Videot kryesore
Kryeministri Edi Rama doli në konferencë për shtyp me temë bujqësinë, por përballë pyetjeve të gazetarëve foli gjatë edhe për përgjimet e anti-mafias italiane dhe akuzat e hedhura për përfshirjen e “Ndraghetas” në Shqipëri.
Ai i quajti “tymnaja të neveritshme të hedhura nga opozita dhe mediet, që sipas Ramës, citojnë në mënyrë selektive përfundimet e prokurorisë italiane. Sipas këtyre përfundimeve, Rama thotë se hetuesit italianë thonë se mafia italiane dështoi në përpjekjet e saj për zgjerimin e aktivitetit në Shqipëri.
"Nuk do të them për këtë duhet të flasë drejtësia, sepse në këtë rast ka folur qartësisht duke dhënë konkluzion ekipi italian he po ua lexoj për të thënë pse është turp për të gjithë ju që në vend te merreni me fakte, bëni dezinformim. Në konkluzion, citoj prokurorinë italiane, pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njeri-tjetrin për investimet që do të bëheshin në Shqipëri ata dështuan totalisht dhe i vetmi investim është një dyqan i vogël, që në vitin 2018, sipas bilanceve të publikuara në QKB ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe humbi në fund të atij viti rreth 400 mijë lekë të reja, ndërsa në vitin 2019 siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje”, tha Rama.
Kryeministri thotë se nuk ka asnjë provë dhe se përgjimet e anti-mafias italiane po përdoren për qëllime politike.
“Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të mediave. Nuk e imagjinoj dot që të merret kohë nga koha e njerëzve për t'iu hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kuturbuese budallallëku dhe poshtërsie.. Është një mënyrë më e ulët se s'ka për të kërkuar avantazhe duke 'ia bërë nënë këtij vendi' përsëri, si gjithmonë”, deklaroi ai.
Në përgjimet e palës italiane përmendet edhe emri i Ilir Kullës, këshilltar i Presidentit Ilir Meta. Rama nënkuptoi se përmendja e emrit nuk e bën fajtor.
“Ju e dini se sa i gatshëm jam ta mbroj Metën aty ku nuk mbrohet, por nëse përmendet aty me emër dhe mbiemër, nëse këshilltari i tij që njihet si tregtar lajmesh të rreme, e provuar nga gjykata italiane për t’i bërë nënë vendit këtu, është aty, unë kam të njëjtin qëndrim edhe për ata; po pastaj? Ata mund të kenë njohje direkte me ata njerëz, po pastaj? Prokuroria italiane e ka dhënë këtë konkluzion. Nuk ka fakte dhe as prova”, deklaroi ai.
Në “mbrojtje” mori edhe Bashën.
“Ai deputet dihet që është mik i Lulzim Bashës dhe PD dhe lidhjet e këtyre njerëzve janë me të djathtën. Po pastaj?! Çfarë duhet të them unë që Lulzim Basha priste këta njerëz që i çonin mafiozët dhe u jepte fjalën që do të ndihmonte mafiozët?! S’e them dot kurrë!”, tha Rama.
Në lidhje me këto përgjime një mbrëmjen e së hënës ka reaguar edhe ambasada italiane në Shqipëri, duke bërë thirrje që çështja t’i lihet në dorë drejtësisë. SPAK nga ana tjetër ka deklaruar se po të hënën do të vihej në kontakt me autoritetet italiane për këtë çështje.
Fillesa e përgjimeve janë pas një operacioni të antimafias italiane, ku u ekzekutuan 50 masa ndalimi me akuzën për korrupsion dhe mashtrim në vlerën e 250 milionë eurove në kuadër të grupit mafioz "Ndrangheta". Aksioni pasoi një periudhë disavjeçare përgjimesh, që datojnë prej 2016-ës. Mes përgjimeve janë edhe telefonatat mes disa të arrestuarve për investime në Shqipëri.
Partia Demokratike akuzon Qeverinë për shpërndarje selektive të ndihmave për qytetarët në nevojë dhe se gënjen kur thotë se rezervat e shtetit kanë ushqime dhe materiale të tjera jetike për 3 muaj.
