Videot kryesore
Gazeta gjermane “Bild”, ka publikuar sot bombën e re të audio-përgjimeve, të cilat lidhin sipas medias së njohur qeverinë shqiptare me mashtrimi elektoral, blerjen e votave dhe shantazhimin e votuesve të opozitës.
Tronditet Miloti. Dy persona janë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qendër të këtij qyteti. Njëri prej tyre, Klisman Preçi, 28 vjeç, ka ndërruar jetë, teksa po transportohej për në spital.
I plagosur rëndë ka mbetur shtetasi Ylli Brahimi, i cili është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë. Preçi dhe Brahimi janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar nga një automjet tjetër.
Janë të dy persona me precedentë të mëparshëm penalë. Ndaj të dyve janë bërë atentate edhe më parë. Policia ndodhet në vendgjarje dhe ka nisur hetimin për shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Makina tip "Landrover", me të cilën udhëtonin Preçi dhe Brahimi, ndodhet ende aty, pasi po bëhet ekspertiza.
Në fshatin Gramze të Krujës ndërkohë është gjetur një automjet tip "Audi" duke u djegur, që dyshet se mund të jetë i atentatorëve. Brenda saj është gjetur një armë automatike e llojit kallashnikov.
Një tjetër ngjarje tronditëse kjo, pas asaj të pak ditëve më parë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku u ekzekutuan tre persona.
Legalizimi i kanabisit në Maqedoninë e Veriut nuk ka dhënë efektet e pritura financiare në ekonominë e vendit.
Deklarata u bë nga ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, i cili ndodhej në Tiranë këtë të hënë për një vizitë zyrtare.
“Nuk ka dhënë rezultatet e duhura për shkak të legjislacionit që kemi në fuqi, ku lejohet vetëm prodhimi dhe eksporti i vajit të kanabisit dhe nuk kemi teknologjinë dhe tregun e duhur nga ana e investitorëve që janë duke bërë investimet për këtë. Pothuajse nuk ekziston eksporti i këtij produkti. Duhet ndërhyrje në rregullore dhe legjislacion për të lehtësuar tregtinë për këtë produkt”, deklaroi Bekteshi në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj.
Ibrahimaj tha se nuk ka ende një draft për legalizimin e kanabisit, por deklaroi se po punohet dhe ai do të përmbyllet deri në korrik.
“Qeveria ka nisur punën për legjislacionin që do të shoqërojë legalizimin, s’kemi draft të përfunduar, ta përmbyllim brenda këtij sesioni parlamentar”, tha ajo.
Ministri i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi shprehu gatishmërinë që Shkupi të ofrojë përvojën e vet në hartimin e këtij ligji dhe rregulloreve përkatëse, duke qenë se e ka legalizuar kultivimin e kanabisit që në 2016-n.
Lapsusi i Ministres së Bujqësisë ishte titull në çdo portal. Por fjalia e saj "është e rendë të thuash se rritja e çmimeve nuk ka ardhur nga lufta" vlen të diskutohet me shumë se lapsusi njerëzor".
E them këtë se ministrja e Bujqësisë është ndër të paktat ekonomiste me përvojë që ka kabineti qeveritar.
Të bindësh veten edhe pastaj publikun "që rritja e çmimeve ka ardhur vetëm nga lufta" nuk i shkon arsyetimit të një ekonomisti mediokër jo më një ministri.
Besoj ministrja e di që Inflacioni është si temperatura e trupit - nuk është një shkak, por një simptomë e problemeve të mundshme themelore.
Pra, për ta trajtuar siç duhet atë, së pari duhet bërë një vlerësim i saktë klinik i arsyeve që e kanë shkaktuar këtë situatë.
Shenjat e para të inflacionit kanë filluar në mars të vitit 2021 dhe që prej tetorit 2021, ka nisur diskutimi nëse inflacioni ishte tranzitor apo do të qëndronte gjatë.
Mjaftuan vetëm 2 muaj dhe në dhjetor të vitit 2021 optimizmi ra. Bankat qendrore duke përfshirë edhe Bankën Qendrore Shqiptare, e hoqën nga narrativat e tyre fjalën tranzitor edhe pranuan që inflacioni do të qëndronte me ne deri në 2023.
Thënë këtë që pas rihapjes së ekonomive pas bllokimeve të COVID, inflacioni filloi të bëhej një problem.
Pyetja që duhet të shqetësonte çdo ekonomist politik-bërës që prej mesit të 2021 ( përfshirë këtu edhe Ministren e Bujqësisë) ishte përcaktimi i arsyes së rritjes së inflacionit. A u rrit ai si rezultat i stimulit të tepërt monetar, apo ishte ringjallja e kërkesës globale e cila tejkaloi aftësinë e furnitorëve për të përballuar kërkesën (e ashtuquajtura "çarje apo pengese" e zinxhirit të furnizimit), e cila u kombinua edhe me rritjen e mprehtë të çmimeve të energjisë?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve përcaktojnë edhe mjetet me të cilat përballohet situata.
