Videot kryesore
Një koktejl molotov është hedhur brenda territorit të Xhamisë së Namazgjasë rreth orës 22:30 minuta.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku fillimisht kanë hasur vështirësi në hyrjen brenda territorit të xhamisë për shkak se janë ende të ngritura muret rrethuese të ndërtesës së është ende në ndërtim.
Ndërkohë, një tjetër koktejl molotovi është gjetur i paplasur në oborrin e sallës së seancave të Kuvendit.
Gazeta “Si” mëson se paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një sulm të vetëdijshëm dhe se xhamia nuk ka qenë objektiv i këtij sulmi, por Parlamenti.
Policia ka ngritur një grup hetimor dhe ka nisur sekuestrimin e pamjeve filmike të bizneseve të shumta që ndodhen në rrugën përballë xhamisë dhe parlamentit, në përpjekje për të identifikuar autorët.
Kompania japoneze “SkyDrive” testoi me sukses prototipin e parë të makinës fluturuese elektrike me një person në bord.
Testimet u kryen në fillim të muajit gusht. Synimi i kompanisë së themeluar në 2013 dhe që ndër vite ka marrë milionë dollarë financime edhe nga Qeveria japoneze është prodhimi i një mjeti fluturues elektrik të sigurtë, të lehtë për t’u drejtuar dhe mbi të gjitha me një çmim të përballueshëm për të gjithë.
Aktualisht, makina mund të fluturojë deri në 10 minuta me baterinë e përdorur gjatë testimeve. Por, “SkyDrive” thotë se kohëzgjatja e fluturimit është një problem që zgjidhet lehtësisht me vendosjen e baterive më të fuqishme.
Pandemia dhe masat kufizuese të lëvizjes kanë nxitur bizneset që të kërkojnë zgjidhje alternative dhe risi në ushtrimin e aktivitetit të tyre. E tillë është edhe ideja e një grupi të rinjsh në Izrael, me ndryshimin e vetëm se sipërmarrja e tyre është ende e paligjshme.
Grupi në fjalë shpërndau me dronë fluturues qindra doza dygramëshe me hashash në një prej shesheve qendrore të Tel Avivit. Dozat u hodhën nga ajri pas një paralajmërimi të bërë nga grupi “Green Drone” në platformën e komunikimit Telegram.
“Bombardimi” me hashash ka shkaktuar amulli në sheshin “Rabin” të kryeqytetit izraelit, ku grupe njerëzish, kryesisht të rinj janë parë duke mbledhur nga toka sa më shumë doza që të ishte e mundur.
Policia izraelit njoftoi arrestimin e dy personave rreth të 30-ave, që dyshon se qëndrojnë pas nismës në fjalë. Ata mendohet se janë pjesë e një grupi aktivistësh që veprojnë kryesisht online duke kërkuar legalizimin e hashashit me sloganin “Legalizoni dashurinë”.
Aktualisht, në Izrael është i ndaluar si prodhimi, ashtu edhe konsumi i hashashit, ndërsa shpërndarja e tij është e ndëshkueshme me burg.
Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të miratuara nga mazhoranca në seancën e 5 tetorit, me arsyetimin se shkelin Kushtetutën dhe bien ndesh me rekomandimet e Këshillit Europian të 25 marsit të këtij viti.
Presidenti thotë gjithashtu se i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias për një opinion mbi këto ndryshime.
“Këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të padakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, thuhet në arsyetimin e Presidencës.
Presidenti vëren se:
Këto ndryshime të rregullave zgjedhore, cenojnë parimet domokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme;
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15-kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare;
Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre;
Këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim flagrant me parimet dhe standardet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme;
Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese, duke rënë ndesh si me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut;
Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare;
Ndryshimet e njëanshme cenojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të përkthehet me një tjetër vendim negativ për Shqipërinë, duke cenuar drejtpërdrejt ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit.
Meta e vlerëson kthimin për rishqyrtim në Kuvend jo si sfidë, por si ftesë për reflektim drejtuar mazhorancës, ndërsa vonesën e dekretit të rikthimit e ka argumentuar me faktin se arsyetimet janë shkencore dhe në të janë përfshirë edhe ekspertë të huaj.
