Videot kryesore
Kryeministri Edi Rama doli sërish në rrjetet sociale për të shpjeguar më me detaje sesi do të funksionojë ashpërsimi i masave të lëvizjes dhe si merret leja përmes portaleve qeveritare për një person në familje për të dalë për të blerë ushqime.
Ashpërsohen masat, nga e hëna del 1 person për familje, leja me aplikacion
Javën e ardhshme do të ashpërsohen edhe më tej rregullat e kufizimit të lëvizjes. Kryeministri Edi Rama njoftoi se vetëm një person për familje do të lejohet që të dalë për të kryer blerjet e domosdoshme brenda orati 05:00-13:00.
Kryeministri njoftoi se aplikimi për lejen e daljes do të kryhet online dhe do të jepet po online, ndërsa fundjava do të jetë sërish izolim total, pa asnjë përjashtim.
“Gati aplikacioni online, ose me SMS për leje-daljen e vetëm një personi nga familja për të bërë pazar. Njësoj si javën e shkuaar, nga ora 13:00 nesër, deri të hënën në orën 05:00, të gjithë në shtëpi dhe të gjithë qepenat mbyllur”, shkruan Rama.
Kreu i Qeverisë thotë se duke nisur nga e hëna askush nuk do të lejohet që të dalë të bëjë pazar pa marrë më parë lejen digjitale me e-mail, ose telefon në emër të familjes së tij, ndërsa njofton se brenda të premtes do të prezantohet aplikacioni ku mund të dorëzohen kërkesat për leje-dalje.
244-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë bashkë tre aktorët kryesorë të politikës shqiptare. Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha u mblodhën nën tendën e Yuri Kim mbrëmjen e së premtes për të marrë pjesë në ceremoninë festive të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
“E nderuar që të festoj 244-vjetorin e lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Faleminderit miqëve shqiptarë për urimet e mira. Shpresojmë për festime më të mëdha vitin e ardhshëm”, shkruan ambasadorja e SHBA në Tiranë në Twitter.
Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta ka publikuar letrën që i ka dërguar Presidentit Donald Trump me këtë rast, ku i siguron gjithashtu vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kam kënaqësinë t’Ju përcjell i dashur Zoti President, vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që t’i shërbejmë interesit të përbashkët të të dy kombeve tanë miq, teksa Shtetet e Bashkuara festojnë 244-vjetorin e Pavarësisë dhe ripërtërijnë energjinë e tyre për t’u përballur me sukses me sfidat e kohës sonë”, shkruan Meta.
Kryeministri Edi Rama përcolli urimin e tij me dy fjali, një në anglisht dhe një në shqip, ku uron Pavarësinë dhe postimin e shoqëron me një video-mesazh me shprehje nga Presidentët që kanë bërë historinë e SHBA ndër vite.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha shpërndan postimin falenderues të Ambasadores Kim, ku i shpreh mirënjohjen për mikpritjen dhe mbështetjen që i ka ofruar Shqipërisë në këto kohë të vështira.
“Faleminderit Ambasadore Yuri Kim për mikëpritjen bujare dhe faleminderit popullit dhe qeverisë tuaj për mbështetjen e pakursyer në këto kohë të vështira. Gëzuar 4 Korrikut për të gjithë miqtë amerikanë. Zoti e bekoftë SHBA dhe Zoti e bekoftë Shqipërisë!”, shkruan Basha.
Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar deklaratën e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha se situata në spitalet e Covid është jashtë kontrollit me pacientë të tejmbushur.
Rama ka nxjerrë një video të situatës vetëm në spitalin Covid-3.
“Këto pamje janë sot, tani, live, brenda spitalit Covid 3, ku siç e shihni ka shtretër të gatshëm dhe mjekë e infermierë në gatishmëri!
Po pamje krejt të ngjashme sallash e shtretërish të gatshëm, së bashku me trupa të gatshme bluzash të bardha, mund të shihen në spitalin Covid 4 që ende nuk është hapur – ndërkohë që në bazë të strategjisë së vjeshtë/dimrit jemi gati të hapim edhe struktura rajonale me të gjitha kushtet e stafet mjekësore, nëse do të jetë nevoja.
Kjo është padiskutim një situatë e vështirë, po ku nuk është?
Por kjo vështirësi nuk kalohet me akuza, sharje, shpifje e sajesa, po me përpjekje të mëdha dhe solidaritet të madh!”, shkruan Rama.