Fjalia e parë e ministres me shqetësoi pikërisht sepse tregonte mungesën e kësaj analize. Tregoi mohimin e shkaqeve të inflacionit, edhe si rrjedhim pamundësi për ta kontrolluar.
Ndërkohë që Ministrja deklaronte që çmimet janë rritur për shkak të luftës, duke e konsideruar të rëndë çdo pohim tjetër, Banka e Shqipërisë rriti normat e interesit.
Shkaku inflacionit i përshkruar nga ministrja, nuk "mjekohet" me rritjen e normave të interesit.
Kjo mospërputhje shkaqesh me mjetet e përdorura do të ndikojë tek fermerët, të cilët jo vetëm janë në kushtet e shtrenjtimit apo edhe mungesës së lëndës së parë, por tani e tutje do të përballen edhe me rritjen e kostos së borxhit. Ndihma shtesë nga shteti është 500 milion lek.
Ndërsa u gajasëm me lapsusin e saj, nga sot kemi një kosto me shumë për fermerët.
Gratë e opozitës dhe ato të qeverisë u vunë në një garë denoncuese të ofendimeve, që sipas tyre pësojnë çdo seancë plenare në Kuvend.
Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Flutura Açka nga njëra anë shënjestruan Kryeministrin Edi Rama, ndërsa Belinda Balluku dhe Klotilda Bushka sollën pjesëza nga fjalimet e Lulzim Bashës dhe të deputetit Agron Gjekmarkaj.
Deputetja dhe nënkryetarja e PD, Grida Duma kujtoi episodin e fushatës elektorale, kur imazhi i saj u përdor gjatë prezantimit të kandidatëve nga ana e Kryeministrit Edi Rama.
Jorida Tabaku foli gjithashtu për ofendime të Kryeministrit, vetëm e vetëm, siç tha ajo se denoncon me shifra keqqeverisjen e tij. Flutura Açka nga ana tjetër tha se do të kërkojë që të merren masa në komisionin e etikës, ndërsa akuzoi koleget socialiste se kanë heshtur përballë këtyre episodeve.
Klotilda Bushka kërkoi që të respektohej rregullorja dhe tha hodhi akuza të ngjashme, por ndaj deputetëve burra të opozitës. Ministrja Belinda Balluku solli episodin e një fjalimi të deputetit Agron Gjekmarkaj, në seancën e parë të Kuvendit, ku gratë në qeveri, sipas saj, u quajtën “haremi” i Kryeministrit.
Balluku u ndal edhe te fjalimet e Bashës, të cilin e akuzoi se po në seancë të parë i ka quajtur ministret “kukulla pas të cilave qëndrojnë kriminelë dhe oligarkë”.
Qeveria do t’i propozojë Kuvendit ndryshime në ligjin për noterinë, duke përfshirë kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetin mes kushteve për të ruajtur dhe marrë licencën për këtë profesion.
Ndryshimet e propozuara janë një formë vettingut që do t’i nënshtrohen të gjithë noterët në vend, edhe ata që gëzojnë aktualisht këtë licencë. Kriteret, ndryshe nga vettingut i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të jenë vetëm dy.
“Ndryshimet që propozohen sot jo vetëm vendosin kritere të reja në profesionin e noterit dhe zv.noterit, por është as më shumë dhe as më pak një proces vettingu për noterët që janë në këtë shërbim dhe që kanë të bëjnë me verifikimin e kontakteve të papërshtatshme, apo lidhje me krimin e organizuar, apo persona të dënuar për kryerjen e veprave të rënda penale, apo që janë pjesë e listës së personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Por, nëse për vettingun e prokurorëve dhe të gjyqtarëve u ngritën dy institucione të pavarura, vettingun e noterëve do ta realizojë vetë Qeveria.
“Ligji ka përcaktuar edhe mekanizmat e filtrimit të këtij shërbimi. Është edhe Ministria e Drejtësisë që përmes inspektimeve të planifikuara, apo hetimeve proaktive që do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi”, sqaroi ministri Manja.
Projektligji i vettingut për noterët është një ide e hershme e Qeverisë. Ndryshimet janë propozuar që para zgjedhjeve të 25 prillit, duke shkaktuar reagimin kundër të komunitetit të noterëve. Por, në propozimin fillestar mes kritereve të rivlerësimit të noterëve ishte edhe ai i justifikimit të pasurisë, që në projektligjin e miratuar këtë të mërkurë nga Qeveria mungon, të paktën sipas deklaratave të ministrit Ulsi Manja.