Videot kryesore
Zjarret dhe temperaturat përvëluese mbi 40 gradë në pjesën më të madhe të Australisë kanë shfarosur miliona gjallesa, ndërsa të tjera janë në kërkim të ushqimit dhe burimeve ujore.
I tillë është rasti i një koale, që e dëshpëruar dhe e dehidratuar iu vërsul një grupi çiklistësh në rajonin e Uellsit Jugor për të kërkuar ujë. Anna Heusler ishte pjesë e grupit të çiklistëve. Ajo pa kafshën që kishte nuhatur ujin në bidonin e saj në biçikletë dhe nisi të shuajë etjen e koalas.
“Pashë që po ecte drejt meje me shpejtësi dhe ndalova. U ngjit menjëherë në biçikletën time për të kapur bidonin me ujë. Aty e kuptova se kishte etje. E hapa bidonin dhe i dhashë për të pirë”, deklaroi Anna për mediat australiane.
Një anëtar i grupit filmoi të gjithë skenën, ndërsa më pas dikush tjetër përpiqet që ta rikthejë koalan në pyllin nga doli.
90 për qind e koalave, njohur ndryshe si “ariu australian” jetojnë në Australi. Por, zjarret e fundit që kanë djegur mbi 25 mijë hektarë pyje kanë shkatërruar habitatin kryesor të tyre. Autoritetet besojnë se deri më tani janë shfarosur të paktën 8 mijë koala dhe numri mund të rritet në vazhdim për shkak të mungesës së ushqimit dhe burimeve ujore për të tjerat që u kanë mbijetuar flakëve.
“Problemi më i madh tani është ushqimi dhe burimet e ujit për koalat. Ato ushqehen me gjethe peme, por shumë pemë janë djegur nga zjarri dhe veç kësaj, mungesa e reshjeve të shiut ka shteruar burimet ujore të tyre”, thotë Janer Brister nga qendra “Adelaide Koala Rescue”.
Brister thotë se autoritetet janë detyruar që t’u bëjnë eutanazinë qindra koalave për shkak të djegieve të rënda të pësuara nga flakët që kanë përfshirë vendin.
Australia vuan prej disa javësh nga një valë ekstreme të nxehti, me temperatura rekord që kanë shkuar deri në 49 gradë celcius në disa rajone.
Hakerat e Homeland Justice, të cilët kanë marrë përsipër sulmin ndaj sistemeve qeveritare shqiptare të disa ditëve më parë kanë publikuar një seri videosh, të cilat shfaqen persona duke djegur fotografitë e udhëheqësve të muxhahedinëve.
Qytetarët në këto video pretendohet se janë shqiptarë, por me shumë mundësi nga mënyra se si e flasin shqipen dyshimet janë se personat që djegin këto fotografi janë agjentë iranianë.
“Ata janë terroriste, ik nga Shqipëria! Nuk dua Shqipëria”, thuhet në njërën prej këtyre videove të postuara nga Homeland Justice.
Shqipja e cunguar e personit në fjalë si dhe zëri i modifikuar sugjeron se ai nuk është shtetas shqiptar, por me shumë mundësi agjent iranian i infiltruar në vendin tonë për të goditur opozitën iraniane.
Shqipëria mbyll sonte në mbrëmje me sfidën ndaj Francës kualifikueset Euro2020. Kualifikimi është një temë e mbyllur prej kohësh, ndaj ndeshja pritet që t’i shërbejë trajnerit Edi Reja për të testuar “Kuqezinjtë” përballë kampionëve të botës në fuqi, të cilët në ndeshjen e parë na mundën 4-1.
Pavarësisht yjeve që do të ketë përballë, tekniku italian shprehet optimist.
“Nuk mendoj se taktika është më e rëndësishmja në ndeshjen me Francën, janë protagonistët ata që vendosin fatin e saj. Shqipëria ka mënyrën e saj të të luajturit dhe më atë mënyrë kemi mundësitë tona në çdo ndeshje dhe ndaj çdo kundërshtari, edhe ndaj Francës. E kemi të qartë se ku mund të na vërë më shumë në vështirësi Franca, por dimë edhe ku mund ta rrezikojmë ne. E rëndësishme është që të jemi të gatshëm për të shfrytëzuar çdo rast që mund të na krijohet”, deklaroi ai në konferencën për shtyp të shtunën.
