Videot kryesore
Dalja e përbashkët para mediave e Kryeministri Edi Rama dhe Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk pas takimit që zgjati pak më shumë se 40 minuta ishte e shkurtër dhe pa pyetje nga gazetarët. Megjithatë, koha ishte e mjaftueshme që në mesazhin e tij, kreu i KE-së të theksonte se Shqipëria meriton hapjen e negociatave.
Tusk kërkoi nga Shqipëria që të vazhdojë, sipas tij, përpjekjet e konsoliduara tashmë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe tha se nuk duhet të ketë më asnjë mëdyshje, as në Tiranë dhe as në vendet e Bashkimit Europian se Shqipëria meriton hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në tetor.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama e falenderoi për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit për në BE dhe në shenjë mirënjohje i akordoi medaljen “Ylli i Mirënjohjes”.
As Rama dhe as Tusk nuk pranuan pyetje nga gazetarët. Presidenti i KE mbërriti në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut, ku u takua me Presidentin Stevo Pendarovski dhe Kryeministrin Zoran Zaev. Kryetemë e takimeve të tij në Shkup dhe Tiranë ishin negociatat, por agjenda e takimeve ndryshoi. Nëse në Maqedoninë e Veriut ai u takua me Presidentin vendas, në Shqipëria, Tusk e shmangu një takim të tillë.
Prej më shumë se dy dekada, avionët e vetëm që janë ulur në Aeroportin e Kuçovës kanë qenë avionët luftarakë. Por, së fundmi është ulur në këtë bazë një avion transportues ushtarak, i përmasave të mëdha, siç është “MC-130J Commando II” i Forcave Ajrore Amerikane.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka njoftoi se prej disa ditësh, dy avionë të këtij llojit që janë mbështetës të Operacioneve Speciale Ajrore amerikane përdorën bazën e Kuçovës dhe atë të Rinasit.
“Forcat Speciale shqiptare treguan se janë të afta për të marrë pjesë në operacione speciale bashkë me kolegët e tyre amerikanë”, thotë Xhaçka.
“Do t’ia dalim mbanë! Gjithçka do të shkojë mirë!”. Ky ishte mesazhi i përcjellë në italisht nga Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste dhënë për Rai Neës24, ku shpjegoi edhe simbolikën e ndihmës humanitare që Shqipëria i ofroi Italisë përmes dërgimit të një ekipi me 30 mjekë dhe infermierë.
“Ky mision humanitar përfaqëson një demostrim solidariteti e popullit shqiptar dhe institucioneve të tij ndaj Italisë dhe popullit italian. Nuk është vetëm një gjest solidariteti, por një demostrim falenderimi që shqiptarët ndjejnë përballë Italisë dhe italianëve për të gjitha çfarë kanë bërë në të shkuarën për të na ndihmuar në momentet më të vështira të kombit tonë, popullit tonë”, u shpreh ai.
Meta thotë se koronavirusi është një sfidë e përbashkët për të gjitha vende, është një sfidë globale që po teston edhe marrëdhëniet mes popujve.
“Kombet tona, popujt tanë janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, përmes shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali në 30 vitet e fundit dhe italianëve që punojnë e jetojnë në Shqipëri, numri i të cilëve është rritur dhe vazhdon të rritet”, deklaroi Presidenti.
Dendias nga ana e tij tha se minoriteti grek në Shqipëri dhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi duhet të shërbejnë si ura lidhëse për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Në diskutime është përfshirë edhe çështja e pensioneve, ku Rama deklaroi se palët po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje.
Ndërkohë, nga Tirana, Nikos Dendias shënjestroi Ankaranë. Ai tha se Greqia ka kërkuar nga BE tërheqjen nga unioni doganor me Turqinë dhe vendosjen e një embargoje armësh.
"Turqia po shkel kriteret themelore të BE, nga ana politike dhe ekonomike dhe i kemi kërkuar BE që duhet të shqyrtohet marrja e masave. Kam vendosur këtë çështje me keqardhje që Komisioni të vërejë të gjitha shkeljet deri në tërheqjen nga Unionit Doganor. Kam theksuar nevojën që të ndalohet eksporti i materialeve ushtarake përkundrejt Turqisë, sepse këto materiale përdoren për veprime që destabilizojnë rajonin tonë”, tha ai.
