Videot kryesore
Përmes një video-mesazhi të shprehur në anglisht dhe në gjuhën malazeze, Kryeministri Edi Rama bëri thirrje që të mbështet Milo Gjukanoviç në zgjedhjet që do të mbahen këtë të diel.
“Se ç’është më e mira për Malin e Zi unë nuk mund të gjykoj pasi nuk jetoj atje. Por ajo që mund të them pa asnjë ngurrim është se çfarë ka bërë Milo Gjukanoviç për Malin e Zi duhet ti bëjë krenarë të gjithë qytetarët e këtij shteti. Milo Gjukanoviç e ka bërë Malin e zi më të fortë dhe me të mirë. Askush në ditët e sotme nuk mund ta shpëtojë Malin e Zi, përveç njeriut qe e ka shpëtuar shumë herë. Milo Gjykanoviç e ka kthyer Malin e Zi në yllin shndritës të rajonit tonë’, thotë Kryeministri shqiptar në mesazhin e shpërndarë edhe nga mediat malazeze.
Thirrja e Edi Ramës duket se bie ndesh me fushatën e “Listës Shqiptare”, një koalicion që ka mbledhur rreth vetes partitë kryesore shqiptare atje me sloganin “Voto Shqip”, në përpjekje për të maksimizuar votën dhe për të shtuar numrin e mandateve në Parlamentin e ri. Nëse elektorati shqiptar atje unifikohet i gjithi rreth kësaj liste, shqiptarët mund të sigurojnë deri në 4 mandate në Kuvendin e ri malazez.
Ky mesazh i Edi Ramës nuk është pritur mirë nga partitë shqiptare në Mal të Zi, një pjesë e të cilave e kanë vlerësuar si të pakonceptueshme thirrjen e tij për të votuar Milo Gjukanoviçin dhe jo partitë shqiptare. Në fakt, ndryshe nga zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit të një viti më parë, Edi Rama nuk ka shfaqur publikisht të njëjtin entuziazëm për bashkimin e shqiptarëve.
Në atë kohë, Rama dhe Hashim Thaçi u qortuan nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç për ndërhyrje në punët e brendshme.
Sa i takon Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ai është treguar më i ekuilibruar. Thaçi nuk ka udhëzuar mbështetjen e asnjë partie, por ka kërkuar që shqiptarët të dalin masivisht në votime.
Ndërkohë, Lulzim Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë për partitë shqiptare.
“Ju bëj thirrje bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare. Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit”, tha ai.
Shqiptarët në këto zgjedhje nuk dalin plotësisht të unifikuar. Katër parti janë mbledhur rreth një liste të përbashkët, ndërsa tre subjekte të tjera garojnë më vete. Ndërkohë, tek shqiptarët atje, Milo Gjukanoviç është parë gjithmonë si “e keqja më e vogël” në krahasim me ekstremistët malazez dhe partitë serbe të Malit të Zi. Për këtë arsye, në zgjedhjet e 2018-ës, Gjukanoviç mori edhe mbështetjen e partive shqiptare.
Komisioni i Ligjeve u mblodh për të diskutuar draftet dhe amendamentet e propozuara nga mazhoranca dhe opozita parlamentare për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Rudina Hajdari kërkoi që mbledhja të shtyhet.
“Duhet ta shtyjmë këtë, sepse duhet të rakordohemi me opozitën jashtëparlamentare, kemi nesër një takim në këshillin politik dhe do të ishte e udhës të zhvillojmë atë takim dhe pas shqyrtimit të propozimit të opozitës jashtëparlamentare të bëjmë një takim tjetër. propozimi i opozites jashtëparlamentare preg shume nene të propozimeve sot”, u shpreh ajo.
Damian Gjiknuri e hodhi poshtë, duke thënë se Komisioni të vazhdojë punën me shqyrtimin e propozimeve të opozitës parlamentare dhe të mazhorancës, ndërsa për propozimin e PD-së ai të diskutohet në Këshill. Gjiknuri tha se halli i PD-së janë koalicionet.
Por, Myslim Murrizi u shpreh se veç koalicioneve, drafti i PD-së propozon edhe hapjen e plotë të listave.
Kjo është mbledhja e dytë e Komisionit me këtë temë. Kreu i Komisionit të Ligjeve tha se është bërë një draft i integruar mes propozimit të opozitës parlamentare dhe propozimit të Partisë Socialiste.
Manja kërkoi që opozita të tërhiqet nga ato nene që nuk kanë lidhje me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, mes të cilave është edhe propozimi për të kaluar në një sistem proporcional kombëtar.
Ky propozim është i Nismës Thurje, që në Kuvend është depozituar nga deputeti Ralf Gjoni.
Shqipëria dhe Greqia do t’u drejtohen gjykatave ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufirit detar.
