Videot kryesore
Një aksident u rëndë rrugor i ndodhur në orët e pasdites së të dielës na aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë ka lënë të plagosur të paktën 7 persona, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në aksident janë përfshirë tre automjete, një tip Volksëaggen Touran me targa AA492PY, një autobus tip Mercedes Benz me targë AA358DG dhe një autoveturë tjetër AA722NT.
Shkak i aksidentit dyshohet se është bërë ndërprerja e beftë e rrugës e njërit prej automjeteve, që ka pasuar përplasjen e të tre makinave.
Dëshmitarë në vendngjarje njoftojnë gazetën “Si” se ambulancat janë vonuar për të mbërritur në vendin e ngjarjes dhe pak kohë trupat e personave të plagosur kanë mbetur të në pritje të ambulancave nga Tirana, pasi ambulancat e Krujës nuk kishin mbërritur ende në vendin e ngjajres.
Të plagosurit janë nisur në drejtim të Spitalit Ushtarak për një mjekim më të specializuar, ndërkohë që aksidenti ka shkaktuar trafik të madh për minuta me radhë në aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë.
Në harkun kohor të dy ditëve, Kryeministri Edi Rama zgjeroi bazën e amnistisë fiskale, nga të ardhurat e siguruara nga puna në të zezë në emigracion deri tek të ardhurat e siguruara nga biznesi i vogël dhe i madh që ka shkelur ligjin duke kryer evazion fiskal.
Të shtunë, Kryeministri deklaronte gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste se:
“Nuk mundet më që të rrijnë të mbajnë para nëpër banka andej me 1001 vështirësi, as nuk mundet më që të torturohen për të çuar 5 mijë euro sa andej këndej, se i fillon pastrimi i parave ku i gjete e ku s’i gjete, as nuk mund të tmerrohen për të blerë një shtëpi këtu se fillon historia nga i more, e ku s’i more. Të gjithë ata që nuk i kanë paratë me drogë, me terrorizëm, prostitucion, nuk i kanë paratë me të gjitha ato krime që parashikon tek ligji special... “
Rama foli të shtunën për amnisti të përgjithshme, por vetëm të hënën në seancën plenare parlamentare përmendi edhe biznesin.
“Puna e OFL-së është ndarja me thikë e parasë së fituar nga puna, qoftë para e fituar por e padeklaruar, siç është paraja e emigrantëve që për 1001 arsye kanë bërë shumë punë në të zezë në vendet ku kanë shkuar, apo siç ëshstë paraja e shumë, për të mos thënë e të gjithë sipërmarrësve këtu në Shqipëri, për të mos thënë të gjithë, që nuk kanë deklaruar të gjitha të ardhurat e tyre, por sidoqoftë janë të ardhura nga puna. Për këto të ardhura duhet dhënë mundësia që të formalizohen duke i amnistuar”, deklaroi Rama.
Në fakt, burime të gazetës “Si” thonë se ideja e një amnistie të përgjithshme qarkullon prej vitesh në korridoret e qeverive shqiptare, por asnjëherë nuk është konkretizuar përmes një nisme finale. Në 2011 ishte Qeveria Berisha që u përpoq, por propozimi nuk siguroi mbështetjen e opozitës në atë kohë për ndryshimin e Kodit Penal, ndaj nisma mbeti në kuadrin e një faljeje fiskale, por jo amnisti. Kjo bëri që shumë biznese të mos formalizonin paratë dhe asetet e tyre nga frika e ndjekjes penale për evazion fiskal.
Për nismën aktuale, gazeta “Si” mëson se qarkullon më shumë se një draft për amnistinë fiskale, që do të realizohet përmes një takse që parashikohet të vendoset nga 3 deri në 5 për qind të vlerës së vetëdeklaruar në kuadër të kësaj amnistie.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se vendi mund t’i rikthehet karantinës nëse shifrat vazhdojnë me ritmet e tre ditëve të fundit dhe kërkoi nga qytetarët dhe bizneset që t’u përmbahen protokolleve të sigurisë për të mos u mbyllur sërish.
