Up next

Zgjedhjet në Mal të Zi, Rama bën thirrje për të votuar Gjukanoviçin

30 Shikime· 08/26/20
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Përmes një video-mesazhi të shprehur në anglisht dhe në gjuhën malazeze, Kryeministri Edi Rama bëri thirrje që të mbështet Milo Gjukanoviç në zgjedhjet që do të mbahen këtë të diel.

“Se ç’është më e mira për Malin e Zi unë nuk mund të gjykoj pasi nuk jetoj atje. Por ajo që mund të them pa asnjë ngurrim është se çfarë ka bërë Milo Gjukanoviç për Malin e Zi duhet ti bëjë krenarë të gjithë qytetarët e këtij shteti. Milo Gjukanoviç e ka bërë Malin e zi më të fortë dhe me të mirë. Askush në ditët e sotme nuk mund ta shpëtojë Malin e Zi, përveç njeriut qe e ka shpëtuar shumë herë. Milo Gjykanoviç e ka kthyer Malin e Zi në yllin shndritës të rajonit tonë’, thotë Kryeministri shqiptar në mesazhin e shpërndarë edhe nga mediat malazeze.

Thirrja e Edi Ramës duket se bie ndesh me fushatën e “Listës Shqiptare”, një koalicion që ka mbledhur rreth vetes partitë kryesore shqiptare atje me sloganin “Voto Shqip”, në përpjekje për të maksimizuar votën dhe për të shtuar numrin e mandateve në Parlamentin e ri. Nëse elektorati shqiptar atje unifikohet i gjithi rreth kësaj liste, shqiptarët mund të sigurojnë deri në 4 mandate në Kuvendin e ri malazez.

Ky mesazh i Edi Ramës nuk është pritur mirë nga partitë shqiptare në Mal të Zi, një pjesë e të cilave e kanë vlerësuar si të pakonceptueshme thirrjen e tij për të votuar Milo Gjukanoviçin dhe jo partitë shqiptare. Në fakt, ndryshe nga zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit të një viti më parë, Edi Rama nuk ka shfaqur publikisht të njëjtin entuziazëm për bashkimin e shqiptarëve.

Në atë kohë, Rama dhe Hashim Thaçi u qortuan nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç për ndërhyrje në punët e brendshme.

Sa i takon Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ai është treguar më i ekuilibruar. Thaçi nuk ka udhëzuar mbështetjen e asnjë partie, por ka kërkuar që shqiptarët të dalin masivisht në votime.

Ndërkohë, Lulzim Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë për partitë shqiptare.

“Ju bëj thirrje bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare. Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit”, tha ai.

Shqiptarët në këto zgjedhje nuk dalin plotësisht të unifikuar. Katër parti janë mbledhur rreth një liste të përbashkët, ndërsa tre subjekte të tjera garojnë më vete. Ndërkohë, tek shqiptarët atje, Milo Gjukanoviç është parë gjithmonë si “e keqja më e vogël” në krahasim me ekstremistët malazez dhe partitë serbe të Malit të Zi. Për këtë arsye, në zgjedhjet e 2018-ës, Gjukanoviç mori edhe mbështetjen e partive shqiptare.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next