Videot kryesore
Policia ka asgjësuar rreth 270 bimë kanabis dhe sekuestruar dy kilogram hashash të tharë gati për shitje në një operacion të ndërmarrë në Milot.
Droga ishte e mbjellë në katin përthes të një shtëpie private të marrë me qira nga 24-vjeçari me inicialet Y.B., me vendlindje Burrel.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesë, veç sasisë së drogës gati për treg dhe bimëve të asgjësuara, policia gjeti edhe një lidhje të paligjshme të enegjisë elektrike.
Përmes kësaj lidhjeje, autori kishte shmangur matësin e rrymës, duke e siguruar energjinë direkt nga rrjeti. Për këtë arsye, policia ka ndaluar edhe elektriçistin e zonës të OSHEE me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ky është rasti i tretë që policia asgjëson brenda pak ditëve shtëpi bari në vend. Më parë aksione të ngjashme kanë asgjësuar sasi të konsiderueshme bimësh hashashi në Tiranë dhe Vlorë.
Përfundimi i bisedimeve mes Partisë Socialiste dhe grupeve parlamentare të opozitës për kandidaturat e zgjedhjes së Presidentit të ri provuan se i gjithë debati i nisur që kur u shfaq dokumenti “Alibeaj” me kriteret e vendosura për t’u përfshirë në këtë proces ishte më shumë për protagonizëm dhe gati-gati qesharak.
“Ajo që kërkojmë ne është që në tre raundet e para, Presidentin ta propozojë opozita”, përsëriti Alibeaj në minutat e fundit të mbledhjes së zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit përballë përfaqësuesve socialiste, Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali.
“E zgjidhëm”, iu përgjigj shkurtimisht kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Në të vërtetë, në thelb nuk ka pasur asgjë për të zgjidhur. PS që para raundit të parë i kërkoi opozitës që të dorëzojë kandidaturat, ndërsa edhe në takimet e konferencës së kryetarëve dhe daljet publike të Ballës dhe vetë Ramës përsëriste të njëjtën gjë; opozita të paraqesë emra.
Këmbënguljen për të dorëzuar emra e përsëritën Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Mesila Doda. Kreu i PAA-së, duke iu referuar faktit që negociatat po transmetoheshin drejtpërdrejt tha me ‘diplomaci’ se po bëheshin qesharakë, por përshkroi ‘popullorçe’ të gjithë këmbënguljen e Alibeajt përballë mazhorancës.
“Po tjerrim kot! Të mos e tjerrim kaq shumë! Ne duhet të çojmë një emër”, tha ai.
Gjithsesi, pas dakordësisë për të rënë dakord për një çështje që palët kanë qenë dakord, Alibeajt dhe grupit të deputetëve të Partisë Demokratike që ai përfaqëson i lind detyra për të propozuar emra, por tashmë jo në tre raunde, siç e kërkonte në dokument, por në dy raundet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Por pse ngurroi Enkelejd Alibeaj që të propozonte emra deri më tani? Balla ngriti dyshime se ai mund të mos sigurojë 20 vota nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për të mbështetur një kandidat.
“Dy raunde i takojnë opozitës dhe i takon asaj që të jetë bashkëpunuese. I keni 20 firmat për të propozuar kandidat në datën 22 maj, sepse e tillë është procedura kushtetuese? Opozita mund të sjellë 3 kandidatë”, tha Balla.
Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist kujtoi kushtin e vetëm, sipas tij, që kanë socialistët; atë që kandidatura nuk duhet të ketë mbështetjen e Sali Berishës.
“Kushti ynë është që kandidat që vjen nga katrani me bojë nuk pranojmë. Për të tjerat nuk ka asnjë problem. Po patët dakordësi për një kandidat është gjë e mirë. Kështu respektojmë dhe jemi të barabartë. Dy raunde i keni ju. Raundi i katërt dhe i pestë na takon ne. Ne nuk do të propozojmë kandidatë pa e bërë ju. Shumica e cilësuar prej 84 votash ju jep ju të drejtën për të propozuar emra në dy raunde”, tha Balla.
Opozita tani ka fjalën për të gjetur një emër që mund të bindë socialistët deri në raundin e tretë, kur kërkohen 84 vota. “Raundin e katërt e ka zgjidhur Kushtetuta se si vazhdohet”, tha Balla.
Në Prishtinë mbahet këtë të hënë mbledhja e radhës mes dy qeverive, ku në agjendë janë diskutimet për ndërlidhjen infrastrukturore, portin e ri të Durrësit, qasjen e Kosovës në këtë port, portin e thatë në Kosovë dhe projektin ambicioz të lidhjes hekurudhore.