“Nëse vazhdojmë kështu dhe nuk ndryshojmë sjellje, të gjithë menjëherë dhe nëse numrat e të shtruarve vazhdojnë të rriten dhe rritet edhe numri i atyre që kanë nevojë për atë tubin e frymëmarrjes, atëherë me keqardhje, por realisht nuk do të kemi çfarë të bëjmë dhe do të duhet të rifillojmë nga e para”
“Fletë-rrufe, paçavure dhe brutalitet ndërkombëtar fyes, ndaj të cilit shqiptarët duhet të bashkohen dhe ta kundërshtojnë ndërkombëtarisht”. Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë që përcolli Edi Rama nga konferenca e shtypit në Prishtinë në përfundim të vizitës dyditore.
Kreu i Qeverisë së Shqipërisë foli për rreth 1 orë e 40 minuta. Në krye të fjalës tha se vizita nuk synonte që të bashkonte klasën politike të Prishtinës, por për të përcjellë mesazhin se nuk bëhet fjalë për një akuzë ndaj dy personave.
“Kush mendon se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personave, apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për çkapjen e shtetit, është ose naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi. Nuk ka mundësi tjetër”, tha Rama.
Kryeministri foli për një moment kritik në të cilin ndodhen sot shqiptarët, veçanërisht ata në Kosovë, që mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën. Ai tha se qytetarët duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për shumë më shumë se një akt-akuzë ndaj dy individëve.
“Nëse në këtë moment nuk ndajmë qartë drejtësinë me padrejtësinë....Qëndrimi im lidhet me padrejtësinë. Për mua ajo komunikatë që lajmëroi botën mbarë se pritet të vijë një akt-akuzë që nuk është formalizuar nga gjykata, përbën jo vetëm një shkelje flagrante të çdo praktike të mirë të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe një akt brutal ndaj vetë Kosovës. Sot duhet pak vetëpërmbajtje dhe duhet fokus se ajo fletë-rrufe ka goditur shumë më larg dhe shumë më thellë sesa në ballin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Këtu bëhet fjalë për drejtimin e lartë politik të UÇK-së dhe përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në, si të ishte një ushtri e rregullt agresorësh që vinin nga Beogradi”, u shpreh ai.
Rama thotë se ky akt i ndërkombëtarëve nuk duhet nënvlerësuar, edhe për faktin se sipas tij, aleatët që urdhëruan bombardimin e Serbisë gjatë luftës kanë dalë në pension dhe “ndërkombëtarët” e rinj nuk janë familjarë si me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet... Nuk e dinë të gjithë se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë. Ka më pak se 10 vendime nga Haga për Serbinë për deportim të 1 milion njerëzve me dhunë, pa llogaritur 20 mijë raste përdhunimesh dhe pastaj edhe të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit dhe sa janë personat e proceduar në të gjitha këto shkallë gjyqesh për UÇK-në. Si ndërtohet ky raport?! Sa janë në Serbi ata që janë gjykuar për krime lufte?! Ka një disproporcion kolosal. Pastaj edhe nivelet e goditjes, ku në Kosovë goditen presidentë e kryeministra”, u shpreh ai.
Padrejtësinë ndërkombëtare ndaj Kosovës Rama e ilustroi edhe përmes procesit të liberalizimit të vizave.
“Për liberalizimin e vizave thanë që duhen plotësuar kushtet. U plotësuan kushtet dhe edhe vetë e pranuan, por më thanë që më parë duhej bërë demarkacioni me Malin e Zi. Se ç’lidhje kishte demarkacioni me liberalizimin e vizave?! Unë nuk di që në atë pjesë të kufirit të Kosovës kishte ndonjë shteg që të çonte në Paris. Pra, ishte një vendim krejtësisht politik. Megjithatë, u zgjidh edhe demarkacioni, por sërish vizat nuk u liberalizuan”, deklaroi Rama.