“Presidenti e ka motivuar në mënyrë të qartë, është bërë një punim shkencor nga ekspertët e Presidentit dhe ekspertë ndërkombëtarë që kanë bashkëpunuar për të gjitha standardet që shkel ky ndryshim i njëanshëm i Kodit. Shpresoj që ata të lexojnë të thellohen dhe reflektojnë. Presidenti është në një gjatësi vale me popullin shqiptar”, deklaroi Meta nga qyteti i Korçës, fill pasi në faqen zyrtare të Presidencës u publikua dekreti që kthen Kodin Zgjedhor edhe njëherë në Kuvend.
Partia Demokratike akuzon Edi Ramën se me vendimet arbitrare dhe të papërgjegjshme u ka hequr shqiptarëve nga xhepat 447 milionë euro. Reagimi i PD i referohet shumës së mundshme të shpërblimeve që arbitrazhet ndërkombëtare mund të dënojnë Shqipërinë për mosmarrëveshjet me kompanitë private.
PD kërkon nga SPAK që të hetojë në lidhje me këto çështje, duke kujtuar se në fillim të prillit ka depozituar një padi në Prokurorinë e Posaçme për një prej dosjeve, ku Shqipëria është ndëshkuar me mbi 100 mln euro.
“Në 8 prill 2021 Partia Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzimin për çështjen "Beçhetti". Ne presim që ajo të hetohet me përparësi, sepse çdo orë vonesë tashmë përkthehet në një dëm ekonomik të pakthyeshëm për qytetarët”, thuhet në deklaratën e PD.
Sipas opozitës, 447 milionë euro nuk do të shkojnë për spitale, shkolla, kopshte, investime në infrastrukturë, ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, por për të paguar dëmet e shkaktuara nga një pakicë që ka shkatërruar ekonominë dhe po varfëron shqiptarët.
“447 milionë euro, kjo është fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare. Imagjinoni sa probleme të vogla dhe të mëdha për shqiptarët do të zgjidhte kjo shumë marramendëse, që fatkeqësisht do të kthehet në një peshë për buxhetin e çdo familje, që do të detyrohet të paguajë papërgjegjshmërinë e Edi Ramës”, thotë PD.
Godina e Partisë Demokratike është ende në rikonstruksion pas përplasjes së 8 janarit mes mbështetësve të Sali Berishës dhe atyre të Lulzim Bashës për kontrollin e saj.
Në korridoret e selisë kryesore të opozitës gjenden në rrëmujë veglat e punës, nga ato që kanë përforcuar dyert e deri te fikëset e zjarrit.
Dyert e përforcuara po mbulohen me adeziv me siglat dhe logot e partisë, ndërsa mes shkallëve gjen edhe “furnizimin e ri” me fikëse zjarri.
Nga imazhet që mbërrijnë nga brenda selisë, bombolat e fikëseve të zjarrit duken të grumbulluara në një vend të vetëm, të pashpërndara nëpër kate, apo pozicione ku do të shërbenin në rast të një zjarri real.
Detaji tjetër që bie në sy është sasia e relativisht e madhe e këtyre bombolave, që tregon se godina po përgatitet për të shuar një zjarr të madh, qoftë fizik, qoftë politik.
Gjithçka po shkonte normalisht në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve Oscar, deri në momentin kur komediani Chris Rock bëri një shaka të tepruar ndaj Jada Pinkett Smith.
“Jada, të dua shumë. G.I. Jane 2 mezi po pret që të të shohë”, tha ai, si referencë për kokën e rruar të bashkëshortes së Will Smith.
Ky ka qenë momenti që Will Smith është ngritur nga karrigia dhe ka goditur me shpullë komedianin. “Mos e zër më në gojën tënde të qelbur emrin e gruas time”, iu drejtua ai.
Vitin e kaluar, Jada u diagonstikua me sëmundjen e alopecisë, një formë e rrallë sëmundjeje që rrëzon flokët. Pas kësaj diagnoze, ajo është shfaqur në publik me kokën e rruar.