Kjo deklaratë e tij u mirëprit me një “faleminderit” të thënë në greqisht dhe turqisht nga ana e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, si për të treguar se për Shqipërinë si Greqia, ashtu edhe Turqia janë partnerë strategjikë.
17
maji është përcaktuar si Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe
Bifobisë. Të hënën Ambasada PINK ka
njoftuar se në Sheshin “Skenderbej” komuniteti LGBTI, do të shpalosë falmurin shumëngjyrësh
në kryeqytet. Kjo ditë u vendos si e tillë në vitin 2004 për të tërhequr
vëmendjen ndaj dhunës dhe diskriminimit të përjetuar nga personat lezbike,
homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të diel një takim me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, që i mbajt në Bruksel. Në qendër të takimit ka qenë firmosja e një marrëveshjeje në lidhje me përdorimin e teknologjisë 5G.
Në fjalën e shkurtër, Rama ftoi vendet e tjera të rajonit që t’i bashkohen Shqipërisë në këtë pakt.
“Kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë, duke i kërkuar dhe të tjerëve, vendeve në Rajon, që të bëhen pjesë dhe të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi. Ta vëmë këtë korridor shërbimesh në duart e institucioneve shqiptare dhe të mos lejomë që të komprometohet nga aktorë të tretë. Është krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush dhe SHBA-ve, përherë. Faleminderit shumë për këtë dhe shpresoj që së bashku do i bindim miqtë të tjerë në Rajon”, deklaroi Rama.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Mendoj se po jepni një shembull të zëshëm për nevojën për t'u siguruar kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë dhe duhet të punojmë me furnizues të besuar. Jemi mirënjohës për punët që SHBA dhe Shqipëri kanë bërë me njëri-tjetrën dhe në shumë fusha që kemi ndërvepruar së bashku, siç ishte Defender 21. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Kombeve. Jemi mirënjohës që ju kemi partner dhe aleat”, tha Blinken.
Ky është takimi i parë i këtij lloji dhe mbërrin pak kohë pasi DASH shpalli non grata Sali Berishën. Edi Rama nuk e ka komentuar këtë vendim, ndërsa Sali Berisha e ka akuzuar se e ka nxitur këtë vendimmarrje të Uashingtonit përmes informacioneve të rreme që ka dorëzuar.
Momenti kur Prokurori i Tiranës, Dritan Gina u përpoq që të hyjë me forcë në sallën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pak para se ky i fundit të jepte vendimin për përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë për mosjustifikim pasurie.
Sipas deklaratës së drejtueses së KPK-së, Prokurori Gina kishte refuzuar që të kontrollohej nga siguria e organeve të vettingut para se të hynte në sallë.
Kryeministri Edi Rama viziton për disa orë Prishtinën në mesin e një krize e tensionesh mes Kosovës e Serbisë, për shkak të reagimit ekstrem të Beogradit pas vendimit të reciprocitetit të targave.
Vizita nis me organizimin e ceremonisë së pritjes nga Kryeministri Albin Kurti në Prishtinë rreth orës 09:00 dhe më pas takimi mes delegacioneve.
Rreth orës 10:20 minuta, sipas agjendës së publikuar pritet të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp mes dy kryeministrave.
Vizita vjen mes tensioneve të shkaktuara në veri të Kosovës nga serbët që protestojnë kundër reciprocitetit të targave. Shfaqjet e forcës së Beogradit në kufi me Kosovën, ku ka afruar tanke, ushtarë, avionë e helikopterë kanë nxitur shumë analistë e politikanë që të vënë në mëndyshje sinqeritetin e Serbisë në lidhje me nismën “Ballkani i Hapur”.
Gjithashtu, vizita e Ramës në Kosovë pason atë të Nju Jorkut, ku gjatë fjalës së mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kreu i Qeverisë shqiptare u bëri thirrje të gjitha vendeve që ta njohin pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe vetë Serbinë. Ai tha se OKB është e paplotë pa Kosoën anëtare të saj dhe se pavarësia është një realitet i pakthyeshëm.
