Videot kryesore
Ministrja e Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor shqiptar është në gatishmëri dhe në gjendje që paralelisht me përballimin e një epidemie të mundshme të koronavirusit në vend, të përballojë edhe patologjitë e tjera.
“Pra kemi siguruar normalitetin e punës sa u takon patologjive të tjera. Sistemi ynë shëndetësor, ka marrë masat dhe është në gatishmëri për të gjitha skenarët me të cilat mund të përballemi në të ardhmen. Probabilteti është që të prekë edhe Shqipërinë”, deklaroi ajo.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama solli një statistikë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të argumentuar se nuk ka nevojë për panik.
Qeveria ka vendosur ndalimin e eksportit për të gjitha barnat dhe pajisjet mjekësore, në mënyrë që tregu të mos gjendet pa medikamentet dhe pajisjet e nevojshme për përballjen me koronavirusin.
Vendimi është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të kësaj të hëne të Qeverisë, pas konfirmimit zyrtar të dy rasteve të para me persona të prekur nga virusi në fjalë.
Një tjetër vendim i marrë ishte edhe ndalimi i vizitave në spitale. Vendimi përcakton se familjarët dhe shoqëruesit e pacientëve, që janë të shtruar në spitale, nuk do të lejohen që të kryejnë vizita, përveçse në rastet kur ka një kërkesë nga mjekët apo drejtoria e spitaleve.
Presidenti Ilir Meta doli para gazetarëve për të arsyetuar edhe juridikisht kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave që kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës godinat dhe truallin e Teatrit Kombëtar.
Shkelja kryesore kushtetuese në këtë vendim, sipas Presidentit Meta, është tejkalimi i kompetencave nga ana e Bashkisë së Tiranës. Presidenti tha se teatri është një vepër kombëtare me interes të rëndësishëm për vlerat dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore që nuk mund t’i kalohet në menaxhim pushtetit vendor.
“Bashkia Tiranë nuk mund të ketë në pronësi këtë truall, pasi është kombëtar. Për një pasuri të tillë publike pronësia duhet të jetë vetëm pronë e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Presidenti.
Në vendimin e datës 9 maj të Qeverisë, kushtëzohet kalimi i pronësisë me prishjen e objektit ekzistues dhe ndërtimit të një objekti të ri. Pikërisht për këtë arsye, kreu i shtetit i kërkon Gjykatës Kushtetuese që ta marrë në shqyrtim dhe të vendosë për pezullimin e të gjitha veprimeve, pasi në të kundërt, siç tha ai, vendi rrezikon të humbasë një pjesë të identitetit kombëtar dhe historinë 80-vjeçare të teatrit.
“Pasojat do të ishin të parekuperueshme. Prandaj, kjo e bën të domosdoshme që të vendoset pezullimi i të gjitha akteve deri në marrjen e një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha Meta.
Presidenti thotë se në thelb, si VKM-ja e Qeverisë, ashtu edhe ligji për dhënien me koncesion të këtij trualli, që kreu i shtetit e ka dorëzuar në Kushtetuese që në korrik të 2019 janë e njëjta gjë. Meta shmangu komentin mbi deklaratat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që pak ditë më parë tha se teatri i ri do të bëhet dhe kërkoi nga Presidenti që “të mos fuste hundët tek punët që s’i takojnë”, duke përdorur shprehjen tiranase “graj gamorin tat”.
Por, ai tha se çështja e Teatrit Kombëtar është një çështje e ngritur në nivele kushtetuese tashmë dhe nuk kurseu tonet e forta.
“Presidenti është gjithmonë në krye të detyrës së tij në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar e publik. Sa i takon ndonjë karagjozi, apo karagjozëve që kërkojnë të bëjnë prova force me Presidentin, duhet ta ketë të qartë se Presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë dhe i ka bërë paralajmërimet të përsëritura. Presidenti do të bëjë detyrën e tij, pa rënë në provokime banale”, deklaroi ai.
Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e VKM-së së Qeverisë u dorëzua më herët nga Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj.
“Kjo është kërkesa e dytë që Presidenti i dorëzon kushtetueses dhe në të kërkohet shfuqizimi i vendimit të 8 majit 2020, që kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës, godinën e Teatrit Kombëtar, që sipas qëllimit të shprehur në vetë VKM-në e Qeverisë duhet të prishet”, deklaroi për Zërin e Amerikës, këshilltari Dervishaj.
Dervishaj tha se kërkesa është në vijimësi të padisë së parë kundër prishjes së godinës.
