Protesta, naftëtarët përleshen me policinë para Ministrisë së Energjitikës
Naftëtarët e Ballshit kanë nisur protestën sot, të enjten, 17 shtator, përpara Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës që në orën 11 të paradites siç e kishin paralajmëruar.
“Prej shumë vitesh ne, naftëtarët e Ballshit, jemi vjedhur, tallur e nëpërkëmbur nga pronarët dhe pushtetarët. Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona! Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen dhe t’na mbështesin në kërkesat tona. Për të drejtat tona, për djersën e ballu dhe bukën e fëmijëve! PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!” – ciitohej në njoftimin e naftëtarëve ku lajmërohej mbajtja e protestës.
Ata kërkojnë nga qeveria të ndërhyjë te kompania menaxhuese e rafinerisë, e cila prej 10 muajsh nuk u ka dhënë pagat. Naftëtarët po ashtu kërkojnë rifillimin e punës së rafinerisë.
Me pankarta në duar me mbishkrimin “Duam punë, respekt dhe bukë”, ata kërkojnë të trajtohen me dinjitet për punën e tyre të vështirë dhe keqpaguar.
Protesta në Tiranë vjen pas disa ditësh protestë në rafinerinë e Ballshit.
Të premten 11 shtator, naftëtarët lajmëruan se i kishin lënë afat deri në 14 shtator kompanisë ‘Allun’, që menaxhon rafinerinë, për të paguar pagat e prapambetura dhe për të rinisur punën.
Naftëtarët u shprehen se të hënën, 14 shtator rinis mësimi dhe ata nuk munden të paguajnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre, pasi prej 10 muajsh nuk marrin asnjë pagë.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj është shprehur se përfaqësuesit e kompanisë janë zhdukur, megjithsë një javë më parë ata premtuan se do të nënshkruanin kontratat e reja të punës dhe do të paguanin pagat e prapambetura.
Mandej situatata në protestën e naftëtarëve është tensionuar. Ata kanë tentuar të cajnë kordonin e policisë për të hyrë në godinën e Ministrisë. Bëhet me dije se nën pranga kanë përfunduar pesë naftëtarë.
Protestuesit thonë se kanë 20 paga të pamarra dhe 11 muaj pa punë, ndërsa gjendja e tyre ekonomike është e vështirë. Naftëtarët deklarojnë se protestat dhe manifestimet kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se situata tashmë është bërë e padurueshme. “Nuk mban më ujë pilafi”- thonë ata.
Teksa naftëtarët janë mbledhur për të protestuar, forca të policisë kanë ndërhyrë për të mos lejuar mbajtjen e protestës, për shkak të mospërhapjes së COVID-19.