Video/ U vendos eksploziv në derën e lokalit, arrestohet një 28 vjeçar
Një 28 vjeçar me precedent të theksuar kriminal ka përfunduar në prangat e policisë, ndërsa dyshohet si autor i vendosjes së një sasie lënde eksplozive në një lokal në lagjen “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, mëngjesin e së enjtes.
“Pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore u bë e mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Vihet në pranga 28-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, vjedhjes së pronës dhe krimeve ndaj personit.
Zbradhja e ngjarjes dhe finalizimi i operacionit nga Komisariati i Policisë Nr 2 dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në DVP Tiranë.
Sekuestrohen rrobat dhe biçikleta që autori ka përdorur gjatë kohës së vendosjes së lëndës eksplozive”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ku në derën e lokalit të shtetasit A.B., shpërtheu një sasi lënde plasëse duke shkatur dëme materiale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor të përbërë nga Specialistë për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 dhe Specialistë për hetimin e krimit ndaj pronës dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijoi puna intensive për zbardhjen e ngjarjes.
“Si rezultat i veprimeve profesionale dhe punës intensive të pandërprerë hetimore të bërë nga Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë, u bë e mundur që brenda 24 orëve të zbardhej ngjarja, duke identifikuar autorin e dyshuar të vendosjes së eksplozivit.
Mbi provat e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Eksplozivi”, ku gjatë operacionit u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar F. A., 28 vjeç, banues në Tiranë me precedent të theksuar kriminal, i dënuar më parë me 2 vjet burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe i arrestuar për veprën penale “Vjedhje”.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale biçikletën, veshjet, një qese në të cilën ishte vendosur lënda eksplozive, atletet, sende këto të cilat autoi i kishte përdorur në kryerjen e veprës penale.
Materialet do ti referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, thuhet në njoftimin e policisë.