“Argumentat kushtetues mbeten të njëjtë, që godina paraqet interes të lartë publik dhe kombëtar dhe prishja e saj shkakon humbje. Prandaj, Presidenti kërkon nga Gjykata Kushtetuese fillimisht pezullimin e efekteve të këtij akti deri kur gjykata të shprehet. Të ndalohet çdo veprim administrativ që cenon godinën e teatrit”, tha Dervishaj.
Dorëzimi i kërkesës nga ana e Presidentit i paraprin mbledhjes së parashikuar për të premten të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku në rend të ditës është edhe shqyrtimi i vendimit për prishjen e godinës ekzistuese dhe ngritjes së godinës së re.
Ndërkohë, pasdite e së mërkurës forca të shumta të policisë bashkiake u panë afër teatrit, duke shkaktuar reagim të fortë nga grupi i artistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile që protesojnë prej muajsh kundër shembjes së godinës.
Presidenti Ilir Meta thotë se është informuar nga mediat dhe njoftimet zyrtare publike greke në lidhje me dakordësinë e gjetur mes qeverive të dy vendeve për të dërguar në Gjykatën e Hagës çështjen e detit.
Ai deklaroi se Kryeministri Edi Rama nuk është konsultuar me të para se të ndërmerrte një vendim të tillë.
“Nuk është konsultuar me mua, po duhet të jetë konsultuar me ndonjë President tjetër vërdallë. Falenderoj mediat greke dhe autoritetet greke për informacionin që e kanë bërë publik”, u shpreh ai.
Në lidhje me dërgimin e kësaj çështjeje në Hagë ka folur më herët edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai e mirëpret si një rrugë zgjidhjeje, por tha se Edi Rama nuk ka legjitimitetin që ta dërgojë këtë çështje, duke kërkuar që procesi të vijojë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Ndërkohë, Ksenofon Krisafi, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-anëtar i grupit negociator shqiptar në bisedimet me Greqinë për çështjen e detit ka deklaruar se edhe për Hagën kërkohet plotfuqishmëria e Metës, pasi sipas tij, nuk bëhet fjalë për një marrëveshje mes dy qeverive, por për një marrëveshje shtetërore.
Presidentja në Detyrë dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës përcolli dy mesazhe kryesore në fjalën e mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë. Mesazhi i parë ishte miratimi i rezolutës që dënon krimet serbe në Kosovë.
“Po i bëj thirrje këtij Kuvendi që ashtu siç e kemi bërë në Kosovë, që të votojmë rezolutën që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur jemi të bashkuar ato do të dëgjohen edhe përtej Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Osmani.
Mesazhi i dytë ishte për heqjen e pengesave në ndërlidhjen mes dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit nuk e përmendi në emër, por qartas iu referua traut të vendosur në “Rrugën e Kombit”.
“Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Kjo është kundër frymës së lëvizjes së lirë, na lini të vimë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, ashtu siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë”, vijoi ajo.
Osmani u bëri thirrje të rinjve që të aktivizohen në politikë, ndërsa me fjalët e Faik Konicës kërkoi nga shqiptarët në Shqipërie e Kosovë që të heqin dorë nga kulti i individit.
Gjatë fjalës në Kuvendin e Shqipërisë të kryetares së Kuvendit dhe Presidentes në Detyrë të Kosovës ra në sy mungesa e Kryeministrit Edi Rama.
Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet ditën e mërkurë për të njoftuar me gjasë masat e reja shtrënguese për parandalimin e përhapjes së Covid.
Mbledhjes së ekspertëve i parapriu një deklaratë e Kryeministrit Edi Rama që paralajmëroi ashpërsimin e masave dhe penaliteteve për shkeljen e këtyre masave.
“Bashkë me adoptimin e asaj që do të thotë Komiteti, sanksione për partitë politike pa përjashtim. Çdolloj denoncimi që do të bëhet nga çdo takim do të ndëshkohet. Do të ndëshkohen personalisht me gjobë organizatorët e këtyre takimeve, qofshin ministra, deputetë, opozitarë rrugorë, qoftë Presidenti, kushdoqoftë”, tha Rama.
Megjithatë, Rama tha se qëllimi i masave shtrënguese nuk është shmangia e infektimit, por ulja e ritmit të tij për të garantuar qëq sistemi shëndetësor t’u ofrojë shërbim.
Gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së enjtes, Presidenti Ilir Meta u pyet në lidhje me çmimin e dhënë nga Departamenti i Shtetit për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
DASh e vlerësoin Dvoranin me titullin “Kampion i luftës kundër Korrupsionit”.
Presidenti tha se ky vlerësim për ish-kreun e KED nuk i ndryshon mendimin, që për të, Dvorani duhej të ishte në burg.
Meta nënkuptoi se ky titull është blerë nga Edi Rama.
