Një lapsus që gajas, por një fjali që dhemb
Lapsusi i Ministres së Bujqësisë ishte titull në çdo portal. Por fjalia e saj "është e rendë të thuash se rritja e çmimeve nuk ka ardhur nga lufta" vlen të diskutohet me shumë se lapsusi njerëzor".
E them këtë se ministrja e Bujqësisë është ndër të paktat ekonomiste me përvojë që ka kabineti qeveritar.
Të bindësh veten edhe pastaj publikun "që rritja e çmimeve ka ardhur vetëm nga lufta" nuk i shkon arsyetimit të një ekonomisti mediokër jo më një ministri.
Besoj ministrja e di që Inflacioni është si temperatura e trupit - nuk është një shkak, por një simptomë e problemeve të mundshme themelore.
Pra, për ta trajtuar siç duhet atë, së pari duhet bërë një vlerësim i saktë klinik i arsyeve që e kanë shkaktuar këtë situatë.
Shenjat e para të inflacionit kanë filluar në mars të vitit 2021 dhe që prej tetorit 2021, ka nisur diskutimi nëse inflacioni ishte tranzitor apo do të qëndronte gjatë.
Mjaftuan vetëm 2 muaj dhe në dhjetor të vitit 2021 optimizmi ra. Bankat qendrore duke përfshirë edhe Bankën Qendrore Shqiptare, e hoqën nga narrativat e tyre fjalën tranzitor edhe pranuan që inflacioni do të qëndronte me ne deri në 2023.
Thënë këtë që pas rihapjes së ekonomive pas bllokimeve të COVID, inflacioni filloi të bëhej një problem.
Pyetja që duhet të shqetësonte çdo ekonomist politik-bërës që prej mesit të 2021 ( përfshirë këtu edhe Ministren e Bujqësisë) ishte përcaktimi i arsyes së rritjes së inflacionit. A u rrit ai si rezultat i stimulit të tepërt monetar, apo ishte ringjallja e kërkesës globale e cila tejkaloi aftësinë e furnitorëve për të përballuar kërkesën (e ashtuquajtura "çarje apo pengese" e zinxhirit të furnizimit), e cila u kombinua edhe me rritjen e mprehtë të çmimeve të energjisë?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve përcaktojnë edhe mjetet me të cilat përballohet situata.
Fjalia e parë e ministres me shqetësoi pikërisht sepse tregonte mungesën e kësaj analize. Tregoi mohimin e shkaqeve të inflacionit, edhe si rrjedhim pamundësi për ta kontrolluar.
Ndërkohë që Ministrja deklaronte që çmimet janë rritur për shkak të luftës, duke e konsideruar të rëndë çdo pohim tjetër, Banka e Shqipërisë rriti normat e interesit.
Shkaku inflacionit i përshkruar nga ministrja, nuk "mjekohet" me rritjen e normave të interesit.
Kjo mospërputhje shkaqesh me mjetet e përdorura do të ndikojë tek fermerët, të cilët jo vetëm janë në kushtet e shtrenjtimit apo edhe mungesës së lëndës së parë, por tani e tutje do të përballen edhe me rritjen e kostos së borxhit. Ndihma shtesë nga shteti është 500 milion lek.
Ndërsa u gajasëm me lapsusin e saj, nga sot kemi një kosto me shumë për fermerët.