Për Ramën nuk ka asnjë mëdyshje që Kosova nuk duhet të vetëizolohet dhe dialogun me Serbinë duhet ta vazhdojë me ndërmjetësimin e SHBA, edhe nëse Uashingtoni do ta mbështesë akt-akuzën e ngritur ndaj Hashim Thaçit.
Një panoramë të qëndrimit të Uashingtonit e bëri ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, i sapokthyer nga një vizitë atje ku u takua me të dërguarin e posaçëm të Trump, Richard Grenell dhe zyrtarët e tjerë të lartë të DASH, si Palmer e Reeker.
“Vizita ka qenë e planifikuar më herët dhe nuk lidhej drejtpërdrejtë me Kosovën. Por ju siguroj tre gjera nga bisedat e mia atje, së pari që nuk ka marrëveshje sekrete. Së dyti nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe mend në kokë nuk beson që Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës bën plane për ndarjen e Kosovës. E treta nuk ka nxitim në rastin e Kosovës, për çdo interes elektoral në SHBA. Këto janë qëndrimet që edhe vetë Grenell i ka komunikuar në vazhdimësi. Të tjerat prirje për të shkaktuar keqkuptime të brendshme”, sqaroi Cakaj.
Nga ana tjetër, Rama hoqi të gjitha mëdyshjet edhe nëse ishte tërhequr nga nisma e përbashkët me Aleksandër Vuçiç për shengenin ballkanik, që e mbron si një zhvillim strategjik për shqiptarët. Ai hodhi poshtë si konspirative dhe të pabazuara zërat kundër kësaj nisme, sipas të cilëve nga kjo përfiton vetëm Serbia.
Rama tha se në agjendë kishte planifikuar edhe një takim me Ramush Haradinajn, por ky i fundit e kishte refuzuar për shkak të procesit gjyqësor ku është i paditur për shpifje. Megjithatë, Kryeministri njoftoi se tërheqjen nga kjo padi.
“Unë kam 22 padi për shpifje dhe kjo që kam bërë këtu për Ramushin ka bërë më shumë zhurmë, por janë 22 të tilla me figura politike kryesisht që i kam në proces. Nuk janë bërë publike dhe nuk i kam bërë për t’i bërë publike. Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve, për të shkuar ta vizituar në seli, apo shtëpinë e tij dhe si paditës që shkon tek i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër doja të diskutoja edhe me të për këtë çështje që është shumë më e madhe se Haradinaj, Hashimi dhe Kadriu, sepse ndikimet mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen. E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime do të bëj një konferenc ku do të tërheq padinë, jo se ajo është e vogël për mua, por është shumë më e madhe ajo që sot është më e madhe nga të gjithë. Padia do të tërhiqet edhe zyrtarisht”, u shpreh Rama.
Pierre Gasly fiton në mënyrë surprizë Çmimin e Madh të Italisë, i ndarë në dy akte nga një flamur i kuq në xhiron e 27-të nga një incident i Charles Leclerc. Piloti francez i skuderisë italiane AlphaTauri regjistron kështu fitoren e parë në Formula 1. Gasly mbërriti në finish para Carlos sainz, që nuk u dorëzua deri në fund, dhe Lance Stroll, të cilët kompletojnë podin.
Ishte një garë surreale, jo vetëm për mungesën e publikut për shkak të normave anti-Covid. Momenti kyç i garës lidet me një penalitet, një “stop and go” prej 10 sekondash për Lewis Hamilton dhe Antonio Giovinazzi, pasi hynë në bokse në xhiron e 21-të në një fazë të ndaluar. Deri në atë moment Hamilton po dominonte, më pas e pa veten në vend të 7-të.
Mjaft i zoti u tregua Gasly, si faktikisht, ashtu edhe në shfrytëzimin e rastit që iu krijua. I vetmi ferrarist që buzëqesh është ai i së ardhmes, Carlos Sainz, që e mbyll i dyti, duke regjistruar rezultatin më të mirë në Formula 1 pikërisht përpara atij që nga viti 2021, do të jetë publiku i tij. Për spanjollin e McLaren ishte një paraqitje solide, që e bën skuderinë e tij gjithmonë e më bindëse si forca e tretë e botërorit. Pozitive ishte edhe paraqitja e Stroll, që arrin podin e parë sezonal.