“Shpërndarje e ndihmave selektive, propagandë me rezervat e shtetit se ka furnizime për 3 muaj me ushqim. Të dashur qytetarë, rezervat kanë zero ushqime për ju, sepse aty nuk u duhet fare nëse e keni plot apo bosh frigoriferin. Nëse keni ilaçe apo jo. E kanë mendjen si të vjedhin dhe si të ndajnë paratë tuaja me miqtë dhe oligarkët. Ju jeni pa bukë dhe Edi Rama dhe Olta Xhaçka sapo dhanë një tender 1.5 mln euro”, deklaroi ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj ngre disa pyetje në lidhje me tenderin e hedhur nga Qeveria për blerjen e ushqimeve.
“Pse u vonua me një muaj tenderi për blerjen e ushqimeve? Si u përzgjodh kompania fituese? Kush e fitoi tenderin?”, tha ai.
Ish-deputeti demokrat e mbylli deklaratën duke thënë se këto pyetje kërkojnë përgjigje nga “Alo Qeveria”.
Përpjekjet e Bashkisë së Tiranës për të marrë zyrat e Frymës së Re Demokratike hasën në një rezistencë të papritur; përballë Policisë Bashkiake u vendos fizikisht as më pak dhe as më shumë, por vetë Presidenti i Republikës.
Ilir Meta, i shoqëruar nga këshilltarë të tij është shfaqur befasisht tek zyrat e kësaj partie. Në derë që e priste nuk gjeti vetëm kryetarin e FRD-së, Sali Shehun, por edhe punonjës të policisë bashkiake, që prej orëve të paradites kishin bllokuar hyrjen e drejtuesve të FRD-së në katin e tretë të godinës, aty ku kanë zyrat.
Përballë kamerave, Meta u kërkon policëve bashkiakë që t’i hapin rrugën e të lirojnë godinën, madje duke i paralajmëruar se në të kundërt “do t’iu çoj me duart e mia në burg”. Pas momentesh tensionesh e shtyrjesh fizike mes punonjësve të bashkisë nga njëra anë me shoqëruesit e Presidentit dhe drejtuesit e FRD-së nga ana tjetër, Ilir Meta ka ndërhyrë personalisht.
Duke u bërtitur, Presidenti u është drejtuar fizikisht me thirrjet: Dilni përjashta! Përjashta të gjithë! Sipas Metës, vendimi i Policisë Bashkiake në kryeqytet, është i paligjshëm dhe ka prapavijë politike.
“E konsideroj si një përpjekje për grusht shteti. T’i sjellësh një partie zyrtare, opozitare menjëherë pasi nënshkruan një marrëveshje me PD dhe partitë e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, t’i sjellësh një shkresë të tillë që nuk ka as vulë, as emër titullari për të mbajtur përgjegjësi nesër, të bërë me vrap e nxitim vetëm për të dhunuar fizikisht, por edhe psikologjikisht çdo forcë opozitare”.
Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i kërkoi të heqë dorë nga veprime të tilla, policisë së Shtetit dhe asaj bashkiake që të respektojnë ligjin, pasi do të përfundojnë “nën këmbët e popullit si policët e Mubarakut”, ndërsa një thirrje e pati edhe për Lulzim Bashën.
“I bëj thirrje të gjithë opozitës që të zgjohet dhe të mos lejojë më asnjë prekje të rregullave të garës. Do të jetë vonë edhe për të jo vetëm për qytetarët në rast se do të tolerojë partinë bandë”, tha Meta.
Kryetari i FRD-së, Sali Shehu tha se Policia Bashkiake u ka ndaluar hyrjen në këtë godinë me argumentin se është e amortizuar, por sipas tij kjo është një goditje politike në mes të fushatës. Shehu shprehet se do të bëjë kallëzim për Bashkinë e Tiranës dhe Policinë Bashkiake.
Kjo seli ka qenë e PD-së, e cila në prill të 2016, siç është shprehur Shehu, i ka kaluar me ligj FRD-së.
Më herët, Bashkia e Tiranës shpjegoi përmes një letre dërguar kreut të partisë, Sali Shehu që më 3 mars, se duhen liruar zyrat për të bërë ndërhyrje me qëllim mirëmbajtjen, pasi hapësira është pronë e saj.