Kryeministri u shpreh optimist se edhe kjo sfide do fitohet.
Myslimanë dhe të krishterë janë bërë bashkë në pjesën e vjetër të Mosulit në procesin e vështirë të rindërtimit dhe gjetjes së paqes së humbur nga dallga e pashoqe e dhunës së ISIS-it, që nuk kurseu as kishat dhe as xhamitë.
Kisha Al-Tahara dhe xhamia Al-Nuri janë përzgjedhur ndër objektet e para për t’u rindërtuar dhe rikthyer në gjendjen origjinale, edhe për të përçuar mesazhin se kundër terrorit, myslimanët, të krishterët dhe të gjitha sektet e tjera fetare në Mosul janë të bashkuar.
Projektiv financohet nga UNESCO dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Si kisha Al-Tahara, ashtu edhe xhamia Al-Nuri janë objekte shekullore dhe dëshmi e bashkëjetesës fetare ndër shekuj në Irak, deri kur ISIS i shkatërroi në vitin 2017.
Teatri Kombëtar nisi të shembet në orët e para të ditës së sotme.
Rreth orës 04:30, fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit nisën rrafshimin e të dyja godinave, Tetarit Eksperimental dhe atij Kombëtar. Grupi i artistëve të Teatrit Kombëtar së bashku me disa politikanë janë shoqëruar në komisariat, ndërsa në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policie. Mes tyre janë Robert Budina, Neritan Liçaj dhe të tjerë. Prane teatrit janë forca të shumta policie, por edhe qytetarë.
Lulzim Basha i kërkon Bashkimit Europian që të ndërhyjë në zgjidhjen e krizës në vend dhe të orientojnë vendin drejt plotësimit të 15 kushteve për hapjen e negociatave.
Kreu i Partisë Demokratike zhvilloi këtë të martë një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë, të cilëve tha se u kishte ngritur shqetësimin se qeveria “Rama” jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për plotësimin e kushteve, por po bën hapa pas.
“Në vend që të ecej në drejtim të 15 kushteve për hapjen e negociatave, Shqipëria po bën hapa pas. Veprimet e javëve të fundit po thellojnë edhe më shumë krizën politike, por largojnë shqipërinë edhe më shumë nga europa. Kërkova ndihmën e vendeve anëtare që Shqipëria të plotësojë kushtet për integrimin, që Shqipëria të ketë mbështetjen e nevojshme politike dhe financiare”, tha kreu i PD-së para mediave në fund të takimit.
Një prej kushteve të vendosura nga BE është miratimi me konsensus dhe gjithëpërfshirës i reformës zgjedhore. Pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, PD njoftoi tërheqjen nga tryeza e përbashkët. Basha nuk përjashtoi rikthimin në këtë tryezë, të cilën e sheh si trampolinë drejt zgjedhjeve të reja të lira e të ndershme.
Por, kreu i PD-së përsëriti se opozita e ka thënë fjalën e saj përmes propozimeve të bëra në këtë Këshill dhe tashmë përgjegjësia për suksesin, apo dështimin e reformës zgjedhore bie e gjitha mbi Partinë Socialiste, të cilën e akuzoi se po e përdor këtë këshill si fasadë.
“Ne e kemi detyruese zgjidhjen e krizës përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të çliruar vendin. Kemi treguar vullnetin tonë përmes propozimeve tona. Nga ana tjetër nuk kemi vullnet. Pala tjetër e ka përdorur si fasadë. Përgjegjësia është plotësisht e PS. Ne fasadë nuk mund të jemi!”, deklaroi ai.
Basha u shpreh se synimi i opozitës mbetet realizimi në rastin “më të parë” të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke ritheksuar se rikthimi në tryezën e reformës zgjedhore nuk varet më prej opozitës.
Kreu i PD përsëriti zotimin se opozita do të vazhdojë të mbështesë protestat e artistëve, e po ashtu mbështeti idenë e Presidentit për një hetim ndërkombëtar të shembjes së godinës së teatrit, megjithëse u shfaq skeptik kur tha se “nuk e di sa e mundur mund të jetë një gjë e tillë në të tilla kushte”.
U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.
Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.
Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.
Rusia testoi avionët e saj luftarakë MiG-31 në një lartësi marramendëse prej 20 mijë metrash, ose e thënë ndryshe në stratosferë.