Po në këtë intervistë, Meta shtjelloi edhe se çfarë nënkupton me togfjalëshin “mafie ndërkombëtare”, që thotë se ka kapur vendin.
Disa orë pas këtyre deklaratave të Presidentit, përfaqësitë kryesore ndërkombëtare në Tiranë, që këto ditë janë përqëndruar më fort tek fushata zgjedhore dhe mesazhet për një proces të paqtë, të rregullet e të ndershëm, iu rikthyen temës së reformës në drejtësi.
Ambasada e SHBA përshëndeti procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të BKH-së, ndërsa Ambasasdorja Yuri Kim tha se reforma në drejtësi nuk mund të ndalet nga “djemtë e këqinj”.
“SPAK po heton më shumë, po sekuestron më shumë asete dhe po vendos kriminelë më shumë pas hekurave. Gjykata Kushtetuese është funksionale, Gjykata e Lartë ka nisur shqyrtimin e dosjeve, vettingu vazhdon. Inspektorët e BKH-së po trajnohen! Reforma nuk është e lehtë, e shpejtë dhe as perfekte, por po ecën përpara, pavarësisht se djemtë e këqinj nuk e duan”, shkruan Kim.
Edhe Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca përshëndeti përzgjedhjen e anëtarëve të parë të BKH-së.
“Mirëpresim përfundimin e procesit të verifikimit për kandidatët e parë si hetues në BKH. Ata do të nisin trajnimet e specializuara. Me rëndësi hapja e një thirrjeje të dytë. BE vazhdon të mbështesë SPAK”, thuhet në mesazhin e Soreca-s.
Vizita e Edi Ramës në Kosovë e gjen vendin në mes të një fushate elektorale për zgjedhjet vendore dhe për të mos lënë shteg të interpretimit të kësaj vizite si ndërhyrje në këtë fushatë, Edi Rama zgjodhi që t’i takojë të gjithë krerët e partive politike në Kosovë.
Pas takimit me Kryeministrin Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Rama nisi me radhë takimet e shkurtra me udhëheqësit e partive politike kosovare, nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, Behgjet Pacollin e AKR-së, Fatmir Limajn e Nismës Socialdemokrate e deri te “miku-armik”, Ramush Haradinaj.
Haradinaj e priti Ramën në zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Nga pamjet e shpërndara nga zyra e shtypit e Kryeministrisë të dy ata shfaqen të buzëqeshur, e duket se ja kanë lënë së shkuarës përplasjet e forta, që përfunduan deri në padi për shpifje të ngritur nga Edi Rama në janar të 2020 ndaj ish-Kryeministrit të Kosovës.
Padia u ngrit pas deklaratave të Ramush Haradinajt, që akuzonte Edi Ramën e Hashim Thaçin se po lobonin për ndarjen e Kosovës për të ndarë miliarda euro pasuri të minierës së Trepçës. Rama më vonë u tërhoq nga kjo padi, ndërsa dy udhëheqësit shmangën prej vitesh takimet me njëri-tjetrin.
Rama e akuzonte Haradinajn për kokëfortësi për t’u tërhequr nga taksa 100 për qind, që pati vendosur ndaj mallrave serbe, edhe pse tërheqja ishte kërkuar nga Angela Merkel e Emmanuel Macron në një takim në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kryeministri Edi Rama i takoi pothuajse të gjithë në qëndrimin disaorësh në Prishtinë. Vizitën e nisi me takimin me Kryeministrin Albin Kurtin, e vijoi me takimin e udhëheqësve të partive opozitare, madje përfshirë këtu edhe Ramush Haradinajn, me të cilin ka pasur përplasjet më të forta për dalllimet në qëndrime në politikën e jashtme, por ajo që ra në sy është mungesa e takimit me Presidenten Vjosa Osmani, e po ashtu edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Zyra e Konjufcës tha se pas mungesës së një takimi qëndronin thjesht burokracitë e protokollit dhe asnjë arsye tjetër. Sipas kreut të Kuvendit të Kosovës, kur kjo zyrë është kontaktuar nga protokolli i Ramës, Konjufca ka pasur në agjendë një vizitë në Bërdo të Sllovenisë, por që është anuluar për shkak të ngjarjeve të fundit në Kosovë.
Ndërkohë, nga zyra e Presidentes Vjosa Osmani nuk ka një sqarim se përse nuk ka në takim me Ramën. Nuk përjashtohet edhe në këtë rast që pengesë të jetë bërë agjenda e planifikuar më herët, pasi Osmani ndërpreu para kohe vizitën në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zyra e Presidentes së Kosovës njoftoi të shtunën se Osmani ndërpreu vizitën për t’u rikthyer në Kosovë për shkak të situatës në veri.