Videot kryesore
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
Kompania japoneze “SkyDrive” testoi me sukses prototipin e parë të makinës fluturuese elektrike me një person në bord.
Testimet u kryen në fillim të muajit gusht. Synimi i kompanisë së themeluar në 2013 dhe që ndër vite ka marrë milionë dollarë financime edhe nga Qeveria japoneze është prodhimi i një mjeti fluturues elektrik të sigurtë, të lehtë për t’u drejtuar dhe mbi të gjitha me një çmim të përballueshëm për të gjithë.
Aktualisht, makina mund të fluturojë deri në 10 minuta me baterinë e përdorur gjatë testimeve. Por, “SkyDrive” thotë se kohëzgjatja e fluturimit është një problem që zgjidhet lehtësisht me vendosjen e baterive më të fuqishme.
Mjekët e Spitalit Infektiv kanë hedhur poshtë akuzat e bëra nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që tha mbrëmjen e së enjtes se janë manipuluar shifrat e personave që kanë ndërruar jetë nga Covid-19.
Drejtorja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo me në krah kolegët e saj të këtij spitali shpërndau një mesazh, ku i vlerësonte akuzat e Bashës si tronditëse dhe goditje për profesionalizimin dhe përpjekjet e mjekëve në betejën 9-mujore kundër infeksionit.
“Nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit”, thuhet në deklaratën e mjekëve.
Mjekët kërkojnë nga politika që t’i japë fund lojës me vdekjet dhe paralajmërojnë se nëse akuza të tilla përsëriten, do t’i drejtohen prokurorisë.
“Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes, e jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të mund të parafytyrohet dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara. Bëjme me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet, do të ftojmë organet kompetente që të verifikojnë çdo kartelë mjekësore. Nuk do të lejojmë kurrsesi këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional”, vijon deklarata.
Ndërhyrja e Policisë Bashkiake të Fierit në heqjen e një banderole gjigante të LSI-së të vendosur në një ndërtesë në qendër të qytetit ka nxitur reagimin e kandidatëve për deputetë dhe mbështetësve të kësaj partie.
Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, që më 25 prill kandidon si e dytë në listën e kësaj partie në Qarkun e Fierit, fill pas Monika Kryemadhit, akuzoi Bashkinë e Fierit se po shkelte ligjin.
Debati degjeneroi në një moment edhe në përlashje fizike mes mbështetësve të LSI-së dhe punonjësve të Policisë Bashkiake të Fierit në ambientet e brendshme të policisë.
Mehmetaj akuzon se policia bashkiake ka hequr banderolat e LSI-së dhe vendosur të Partisë Socialiste duke shkelur ligjin.
Në lidhje me këtë përplasje ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.
“U bëj thirrje kandidatëve të LSI në Fier të mos bien pre e provokimeve të Policisë Bashkiake për çështjen e banderolave dhe ta tejkalojnë me urtësi këtë moment. Ndërsa po u prek një votë ditën e votimeve t'i mprehin sfurqet, se si gratë trime të Libofshës do t'i ndjekim këmba-këmbës horrat, nëse nuk kanë kuptuar gjë akoma”, shkruan Presidenti.
Banderola e LSI-së ishte e vendosur pranë skenës që po ngrihej nga Partia Socialiste në qytetin e Fierit, ku pasditen e së mërkurës, Kryeministri Edi Rama do të mbyllë fushatën në këtë Qark.
Zv.Kryeministri dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj iu shmang pyetjeve në lidhje me arrestimin e Lefter Kokës për çështjen e incineratorit të Elbasanit.
Ish-ministri i Financave përjashtoi qeverinë dhe ministritë e tjera nga përgjegjësia kolektive në lidhje me këtë koncesion, në të cilin, sipas akuzës së SPAK, Lefter Koka ka përfituar 3.7 milionë euro ryshfet për t’i hapur rrugë ndërtimit.
“Përgjegjësia para drejtësisë është individuale, nuk është as kolektive dhe as politike”, tha Ahmetaj.
Ministri i Rindërtimit, që në kohën e dhënies së këtyre koncesioneve ka mbajtur postin e ministrit të Financave e shmangu fjalën “incinerator” dhe e cilësoi investimin në Elbasan si aset shtetëror.
Kontrata e koncesionit të incineratorit të Elbasanit përfundon ditën e enjte dhe pas kësaj faze u kalon bashkive të qarkut të Elbasanit për ta menaxhuar. Por si do të funksionojë tani që është nën sekuestro? Ahmetaj tha se ka një procedurë ligjore që e zgjidh këtë, pa dhënë më shumë detaje.
