Videot kryesore
Gjatë vijimit për operacionin e koduar me emrin “Kryqëzimi” nga Forcat e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Hetimin e Narkotikëve, janë sekuestruar armë zjarri, lëndë narkotike dhe aparate celulare.
Kryeministri Edi Rama ka nisur në Athinë takimin me homologun e tij grek, Qirjakos Mitsotaqis.
Pas pritjes protokollare në hyrje të godinës së Qeverisë greke dhe pas shtrëngimit të duarve dhe shkrepjes së fotove të rastit, dy Kryeministrit dhe delegacionet që i shoqëronin i janë drejtuar sallës së takimit.
Kryeministri Edi Rama shoqërohet nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Këshilltari Endri Fuga, ndërsa Kryeministri grek, Mitsotaqis shoqërohej nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të tij.
Rama ndodhet në kryeqytetin greke për të marrë pjesë në punimet dyditore të samitit mes vendeve të Bashkimit Europian me vendet e Ligës Arabe.
Krijimi i zonës së lirë ekonomike në Ballkanin Perëndimor si përpjekje për të afruar popujt e rajonit po prodhon si efekt anësor përçarjen e shqiptarëve. Në Tiranë, nisma e Ramës me Vuçic dhe Zaev ka hasur në një rezistencë minimale, por në Prishtinë klasa politike është shprehur thuajse njëzëri kundër.
Dukshëm marrë shkas nga qëndrimet dhe reagimet që mbërritën nga Kosova, në fjalën e mbajtur në përfundim të samitit të Ohrit, mesazhi i Kryeministri Edi Rama adresohej për në Prishtinë. Rama qortoi udhëheqësit kosovarë se rruga e vetëpërjashtimit dhe e vetëizolimit nuk sjell dobishmëri. Mes emrave që doli kundër nismës ishte edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Rama nuk e përmendi në emër, por mes rreshtave e akuzoi për qëndrime të dyfishta.
Çfarë shije ka një banane e ngjitur në mur në instalacionin e artistit italian Mauricio Cattelan, e që sipas galerisë “Art Basel Miami Beach” është vlerësuar të paktën 120 mijë dollarë? Këtë e zbuloi një tjetër artist.
David Datuna, një artist gjeorgjian me origjinë, por që e ushtron profesionin e tij në Nju Jork prej kohësh, hyri si vizitor në galerinë ku ekspozohej vepra e kolegut të tij italian dhe pa u menduar dy herë e shqiti atë nga muri, e zhveshi dhe e hëngri. Të gjithë këtë e bëri në sy të kameras.
“Artisti i uritur! Performancë e imja. E dashuroj veprën e Maurizio Cattelan dhe më pëlqen instalimi i tij. Është shumë i shijshëm”, shkroi ai në Instagram duke ironizuar si të mbivlerësuar veprën e artistit italian.
Organizatorët ndërhynë duke e zëvendësuar bananen e ngrëne me një tjetër, ndërsa veprimi i shkaktoi jo pak telashe artistit gjeorgjian me stafin e galerisë “Arta Basel Miami Beach”.
“Çmenduri! Shumë çmenduri”, i drejtohet njëra nga organizatoret e ekspozitës.
Monika Kryemadhi deklaroi se mungesa e reformës zgjedhore është një alibi që Kryeministri Edi Rama e ka përdorur që në pranverë të vitit të kaluar për të mos realizuar zgjedhje të parakohshme.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët të organizuar këtë të enjte, kryetarja e LSI-së thotë se me ngritjen e Këshillit Politik, pjesëmarrjen e opozitës së bashkuar në këtë Këshill dhe miratimi me konsensus i reformës, kjo alibi e Ramës bie.
“Nëse nuk miratohet reforma zgjedhore nuk bëjmë dot zgjedhje. Këtë e ka thënë edhe Edi Rama, që deklaronte se nuk bëj dot zgjedhje të parakohshme se s’kam reformë zgjedhore. Miratimi dhe heqja e këtij hendeku që kërkon të krijojë, e nxjerr Ramën zbuluar. Jemi të gatshëm ta miratojmë nesër këtë reformë, por a është PS e gatshme për ta miratuar këtë reformë që nesër në Parlament?”, deklaroi ajo.
Kryetarja e LSI-së thotë se nuk ka gjetur pakënaqësi në bazën e partisë për vendimin për t’u ulur në tryezë me socialistët.
