Up next

Raportimi i Varhelyi në PE, nga reforma zgjedhore tek anti-KÇK

17 Shikime· 05/08/20
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Një grup eurodeputetësh të së djathtës europiane kërkuan prej Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi detaje se në çfarë faze ishte plotësimi i kushteve të vendosura nga ana e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Pyetjet u bënë gjatë një seance të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku një pjesë e eurodeputetëve ishin të pranishëm fizikisht në sallë dhe pjesa tjetër përmes lidhjeve online ngritën shqetësimet e tyre.

Komisioneri i Zgjerimit tha se dy ishin çështjet e rëndësishme që po diskutohen aktualisht. Të parën renditi reformën zgjedhore dhe të dytën ligjin antishpifje, që u ngrit si shqetësim nga eurodeputeti suedez, David Lega. Në lidhje me paketën antishpifje, Varhelyi thotë se kishte marrë premtimin e Qeverisë shqiptare për të mos miratuar asnjë rregullore që mund të bjerë ndesh me atë se çfarë do të rekomandojë Komisioni i Venecias.

“Po, ne e kemi një plan për plotësimin e 15 pikave para se mbledhjes ndërqeveritare për negociatat dhe po punojmë me autoritetet shqiptare. Ka një progres në këtë drejtim dhe jam shpresëplotë se do të kemi një progres edhe domethënës në vazhdim. Janë dy çështje, reforma zgjedhore dhe e dyta ligji antishpifje. Kam marrë sinjale pozitive nga Qeveria shqiptar që nuk ka asnjë interes që të vazhdojë me rregulla që mund të cenojnë lirinë e medias dhe të shprehjes dhe që shkojnë përkundër rekomandimeve që do të japë Komisioni i Venecias”, deklaroi ai.

Në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioneri tha se vijojnë të mbeten një problem shqetësues për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por për Shqipërinë vlerësoi si mjaft pozitiv ligjin për bllokimin e pasurive të krimit të organizuar, miratuar në kuadër të paketës anti-KÇK.

Që ky ligj të jetë i suksesshëm, Varhelyi thotë se nevojitet bashkëpunimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi janë pikërisht këto vende ku krimi i organizuar shqiptar ka aktivitetin e tij më të madh.

“Nëse e shihni Shqipërinë, një ligj bllokimi asetesh kriminale u adoptua, ku çdo kriminel i akuzuar për krim të organizuar duhet të provojë menjëherë burimin e pasurisë. Kjo kërkon edhe bashkëpunimin e vendeve anëtare të BE”, deklaroi ai.

Sa i takon korrupsionit, Varhelyi deklaroi se ai mbetet një problem që kërkon vëmendje të vazhdueshme, për të gjitha vendet e rajonit.

Komisioneri u pyet gjithashtu mbi mundësinë që plani i rimëkëmbjes ekonomike post Covid-19 i Bashkimit Europian të zgjerohet edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai nuk e përjashtoi këtë si mundësi, por e mbetet për t’u vendosur në një periudhë të mëvonshme. “Është mirë që e njëjta krizë të luftohet me të njëjtat masa”, u shpreh Varhelyi.

Një tjetër shqetësim i eurodeputetëve ishte emigracioni. Komisioneri tha se BE po punon me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për reformimin e sistemit të arsimor në mënyrë që të përafrohet me standardet e Bashkimit Europian dhe të përgatisë e përshtasë më mirë me nevojat e tregut të rinjtë e rajonit.

Komisioneri foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe idenë e shkëmbimit të territoreve. Këtij skenari i la derën hapur pak ditë më parë edhe vetë Përfaqësuesi për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Por, disa eurodeputetë anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së e cilësuan si të rrezikshme këtë ide dhe kërkuan nga Brukseli që ta kundërshtojë me forcë.

Me një gjuhë diplomatike, vetë Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi nuk u rreshtua me asnjërën palë. Ai e cilësoi çështje dytësore shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Parësore, sipas tij mbetet rikthimi i palëve në tryezën e bisedimeve.

“Është një çështje dytësore që nuk ka asnjë kuptim që të diskutohet për ndryshim kufijsh, përsa kohë nuk kemi asnjë palë në tryezë, ndaj prioritet duhet të jetë rifillimi i dialogut dhe më pas faza tjetër për gjetjen e një marrëveshjeje. Shkëmbim territoresh, ose jo nuk është një çështje emergjence, por thjesht ndalon çdo dialog me kuptim”, u përgjigj ai.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next