Në një nga ditët e prillit të çadrës së Republikës së Re këtu e 5 vjet më parë, kur ish-ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin i kërkoi Lulzim Bashës miratimin e paketës ligjore me 7 ligje për zbatimin e reformës në drejtësi si kusht për hapjen e negociatave, kreu i PD-së tha: “Nuk ka bisedime, nuk ka negociata, ka vetëm bisedime për të negociuar largimin tënd (Ramës) dhe ardhjen e një qeverie teknike, nuk do të negociojmë futjen tonë në qeveri jo, ne do të jemi opozita deri sa qytetarët të vendosin se kush do të qeverisë këtë vend, por harroje se do të bësh zgjedhje me ministrin tënd të Brendshëm që njihet botërisht si mbrojtës i krimit, harroje se do të bësh zgjedhje zotëria juaj, harroje se do të bësh zgjedhje me kriminelët kryetar bashkish, me kriminelët në Kuvend... Na kanë thënë bëjeni vettingun se do të hapen negociatat, kësaj në shqip i themi broçkulla, në anglisht ka një fjalë”. Basha iu drejtua atyre që e rrethonin: “Kush di anglisht këtu? Si i thonë në anglisht? Pyeti ai, duke marrë përgjigje të shpejtë jo vetëm nga një zë.
“Bullshit”, ngriti zërin.
Basha do ta përcillte me pak fjalë të ngjashmen edhe në një postim të tij në Facebook diku nga mesi i prillit i vitit 2017.
“Opozita është pro vettingut sipas parashikimeve kushtetuese të 22 korrikut për vettingun. Ligji i miratuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama nuk ka lidhje me këtë reformë dhe nuk i shërben vettingut, por kapjes së procesit të vettingut për të kapur pastaj gjithë aparatin e drejtësinë.
Ka vetëm një garanci për largimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të korruptuar: një vetting i pavarur. Këtë vetting do të bëjmë në Republikën e Re.
Ne do të votojmë nga e para ligjin për vettingun dhe pesë ligjet e tjera të zbatimit të reformës në drejtësi, sipas marrëveshjes se 22 korrikut, për t’i kthyer ato tek fryma dhe gërma e 22 korrikut dhe, mbi të gjitha, për të garantuar një drejtësi të pavarur nga politika dhe nga krimi.
Por së pari duhet të bëjmë zgjedhje të lira”.
Por vetëm pak kohë më pas, (as një muaj nga premtimet e tij), Lulzim Basha hyri në zgjedhje me Ramën kryeministër, ndryshe nga sa tha, bëri bashkëqeverisje me të, ndryshe nga sa tha, nuk ndryshoi konfigurimin e kryetarëve të bashkive “kriminelë” e as deputetëve, madje kaloi edhe paketa ligjore për drejtësinë.
Lulzim Basha kishte një opinion tjetër edhe ndaj ndërkombëtarëve në një nga debatet për zgjedhjen e drejtuesve të organeve në drejtësi.
“...Nuk mund të ketë kurrësesi në pikëpamjen time ndonjë institucion ndërkombëtar i cili të kërkojë dhunimin e Kushtetutës dhe nuk mund t’i shkojë askujt në mendje asnjë përfaqësuesi ndërkombëtare t’i kërkojë shqiptarëve apo faktorëve politike apo opozitës të shkelin mbi konsensusin e 22 korrikut kjo për mua është e paimagjinueshme. Nuk kanë asnjë vlerë sepse nuk kanë asnjë tagër që të interpretojnë Kushtetutën e Shqipërisë...”
Basha nuk ndryshoi gjithashtu qëndrim për KPK kur këmbëngulte disa herë se kish përdorur dy standarde për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kur drejtësia e re ishte diskretituar e deri tek deklaratat se vettingu ishte korruptuar që në gjenezë.
Këto ishin qëndrimet e Lulzim Bashës deri pak muaj më parë, kur në një ditë tetori mes konfliktit të hapur me Sali Berishën i shpallur “non grata” nga SHBA dhe një propozimi të ardhur në Kuvend nga PS-ja për zgjatjen e mandatit të KPK dhe komisionerëve publik deri në fund të 2024-ës, Basha do të ndalte hovin dhe do të sqaronte një të vërtetë se me mbarimin e mandatit të KPK-së, procesi nuk mbetej në vakum.
“Nuk ka vakum kushtetues, vettingu vazhdon, nuk ndalet. E parashikon Kushtetuta. Mundësisht tua sqaroni sa më mirë shqiptarëve. Ajo që kërkohet është zgjatja e mandateve të 14 personave që kanë pasur katër vite kohë. Para se ky vendim të merret, duhet të diskutohet fillimisht se çfarë kanë bërë këta njerëz, si ka ecur procesi, çfarë kanë bërë, a kanë pasur presion, duhet vendosur cila është më e mira përballë reformës në drejtësi. Çdo vendim i yni është më i miri për shqiptarët”, tha Basha për mediat disa muaj më parë.
Se sa u bë analiza nga Basha apo grupi i PD për atë që ka bërë KPK këto vite kjo mbetet për tu parë.
Ajo që kuptuam të gjithë ishte një qëndrim i tij pro zgjatjes së mandatit të vettingut vetëm 30 minuta para fillimit të seancës me një opinion krejtësisht të ndryshuar edhe për ndërkombëtarët kur tha se këta të fundit e kishin kërkuar dhe jo PS që sipas tij donte t’ia kalonte vettingun KLGJ dhe KLP.