Kjo është dakordësia e arritur mes dy vendeve e njoftuar këtë të martë nga Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.
“Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi I në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit”, njoftoi Kryeministri Edi Rama.
Nikos Dendias e konfirmoi këtë.
“Marrëveshja për t’iu drejtuar Hagës mbështetet në vullnetin e dy vendeve për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve”, u shpreh ai.
Kryediplomati grek tha gjithashtu se është rënë dakord që dy vende të rishikojnë marrëveshjen e ’96-ës, njohur si traktati i miqësisë mes dy vendeve dhe u zotua se do t’i jepet zgjidhje edhe çështjes së ligjit të luftës.
“Ramë dakord që të rishikojmë marrëveshjen e ’96 dhe ramë dakord që kjo marrëveshje ka nevojë për thellim dhe të bëjmë një marrëveshje të re. Tani kemi referuar çështjen e ligjit të luftës, është anakronizëm, edhe këtë do ta zgjidhim së bashku”, tha Dendias.
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Greqia që të trajtojë shqiptarët që jetojnë atje, ashtu sikundër trajton Shqipëria minoritetin grek.
“Nuk është një çështje e Greqisë çështja e të drejtave të minoriteti grek në Shqipëri, është edhe e jona gjithashtu. Nëse duam standarde dhe të drejta për minoritetin nuk e bëjmë se do Greqia, por është në nderin e Shqipërisë, por e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi”, tha ai.
Grimca të humorit të hollë shkodran janë shfrytëzuar nga Kryeministri Edi Rama për të kërkuar votën për Partinë Socialiste dhe kandidaten, Edona Bilali. Ky është mesazhi i dukshëm i videos së mësipërme të publikuar nga kryesocialisti.
Por, nëse merren parasysh zhvillimet e fundit politike, e sidomos ftesa që Rama i ka adresuar Lulzim Bashës për bashkëpunim dhe për t’u shkëputur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, videoja e mësipërme mund të interpretohet edhe si “bashkëqeverisje” mes PD e PS.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të diel një takim me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, që i mbajt në Bruksel. Në qendër të takimit ka qenë firmosja e një marrëveshjeje në lidhje me përdorimin e teknologjisë 5G.
Në fjalën e shkurtër, Rama ftoi vendet e tjera të rajonit që t’i bashkohen Shqipërisë në këtë pakt.
“Kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë, duke i kërkuar dhe të tjerëve, vendeve në Rajon, që të bëhen pjesë dhe të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi. Ta vëmë këtë korridor shërbimesh në duart e institucioneve shqiptare dhe të mos lejomë që të komprometohet nga aktorë të tretë. Është krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush dhe SHBA-ve, përherë. Faleminderit shumë për këtë dhe shpresoj që së bashku do i bindim miqtë të tjerë në Rajon”, deklaroi Rama.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Mendoj se po jepni një shembull të zëshëm për nevojën për t'u siguruar kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë dhe duhet të punojmë me furnizues të besuar. Jemi mirënjohës për punët që SHBA dhe Shqipëri kanë bërë me njëri-tjetrën dhe në shumë fusha që kemi ndërvepruar së bashku, siç ishte Defender 21. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Kombeve. Jemi mirënjohës që ju kemi partner dhe aleat”, tha Blinken.
Ky është takimi i parë i këtij lloji dhe mbërrin pak kohë pasi DASH shpalli non grata Sali Berishën. Edi Rama nuk e ka komentuar këtë vendim, ndërsa Sali Berisha e ka akuzuar se e ka nxitur këtë vendimmarrje të Uashingtonit përmes informacioneve të rreme që ka dorëzuar.
Kuvendi u mblodh në seancë plenare me disa çështje të rëndësishme për të diskutuar, që nga dekrete të Presidentit për kthim ligjesh, te kandidaturat e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës, deri te komisionet hetimore.
Por, një episod që përfshiu Lulzim Bashën dhe Eduard Shalsin që në fillim të seancës përcaktoi diskursin mes Bashës dhe Ramës. Përplasja nisi kur deputeti i PD, Luçiano Boçi kërkoi fjalën për procedurë, kërkesë që u refuzua nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Në vend të tij ajo ja dha fjalën kreut të Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.
Shalsi e nisi fjalën duke qortuar deputetët e opozitës që po flisnin nga vendi. “Keni një zakon të tmerrshëm, durimi për të dëgjuar. Është çështje edukate. Nëse nuk do të jeni në gjendje të duroni, të mësoni, prandaj jeni katandisur kështu”, tha ai.
Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Lulzim Bashës. “Pushoni mor plehra. Ta kërcas kokës. Dilni flisni këtu si derra. Hajdut! Plehër! Gjysma juaj duhet të jetë në burg! Je bërë uturaku i atij sipër (Ramës). Fundërrinë! Plehrë! Qelbësirë!”, tha Basha.
Përgjigjen nuk e mori nga Shalsi, por nga Kryeministri Edi Rama, që u shfaq “i zhgënjyer” nga fjalori i Bashës. Rama e këshilloi Bashën që të mos imitojë Sali Berishën.
“Mos hy në garë me atë të foltores duke e bërë gojën qenef, se në atë fushë është më i mirë ai se ty, se ai është origjinali, ti je kopja. Për qenefe ai është botërisht qenefi i Shqipërisë. Mos bëj konkurrencë qenef me qenef se nuk je. Si ai nuk bëhesh dot dhe nuk bëhesh kurrë. Ngrihu në lartrësinë e flokëve të krehura me kujdes dhe buzëqeshjes. Je i dalluar se i fsheh mirë ato që mendon, por të paktën jo me gojë. Nuk mund të bëhesh ti goja më shthurur e këtij Parlamenti. Për mua njëherë që të konsideroj mik, këto janë zhgënyese”, tha Rama.
Kryeministri akuzoi se gjuha e përdorur mund të jetë edhe e kushtëzuar nga përplasja e brendshme në PD me Sali Berishën. “Ai është halli yt! E di që e ke hall, por ne nuk ta zgjidhim dot. Atë hall zgjidhe vetë”, tha Rama.
Basha u kundërpërgjigj duke deklaruar se Berisha nuk është halli i tij, por është halli i Edi Ramës.
“E ka mendjen te dikush tjetër dhe flet për dikë tjetër. Zemra i rreh, por ustait që ja ka kaluar në të gjitha nuk i është afruar asnjëherë për gjërat e mira, por ça ka pas gjëra të këqia dhe vese ja ka kaluar me shumëfish”, tha Basha.
Godina e Partisë Demokratike është ende në rikonstruksion pas përplasjes së 8 janarit mes mbështetësve të Sali Berishës dhe atyre të Lulzim Bashës për kontrollin e saj.
Në korridoret e selisë kryesore të opozitës gjenden në rrëmujë veglat e punës, nga ato që kanë përforcuar dyert e deri te fikëset e zjarrit.
Dyert e përforcuara po mbulohen me adeziv me siglat dhe logot e partisë, ndërsa mes shkallëve gjen edhe “furnizimin e ri” me fikëse zjarri.
Nga imazhet që mbërrijnë nga brenda selisë, bombolat e fikëseve të zjarrit duken të grumbulluara në një vend të vetëm, të pashpërndara nëpër kate, apo pozicione ku do të shërbenin në rast të një zjarri real.
Detaji tjetër që bie në sy është sasia e relativisht e madhe e këtyre bombolave, që tregon se godina po përgatitet për të shuar një zjarr të madh, qoftë fizik, qoftë politik.
Protesta e thirrur nga Fronti i Shpëtimit Kombëtar, që PD thotë se e ka ngritur bashkë me shoqërinë civile nisi pak para orës 19:00 para Ministrisë së Brendshme.
Dhjetra protestues, mes të cilëve aktivistë të shoqërisë civile dhe drejtues të Partisë Demokratike u mblodhën para këtij institucionit me parrulla ku veç dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi kërkohej edhe dorëheqja e Edi Ramës.
Protesta me moton “Nuk e vrau varka, e vrau shteti” u thirr pas tragjedisë së Himarës, ku një 7-vjeçare humbi jetën pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga Arjan Tase, komisar policie me detyrë në Elbasan i shkarkuar tashmë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Protesta mbështet edhe nga Partia e Lirisë, ndërsa Ilir Meta dhe Sali Berisha nga PD kanë deklaruar se ajo është vrasje shtetërore, duke e cuar zinxhirin e përgjegjësise deri te Kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë, pak para nisjes së protestës ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është larguar nga godina e Ministrisë, duke deklaruar se nuk dëshironte që të keqkuptohej qëndrimi i tij brenda si provokim ndaj protestuesve.
Protestës iu bashkua edhe Sali Berisha e Ilir Meta, që thanë se shkonin aty si qytetarë. Berisha akuzoi Ramën se po shmangte përgjegjësinë dhe e fajësoi atë si njeriu që e politizoi ngjarjen.
Sipas Berishës, 7-vjecarja u vra nga njeriu i shtetit, duke iu referuar faktit që Arjan Tase ishte punonjës i policisë.
Pas Ministrisë së Brendshme, protesta u zhvendos para Kryeministrisë dhe Presidencë. Me thirrjet "Presidenti kukull", ata lanë 72 orë afat për dorëheqjen e 2 ministrave Çuçi dhe Kumbaro.