Ferrari nuk ekziston, Sebastian Vettel tërhiqet në xhiron e tetë pas një defekti në frena. Për Charles Leclerc, fitues vitin e kaluar në Itali, një përplasje e fortë ndaj barrierave i kushton shtrenjtë. Vazhdon makthi pa fund për skuderinë italiane.
Partia Socialiste shprehet e gatshme që të diskutojë me opozitën parlamentare dhe atë jashtëparlamentare metodikën e hapjes së listave, por me bindjen se propozimi i saj është më i miri i mundshëm.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla thotë se formula e propozuar nga PS garanton përfaqësimin gjinor në Kuvend dhe njëkohësisht u jep mundësi votuesve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve të ofruara nga partia, pa i mohuar kësaj të fundit peshën elektorale të saj.
“Argumenti që një kandidat që të zgjidhet deputet pa mbështetjen reale të partisë politike, duhet që të përmbushë legjitimitetin demokratik për të pasur votat, sepse kjo nuk mund të jetë që mblidhen 36 vetë në Tiranë, marrin të gjithë nga 300 vota dhe ai që ka 301 është deputeti. Ky nuk është legjitimiteti demokratik. Në këtë kendvështrim fakti që renditja e partisë politike thyhet nga mbështetja që do të marrë secili kandidat, ky është një hap shumë i madh dhe brenda pjesës që do të quhet renditja e propozuar nga partia, numri i votave për secilin kandidat rimodelon listën”, tha Balla.
Balla foli para gazetarëvenë përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ndërkohë që në orët e pasdites Rama do të mbledhë drejtuesit politikë të partisë në qarqe për raportimin javor. Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve dha me shifra se cilat janë pretendimet e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit.
“Partia Socialiste, që është forca modernizuese e jetës politike në vend do të ketë në grupin e saj parlamentar të pas 25 prillit, nga 75, apo 74 minimalisht, të paktën një e treta do të jenë gra dhe kjo do të thotë që është një numër i konsiderueshëm”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit parlamentar të socialistëve u shpreh i bindur gjithashtu se Partia Demokratike do të dorëzojë në Këshillin Politik një propozim të sajin për formulën e hapjes së listave, propozim që do t’i bashkohej atij të Rudina Hajdarit, që kërkon renditje alfabetike në listat e kandidatëve për deputetë.
Drejt Asamblesë në tetor
Taulant Balla tha se së shpejti do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partia Socialiste, pa dhënë më shumë detaje.
Gazeta “Si” mëson se kjo çështje është diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar dhe pritet që të jetë temë diskutimi edhe në mbledhjen e pasdites së Edi Ramës me drejtuesit politikë të partisë në qarqe.
Një propozim që po qarkullon është ai i mbajtjes së Asamblesë me rreth 350 anëtarë në dy javët e para të muajit tetor në tre qytetet. Sipas këtij propozimi, asambleistët e Jugut të mblidhen në Fier, të Veriut në Shkodër dhe të Shqipërisë së Mesme në Tiranë. Mbledhjet do të lidhen me njëra-tjetrën përmes platformave online dhe më pas të votohet për kryesinë e re të partisë.
Asambleja duhej të ishte thirrur pas zhvillimit të kongresit në fund të muajit shkurt, por u shty për shkak të shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në vendin tonë.
Pika tjetër në rend të ditës në këtë mbledhje, siç mëson Gazeta “Si”, do të lidhet me konstatimet e drejtuesve të qarqeve në terren nga takimet me qytetarët. Kryeministri Rama u ka kërkuar 11 drejtuesve të qarqeve (me përjashtim të Durrësit, ku Rama është vetë drejtues politik i qarkut) një raport përmbledhës mbi perceptimin e qytetarëve për qeverisjen.
Rama ka ngarkuar drejtuesit politikë që në takimet me qytetarët të përqëndrohen fort tek punët e kryera nga Qeveria, tek reformat e ndërmarra, sidomos ajo në drejtësi dhe tek investime në sektorët strategjikë, si ujësjellësat.
Presidenti Ilir Meta është radhitur në krah të ambientalistëve, duke dalë hapur kundër projekteve për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Lumin e Vjosës, atij të Poçemit dhe të Kalivaçit.
Meta tha se dy hidrocentralet do të shkatërrojnë vlerat e lumit të fundit të egër në Europë dhe i kërkoi Qeverisë që të shqyrtojë burime të tjera energjitike dhe më miqësore me mjedisin, si ajo diellore, apo me erë.
“Unë mbështes ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen park kombëtar të zonave ku janë përcaktuar të ndërtohet i HEC-et e Poçemit dhe Kalivaçit”, tha Meta.
Presidenti mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me studiues shqiptarë dhe të huaj me temë “E ardhmja e Vjosës”.
Meta thotë se që prej 2007 e në vazhdim qeveritë shqiptare kanë dhënë në mënyrë të nxituar lejet për ndërtimin e hidrocentraleve, duke deklaruar se rreth 80 prej tyre janë në zona të mbrojtura, ose me perspektivë për t’u shpallur si të tilla.
“Prej 2007 është rritur jashtëzakonisht shumë numri i përgjithshëm i HEC-eve. Dendësia e HEC-eve është më e larta në ballkan, gati dyfish më e lartë në krahasim me vendet e rajonit. Mbi 80 HEC-e janë dhënë në zona të mbrojtura, ose zona me perspektivë për t’u klasifikuar si zona të mbrojtura. Ky duhet të jetë një shqetësim”, u shpreh Meta.
Presidenti foli i shqetësuar për heshtjen dhe këmbënguljen e Qeverisë për të vijuar me projektin e digave në Vjosë dhe akuzoi qeverinë se këto projekte përgatiten në mënyrë të nxituar dhe të papërgjegjshme.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur që një raport i ndikimit në mjedis të rrëzojë një projekt për HEC. Ekspertët sugjerojnë burimet alternative të energjisë, si energjia diellore, që është më i qëndrueshëm dhe më ekologjik”, u shpreh Meta.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pjesa më e madhe e lejeve të dhëna për ndërtim hidrocentralesh është bërë nga viti 2009 deri në vitin 2013 me 145 kontrata koncesionare dhe 386 HEC-e. Nga 2013 deri në 2018 janë dhënë 49 kontrata koncesionare dhe 100 leje ndërtimi HEC-esh.
GJKKO e Apelit ka lënë në fuqi masën e arrestit të shtëpisë për gjyqtaren Mimoza Margjeka.
Pas seancës, gjyqtarja e irrituar është përplasur me forcat e Policisë, duke u shprehur se kjo është një goditje politike.
Sipas Margjekës po goditet për refuzimin e mandatit ndaj Valbona Sakos, ish-kryebashkiakes së Durrësit të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
“Gjykata e Apelit lë në fuqi masën e arrest shtëpie. Ky shtet nuk bëhet më. Dilni përballë shtetit, harroje se guxon kush. Kush është goditur, kush është futur në burg. Mos më prek. Mos më prek. Mos kini frikë, nuk bëhet shteti me monstra. Shtet mafioz dhe kriminel”, është shprehur ndër të tjera Margjeka.
Ndërkohë avokati i Margjekës, theksoi se nuk ka prova teksa shtoi se procesi nuk ka asnjë sekret hetimor.
“E kërkoi z.Margjeka praninë e mediave, është proces legal, s’ka material sekret. SPAK e ka botuar vendimin. Ka përfunduar, s’ka prova. Pra s’ka prova të tjera për të marrë. S’ka asnjë provë direkte apo indirekte, që Arben Cara ka bashkëpunuar me Mimoza Margjekën për të kryer veprën penale”, tha avokati.