“Të vetmit të pakënaqur janë ata që kanë dashur të jenë pjesë e lojës dhe të rrisin pazaret e tyre në kurriz të shqiptarëve. Nga takimi që kemi patur këto ditë me bazën, kam vënë re që njerëzit e shikojnë si një mundësi për të ecur përpara. Shqiptarët duan zgjedhje dhe ne si opozitë duam zgjedhje”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, Petrit Vasili, që është edhe pjesë e Këshillit Politik së bashku me Oerd Bylykbashin tha se marrëveshja është një fitore e opozitës së bashkuar dhe reflekton kërkesat e prezantuara prej saj që në tryezën e OSBE-së të paraqitura në vjeshtë të vitit të kaluar.
Duke filluar nga dita e hënë (3 shkurt) subjektet e ligjit special për masat pasurore ndaj personave të dënuar, apo akuzuar për krim të organizuar do të njoftohen përmes një kërkesë për të plotësuar një formular për burimin e pasurive të tyre.
Subjektet do të kenë afat 48 orë për të plotësuar këtë formular, që më pas do të dorëzohet tek Struktura e Posaçme Antikorrupsion, që do të vlerësojë sipas rasteve brenda 15 ditëve nëse burimi i pasurisë është i justifikuar për pushimin e çështjes dhe nëse gjen mospërputhje ta dorëzojë atë në gjykatë.
“Nga nesër do të duhet të paraqesin provat e burimit të pasurisë së tyre. Nga nesër një letër do t’u dërgohet këtyre subjekteve dhe do ta plotësojnë brenda 48 orësh kërkesat e formularit për burimin e pasurive të tyre dhe më pas formulari do të shkojë tek SPAK, deri në 15 ditë dhe nga SPAK në gjykatë deri në 15 ditë dhe ata do të duhet të vijnë para gjykatësit për të provuar sesa fort e kanë punuar tokën, sesa shumë ullinj e portokalle kanë mbledhur, sa shumë kanë bërë roje natën në objekte, sa janë lodhur dhe stërmunduar në fasoneri, sesa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda, apo jashtë vendit nëse duan që t’i mbajnë ato pasuri që kanë. Përndryshe, gjithçka që ata kanë sot nesër do të jetë pronë e shtetit dhe e Policisë së Shtetit”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e njësisë së re speciale “Operacioni Forca e Ligjit -OFL”.
Ky ishte sqarimi i kreut të Qeverisë sa u takon parashikimeve të ligjit special për pasuritë e personave të dënuar, apo të akuzuar për krim të organizuar. Masa tjetër është paketa “anti-KÇK”, që në shënjestër ka prokurorë e gjykatës të sistemit të drejtësisë, që sipas Kryeministrit Edi Rama janë në aleancë me krimin e organizuar.
“Në çdo rast kur do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim, paketa kërkon brenda 3 ditësh pezullimin nga detyra dhe nisjen e hetimit për ta. Ata janë bashkë, edhe sot që po na shohin janë bashkë dhe ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin të dyja palët”, vijoi ai.
Për këtë kategori prokurorësh e gjyqtarësh, Rama u zotua se do të vijë dita që të përballen me drejtësinë.
“Vettingu nuk është gjykatë, as prokurori. Nuk ka për detyrë të ndëshkojë ata që kanë vënë pasuri marramendëse me çekiçin e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin, kur ata që nuk justifikojnë pasuritë largohen dhe ata të cilët dalin të pastër, siç janë të gjithë anëtarët e sotëm të SPAK, futen në sistem dhe siç ndodh në këtë operacion nga nesër janë sistemi i ri që bashkë me OFL dhe policinë do t’u kërkojnë subjekteve të ligjit që të provojnë burimin e pasurisë së tyre, jo më të stërmundohet e gjithë policia dhe prokuroria për të gjetur prova dhe provuar para gjykatësish, që në të shumtën e herës janë kriminelë dhe jo gjykatës”, tha ai.
Kryeministri premtoi gjithashtu se pasuritë e sekuestruara nga krimi do të përdoren për rritjen e rrogave dhe kapaciteteve për Policinë e Shtetit. Ligjet në fjalë i cilësoi si instrumenta ekstreme në një kohë që kërkon masa ekstreme, që e çojnë në një tjetër nivel përballjen e shtetit me krimin e organizuar.