Deklarata e Ramës për referendumin e bashkimit me Kosovën “bie” në veshët e ndjeshëm të eurodeputetit grek
“Nëse me pyesni në lidhje me hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të votoja pro, që të jemi të qartë. Në rast se më pyesni a do të ndodhë kjo a, po, unë them se do të ndodhë, por se kur nuk e di. Por, që do të ndodhë një ditë, unë them që po. E atyre që bërtasin për Shqipërinë e Madhe iu them se fallxhorët nuk gjykohen, pasi ky është një fall”.
Kjo deklaratë e bërë nga Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Albin Kurtin pas mbledhjes së shtatë të përbashkët të dy qeverive, mbajtur në Elbasan më 26 nëntor ka “goditur” veshët e ndjeshëm të deputetëve ekstremistë grekë në Parlamentin Europian.
Manolis Kefalogiannis, eurodeputeti i “Demokracisë së Re”, partia në pushtet sot në Athinë e cilëson këtë deklaratë si ekstremiste e nacionaliste, që bie ndesh, sipas tij, me parimet dhe vlerat e Bashkimit Europian.
Kefalogiannis thotë se kjo deklaratë është vazhdimësi e qëndrimeve të Tiranës që dëmtojnë marrëdhëniet e mira dhe bën thirrje për “Shqipërinë e Madhe”.
“Ai ka shprehur në të shkuarën pikëpamjet se dy vendet duhet të kenë një politikë të jashtme të unifikuar dhe një President të vetëm. Kjo natyrisht reflekton qëndrimet e nacionalistëve shqiptare me thirrjet e tyre për Shqipërinë e Madhe, që pretendon territore edhe nga Shkupi dhe Greqia”, deklaron eurodeputeti grek.
Sipas tij, këto qëndrime bien ndesh me përpjekjet e Bashkimit Europian për pajtim dhe bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe i kërkon Komisionit që të detyrojë udhëheqësit e rajonit që të vetëpërmbahen nga deklarata dhe veprime që mund të minojnë këto parime.
“Shqipëria po pret hapjen formale të negociatave, nddërsa Kosova, megjithëse zyrtarisht nuk njihet nga 5 vende anëtare të BE mbetet një kandidate potenciale për anëtarësim”, vijon eurodeputeti grek.
Kuvendi u mblodh të enjten në seancën e jashtëzakonshme për të miratuar ndryshimet në Qeveri, por në këtë seancë nuk mbeti pa u cekur edhe kërkesa e Autoritetit të Dosjeve për të ndryshuar ligjin dhe hapur rrugë verifikimit të dosjes me inicialet I.M., apo dosje të tjera të politikanëve të lartë.
Enkelejd Alibeaj mirëpriti nismën e Autoritetit të Dosjeve.
“Autoriteti i Dosjeve nuk e ka të drejtën e nismave ligjore, megjithatë sa herë që ka kërkesa për ndryshime ligjore, duhet të jetë fillimi e instalimi i një procedure të re që çdo nismë të diskutohet”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Taulant Balla nga ana tjetër shprehu gatishmërinë e socialistëve për të vepruar sa më shpejt dhe ndryshuar ligjin ashtu siç e kërkon Autoriteti i Dosjeve.
“Shpresoj që edhe zoti Alibeaj ta mbajë fjalën deri në fund, por ne si grup parlamentar i Partisë Socialiste jemi gati që të votojmë ndryshimet, edhe në Kodin Zgjedhor siç i propozon Autoriteti i Dosjeve”, deklaroi ai.
Në vazhdën e këtij qëndrimi, deputetëve të grupit parlamentar socialist u është lënë porosia që të jenë në gatishmëri, pasi Kuvendi mund të mblidhet sërish në një seancë të jashtëzakonshme, qoftë kjo edhe në muajin gusht, muaji zyrtar i pushimeve, për të miratuar këto ndryshime.
Autoriteti i Dosjeve ka propozuar shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas Autoritetit, ky nen pengon atë që të verifikojë politikanët e lartë që janë të pajisur me certifikata pastërtie figure nga dy komisionet Mezini e Bezhani në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000.
Propozimi tjetër është ndërhyrja në Kodin Zgjedhor që të detyrojë kandidatët për zgjedhje vendore e qendrore që të dorëzojnë formularët e pastërtisë së figurës pranë këtij autoriteti 70 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.