Videot kryesore
Ajo që kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi para Këshillit Bashkiak ishte përmbledhja e video-prezantimit të godinës së teatrit të ri kombëtar në mars të 2018 nga ana e arkitektit danez, Bjarke Ingels dhe në prani të Kryeministrit Edi Rama.
Procesi i numërimit të votave në Kosovë po shkon drejt fundit. Sipas tabelave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur janë numëruar mbi 98 për qind e tyre, Vetëvendosje kryeson me 48.17 për qind e tyre, ndjekur më pas me radhë nga PDK, LDK dhe AAK.
Aktualisht janë duke u numëruar votat me postë dhe votat me kusht. Pas Vetëvendosjes PDK ka marrë 17.3 për qind dhe LDK 13.1 për qind. E treta renditet AAK me 7.4 për qind.
Nisma e Fatmir Limajt nuk e ka kapur pragun prej 3 për qind për të hyrë në Kuvend. Të gjitha partitë politike e uruan Vetëvendosjen për fitoren, ndërsa procesi është vlerësuar si shembullor nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Ky referendum për drejtësi, punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën mbrëma.
Ai u zotua se qeveria e tij nuk do të hakmerret me askënd, por do të kërkojë llogaridhënie. Lideri i LVV-së tha se fitorja “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.
Kurti falënderoi kundërshtarët për garën e drejtë dhe i ftoi që të reformohen. I pyetur për mundësinë e koalicioneve, sipas tij, rezultati zgjedhor sugjeron se ata mund të krijojnë vetë qeverinë.
“Ky rezultat tani ne na e konfirmon se nuk kemi nevojë, e nuk kemi interes për ata që duhet të reformohen në opozitë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, që garon për postin e Presidentes tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.
“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare radhitet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha nga ana tjeter se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor. Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane.
Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t'i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit. Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se në ditët në vijim, do të bëjnë një analizë të thellë të zgjedhjeve.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës ka uruar nga ana tjetër Kurtin për fitoren, por paralajmëroi se nuk do të formonte një qeveri me Vetëvendosjen. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.
Në një përgjim tjetër nga "Bild", Astrit Avdylaj, kreu i klanit kriminal ‘Avdylaj’ në Shijak i telefonon kryetarit të PS për Shijakun, Elton Arbana, që është aktualisht kandidat i PS për kryebashkiak në Shijak. Me një ton të irrituar të zërit, ai i telefonon Arbanës dhe i thotë se Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit po i vendos gjoba disa njerëzve në Sukth dhe se ai nuk po i telefonon dot Gjushit (Vangjush Dako- kryebashkiak i Durrësit) për t’i kërkuar që të ndalojë kjo, pasi kryebashkiaku i Durrësit është me Edi Ramën në Zvicër në një udhëtim.
Në Itali tetëmbëdhjetë persona kanë përfunduar në sallën e emergjencës për shkak të plagëve të shkaktuara nga stuhia e breshërit dhe madhësia e tij ishte përafërsisht sa një kokërr portokall. Breshëri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në makina dhe shtëpi.
Rendi i ditës në një parlament mund të sinjalizojë fare mirë se çfarë problematikash shqetësojnë një shoqëri. Në Shqipëri, si shembull, Parlamenti diskuton për PPP-të, reformën zgjedhore, shkarkimin e Presidentit, apo kodin penal, që tregojnë nivelin ende primitiv të demokracisë shqiptare.
Po në një shoqëri si ajo daneze, çfarë diskutohet? Parlamenti vendas u mblodh në fillim të këtij muaji i shqetësuar për fatin e katër elefantëve të blerë nga Qeveria disa vite më parë.
Elefantët Lara, Ramboline, Jenny dhe Djunga kanë qenë pjesë e një cirku. Por tani kafshët kanë dalë në pension dhe autoritetet vendase thanë se kanë pranuar aplikimet për t’i sistemuar kafshët në një azil.