Margjeka u arrestua për një skemë korrupsioni si e gjyqtare e komanduar në Apelin e Korçës, ku i përfshirë ishte edhe bashkëshorti i saj, teksa ajo me vendim zbuti masën për një të arrestuar kundrejt 6 mijë eurove.
Nejton Bali, një shtetas vëllai i të cilit ishte arrestuar për trafik për kalim të paligjshëm të kufirit ndërhyu për të zbutur masën e sigurisë. Ai i dorëzoi 6 mijë euro avokatit Skënder Demiraj. Në këtë histori rol luajti edhe vetë bashkëshorti i gjyqtares, Arben Cara i cili po ashtu u arrestua.
Në arrest shtëpie, GJKKO la Margjekën me avokatin Demiraj, kurse në arrest me burg u lanë bashkëshorti i saj, Arben Cara së bashku me Nejton Balin dhe Klaudjo Zhillën.
Presidentja në Detyrë dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës përcolli dy mesazhe kryesore në fjalën e mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë. Mesazhi i parë ishte miratimi i rezolutës që dënon krimet serbe në Kosovë.
“Po i bëj thirrje këtij Kuvendi që ashtu siç e kemi bërë në Kosovë, që të votojmë rezolutën që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur jemi të bashkuar ato do të dëgjohen edhe përtej Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Osmani.
Mesazhi i dytë ishte për heqjen e pengesave në ndërlidhjen mes dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit nuk e përmendi në emër, por qartas iu referua traut të vendosur në “Rrugën e Kombit”.
“Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Kjo është kundër frymës së lëvizjes së lirë, na lini të vimë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, ashtu siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë”, vijoi ajo.
Osmani u bëri thirrje të rinjve që të aktivizohen në politikë, ndërsa me fjalët e Faik Konicës kërkoi nga shqiptarët në Shqipërie e Kosovë që të heqin dorë nga kulti i individit.
Gjatë fjalës në Kuvendin e Shqipërisë të kryetares së Kuvendit dhe Presidentes në Detyrë të Kosovës ra në sy mungesa e Kryeministrit Edi Rama.
Të shtënat midis një polici dhe një gruaje me ngjyrë në Nashville, Amerikë kanë shkaktuar një tjetër debat të madh në vend.
Nika Holbert përplasi makinën e saj pasi oficeri Josh Baker e qëlloi nga një distancë e afërt pas një ndalimi trafiku të premten në mëngjes. Gruaja 31-vjeçare më vonë vdiq nga plagët e marra. Baker pritet të shërohet. Por ishte gjithçka që ndodhi ajo që ka hapur një debat të madh se kush kishte faj.
Baker ndaloi Holbert sepse makina që ajo po ngiste ishte e regjistruar në emrin e një burri me precedent penale.
Këtu filloj gjithçka. Baker lejoi Holbertin të përdorte telefonin e saj celular dhe të bënte një telefonatë. Kur Baker shkoi për të prangosur Holbert pasi gjeti një qese të vogël me "pluhur" ajo rezistoi dhe iku, rreth makinës së saj dhe pastaj përsëri në anën e shoferit, ku ajo hyri.
Gjithë ngjarja u kap nga kamera e trupit të Bake dhe kamera që ndodhet në makinën e tij të policisë.
Pamjet tregojnë se Baker po i afrohej Holbert, e cila në fillim ishte e qetë dhe e lejoj oficerin të kontrollonte çantën e saj i cili gjeti një qese të vogël mariuhanë. Baker e mori atë, i ktheu shpinën Holbert për të shkuar te makina e tij për të siguruar qesen e mariuhanës para se të kthehej te shoferja, e cila po qëndronte atje duke e pritur.
Në këtë moment Holbert tentoj të largohej duke hipur në makinën e saj.
Me derën akoma të hapur, Baker përdori paralizuesin e tij për ta ndaluar por pa sukses. Ky është momenti kur, sipas Departamentit të Policisë Metropolitane në Nashville, Holbert zgjati dorën për një armë, duke e nxitur Baker të nxirrte armën e tij dhe të qëllonte mbi të nga rreth dy metra larg. Departamenti tha se Holbert gjuajti gjithashtu me armë dhe goditi Baker në bark me një të shtënë që kaloi nën jelekun e tij antiplumb.
