Videot kryesore
Presidenti Ilir Meta ftoi qytetarët që pasditen e 2 marsit t’i bashkohen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku tha se do të firmosë dekretin e parë kundër atij që e quan ‘grusht shteti’.
“Më 2 mars do të firmos dekretin e parë kundër grushtit të shtetit para popullit shqiptar në bulevard në një besëlidhje për të shpartalluar regjimin e oligarkëve dhe mafiozëve, që kanë shndërruar vendin në një qendër të pastrimit të parave, bazë operacionale e krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar. Më 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në Bulevard, falë popullit shqiptar nuk do të ketë vetëm një institucion që mbron Kushtetutën”, deklaroi ai.
Opozita parlamentare reagoi ndaj sulmeve të kryeministrit Edi Rama, i cili e akuzoi opozitën se po bëhet palë me ata që kundështojnë aktin kundër KÇK-së. Deputeti Myslim Murrizi iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke i thënë se “dy nga ministrat e tij të brendshëm janë ortakë me ato që janë subjekte të OFL-së.
“Dy ministrat e tu të Brendshëm, kampioni yt dhe ai tjetri, janë ortakë të subjekteve të OFL-së, janë kapur në përgjime me ta. Pse nuk i shkon ajo biondja me syze në shtëpinë e tyre t’u trokasë. Pate dhe hallin e ministres së Drejtësisë se ta paska sharë krushku yt. Lëri krushqit se merren vesh vetë”, tha Murrizi.
Deputeti i opozitës, Andi Përmeti i ka lëshuar batuata thumbuese Edi Ramës, duke i thënë se “sot në seancë foli si kryeministër, pasi është xhelozuar ngaqë Basha u bashkua me Metën, duke i ikur marrëveshjes që kishte”. Nga ana tjetër, demokratja Rudina Hajdari u shpreh se krimi i organizuar ka rritje dhe se është shtuar numri i vrasjeve. “Rama është mjeshtri i bërjes së reklamave, pasi nxjerr çdo ditë zëdhënësen e OFL-së, për të mbuluar ngjarjet e rënda që ndodhin në Shqipëri”, tha Hajdari.
Ndaj këtyre qëndrimeve ka replikuar kryeministri Edi Rama. “Dëgjova një gjë këtu “që është shumë e rëndësishme se si e marrin nga njëri-tjetri”; “je i shqetësuar në fytyrë” tha ky parafolësi, “je mërzitur” tha ai tjetri “të ka marrë dashurinë tënde”... Por ti do ta kuptosh që je njësoj me të, ndaj Luli shkon lule më lule se të gjitha lulet janë njësoj. Pse të rrijë me një lule?! E kupton çfarë i bëre Lulit duke u përpjekur ta mbrosh? Por ai nuk shkon lule më lule, ai është thjesht ku rafsha mos u vrafsha e varet se ku bie. Kur bie në duar të mira siç ra tek unë, i bien të mira që nuk i kupton se i vijnë ata e i thonë të ka marrë në qafë”, theksoi Rama. Ndërsa u shpreh se opozita po luan rolin e figurantit, duke u vënë nën shërbim të Metës.
“Si mundet që një opozitë dhe të bëhet servis i Kinostudios Shqipëria e re për të mbështetur Vojo Amerikanin?! E keni parë filmin Debatiku. Ishin dy që mblidhnin figurantë që të bëhej vrasja e Colit në një skenë me pleq me plaka dhe në fund vihet ajo muzika që fitoi Coli, pavarësisht se vdiq. E keni parë filmin Debatiku, ku eshte ajo shprehja “na e vranë colin o none”. Kanë qenë dy personazhe që e braktisën nga të parët rrugën e revolucionit demokratik kur panë që revolucionin e mori në dorë kush vinte nga ana tjetër. Mblidhnin figurantë këta, e kishin mbushur rrugën që të bëhej vrasja e Colit mes pleqve e plakave. Po si mund të katandiset PD në këtë farë feje? Damiani do ulet, madje ai ka qenë ulur, ata erdhën u ulën, ne themi pse rrinë në këmbë për të bërë figurantin? Nejse...”, tha Rama. Sakaq kryeministri përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhje të parakohshme, ndërsa sulmoi deputeten Hajdari se nuk kishte ide dhe se nuk e di se në “cilat lëndina e vila shëtit dhe e sheh dhe flet këtu për krimin e organizuar që ka lulëzuar”.
