Rama: 30 korriku nuk lëviz! Listat hapen, koalicionet ndryshojnë
Zyrtarisht Partia Socialiste thotë se do t’i kthejë përgjigje ditën e martë propozimit të Partisë Demokratike për hapje të plotë të listave, me kushtin e mosndryshimit të formulës së koalicioneve dhe të formulës aktuale të përllogaritjes së mandateve.
Por, jozyrtarisht një ide se cili do të jetë qëndrimi i socialistëve në mbledhjen e radhës të Këshillit Politik e dha Kryeministri Edi Rama, që mes rreshtave iu drejtua si PD-së, ashtu edhe Presidentit, por edhe duke garantuar për opozitën parlamentare se nuk do ta prekë paktin e nënshkruar me ta.
“Përsëris apelin për PD-në që të mos lodhet duke kundërshtuar 30 korrikun. 30 korriku është kry! Është marrëveshje e nënshkruar, është e mbyllur! Për 30 korrikun, Presidenti nuk ka asnjë të drejtë për ndryshimet kushtetuese, as nuk i kërkohet që të ketë një opinion. Thjeshtë duhet ta pranojë, sikur do ta pranojnë të gjithë. Ashtu si në ’98, Kushtetutën do ta njohin dhe do t’i nënshtrohen ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut të gjithë. 30 korriku nuk lëviz!”, tha ai.
Kryeministri u tregua elastik sa i takon sasisë së hapjes së listave, por jo tek formula e koalicioneve.
“Hapja e listave patjetër mund të jetë edhe 100%. Koalicionet? Jo, të drejtën për t'u bashkuar në çadër nuk do ta heqim, por do ta sanksionojmë. Listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Europë", u shpreh ai.