Kryeministri Edi Rama udhëtoi të dielën në drejtim të Prishtinës, ku e nisi vizitën me një takim në familjen e ish-Presidentit Hashim Thaçi. Vizitën në familjen e Presidentit, Rama e shoqëroi me një set fotografik gjatë takimeve me familjarët e Thaçit.
Gjithashtu, Rama vizitoi edhe një sipërmarrje në Gjakovë, ku premtoi se synimi i qeverisë shqiptare është që të shkrijë të gjitha pengesat në kufi për të lehtësuar shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Ai tha se dëshira e Shqipërisë është që heqja e këtyre barrierave doganore të jetë e ndërsjellë, por tha se Qeveria e Kosovës ka kërkuar më shumë kohë për të analizuar efektet financiare në buxhet. Pavarësisht kësaj, Rama premtoi se Shqipëria do të ndërmarrë, pavarësisht vendimit të Kosovës.
“Ne kemi bërë edhe një plan dhe do ta vëmë tani në lëvizje që do t’i heqim tarifat doganore me Kosovën. Do t'i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale dhe me qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë. Ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar, por ne do ta bejmë do t’i heqim, se nuk ka kuptim ne t’i heqim me Ballkanin e hapur, mos t’i heqim me Kosovën. Kështu që do t’i heqim tarifat për gjithë çfarë vjen nga Kosova përjashto atë të skanimit se asaj s’kemi çfarë i bëjmë se ajo është e trashëguar edhe s'lëviz, por gjithë pjesën tjetër nuk do ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri. Anasjelltas do ta bëjë qeveria e Kosovës dhe ne duam ta bëjmë bilaterale, por në qoftë se qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi, sepse nuk duam që ta kemi të hapur pa tarifa me të tjerët në Ballkanin e hapur dhe të mos e kemi me Kosovën”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, ministrat e kabinetit të Ramës janë nisur me furgon në drejtim të Kosovës paraditen e së hënës. Takimi i përbashkët i Qeverive nis në orën 11:15 me fjalët hapëse të Kryeministrave Kurti e Rama, fjalime të shkurtra nga ministrat dhe me prezantimin e marrëveshjeve që do të nënshkruhen.
Rreth mesditës është planifikuar prezantimi i projekteve infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Porti i thatë në Kosovë. Këtë prezantim do të bajë Eric Smit, drejtor i kompanisë projektuese, “Royal Haskoning DHV”.
Kuvendi u mblodh të enjten në seancën e jashtëzakonshme për të miratuar ndryshimet në Qeveri, por në këtë seancë nuk mbeti pa u cekur edhe kërkesa e Autoritetit të Dosjeve për të ndryshuar ligjin dhe hapur rrugë verifikimit të dosjes me inicialet I.M., apo dosje të tjera të politikanëve të lartë.
Enkelejd Alibeaj mirëpriti nismën e Autoritetit të Dosjeve.
“Autoriteti i Dosjeve nuk e ka të drejtën e nismave ligjore, megjithatë sa herë që ka kërkesa për ndryshime ligjore, duhet të jetë fillimi e instalimi i një procedure të re që çdo nismë të diskutohet”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Taulant Balla nga ana tjetër shprehu gatishmërinë e socialistëve për të vepruar sa më shpejt dhe ndryshuar ligjin ashtu siç e kërkon Autoriteti i Dosjeve.
“Shpresoj që edhe zoti Alibeaj ta mbajë fjalën deri në fund, por ne si grup parlamentar i Partisë Socialiste jemi gati që të votojmë ndryshimet, edhe në Kodin Zgjedhor siç i propozon Autoriteti i Dosjeve”, deklaroi ai.
Në vazhdën e këtij qëndrimi, deputetëve të grupit parlamentar socialist u është lënë porosia që të jenë në gatishmëri, pasi Kuvendi mund të mblidhet sërish në një seancë të jashtëzakonshme, qoftë kjo edhe në muajin gusht, muaji zyrtar i pushimeve, për të miratuar këto ndryshime.
Autoriteti i Dosjeve ka propozuar shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas Autoritetit, ky nen pengon atë që të verifikojë politikanët e lartë që janë të pajisur me certifikata pastërtie figure nga dy komisionet Mezini e Bezhani në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000.
Propozimi tjetër është ndërhyrja në Kodin Zgjedhor që të detyrojë kandidatët për zgjedhje vendore e qendrore që të dorëzojnë formularët e pastërtisë së figurës pranë këtij autoriteti 70 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.