Kryeministri më pas është larguar nga seanca, por fjalimi i tij e detyroi opozitën të reagonte sërish. “Ai ikën gjithmonë. Zoti Rama, mesa duket, do t’ia falë tradhtinë dashurore Bashës, por është xheloz nga përdorimi i Bashës nga Ilir Meta. Atij i vjen keq se vetë e ka përdorur Bashën në mënyrën më të keqe të mundshme në vitin 2017, por ai harron se për këtë populli nuk do t’ia falë kurrë atyre, sepse ata janë njësoj Rama-Meta, Basha-Meta. Këta janë treshe dhe duhen larguar”, theksoi Përmeti.
PD: 10 gënjeshtrat e Ramës. Erdhe nga Aleanca e Qelbësirave
Partia Demokratike reagoi ndaj sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës, duke theksuar se është bërë palë për të mbrojtur kriminelët nga anti-KÇK-ja. “Gjoja u revoltua me ata nuk mbrojnë të ashtuquajturin ligj anti-KÇK, por vetë erdhi në pushtet me Aleancën e Qelbësirave dhe të Kriminelëve. Thotë se opinioni mbështet 72% të ashtuquajturin ligj anti-KÇK, por nuk tregon se 87% nuk beson se qeveria do ta zbatojë ligjin kundër krimit. Gjoja vajtoi për vajzat e trafikuara, por bëri deputetë 2 trafikantë vajzash, Arben Ndokën, Mark Frrokun dhe kryebashkiak një përdhunues, Elvis Roshin. Bën sikur po lufton krimin e organizuar, por banda e Avdylajve është e regjistruar me Vangjush Dakon, që blejnë vota për Edi Ramën për t’i bërë surprizë 10 deputetë në Durrës”, tha PD në një reagim zyrtar.
“(Rama) Flet për të burgosur që do të vuajnë me 41 bis, por Agim Kajmaku shëtit i lirë në mes të Tiranës dhe Edi Rama vazhdon ta majmë me tendera publikë. “Vajton” për 28 kriminelë të liruar nga gjykatat, por nuk thotë se ata u liruan me firmën e drejtorëve të tij të burgut dhe kryebashkiakëve të tij garantë. Deklaroi se për herë të parë po preken të paprekshmit, por deri tani nuk është konfiskuar asnjë pasuri domethënëse e krimit të organizuar. Tha se pasuritë e politikanëve janë të kontrolluara, por nuk tha se ku i gjeti ai 2 milionë euro për të ndërtuar vilën luksoze në Surrel. Shpalli dashurinë për shqiptarët, por në 7 vjet vetëm i ka vjedhur, u ka rritur taksat dhe i ka burgosur”, thuhet në reagimin e PD-së. Më pas kryedemokrati Lulzim Basha, postoi në rrjetet sociale një video me të ish-kryebashkiakë dhe ish-deputetë socialistë (si Arben Ndoka, Mark Frroku, Elvis Roshi etj), të cilët u bënë subjekte të ligjit të Dekriminalizimit.
Emigrantë shqiptarë të bllokuar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë përleshen me policinë në doganën e Kapshticës.
Qëndrimi përballë portave të mbyllura të doganave për orë, madje edhe për ditë me radhë i ka detyruar mjaft emigrantë që të pranojnë “një ofertë të pakërkuar” nga ana e punonjësve të policisë kufitare, si të vetmen rrugë për t’u rikthyer në shtëpi.
Burime të sigurta të gazetës “Si” rrëfejnë se në Kapshticë dhe Kakavijë po luhet këto ditë një lojë si “macja me miun”. Përballë urdhrit të eprorëve që të mos lejojnë askënd që të hyjë në Shqipëri pa marrë më parë një autorizim nga konsullata shqiptare në Greqi, apo pa pasur arsye të forta shëndetësore dhe humanitare, policët kufitarë “udhëzojnë” nën zë personat e bllokuar që të hyjnë ilegalisht në Shqipëri, pra të kalojnë kufirin nga mali.