Rastin e katër elefantëve, kryeministrja Mette Frederiksen e solli si shembull në Parlament për të mbrojtur një projektligj që ndalon përdorimin e të gjitha kafshëve për qëllime argëtimi, siç është cirku. Gjatë fjalës së saj ajo lakoi me radhë emrat e elefantëve dhe pavarësisht seriozitetit që i karakterizon danezët për të tilla çështje, të qeshurat në sallë nuk munguan.
Në të njëjtin parlament diskutohet dhe vendoset edhe për çështjen e negociatave për Shqipërinë dhe Danimarka bën pjesë në listën e vendeve skeptike, së bashku me Holandën dhe Francën.
Videoja e një qeni besnik që drejton zjarrfikësit në drejtim të shtëpisë në flakë të të zotit është përhapur me shpejtësi në internet.
Bëhet fjalë për pamje të regjistruar në vitin 2010 në një zonë të Alaskës, por akti i qenit besnik ka tërhequr vëmendjen e përdoruesve në rrjetet sociale, sidomos në Tëitter.
Në këto pamje të publikuara, qeni shquhet para makinës së zjarrfikëses duke i orientuar ata nëpër rrugët dredharake të mbuluara nga dëbora në Alaskë, drejt e tek banesa e të zotit. Fatmirësisht, nga flakët pronari i qenit pësoi vetëm djegie të lehta.
Në dëshminë që dha më pas, ai deklaronte atëherë se kjo ishte edhe falë qenit të tij, që doli menjëherë të kërkojë ndihmë.
Pesë persona janë arrestuar dhe dhjetra të tjerë janë gjobitur nga ana e Policisë së Shtetit për shkelje të urdhrit të ndalim-qarkullimit.
Personat e arrestuar janë në Tiranë, Lushnje, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan, të cilët jo vetëm kishin shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit, por drejtonin automjetet edhe në gjendje të dehur. Në Shkodër personi i arrestuar është vënë nën pranga për kundërshtim me forcë ndaj punonjësve të policisë.
Policia njofton se prej orë 06:00 të së premtes, kur hyri në fuqi urdhrin i ndalim-qarkullimit dhe deri në orën 06:00 të së shtunë, pra brenda harkut kohor të 24 orëve janë penalizuar 745 drejtues mjetesh në total për mosrespektimin e urdhrit në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër.
Nga këta, 93 drejtues mjetesh u shoqëruan në ambientet e Komisariateve për kundërshtim të punonjësit e Policisë për masën administrative, për thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe këtyre drejtueseve iu bllokuan edhe automjetet.
Njoftimi i policisë
Në Tiranë nga Specialistët e Policise Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.M., 32 vjeç, pasi në rrugën " E Kavajës"u kap duke drejtuar automjetin tip "Opel" në kundershtim me Telegramin Nr.2013 date 12.03.2020 si dhe ne gjendje të dehur në masën 1.11 mg/l.
Në Vlorë, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin M. Rr., 31 vjeç, pasi u kap në aksin rrugor “Osman Haxhiu", Vlorë, duke drejtuar automjetin tip "Fiat Punto", në gjendje të dehur.
Në Fier, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin E. H., 31 vjeç, pasi në vendin e quajtur "Vija e ngjalës", ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Në Lushnjë, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin L. V., 41 vjeç, pasi në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë, është kapur duke drejtuar automjetin tip "Opel" në gjendje të dehur.
Ndërsa në Elbasan, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 53 vjeç, , pasi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin tip "Fiat Punto", në gjendje të dehur, në masën 0.68 mg/l.
Po në vijim të monitorimeve dhe kontrolleve, në Shkodër, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Gj. D., 45 vjeç, , pasi në aksin rrugor Zogu i Parë-Sheshi Parrucë, Shkodër, u kap duke drejtuar mjetin tip Benz, në kundërshtim me urdhrin, si dhe ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë për masën administrative.
Gjithashtu, po gjatë monitorimit, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë tre shtetas të tjerë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë̈ së rendit publik”.
Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë kufizimin e lëvizjes me mjete, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi në të kundërt do përballen me sanksione të përshkallëzuara ligjore sipas normave te përcaktuara ne Kodin Rrugor Shqiptare.
Kriza me të cilën po kalojnë njerëzit në tokë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri nuk e ka ndaluar Elon Musk që të vazhdojë të shohë nga qielli.
Kompania e tij, Space X lëshoi në hapësirën dërgesën e radhës me satelitë, që miliarderi amerikan thotë se janë pjesë e projektit gjigant “Lidhja e Yjeve” (Starlink), që do të përmirësojë ndjeshëm si mbulimin me internet të globit, ashtu edhe cilësinë e shpejtësinë e internetit.
Këtë radhë bëhej fjalë për rreth 400 satelitë që u hodhën në orbitë duke shfrytëzuar anijen hapësinore “Falcon 9” e cila u ngrit nga Cape Canaveral Air Force Station në Florida. Një pjesë e tyre u pa me sy të lirë edhe nga Tirana.
Kjo është dërgesa më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë si pjesë e këtij projekti, që Elon Musk synon që të zgjerohet me 12 mijë satelitë dhe mundësinë që ky numër të shkojë në 42 mijë të tillë.
Musk është i bindur se në përfundim të projektit nuk do të ketë cep të globit pa akses në internet, ndërkohë që kritikuesit e programit e qortojnë duke deklaruar se numri i lartë i satelitëve mund të ndikojë në destabilizimin e klimës në Tokë.
Opozita e bashkuar ka dalë me qëndrimin për të mbështetur dhe organizuar protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës. Qëndrimi i dakordësuar pas mbledhjes së aleatëve opozitarë me Lulzim Bashën në selinë e Partisë Demokratike u bë i ditur nga vetë Basha.
“Vendimi ynë i parë është mbështetja për të gjitha protestat kudo ku ndodhen dhe nisja e organizimit nga ana e opozitës e protestave qytetare dhe mbarëpopullore duke nisur me efekt të menjëhershëm, sepse aty ku sot u dhunua teatri u përgatit flijimi i lirve dhe të drejtave elementare të çdo qytetari”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së u shpreh se protestat do të ndalen vetëm me largimin e Edi Ramës dhe në 3-vjetorin e marrëveshjes së 2017-ës ritheksoi se koha provoi që ajo marrëveshje ishte gabim i tij, por u zotua se ky gabim nuk do të përsëritet më.
“Si sot 3 vjet më parë, unë u ula me këtë njeri me shpresën dhe besimin se forcat politike në vend mund të arrinin një marrëveshje në të mirët të kombit. Koha tregoi shpejt se u gabova. Dua të garantoj sot shqiptarët se ky gabim nuk do të përsëritet më kurrë. Opozita është e vendosur që të largojë Edi Ramën me të gjitha hapat demokratike”, vijoi ai.
Por si do të organizohen protestat në një kohë që vendi ndodhet nën pandeminë e Covid19? Basha tha se duket respektuar kushtet higjieno-sanitare dhe distancimin fizik dhe ftoi qytetarët që t’i bashkohen në protesta.
Në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar, kryedemokrati përsëriti premtimin e bërë edhe me shkrim me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit se me të ardhur në pushtet do ta rindërtojë atë dhe do të çojë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit, duke filluar që me Edi Ramën.
Një 28 vjeçar me precedent të theksuar kriminal ka përfunduar në prangat e policisë, ndërsa dyshohet si autor i vendosjes së një sasie lënde eksplozive në një lokal në lagjen “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, mëngjesin e së enjtes.
“Pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore u bë e mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Vihet në pranga 28-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, vjedhjes së pronës dhe krimeve ndaj personit.
Zbradhja e ngjarjes dhe finalizimi i operacionit nga Komisariati i Policisë Nr 2 dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në DVP Tiranë.
