubimin e thirrur nesër nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në oren 16:30 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit përballë Ministrisë së Brendshme. Kryesia vendosi të mbështesë në mënyrë të vazhdueshme të gjitha aktivitetet publike të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Ndaj, ju bëjmë thirrje të gjithë strukturave të LSI, të gjithe simpatizantëve, mbështetësve dhe miqve të saj për të marrë pjesë masivisht në këtë tubim”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endri Braimllari.
LSI i bëri thirrje policisë që të mos ndalojë qytetarët që të marrin pjesë në protestë dhe të krijojë incidente.
Ambasada Ruse në Tiranë akuzon Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim se ka deformuar fjalët e thëna nga ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së këtij të fundit në Moskë në cilësinë e Presidentit të OSBE-së.
“Kemi vënë re se Ambasadorja e SHBA-ve në faqen e saj në Tëitter dhe më pas edhe një serë mediash lokale kanë shtrembëruar fjalët e Ministrit të Jashtëm Rus Sergej Lavrov në konferencën për shtyp me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Edi Rama. Pse? Shkaku mund të jetë përkthim i gabuar, ose mungesë dëshire për të verifikuar fjalët origjinale. Shpresojmë që kolegët tanë e kanë bërë pa qellim të keq”, thotë Ambasada ruse.
Përfaqësia diplomatike e Federatës Ruse në Tiranë poston një faksimile të postimit në rrjetet sociale të ambasadores amerikane në Tiranë, e cila citon fjalët e thëna nga Sergey Lavrov në konferencën e përbashkët me Ramën.
“Ne e dimë që Shqipëria synon anëtarësimin në BE. Unë besoj që Shqipëria mund të jetë një nga ato shembuj kur detyrimet e pengojnë që të zhvillojë marrëdhënie miqësore me përfitime të përbashkëta në tregti, investime dhe ekonomi”, citon Yuri Kim kryediplomatin rus.
Sipas këtij citimi, me fjalën “detyrime” Lavrov nënkuptonte angazhimin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe të procesit të integrimit europian, që në fjalët e mësipërme kuptohen si pengesë për të zhvilluar marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shqipërisë.
Por, Ambasada Ruse në Tiranë thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe fjalët e Lavrov janë deformuar, duke postuar edhe përkthimin zyrtar në anglisht të fjalës së thënë prej tij.
“Ne jemi të hapur për të zhvilluar marrëdhënie aq intensive sa janë të lumtur kolegët shqiptarë. Kryeministri theksoi detyrimet që Shqipëria ka si anëtare e NATO-s dhe sidomos ndaj aleatëve të tyre, SHBA. Jemi në dijeni që Shqipëria kërkon që të fillojë procesin e anëtarësimit për të hyrë ne Bashkimin Europian dhe po e shohim se kjo aktualisht po ndodh. Por, ka shembuj të shumtë, dhe jam i sigurtë që Shqipëria mund të bëhet njëri prej tyre, ku asnjë detyrim i mësipërm nuk ndalon zhvillimin normal, të shëndetshëm të marrëdhënieve me përfitim të përbashkët në sfera si tregtia, investimet, ekonomia dhe promovimi i kontaktit të njerëzve në fushat humanitare, kulturore dhe arsimore. Nuk shoh asnjë arsye që mund të na ndalojë ne të zhvillojmë të tilla marrëdhënie”, thuhet në përkthimin e ofruar nga përfaqësia diplomatike ruse në Tiranë.
Në konferencën e përbashkët Rama-Lavrov në Moskë pati një moment kur kryediplomati rus citoi “detyrimet” që Shqipëria ka si anëtare e NATO-s dhe si kandidate për anëtarësim në BE, që u përkthyen si detyrime që pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Rama i ktheu përgjigje Lavrovit duke deklaruar se Shqipëria nuk ishte e detyruar, por kishte zgjedhur aleancën me NATO-n, SHBA-në dhe rrugën drejt anëtarësimit me BE. Kryeministri deklaroi se do ta shënonte në CV se kishte korrigjuar ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ndërsa ky i fundit iu përgjigj me shaka se duhej të korrigjonte përkthyesin.
Presidenti Ilir Meta kërkoi mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen e punonjësve të tyre me pagesa nga Qeveria, nëse këto të fundit nuk përmbushin dhe garantojnë standardet e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Është me mjaft rëndësi që të respektohen kudo distancat fizike dhe standarde të detyrueshme nga institucionet e shëndetit publik për çdolloj aktiviteti. Çdo nënvlerësim do të ishte me pasoja edhe njerëzore, financiare dhe ekonomike. Duhet përqëndrim më i madh në këtë drejtim për të parandaluar krijimin e vatrave të reja në mënyrë të paparashikuar. Nëse nuk garantohen standardet aktivitete të tilla nuk duhet të lejohen dhe punonjësit duhet të mbështeten nga ana e Qeverisë”, deklaroi në një konferencë për shtyp Presidenti Meta.
Meta komentoi këtë tematikë pas shpërthimit të dy vatrave me koronavirus në Krujë dhe Laç. Në të dyja këto vatra, pjesa dërrmuese e rasteve të reja me Covid-19 janë punonjëse të fasonerive dhe familjarë të tyre.
Mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen financiare nga ana e Qeverisë të 70 mijë punonjësve të këtij sektori e ka kërkuar edhe Partia Demokratike. Ish-deputetja Orjola Pampuri tha se shifrat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e ngritur që në fillim nga ana e opozitës, që fasoneritë janë “mina me sahat” e pandemisë.
“Të dhënat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e Partisë Demokratike se mbajtja hapur me kokëfortësi e fasonerive i ka kthyer ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit. Në Krujë, sot ka më shumë të infektuar se dje. Janë 18 persona të tjerë që kanë rezultuar pozitiv. Të gjithë punonjës fasonerie, kryesisht gra dhe vajza. Urojmë që të dhënat të pasqyrojnë realitetin dhe virusi të mos jetë përhapur akoma më shumë, por edhe kaq sa është, kemi një situatë shumë problematike”, deklaroi ajo.
Por, ndryshe nga Presidenti, opozita thotë se nga këqyrja që ka bërë në terren është e pamundur që të respektohet distanca fizike mes punonjësve dhe protokollet e tjera të sigurisë anti Covid.
“Ne ishim atje, kemi parë kushtet, kemi biseduar me sipërmarrësit dhe me punonjësit. Është e pamundur që në një mjedis të tillë aq të vogël të ruhet distanca sociale dhe të respektohen standardet e kërkuara. Duhet mbyllja e tyre, e shoqëruar me një mbështetje financiare. Sa më shpejt, aq më mirë!”, vijon ajo më tej.
PD është e bindur se pas qëndrimit të Qeverisë për të mos mbyllur fasoneritë është këmbëngulja e Edi Ramës për të mos anuluar tendera dhe koncesione, që opozita i cilëson si korruptive.
“Ka vetëm një arsye pse Edi Rama është i gatshëm të luajë bixhoz me jetën dhe shëndetin e 70 mijë nënave dhe motrave. Ai nuk do që të sakrifikojë nga paratë që ndan me një grusht oligarkësh për disa koncesione korruptive. Anulimi i pagesave për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit mbulon koston e pagesës minimale për 70 mijë gra e vajza të fasonerive”, tha Pampuri.