Videot kryesore
Lulzim Basha prezantoi përmes një video-mesazhi se përse propozimet e opozitës për reformën zgjedhore janë me rëndësi për të garantuar mirëqeverisjen, llogaridhënien dhe shtetin ligjor. Kreu i PD-së thotë se sistemi duhet të reformohet që t’i takojë popullit dhe jo vetëm partive politike.
Sipas Bashës vota e shqiptarëve ëshë zhvlerësuar për shkak të paracaktimit të rezultatit si pasojë e ndërhyrjes së krimit të organizuar në shit-blerjen e tyre. Për këtë arsye, ndryshimi i parë që ai propozon është një mekanizëm strik dhe kushtetues kontrolli të figurës së kandidaturave. Ky kontroll duhet t’i besohet një organi të pavarur.
Ndryshimi i dytë i propozuar nga Basha lidhet më shumë me vullnetin politik. Basha premton tolerancë zero për të gjithë ata që përfshihen në shitblerjen e votës. “Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg”, tha ai.
Pika tjetër që ceku kreu i demokratëve lidhet me financimin e partive, një pikë për të cilën palët duket se kanë ndasi në Këshillin Politik. Basha vë theksin se përse nevojitet financimi 100 për qind nga buxheti i shtetit, apo mekanizmi penalizues për individët, apo kompanitë që financojnë partitë politike.
“Që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë”, deklaroi Basha.
Identifikimi, votimi dhe numërimi elektronik është një tjetër kërkesë që sipas opozitës përforcon garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha kërkon gjithashtu një sistem më të thjeshtë dhe për këtë nënkupton mbajtjen edhe të një referendumi.
“Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë. Vendimi për sistemin duhet t’u takojë të gjithë qytetarëve, jo vetëm partive politike”, shtoi Basha.
Që sistemi zgjedhor të sigurojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve dhe që pushteti të mos përqëndrohet në një dorë Basha propozon edhe ngritjen e një Senati në Parlament. Kjo, sipas Bashës nuk do të lejonte imponimin e pushtetit ekzekutiv ndaj atij legjislativ.
“40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”, shtoi Basha.
Pika tjetër lidhet me qeverinë kalimtare, ose qeverinë kujdestare për zgjedhjet. Basha propozon që deri kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, 100 ditë paara zgjedhjeve caktohe tnjë qeveri që do të menaxhojë procesin zgjedhor dhe garantojë zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë.
Qëndrimi i kryetarit të Partisë Demokratike për reformën zgjedhore mbërrin në një kohë që Këshilli Politik, organi jashtëparlamentar i ngritur nga demokratët dhe socialistët me detyrë hartimin e reformës zgjedhore brenda 15 marsit nuk e zhvilloi mbledhjen e radhës këtë të premte. Shtyrja është kërkuar nga ana e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.
Mbledhja e radhës është përcaktuar për ditën e hënë, kur PD pritet që të paraqesë në tryezë, propozimet e opozitës për reformimin e administratës zgjedhore. Ajo që dihet deri më tani është që socialistët kërkojnë depolitizimin e administratës, ndërsa PD është skeptike për këtë.
Partia Demokratike thotë se ndryshmet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare dhe të mbështetura edhe nga socialistët, shkelin në të paktën dy nene marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik të 5 qershorit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi doli në një konferencë për shtyp ku tha se ndryshimet në nenin 68 të Kushtetutës cenojnë dakordësimin në nenin 19 të marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik.
“Drafti i dakordësuar dhe firmosur nga palët, që Edi Rama thotë se do ta miratojë pa ndryshime. parashikon se “partitë pjesëtare të koalicionit të garojnë me lista shumëmërore të veçanta”. Pra, marrëveshja, jo vetëm lejon koalicionet parazgjedhore, por u jep mundësinë partive politike brenda një koalicioni të garojnë me lista të veçanta”.Thuhet shprehimisht se “Për partitë pjesëtare të koalicionit që garojnë me lista shumemërore të veçanta numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy”, deklaroi Bardhi.
Neni tjetër që shkelet nga ndryshimet kushtetuese, sipas Bardhit është neni 36 i marrëveshjes së nënshkruar mes palëve.
“Ku thuhet shprehimisht se “në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”. Siç duket qartë, e zezë mbi të bardhë: PS ka rënë dakord dhe ka firmosur që jo vetëm të vazhdohet me koalicionet parazgjedhore, por gjithashtu që një parti politike, pjesë e një koalicioni parazgjedhor, të paraqesë listën e vet të veçantë”, shtoi Bardhi.
Vetë Kryeministri Edi Rama thotë se pakti me opozitën parlamentare nuk cenon draftin e arritur në Këshillin Politik me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe zotohet që ta votojë atë në Parlament pa asnjë ndryshim, ashtu sicc është rënë dakord.