Konferenca nisi pasi trajneri priti në stadiumin e ri Kryeministrin Edi Rama, ku mes batutash foli për një defekt të kreut të Qeverisë. “Vetëm një problem ka, është tifoz i Juves”, tha Reja. Më pas, i shoqëruar nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, Rama zbriti në fushë ku mori rolin e trajnerit. Nga futbollistët nuk kërkoi fitoren ndaj Francës. “Këtu duhet të jepni maksimumin. Kaq! Rezultati pak rëndësi ka”, u shpreh ai.
Ndeshjes do t’i paraprijë ceremonia 15 minutëshe e përurimit të stadiumit të ri, që mori emrin “Air Albania”. Drejtimi i saj i është lënë Ardit Gjebreas dhe në fushën e blertë do të përformojnë edhe këngëtarët më në zë të muzikës shqiptare. Para tifozëve fillimisht do të dalë Era Istrefi me këngën zyrtare të Kupës së Botës, “Live it up”.
Më pas Flori Mumajesi do të këndojë këngën “Kuqezi je ti”. Kënga e tretë do të jetë “Xhamadani vija vija” dhe do të interpretohet nga Aurela Gaçe, ndërsa Himni Kombëtar i Shqipërisë do të këndohet nga Juliana Pasha.
“La Marseillaise”, Himni i Francës i është besuar Besa Kokëdhimës.Ceremonia mendohet të zgjasë rreth 15 minuta dhe do të fillojë në orën 20:30, ndërsa ndeshja nis në 20.45.
Masat, në stadium nuk lejohen as farat
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë në Tiranë, kanë deklaruar se do të marrin një sërë masa për të siguruar qetësinë publike. Në kuadër të këtyre masave, policia ka bërë me dije se për të gjithë tifozerinë, si vendase dhe atë të ekipit të Francës do të merren disa masa ndaluese, mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit. Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj, më pas në të gjitha rrugët e tjera hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve. Ndërkohë, të gjitha automjetet që janë parkuar brenda zonës së mësipërme do të duhet të largohen që nga ora 12:00, ndërsa tifozët do të futen në stadium në orën 18:30.
Për sa u përket automjeteve të autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, ato duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë vetëm nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza”. Gjithashtu, do të ketë një kontroll antieksploziv për çdo automjet.
Këto janë masat e sigurisë së Policisë, ndërsa vetë FSHF ka një rregullore të detajuar për tifozët që do të hyjnë në stadiumin e ri, ku mes parashikimeve është edhe ndalimi i farave.
Kriza me të cilën po kalojnë njerëzit në tokë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri nuk e ka ndaluar Elon Musk që të vazhdojë të shohë nga qielli.
Kompania e tij, Space X lëshoi në hapësirën dërgesën e radhës me satelitë, që miliarderi amerikan thotë se janë pjesë e projektit gjigant “Lidhja e Yjeve” (Starlink), që do të përmirësojë ndjeshëm si mbulimin me internet të globit, ashtu edhe cilësinë e shpejtësinë e internetit.
Këtë radhë bëhej fjalë për rreth 400 satelitë që u hodhën në orbitë duke shfrytëzuar anijen hapësinore “Falcon 9” e cila u ngrit nga Cape Canaveral Air Force Station në Florida. Një pjesë e tyre u pa me sy të lirë edhe nga Tirana.
Kjo është dërgesa më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë si pjesë e këtij projekti, që Elon Musk synon që të zgjerohet me 12 mijë satelitë dhe mundësinë që ky numër të shkojë në 42 mijë të tillë.
Musk është i bindur se në përfundim të projektit nuk do të ketë cep të globit pa akses në internet, ndërkohë që kritikuesit e programit e qortojnë duke deklaruar se numri i lartë i satelitëve mund të ndikojë në destabilizimin e klimës në Tokë.