Dy janë pyetjet për të cilat mendimi i qytetarëve në këshillimin kombëtar mund ta fusë Edi Ramën në një kurs përplasjeje me partnerët ndërkombëtar; amnistia fiskale për paratë e emigrantëve dhe legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore.
Për të dyja këto pyetje, qytetarët u përgjigjen në shumicë dërrmuese me pro. Të parës iu përgjigjen pozitivisht, sipas shifrave të publikuara nga Rama, 66 për qind e qytetarëve, ndërsa të dytës 61 për qind.
Nëse për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore me partnerët ndërkombëtarë mund të gjendet dakordësia, nisur nga rasti i Maqedonisë së Veriut në rajon, ku kanabisi është i legalizuar dhe nga prirja në BE e SHBA për të dekriminalizuar e ligjëruar këtë kultivim, për amnistinë fiskale për paratë e emigrantëve, ku Rama tha se do të shikohet mundësia për të integruar në këtë amnisti edhe paratë e evazionit fiskal nga kompanitë vendase, kundërshtitë mund të jenë më të thella e të forta.
Amnistia nuk është një ide e re e qeverisë. Ajo u hodh si ide që në 2019-n dhe rikthye në qarkullim edhe në 2020. Në të dyja rastet, kundërshtari më i ashpër ka qenë Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN ka theksuar qartë qëndrimin e tij kundër miratimit të një amnistie fiskale, duke ngritur shqetësime se ajo ndikon negativisht te performanca në mbledhjen e taksave dhe rrëzikon të shfrytëzohet për pastrimin e parave.
“Stafi përsëriti këshillën kundër një ligji për amnisti fiskale, duke pasur parasysh ndikimin e tij në pagimin e taksave dhe po ashtu në pastrimin e parave dhe rreziqet e qeverisë”, thotë FMN.
Kundër aministisë është shprehur edhe Komisioni Europian dhe MoneyVal, autoriteti i Këshillit të Europës i luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Megjithatë, me përgjigjen pozitive të rreth 330 mijë qytetarëve shqiptarë, Kryeministri Edi Rama u përçoi një mesazh.
“Amnistia fiskale është të çash një rrugë të re. Janë nisur e janë ndalur qeveritë e mëparshme, jemi nisur dhe jemi ndalur edhe ne. Tani ka folur opinioni publik shqiptar, që është më shumë se sa të flasë një shumicë qeverisëse dhe tani këtë gjë duhet ta marrin në konsideratë edhe partnerët tanë, që këtu duhet të bëhet ajo që thotë populli shqiptar”, tha Rama.
Një tryezë e përbashkët me temë luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe mbrojtjen e viktimave të tij, bëri bashkë Presidentin Ilir Meta me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.
Presidenti dhe Ambasadorja shtrënguan duart, ndërsa Meta shmangu përgjigjen e drejtpërdrejt ndaj pyetjes së gazetarëve se kush e hodhi hapin e parë në përmirësimin e raporteve mes tyre.
“Asnjë problem përveç forcimit të mëtejshëm, bashkëpunimit kundër trafikut të qenieve njerëzore për shkak të numrit të largimit të qytetarëve tanë, sidomos të rinjve. Është një pasojë e madhe për të gjithë shoqërinë tonë sepse shkatërron fëmijë, familje, por njëkohësisht edhe shteron shumë prej energjive më të mira të këtij vendi për zhvillim. Lufta kundër trafiqeve duhet të jetë prioritet për ne, për qeverinë. Ne e dimë që trafikimi është një krim ndërkombëtar”, tha Meta.
Në pesë vite në krye të Presidencës, Presidenti Ilir Meta është përplasur jo pak herë me Ambasadoren Yuri Kim, që për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, e deri te përplasja para zgjedhjeve të 25 prillit, kur Meta bëri thirrje për ‘mbrojtjen e votës edhe duke kapur sfurqet’.
Ajo deklaratë e Presidenti u dënua nga Ambasadorja, që gjithashtu ka qenë në qendër të kritikave të Ilir Meta, që në shkurt tha se është ankuar zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë për atë që e quan “njëanshmëri të Yuri Kim” në Tiranë.