“Kemi në dispozicion një instrument jashtëzakonisht të fortë në duart e shtetit, në duart e Policisë së Shtetit dhe në duart e OFL, ligji special për marrjen e të gjitha masave të nevojshme pasurore ndaj të gjithë atyre që në 30 vjet janë dënuar, apo janë akuzuar për krim të organizuar, terrorizëm, krime të rënda dhe sot ndryshe nga më parë ne kemi një garanci më shumë, SPAK-un. SPAK tanimë është ngritur dhe kjo është sporva e parë për vetë SPAK”, u shpreh ai.
Rama tha se as ai vetë dhe as Qeveria që drejton nuk mund të akuzohet për mungesë vullneti për të ndërmarrë dhe çuar përpara reforma të guximshme në vend, ndërsa kujtoi edhe disa parashikime të tjera kufizuese të ligjit special për pasuritë me burime të dyshimta.
“Ligji parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe familjarëve të tyre në tendera, apo në çdo aktivitet ku ka një qindarkë nga taksat e qytetarëve, heqjen e të gjitha licencave që disponojnë. Ju e dini shumë mirë dhe unë e besoj, këta ruajnë me polici private, këta nuk do të gëzojnë me asnjë licencë nga ato që zotërojnë. Kanë sisteme videosh, e survejimesh nuk do t’i gëzojnë, ose duhet të provojnë ligjshmërinë e tyre”, deklaroi Kryeministri.
Rama e mbylli fjalën e tij duke thënë se në dorë të OFL-së është një investim i madh për të shtuar besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë tek shteti.
Ndërkohë, në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi nga opinioni publik dhe mediat që në këtë operacion të rreshtohen në krah të Policisë së Shtetit dhe jo të krimit.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, që prej marrjes së detyrës. Gjatë vizitës në Prishtinë, Cakaj zhvilloi një sërë takimesh me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës.
Në mungesë të një vaksine të certifikuar dhe në mes të amullisë së informacioneve për kurat e patestuara kundër koronavirusit, këshilla numër një e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është higjiena sanitare.
Theksi i këshillës është veçanërisht larja e shpeshtë e duarve me sapun, madje për këtë OBSH ka publikuar edhe një video-manual sesi duhet të lahen duart.
Shërbimet e marrjes së vërtetimeve për lëvizje, apo ushtrim aktiviteti për qytetarët, apo bizneset po transferohen gradualisht nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit tek faqja e shërbimeve qeveritare, e-Albania.
Pas kalimit të lejeve për ushtrimin e biznesit në këtë platformë, edhe qytetarët që duan të lëvizin për arsye shëndetësore mund të marrin autorizimin përmes e-Albanias. Autorizimi është i vlefshëm vetëm për rrugën nga shtëpia për në qendrën shëndetësore dhe kthim.
Aplikimi do të kryhet përmes shërbimit ONLINE “Leje per dalje“ për arsye shëndetësore, në e-Albania, që gjendet pas identifikimit në portalin e-Albania përmes llogarisë tuaj në sektorin “Leje për dalje”, ku zgjidhet i opsionin "Leje për arsye shëndetësore";
Kërkuesit duhet të shkruajnë saktë datën, orën e lëvizjes dhe itinerarin me destinacionin përkatës. Në rastet kur lëvizja për arsye shëndetësore do të bëhet me automjet në pronësinë aplikuesit, do të shfaqet direkt në listë, nëse jo, qytetarët mund të shtojnë manualisht të dhënat e mjetit me të cilin do të udhëtojnë, si targën dhe numrin e shasisë.
Miratimi do të dërgohet në adresën e-mail dhe në numrin e telefonit të regjistruar në portal. Kërkesa për leje për arsye shëndetësore bëhet vetëm në e-Albania dhe kushdo që lëviz përmes kësaj lejeje duhet të ketë me vetë një dokument mjekësor për vizitën. Në të gjitha rastet, nuk mund të lëvizet me më shumë se dy persona.
“Amnistia” e gjobave, ashpërsim i ndëshkimeve
Të gjitha gjobat e vendosura nga ana e Policisë së Shtetit deri të premten e 17 prillit për këmbësorë dhe drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të karantinës zerohet/ Bëhet fjalë për rreth 9 mijë persona në total, ndërkohë që për ata që e kanë paguar gjobën dhe u është sekuestruar licenca e qarkullimit të mjetit së bashku me lejen e drejtimit premtohet t’u rikthehen paratë së bashku me dokumentacionin brenda datës 15 maj.