Trajnimi u krye nga pilotët e Flotës së Paqësorit mbi rajonin më lindor të Rusisë, Kamçatka.
Pilotëve iu ngarkua detyra e pikasjes së një objekti “armik” në lartësinë 20 kilometra pa ndihmën e sistemeve antiajrore tokësore.
Parlamenti miratoi vitin e kaluar një ligj përmes të cilit u hoqi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar mjeteve ujore që përdoren për qëllime turizmi, si jahtet. Por, pa u mbushur ende viti nga ky vendim, deputeti Ilir Beqaj thotë se Kodi Detar është bërë pengesë për zbatimin e këtij ligji dhe propozon ndërhyrjen.
Beqaj, që ishte relator në nismën e heqjes së TVSH-së për jahtet thotë se ka identifikuar nga ankesat e operatorëve turistikë në këtë treg disa pengesa, si tarifa doganore të ndryshme e mjeteve lundruese të trupëzuara dhe ato me fryrje, shtetësia e kapitenit dhe procedura e zhdoganimit të këtyre mjeteve lundruese.
Aktualisht, Kodi Detar i Shqipërisë përcakton se licencë kapiteni u jepet vetëm shtetasve shqiptarë, ose shtetasve të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.
“Kjo e kufizon shumë rrethin e kandidatëve të mundshëm për të drejtuar këto anije në kushtet kur prej vitesh në Shqipëri ne nuk kemi më një shkollë që të përgatisë kapitenë anijesh shqiptarë.
Beqaj thotë se mungesën e kapitenëve për të drejtuar anijet po e vuan edhe industria e peshkimit.
“Nëse rrijmë me kufizimin e vendeve të BE, ata janë më të kushtuteshëm dhe ky problem është edhe me industrinë e peshkimit”, tha Beqaj.
Ilir Beqaj propozon që gjeografia të zgjerohet me listën e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
“Kam bërë këtë propozim duke e zgjeruar gjeografinë me vendet anëtare të OECD, vende që kanë një strukturë administrative që mund t’u besojmë dhënien e licencës. Turqia, si shembull, ka një industri blu mjaft të zhvilluar, në turizëm, peshkim”, deklaroi ai.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në thelb tha se nuk ishte kundër ndërhyrjeve në Kodin Detar, por kërkoi kohë për shkak se ishte në pritje të ekspertizës nga ana e Bashkimit Europian për të ndërhyrë në të gjithë Kodin Detar.
Megjithatë, në lidhje me hapjen e tregut për kapitenë të huaj, MIE kërkoi që të bëhet kujdes dhe të mbrohen kapitenët shqiptarë të paktën tek anijet tregtare me flamuj shqiptarë.
“Mendoj që përsa kohë bëhet fjalë për anije tregtare shqiptare, mendoj që kapitenët shqiptarë të kenë mundësi punësimi të paktën për anijet me flamuj shqiptarë. Nëse ne do ta hapim, atëherë do të mbulohet tregu me kapiteni që janë shtetas të huaj”, deklaron eksperti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Elson Thana.
Diskutimet u bënë në mbledhjen e kësaj të hëne të Komisionit të Ligjeve, ku pati edhe një përplasje mes zv.ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj me kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Xhafaj tha se Komisioni i kishte refuzuar pjesëmarrjen në Komision të drejtorit të Përgjithshëm të Transportit Detar, Paulin Ndreu. Por, Ulsi Manja tha se kush merr pjesë në mbledhjet e Komisionit e përcakton ministria dhe jo Komisioni.
Vizita e Papa Françeskut në Greqi nuk shkoi e gjitha e qetë. Kreu i kishës katolike u prit me protestën individuale të një prifti ortodoks grek.
“Papa, je heretik! Ti je një heretik”, iu drejtua prifti ortodoks grek, që më pas u largua nga policia dhe forcat e sigurisë që ndodheshin aty.
Me protesta Papa u prit edhe gjatë ndalimit në Qipro. Që prej ndarjes së madhe, të vitit 1054 dy kishat kanë qenë në përplasje me njëra-tjetrën se cila është në rrugën e drejtë dhe cila jo. Këto përplasja kanë çuar deri edhe në konflikte të armatosura përgjatë historisë 1-mijëvjeçare të ekzistencës së dy kishave.
Ndërkohë, Papa Françesku përcolli edhe në Athinë mesazhin e rrezikut që po i kanoset njerëzimit për shkak të populizmit dhe nacionalizmit.