“Pjesa më e madhe kanë lëvizur me pasaporta dhe kanë mbetur si në çark pasi kanë marrë vulën e daljes nga Greqia. Nuk mund të kthehen mbrapsht, nuk lejohen as të hyjnë këtej”, thonë burimet për gazetën “Si”.
Pasi kalojnë kufirin e gjelbër, emigrantët “kapen” nga policia shqiptare dhe gjobiten me minimumi 10 mijë lek të reja secili dhe më pas shpërndahen nëpër zonat nga janë. Gjoba është “kompromisi” që vetë emigrantët e pranojnë.
“Ça të bëja?! Qëndrova 40 orë atje në të ftohtë. Nuk qëndroja dot më shumë! Kalova nga mali, mora gjobën dhe erdha në shtëpi”, thotë për gazetën “Si” njëri prej emigrantëve që ka përdorur këtë skemë në kushte anonimati.
Vetëm ditën e premte janë gjobitur 18 shtetas në Kakavijë për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe shkeljen e masave kufizuese të marra kundër përhapjes së koronavirusit. Ata që këmbëngulin që të hyjnë nga “dera kryesore”, duke shmangur kështu gjobitjen, në Kapshticë janë revoltuar ditën e diel, duke bllokuar kamionët me mallra që të hyjnë në Shqipëri, në shenjë proteste për bllokimin e tyre në tokën neutrale. Të dielën në këtë pikë kalimi kufitar numri i tyre ishte rreth 50 vetë, mes të cilëve edhe gra, pleq e fëmijë.
Numri i atyre personave që mbeten të bllokuar në zonën neutrale ndryshon nga dita në ditë. Një pjesë e mirë e atyre që janë me leje qëndrimi në Greqi rikthehen sërish mbrapsht, ndërsa ata me pasaporta mbeten të zënë në kurth në tokën e askujt dhe pas orësh e deri ditësh pritjeje hyjnë ilegalisht nga kufiri i gjelbër.
Për këto arsye askush nuk mund të japë një shifër të saktë se sa shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në kufi, përveç autoriteteve greke, që në të gjitha rastet kanë regjistruar vulën e daljes. Nga pala shqiptare refuzohet komenti mbi këtë çështje dhe të vetmet deklarata janë reagimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ministrisë së Brendshme, ku e para kujton se është në fuqi urdhri për mbylljen totale të kufijve dhe e dyta thotë se askush nuk do të lejohet që të shkelë këtë urdhër.
Gazetarët dhe mediat nuk lejohen nga autoritetet shqiptare që t’i afrohen zonës neutrale dhe i vetmi burim informacioni mbeten vetë emigrantët e bllokuar që postojnë foto dhe video përmes rrjeteve sociale në përpjekje për të ngritur zërin për shqetësimin e tyre.
Në përpjekje për të mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit, që ushtroi dhunë ndaj një 15-vjeçari që kishte shkelur rregullat e ndalim-qarkullimit dy javë më parë, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu duket se i ka shtuar më shumë telashe vetes.
Veliu paraqiti para Komisionit të Sigurisë një video të dy grave, njëra prej të cilave është me pistoletë në dorë. Ai tha se “nuk po e tregonte këtë video për të marrë në mbrojtje policinë, por për të treguar se nga ç’familje mbërrinte adoleshenti 15-vjeçar”.
“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim Duhet të kemi parasysh se çfarë përfaqëson ai djali”, deklaroi Veliu para deputetëve të Komisionit.
Ajo që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk sqaroi ishte se videoja që ai tregoi ishte shkëputur nga prapaskenat e xhirimit të një filmi, ku mamaja e 15-vjeçarit, Zaida Çobo ka marrë pjesë si aktore.
Vetë Zaida Çobo e sqaroi më vonë këtë pjesë, madje në rrjetet sociale qarkulluan edhe vide-fragmente nga roli i saj në filmin në fjalë.