Por, së bashku me “amnistinë” për këto gjoba, për të cilët opozita dhe juristët ngritën dyshimet mbi kushtetueshmërinë e tyre mbërrijnë edhe përforcimi i ndëshkimeve për shkelësit e urdhrave dhe vendimeve të autoriteteve për masat parandaluese ndaj përhapjes së Covid-19.
Tashmë, shkelja e këtyre masave është përfshirë në Kodin Penal, pas votimit në Parlament të enjten e javës së kaluaar. Sipas parashikimeve të vendosura në Kod, për moszbatim urdhri ndëshkimi shkon nga gjobë deri në 6 muaj burg për individë dhe gjobë deri në dy vite burg për bizneset.
Dy deri në tre vite burg ndëshkohen personat që pavarësisht janë, apo jo mbartës së virusit shkelin urdhrin e izolimit, gjobë ose dy vite burg për ata që përhapin sëmundjen nga pakujdesia dhe burg nga dy deri në pesë vite për ata që përhapin me dashje infeksionin. Kur përhapja e virusit, me ose pa dashje ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin e personave të tjerë, deri në vdekjen e tyre ndëshkohet me burg nga tre deri në 8 vite.
Duke filluar prej kësaj të hene lejohet lëvizja për këmbësorët me leje nga ora 05:00 deri në orën 17:30. Në të njëjtën fashë orare mund të qëndrojnë hapur dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre të gjitha bizneset që janë përfshirë në listën e publikuar në e-Albania, duke respektuar protokollet e sigurisë.
Lëvizja me makinë për në punë lejohet në dy fasha orare, nga ora 05:00-08:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:30. Autorizimi për të shkuar në punë me makinë jepet për një javë përmes e-Albanias.
Lulzim Basha akuzon Qeverinë për braktisje të qytetarëve në këtë kohë krize. “Shqiptarët po i rikthehen jetës normale duke u munduar vetë për të ruajtur rregullat e higjienës dhe ato të distancimit social”, thotë kreu i PD.
Por, Basha deklaron se normaliteti mungon tek ekonomia dhe xhepat e boshatisur të qytetarëve dhe bizneseve në vështirësi.
“Në rrugë dhe dyqane takova qytetarë që nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë nga Qeveria. Pandemia ekonomike e shkaktuar nga dështimet e Ramës në menaxhimin e krizës po i varfëron edhe më shumë familjet shqiptare”, deklaron kreu i opozitës përmes një postimi në rrjetet sociale.
Basha e shoqëron këtë reagim me një video të shkurtër ku shfaqet në bashkëbisedim me pronarë biznesi të vogël, të cilët i ankohen për mungesën e ndihmës nga Qeveria dhe faturime të larta të energjisë elektrike e të ujit.
Një 28 vjeçar me precedent të theksuar kriminal ka përfunduar në prangat e policisë, ndërsa dyshohet si autor i vendosjes së një sasie lënde eksplozive në një lokal në lagjen “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, mëngjesin e së enjtes.
“Pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore u bë e mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Vihet në pranga 28-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, vjedhjes së pronës dhe krimeve ndaj personit.
Zbradhja e ngjarjes dhe finalizimi i operacionit nga Komisariati i Policisë Nr 2 dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në DVP Tiranë.
Sekuestrohen rrobat dhe biçikleta që autori ka përdorur gjatë kohës së vendosjes së lëndës eksplozive”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ku në derën e lokalit të shtetasit A.B., shpërtheu një sasi lënde plasëse duke shkatur dëme materiale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor të përbërë nga Specialistë për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 dhe Specialistë për hetimin e krimit ndaj pronës dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijoi puna intensive për zbardhjen e ngjarjes.
“Si rezultat i veprimeve profesionale dhe punës intensive të pandërprerë hetimore të bërë nga Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë, u bë e mundur që brenda 24 orëve të zbardhej ngjarja, duke identifikuar autorin e dyshuar të vendosjes së eksplozivit.
Mbi provat e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Eksplozivi”, ku gjatë operacionit u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar F. A., 28 vjeç, banues në Tiranë me precedent të theksuar kriminal, i dënuar më parë me 2 vjet burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe i arrestuar për veprën penale “Vjedhje”.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale biçikletën, veshjet, një qese në të cilën ishte vendosur lënda eksplozive, atletet, sende këto të cilat autoi i kishte përdorur në kryerjen e veprës penale.
Materialet do ti referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, thuhet në njoftimin e policisë.