Kamera nga kroskoti i Baker tregoi Holbert që hidhte një armë dhe largohej përpara se të përplasej aty pranë. Nuk është e qartë nëse dëmtimet vdekjeprurëse u bënë gjatë përplasjes apo nga të shtënat e Bakerit.
Departamenti lëshoi pamjet më vonë të njëjtën ditë të premten.
Ndërsa shumë njerëz thonë se Holbert duhej të respektonte ndalimin, të tjerë në mediat sociale thonë se nuk kishte nevojë që ndalimi të ishte përshkallëzuar deri aty.
Zyra e Prokurorit të Qarkut në Nashville njoftoi verën e kaluar se nuk do të ndiqte më penalisht për posedim të më pak se 14 gram mariuhanë. Sasia që Holbert kishte dukej se ishte një sasi e vogël. Meqenëse Holbert nuk ishte personi që Baker dyshonte se po ngiste makinën, Baker madje mund të dëgjohet duke thënë në radio policie se "ai nuk është këtu", po ata kritikë të mediave sociale thonë që oficeri duhej ta kishte lënë të shkonte me një paralajmërim ose më së shumti një gjobë.
Të tjerët argumentuan se Baker humbi mundësi të shumta për të kapur në mënyrë adekuate dhe të sigurt Holbertin në vend që ta lejonte atë të bënte siç dëshironte, të tilla si të hynte dhe dilte nga makina e saj në disa raste para se të ndodhnin të shtënat.
Sipas ligjit në Nashville, shoferët "duhet të qëndrojnë në automjetet e tyre në çdo kohë, përveç nëse u thuhet të bëjnë ndryshe dhe nuk mund të kundërshtojnë".
Argumenti është se nëse Baker do e kishte kapur në kohën e duhur, ajo kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje të ikte, aq më pak të hynte në makinën e saj, t'i rezistonte paralizuesit, të zgjaste një armë dhe ta qëllonte atë.
Familja e Holbert thuhet se i ka kërkuar Departamentit të Policisë Metropolitane Nashville të hetojë Bakerin për "përdorimin e forcës së tepruar ndërsa bënte një ndalim trafiku", duke treguar pamjet video si provë.
Të shtënat në Nashville erdhën disa ditë pas publikimit të një raporti që zbuloi se shumica e rasteve të dhunës vdekjeprurëse të policisë në ShBA vitin e kaluar ndodhën gjatë rasteve kur nuk u raportua anjë krim, si me rastin e Holbert. Më shumë se 120 njerëz u vranë pasi një oficer i ndaloi ata për një shkelje të trafikut në vitin 2020.
Kryeministri Edi Rama i bëri një interpretim ndryshe vendimit të Komitetit Teknik që ndalon grumbullimin e më shumë se 10 personave në ambiente të hapura, ose të mbyllura.
Kreu i Qeverisë iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse hapja e fushatës e socialistëve e shkel apo jo vendimin e Komitetit.
Rama thotë se ligji ndalon grumbullimet e më shumë se 10 vetave në të njëjtin vend dhe jo grumbullimin e më shumë se dhjetë vetave në vende të ndryshme…të të njëjtit shesh.
“Është çështje imagjinate. Grumbullimi sipas ligjit është i kufizuar në të njëjtin vend dhe nëse këtu jemi 10 dhe nëse 20 metra më tutje janë 10 të tjerë, kjo nuk përbën shkelje të ligjit, por aftësi krijuese për të mundësuar që në shesh të jenë më shumë se 10 veta, por të grumbulluar të mos jenë më shumë se 10 veta”, tha Rama.
Kjo deklaratë e kreut të Qeverisë nënkupton se gjatë hapjes së fushatës së socialistëve, në orën 18:00 të pranishëm mund të ketë edhe qytetarë dhe mbështetës së partisë, përveç kandidatëve.