Deklarata e Veliut shkaktoi furtunë në internet, ku kreu i Policisë së Shtetit u akuzua se “i bëri gjyqin publik një familjeje” dhe për “rrëmim në jetën personale të një nëne”, që nuk ishte as e kërkuar dhe as e dyshuar për ndonjë krim.
Nga aktivistë e deri tek studiues të shkencave politike në vendin tonë dënuan deklaratën dhe kërkuan dorëheqjen e Veliut.
“Drejtori i Policisë fyeu, denigroi dhe cenoi jetën private të një 15 vjecari. Ai mori në mbrojtje dhunuesit e tij. Shfaqja e drejtorit Veliu ishte jo etike, jo ligjore, jo demokratike. Ai duhet të kërkojë ndjesë familjes dhe publikut. Nëse jo ai meriton reagim & largim sa më parë”, shkruan drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi.
Dorëheqjen e kërkoi edhe Partia Demokratike.
“Sipas këtij qëndrimi kriminal, nëse Ardi Veliut nuk i pëlqej çfarë bëj unë apo ti, atij i lind e drejta të na rrahë fëmijët, pastaj të gërmojë në jetën tonë private, të vjedhë fotot dhe videot tona në rrjetet sociale, siç ka bërë me ato të nënës së djalit, të sajojë me to një histori dhe, në fund, ta bëjë atë publike për të na dhunuar e për të na poshtëruar përsëri”, deklaroi ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.
Kryeministri Edi Rama solli fjalën e eurodeputetes, Genoveva Ruiz Calavera për të përforcuar pretendimin e tij se nuk ka 15 kushte të vendosura nga Bashkimit Europian para hapjes formale të bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë.
Rama e shoqëron videon e publikuar nga fjala e zonjës Calavera në Komitetin për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, mbajtur ditën e hënë me një shënim për të gjithë ata që pretendojnë të kundërtën.
“Për të gjithë ata që e këndojnë apo e përsërisin pasi e dëgjojnë, këngën e 15 kushteve për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk ka 15 kushte dhe kush e përsërit atë këngë e ka thjesht për qëllimin politik të luftës qorre me Qeverinë në mexhelisin poplitik dhe mediatik”, shkruan Rama.
Ndërkohë, në fjalën e saj në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE-së, Calavera flet në emër të Komisionit Europian, si drejtore në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Zgjerimit. Ajo e pranon se janë 15 kushte, por sqaron eurodeputetët e këtij Komiteti se jo të gjitha janë vendosur për t’u plotësuar përpara hapjes formale të negociatave.
“Të 15 kushtet janë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por mendoj se ne duhet t’i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve ndërqeveritare. Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushte të tjera që duhet të plotësohen në përparimin e Shqipërisë drejt Europës dhe të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare”, tha Calavera.
Eurodeputetja u referohet tre kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman dhe më pas të pasqyruara edhe në vendimin e Këshillit Europian, që përcaktoi si kushte që duhen plotësuar përpara mbledhjes së parë ndërqeveritare plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, plotësimin e Gjykatës së Lartë dhe reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Pas Partisë Demokratike, që është në një fazë të avancuar të përzgjedhjes së kandidaturave për deputet, edhe Partia Socialiste do t’i drejtohet bazës për të marrë mendim për emrat mbi bazën e të cilëve do të kërkojë një mandat të tretë.
Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar në Elbasan, ku kërkoi që të gjendet metodika dhe rruga se si do të shprehet baza për këto kandidatura dhe tha se procesi duhet të fillojë brenda muajit shtator dhe të përmbyllet në janar të vitit të ardhshëm.
Procesit vlerësues të bazës do t’i nënshtrohen të gjithë, përfshirë këtu edhe deputetë aktualë, apo edhe figura që konsiderohen “historike” brenda socialistëve.
Naftëtarët e Ballshit kanë nisur protestën sot, të enjten, 17 shtator, përpara Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës që në orën 11 të paradites siç e kishin paralajmëruar.