Halit Valteri dhe Ralf Gjoni, dy deputetët e opozitës parlamentare duket se janë përplasur me njëri-tjetrin në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Deputetët janë filmuar nga kamerat e televizionit publik që ndodheshin në sallë teksa debatojnë nga vendi me njëri-tjetrin. Nuk dihet se çfarë kanë shkëmbyer, por nga mimika e tyre kuptohet që nuk bëhet fjalë për një diskutim fort miqësor.
Valteri shfaqet i nervozuar dhe është dashur ndërhyrja e deputetëve të tjerë të opozitës parlamentare, si Nimet Musai dhe Myslim Murrizi për të shmangur një konfrontim fizik në Parlament. Është e paqartë se çfarë e ka acaruar debatin mes tyre, në kohën që në foltoren e Kuvendit po fliste ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Pierre Gasly fiton në mënyrë surprizë Çmimin e Madh të Italisë, i ndarë në dy akte nga një flamur i kuq në xhiron e 27-të nga një incident i Charles Leclerc. Piloti francez i skuderisë italiane AlphaTauri regjistron kështu fitoren e parë në Formula 1. Gasly mbërriti në finish para Carlos sainz, që nuk u dorëzua deri në fund, dhe Lance Stroll, të cilët kompletojnë podin.
Ishte një garë surreale, jo vetëm për mungesën e publikut për shkak të normave anti-Covid. Momenti kyç i garës lidet me një penalitet, një “stop and go” prej 10 sekondash për Lewis Hamilton dhe Antonio Giovinazzi, pasi hynë në bokse në xhiron e 21-të në një fazë të ndaluar. Deri në atë moment Hamilton po dominonte, më pas e pa veten në vend të 7-të.
Mjaft i zoti u tregua Gasly, si faktikisht, ashtu edhe në shfrytëzimin e rastit që iu krijua. I vetmi ferrarist që buzëqesh është ai i së ardhmes, Carlos Sainz, që e mbyll i dyti, duke regjistruar rezultatin më të mirë në Formula 1 pikërisht përpara atij që nga viti 2021, do të jetë publiku i tij. Për spanjollin e McLaren ishte një paraqitje solide, që e bën skuderinë e tij gjithmonë e më bindëse si forca e tretë e botërorit. Pozitive ishte edhe paraqitja e Stroll, që arrin podin e parë sezonal.
Ferrari nuk ekziston, Sebastian Vettel tërhiqet në xhiron e tetë pas një defekti në frena. Për Charles Leclerc, fitues vitin e kaluar në Itali, një përplasje e fortë ndaj barrierave i kushton shtrenjtë. Vazhdon makthi pa fund për skuderinë italiane.
Ambasadorja amerikane në Tiranë njohu përpjekjet e autoritetet shqiptare në luftën kundër korrupsionit, por duke folur në konferencën e prezantimit të raportit të GRECO-s për antikorrupsioni, Yuri Kim tha se vendi përballet ende me një mal me probleme.
“Në lidhje me korrupsioni ka një mal me probleme në Shqipëri dhe përpjekjet e bëra pas reformës në drejtësi nuk duhen marrë si deklarata fitoreje”, u shpreh Kim.
Kryediplomatja amerikane tha se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të çrrënjosur korrupsionin, por kërkoi nga Qeveria që të tregojë më shumë vullnet për t’u anuar nga ana e qytetarëve. Kim foli përmendi që nga korrupsioni më i rëndomtë në zyrat e shtetit, deri tek format më të ndërlikuara të tij me fryrjen e vlerës së tenderave.
“Një nga mënyrat për të çrrënjosur korrupsionin është të punosh në emër të qytetarëve dhe jo në emër të interesave të ngushta. Qytetarët kanë nevojë që paratë e tyre të investohen për përmirësimin e jetës së tyre. Të gjitha qeveritë vuajnë nga një nivel korrupsioni, por qeveritë mund të dënojnë ata që bëjnë korrupsion. Policia, prokurorët dhe gjyqtarët e pavarur janë thelbësorë për një qeverisje të mirë. Do të ketë gjithmonë aktorë të këqinj, por qeveritë duhet t’i dënojnë duke treguar që qeveria është në krahun e njerëzve”, tha ambasadorja.
Edhe Kryeministri Edi Rama i mëshoi reformës në drejtësi si mekanizmi që do të luftojë korrupsionin. Por, ai e cilësoi të gabuar perceptimin se koka e korrupsionit në Shqipëri janë politikanët.
“Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët. Nuk kanë qenë politikanët, pavarësisht se kanë qenë pjesë. Koka ka qenë gjykatësit dhe prokurorët që kanë garantuar pandëshkueshmërinë në këtë sistem. Po të mos kishin qenë këta, nuk do të kishin qenë as korrupsioni spektakolar dhe nganjëherë edhe vrastar i politikanëve. Nëse nuk vendoset në themel të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30-vjeçar, që është fiks tek korporata që vettingu po e shpërbën, por nuk mjafton, atëherë ngrehina nuk do të qëndrojë dhe historia do të përsëritet dhe do të përsëritet keq”, tha Rama.
Procesi i numërimit të votave në Kosovë po shkon drejt fundit. Sipas tabelave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur janë numëruar mbi 98 për qind e tyre, Vetëvendosje kryeson me 48.17 për qind e tyre, ndjekur më pas me radhë nga PDK, LDK dhe AAK.
Aktualisht janë duke u numëruar votat me postë dhe votat me kusht. Pas Vetëvendosjes PDK ka marrë 17.3 për qind dhe LDK 13.1 për qind. E treta renditet AAK me 7.4 për qind.
Nisma e Fatmir Limajt nuk e ka kapur pragun prej 3 për qind për të hyrë në Kuvend. Të gjitha partitë politike e uruan Vetëvendosjen për fitoren, ndërsa procesi është vlerësuar si shembullor nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Ky referendum për drejtësi, punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën mbrëma.
Ai u zotua se qeveria e tij nuk do të hakmerret me askënd, por do të kërkojë llogaridhënie. Lideri i LVV-së tha se fitorja “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.
Kurti falënderoi kundërshtarët për garën e drejtë dhe i ftoi që të reformohen. I pyetur për mundësinë e koalicioneve, sipas tij, rezultati zgjedhor sugjeron se ata mund të krijojnë vetë qeverinë.
“Ky rezultat tani ne na e konfirmon se nuk kemi nevojë, e nuk kemi interes për ata që duhet të reformohen në opozitë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, që garon për postin e Presidentes tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.
“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare radhitet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha nga ana tjeter se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor. Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane.
Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t'i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit. Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se në ditët në vijim, do të bëjnë një analizë të thellë të zgjedhjeve.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës ka uruar nga ana tjetër Kurtin për fitoren, por paralajmëroi se nuk do të formonte një qeveri me Vetëvendosjen. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.
Komisioni Rregullator shpalli moskompetencën për vendosjen e modelit të fletës së votimit dhe ja kaloi këtë detyrë Komisionerit të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
Rregullatori u mblodh mbrëmjen e kësaj të mërkure në përpjekjen e radhës për të vendosur për njërën nga tre modelet e dorëzuara nga Ilirjan Celibashi për miratim, ku dy janë me emra dhe një me numër.
Përfaqësuesi socialist në këtë mbledhje, Eridian Salianji tha se Rregullatori nuk mund të vendosë për këtë çështje dhe duke cituar nenet e Kodit Zgjedhor u kërkoi anëtarëve të këtij Komisioni që t’ja kthejnë atë sërish Celibashit.
Pas hedhjes në votim nëse kjo ishte apo jo kompetencë e Rregullatorit, anëtarët e këtij komisioni votuan unanimisht që jo.
Ndërkohë, anëtari i Rregullatorit, Dritan Çaka i kërkoi Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi që të nisë menjëherë hetimet në lidhje me dyshimet se vaksinat po përdoren nga mazhoranca për fushatë elektorale.
“Komisioneri të ndalojë menjëherë propagandën dhe përdorimin e burimeve publike në mbështetje të një subjekti zgjedhor. Në aktin normativ për vaksinat parashikohet se vaksinat do të mbulohen nga buxheti, pra nga taksapaguesit shqiptarë. Pra, çfarë merite ka kryetari i PS dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës për vaksinat?! Ftoj Komisionerin të ndëmarrë një hetim të plotë, të thelluar dhe të menjëhershëm”, tha Çaka.
Ilirjan Celibashi iu përgjigj se do ta marrë në konsideratë menjëherë këtë çështje.
Komisioni Rregullator u mblodh edhe gjatë paradites së të mërkurës për të vendosur për modelin e fletës së votimit. Në këtë mbledhje, Celibashi ka deklaruar se i takon Komisionit Rregullator të vendosë.
“Ju kam sjellë tre variante. Dy me emra kandidatësh dhe një ku kandidatët përfaqësohen me numra. Ju takon juve të vendosni”, tha Celibashi.
t