Basha tha të enjten para medias se nuk kishte ndryshuar qëndrim por zbuti tonet kur nënvizoi se, “reforma në drejtësi ka pasur ngecje dhe devijime”.
Përkundër qëndrimit të 5 viteve me parë, Basha tha se vota ishte për integrimin e vendit. Dhe mbi të gjitha, ai theksoi se PD-ja e kishte arritur qëllimin duke ngritur dy komisione ajo për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.
Politikisht ngritja e dy komisioneve nuk do të thotë asgjë, sa kohe që nuk kemi objekt të paracaktuar dhe me qëndrime paraparake nga PS-ja krejt të ndryshme për secilën prej çështjeve.
Nuk do të thotë asgjë politikisht as për kauzën tjetër atë të vettingut të politikanëve (që aq shumë e theksoi Basha të enjten), kur PS-ja minimalisht nuk ka lëshuar sinjale afruese, e madje edhe disa opinione paraprake nga shoqëria civile depozituar në Kuvend flasin kundër propozimit
Nuk do të thotë asgje politikisht sa kohë që kemi një komision po aq të rëndësishëm atë për inceneratorët që deri më tash ka bërë një vrimë në ujë dhe ka pak shanse edhe nëse i zgjatet mandati i kërkuar nga PD-ja.
Që do të thotë shumë pak në dhënien e një shpjegimi të drejtë, bindes dhe shterues për një kryetar opozite që deri para do muaj më parë, për më shumë se 5 vjet, ka mbajtur një qëndrim diametralisht të kundërt për çështjen më të diskutueshme në vend atë të vettingut në drejtësi.
Prezantimi i raportit në Kuvend nga Genci Mamani, kreu i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave u ndërpre nga një sherr i pazakontë brenda sallës së seancave plenare mes deputetëve të opozitës.
Protagonistë të sherrit u bënë deputetët Edmond Spaho, Tritan Shehu dhe Gazment Bardhi. Spaho dhe Shehu akuzuan për shpifje Gazment Bardhin, që në një seri postimesh në Tëitter ka folur për një vilë luksoze që është në shitje në Gjirin e Lalzit duke nënkuptuar se ajo është në pronësi të një deputetit të opozitës.
“Pyetje për “opozitën e vërtetë”; vilën 760 mijë euro, e shitën apo s’po ja ble askush? Nuk mund të mbash peng opozitën për një vilë të pajustifikuar që të ka zbuluar dhe me të cilën të mban peng Edi Rama!”, shkruan Bardhi në një postim të 9 majit.
Deputeti i rikthehet të njëjtës vilë me një postim të dytë këtë të enjte. “E rëndësishme është që për shkak të publicitetit çmimi i vilës është ulur”, shkruan ai.
Postimi i Bardhit është bërë në orën 11 e 19 minuta. Pak pas këtij momenti ndodhi përplasja mes tij dhe Edmond Spahos dhe Tritan Shehut në prani të Jorida Tabakut. Nga mazhoranca ndërhyri Erion Braçe që e cilësoi të turpshme shfaqjen në fjalë.
Debati ishte i ashpër mes Spahos dhe Bardhit, që për pak u përplasën fizikisht. Gjatë përplasjes verbale, ata përdorën fjalët “zhduku”, “s’të vjen turp”, “palaço”. Edmond Spaho i është drejtuar Gazment Bardhit me fjalët: Je shpifës, gënjeshtar dhe legen që thua që vila 760 mije euro është e njërit nga katër deputetët Noka, Shehu, Spaho, Leskaj.
Spaho reagoi më pas në rrjetet sociale. Ai e quan mashtrues, gënjeshtar, të pafytyrë, intrigant, burrë legen e deri te “pa të poshtme”. Spaho thotë se e ka të deklaruar të gjithë pasurinë e vet në ILDKP dhe i kujton Bardhit vrasjen e Elbasanit para zgjedhjeve të vitit të kaluar.
“Vetëm sharlatanë si Gazi mund të thonë shpifje të tilla për qëllime politike. Askush nga rrethi im familjar nuk merret me biznes dhe nuk ka pasuri të tilla. Gazi bën mirë të kujdeset për pronat e tij. Shiko hallet që të kanë zënë more derëzi, mos hap fronte të tjera se mjaft e ke ngjarjen në Elbasan”, thotë Spaho.
“Burrec” e quan Tritan Shehu në reagimin e tij, duke e ftuar që të bëjë denoncimin te strukturat përkatëse.
“Është vepër antiligjore, përveçse ndesh dhe me çdo normë morali, transparence, “burrërie”, të përhapesh aludime e meskinitete për kolegët në publik e media. Këtë po bën dhe Gazi prej disa ditësh, duke arritur kulmin mbrëmë, kur ngushton rrethin e të “akuzuarve” prej tij në 3-5 deputetë, përfshi dhe mua”, shkruan Shehu.