Sekuestrohen rrobat dhe biçikleta që autori ka përdorur gjatë kohës së vendosjes së lëndës eksplozive”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ku në derën e lokalit të shtetasit A.B., shpërtheu një sasi lënde plasëse duke shkatur dëme materiale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor të përbërë nga Specialistë për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 dhe Specialistë për hetimin e krimit ndaj pronës dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijoi puna intensive për zbardhjen e ngjarjes.
“Si rezultat i veprimeve profesionale dhe punës intensive të pandërprerë hetimore të bërë nga Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë, u bë e mundur që brenda 24 orëve të zbardhej ngjarja, duke identifikuar autorin e dyshuar të vendosjes së eksplozivit.
Mbi provat e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Eksplozivi”, ku gjatë operacionit u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar F. A., 28 vjeç, banues në Tiranë me precedent të theksuar kriminal, i dënuar më parë me 2 vjet burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe i arrestuar për veprën penale “Vjedhje”.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale biçikletën, veshjet, një qese në të cilën ishte vendosur lënda eksplozive, atletet, sende këto të cilat autoi i kishte përdorur në kryerjen e veprës penale.
Materialet do ti referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komisioni i Ekonomisë miratoi kandidaturën e Arben Shehut për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe e kaloi emrin e tij për miratim përfundimtar në seancë plenare. Në mbledhjen e zhvilluar online votuan 18 anëtarë të këtij Komisionit, nga ku 15 votuan pro, 2 votuan kundër dhe 1 abstenim.
Presidenti Meta Ilir Meta depozitoi emrin e Arben Shehut në Kuvend në fillim të muajit qershor. Kjo ishte kandidatura e katërt për drejtimin e KLSH-së. Nga jetëshkrimi i tij, Shehu ka një përvojë të gjatë në fushën e pedagogjisë.
Meta sqaron se Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion.
“Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to…”, thuhet në dekretin e Presidentit.
Arben Shehu është diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ka përfunduar Master në Shkenca Penale Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ka gradë shkencore “Doktor i Shkencave Ligjore” në fushën e krimit të organizuar dhe legjislacionit ndërkombëtar. Është diplomuar gjithashtu edhe për Administrim Biznes.
Prej vitit 2004 e në vazhdim ai ka punuar Pedagog pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Partia Demokratike hedh poshtë pretendimin e mazhorancës se plani ekonomik dhe taksa e sheshtë prej 9 për qind e premtuar nga Lulzim Basha do të rëndojë në xhepat e qytetarëve dhe rrogtarëve të shtetit.
“Rilindja gënjen duke thënë se punonjësit do të paguajnë më shumë gjatë qeverisjes “Basha”, pasi ata thonë se në planin PD nuk do të ketë fashë përjashtuese të tatimit mbi t ardhurat. Fakti është që Plani i PD ruan fashën përjashtuese nga TAP për 30 mijë lekshin e parë të të ardhurave dhe tatohet me 9 për qind vetëm diferenca mbi këtë vlerë”, thotë PD.
PD thotë se me planin e saj një person që sot paguhet 40 mijë lek, do të tatohet vetëm 9 për qind të 10 mijë lekshit mbi 30 mijë lekshin, që do të thotë 900 lek në muaj, ndërsa sot tatohet 13 për qind, ose 13 mijë lek.
Opozita ka shpërndarë një dokument me përllogaritjet se sa përfitojnë kategoritë kryesore të buxhetorëve nga plani i saj i taksimit, duke i cilësuar gënjeshtra pretendimet e mazhorancës se me këtë propozim rriten taksat për qytetarët.
Ndërkohë, Lulzim Basha ka postuar në rrjetet sociale një video-ilustrim të përfitimeve, sipas tij, të qytetarëve nga taksimi i sheshtë 9 për qind.
“Me taksën e sheshtë 9% do të përfitojnë TË GJITHË të punësuarit si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, dhe do të rritet fuqia blerëse e shqiptarëve”, shkruan Basha.