Më herët, drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj tha se përveç atyre që do të jenë të pranishëm, në këtë hapje fushate do të jenë edhe qindra mbështetës të partisë të lidhur përmes platformave të komunikimit online.
Qeveria shpalli gjendjen e emergjencës energjitike në mbledhjen e jashtëzakonshme që mbajti këtë të premte për të reaguar në lidhje me situatën e krijuar nga rritja e çmimeve në tregjet bërthamore.
“Kemi pasur një mbledhje jashtë rendit për të marrë një vendim, për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në përfundim të mbledhjes.
Por, çfarë do të thotë gjendja e emergjencës energjitike?
“Situata e përgjithshme e rritjes së çmimit të energjisë na detyron që të shpallim gjendjen e emergjencës së furnizimit, që i jep Qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare, qoftë me instrumente të natyrës administrative. Sot, me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballur këtë situatë”, tha Rama.
Plani i detajuar i masave, Rama tha se do të publikohet të shtunën. Para gazetarëve ai nuk foli për rritje çmimi, por e nënkuptoi se çmimet mund të rishikohen, kur tha se Qeveria do të mbrojë konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël nga rritja e cmimit të energjisë.
Se sa e thellë është kriza dhe sa ndikon në ekonominë e vendit, Rama bëri një krahasim.
“Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë, në këtë kuptim të gjithë janë të prekur. Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm. Edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin më parë. Ajo që na takon është të mbrojmë konsumatorët tanë”, deklaroi Rama.
Rama u kërkoi qytetarëve që të vendosen në pozicionin e shtëpisë së madhe dhe të kuptojnë, sipas tij, krizën që tha se do të zgjasë sipas parashikimve deri në gjysmën e vitit të ardhshëm. Ai u shpreh se në 8 vite, Qeveria e tij nuk ka rritur çmimin e energjisë, me përjashtim të një rasti.
Kryeministri tha se çmimi aktual i shitjes së energjisë për konsumatorët nuk mbulon koston e blerjes.
“E vetmja rritje çmimi që ka ndodhur në vendin tonë i takon 2015, edhe aty jo vetëm që çmimi u vendos në një pikë që nuk e mbulon koston”, u shpreh Rama.
Nëse Sali Berisha do të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Partia Socialiste do të shkëpusë çdo marrëdhënie me opozitën.
Kështu deklaroi Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, kur ftoi pjesën tjetër të opozitës që t’i bashkohen nengociatave për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nga këto negociata ai përjashtoi Berishën.
“Me Saliun ne nuk kemi punë, është i vdekur politikisht, por meqënëse një pjesë e juaj dhe me sa po shoh po shtohen çdo ditë që mendoni se ai është gjallë. Kjo është çështje e juaja. Është mirë që gjërat të thuhen hapur dhe drejtpërdrejt: nëse ju doni të keni Saliun në krye, është zgjedhja juaj. Por nëse ju vendosni të drejtoheni nga një i vdekur, ne shkëpusim çdo marrëdhënie”, deklaroi Rama.
Pas Kryeministrit fjalën e kërkoi Enkelejd Alibeaj për t’iu përgjigjur. Por, kreu i grupit parlamentar nuk foli dhe ai që e pengoi ishte Sali Berisha, që iu drejtua gjithashtu foltores, madje duke shtyrë Alibeajn kërkoi fjalën.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i kërkoi që të ulej Berishës. Berisha refuzoi, ndërsa fjalën për procedurë e mori Taulant Balla. Balla e cilësoi të pashembullt përplasjen e Berishës në foltore me Alibeajn dhe i kërkoi Nikollës pushim të seancës.
Ndërkohë, Berisha i ktheu përgjigje Edi Ramës në dalje të Kuvendit në lidhje me deklaratën e Kryeministrit se do të ndërpresë marrëdhëniet me PD nëse në krye të saj vjen Berisha.
“E falenderoj për këtë qëndrim, sepse faktoi që ka frikë nga opozita e vërtetë”, tha Berisha para gazetarëve.