“Prej shumë vitesh ne, naftëtarët e Ballshit, jemi vjedhur, tallur e nëpërkëmbur nga pronarët dhe pushtetarët. Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona! Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen dhe t’na mbështesin në kërkesat tona. Për të drejtat tona, për djersën e ballu dhe bukën e fëmijëve! PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!” – ciitohej në njoftimin e naftëtarëve ku lajmërohej mbajtja e protestës.
Ata kërkojnë nga qeveria të ndërhyjë te kompania menaxhuese e rafinerisë, e cila prej 10 muajsh nuk u ka dhënë pagat. Naftëtarët po ashtu kërkojnë rifillimin e punës së rafinerisë.
Me pankarta në duar me mbishkrimin “Duam punë, respekt dhe bukë”, ata kërkojnë të trajtohen me dinjitet për punën e tyre të vështirë dhe keqpaguar.
Protesta në Tiranë vjen pas disa ditësh protestë në rafinerinë e Ballshit.
Të premten 11 shtator, naftëtarët lajmëruan se i kishin lënë afat deri në 14 shtator kompanisë ‘Allun’, që menaxhon rafinerinë, për të paguar pagat e prapambetura dhe për të rinisur punën.
Naftëtarët u shprehen se të hënën, 14 shtator rinis mësimi dhe ata nuk munden të paguajnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre, pasi prej 10 muajsh nuk marrin asnjë pagë.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj është shprehur se përfaqësuesit e kompanisë janë zhdukur, megjithsë një javë më parë ata premtuan se do të nënshkruanin kontratat e reja të punës dhe do të paguanin pagat e prapambetura.
Mandej situatata në protestën e naftëtarëve është tensionuar. Ata kanë tentuar të cajnë kordonin e policisë për të hyrë në godinën e Ministrisë. Bëhet me dije se nën pranga kanë përfunduar pesë naftëtarë.
Protestuesit thonë se kanë 20 paga të pamarra dhe 11 muaj pa punë, ndërsa gjendja e tyre ekonomike është e vështirë. Naftëtarët deklarojnë se protestat dhe manifestimet kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se situata tashmë është bërë e padurueshme. “Nuk mban më ujë pilafi”- thonë ata.
Teksa naftëtarët janë mbledhur për të protestuar, forca të policisë kanë ndërhyrë për të mos lejuar mbajtjen e protestës, për shkak të mospërhapjes së COVID-19.
Presidenti Ilir Meta u prit në Budapest nga Kryeministri hungarez, Viktor Orban, vetëm disa ditë pasi ky i fundit priti në të njëjtën zyrë, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Përherë kënaqësi të takohem me Kryeministrin Orban, mik i sinqertë i Shqipërisë, të cilin e falënderoj për pritjen, si gjithmonë të veçantë. Bisedë e hapur, e ngrohtë dhe produktive për shumë çështje me interes të përbashkët, në dobi të qytetarëve tanë dhe forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe historike, tradicionale dhe premtuese për të ardhmen”, deklaron Meta përmes rrjeteve sociale, duke e shoqëruar postimin me një video të shkurtër nga takimi me Orban.
Meta ndodhej në Hungari për të marrë pjesë në përurimin e bustit të Skënderbeut në parkun e kryeqytetit hungarez. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Megjithatë, në njoftimet zyrtare si Presidenca, ashtu edhe Bashkia e Tiranës jo vetëm që nuk përmendet titullarët e instititucionit tjetër, por i shmangën ata edhe nga fotot e rastit.
Rayan-i i vogël nuk ia doli. Vogëlushi 5-vjeçar, i cili ra në një pus në Marok ka ndërruar jetë, pasi u nxor në sipërfaqe nga ekipet e shpëtimit që kishin hyrë në tunelin e hapur për të arritur tek ai. Fëmija vdiq nga plagët e marra gjatë rënies. Ai ishte ngecur në një thellësi prej rreth 32 metrash për më shumë se 100 orë.
Skuadra e Tiranës udhëtoi mëngjesin e sotëm drejt Gjeorgjisë, ku do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të raundit të parë eliminator të Conference League, përballë Dinamo Batumit. Takimi i parë në në "Air Albania" u mbyll në barazim, 1-1, falë golit të Regi Lushkjes në minutën e 93-të.