Më herët, Bashkia e Tiranës shpjegoi përmes një letre, dërguar kreut të partisë, Sali Shehu, se duhen liruar zyrat për të bërë ndërhyrje me qëllim mirëmbajtjen, pasi hapësira është pronë e saj.
Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se në vend që të shqetësohet për mijëra qytetarë, që sipas saj, sot janë pa punë e bukë, merret me video-montazhe për të sulmuar opozitën.
“Në vend që të shqetësohet për mijëra shqiptarë që sot janë pa punë, pa bukë, mijëra prindër që janë në ankthin e përditshëm të infektimit apo të humbjes së vendit të punës, Edi Rama merret me videomontazhe të turpshme për të sulmuar opozitën”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
Bardhi tha se qeveria nuk ka paratë, as ato që u ka premtuar qytetarëve.
“Nuk ka gati asnjë qindarkë t’u japë nesër shqiptarëve, siç ua premtoi. Nuk do tja dijë se as gjysma e atyre që duhet të merrnin paratë e paketës së parë nuk i kanë marrë akoma. Çfarë turpi që në këto ditë krize të thellë për çdo shqiptar ai ka vetëm një obsesion, të sulmojë opozitën!”, shkruan Bardhi.
Këtë reagim të PD-së e ka nxitur një video-montazh i krijuar nga një faqe satirike në rrjetet sociale dhe më pas i postuar në Instagram nga Kryeministri Edi Rama, ku shfaqet Lulzim Basha në një konferencë për shtyp me fjalët “Unë dhe Partia Demokratike morëm fund!”.
Presidenti Ilir Meta iu rikthye gjuhës së ashpër të 2019-ës dhe marsit të 2020 ndaj Qeverisë. Ai foli për grupe paramilitare që po bëjnë fushatë për socialistët, për banda ndërkombëtare e vendore që duan të shtypin një popull e për Qeveri që ka dalë garante e Ndraghetës për t’i pastruar paratë e krimit.
Meta u shpreh se ka një plan të qartë për të mbrojtur votën e shqiptarëve më 25 prill dhe se ndryshe nga 2017-të, këtë herë do të flasë dhe të veprojë para se, sipas tij, zgjedhjet të mbahen me standardet e Shijakut dhe të Dibrës.
Presidenti interpretoi edhe incidentin e ndodhur në Elbasan, ku u përplasën mbështetësit e Ramës dhe të Bashës. Përgjegjës bëri Ramën, ndërsa nënkuptoi se në radhët e PS-së ishin persona të botës së krimit, që i quajti grupe paramilitare. Presidenti përsëriti se vendi është nën kërcënimin e bandave, që tha se janë ndërkombëtare dhe lokale.
“Pse i përplasin takimet në të njëjtën kohë?! Eksperimente të tilla me grupe paramilitare nuk duhet të ekzistojnë, sepse do të ketë veprime të paimagjinueshme ndaj kujtdo që kërkon të shkelë shqiptarë, për t’i treguar vendin kujtdo që mendon se mund të shtypë me këmbë popullin shqiptar, sipas porosive të marra nga bandat ndërkombëtare dhe lokale, siç i patë ata të Elbasanit, që janë me tendera dhe kriminelë”, tha Meta.
“Nuk lejon Ilir Meta instalimin e një junte në Shqipëri. Është detyrë e presidentit që t’i dalë për zot Kushtetutës. E pësuam njëherë në zgjedhjet e 2017-ës dhe mos prisni që Presidenti të reagojë pasi të bëhen zgjedhjet me standardet e Shijakut, Dibrës dhe të bandës së Bashkisë së Tiranës”, tha ai.
Dy persona kanë gjetur vdekjen në rrugën "Islam Alla" në Tiranë, që lidh Rrugën e Kavajës me Rrugën Myslym Shyri.
Nga të shtënat dyshohet se autori është një burrë që ka qëlluar për vdekje vëllanë dhe kunatën e tij.
Nga informacionet e para, ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të një agjencie turistike.
Policia nuk ka dalë ende me një informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë.