Videot kryesore
Harta më e saktë 3D e “Rrugës së Qumështit” është gati. Shkencëtarët e Agjencisë Hapësinore Europiane matën me saktësinë më të madhe deri më tani përmasat e galaksisë sonë, duke shfrytëzuar të dhënat e teleskopit GAIA, që skanon yjet prej vitit 2013.
Përmes këtyre të dhënave, shkencëtarët e ESA-s shpresojnë që të hedhin më shumë dritë dhe të kenë më të qartë mënyrën sesi funksionon dhe lëvizin yjet dhe sistemet yjore në galaksinë tonë.
Falë GAIA-s, ESA thotë se është në gjendje që të përllogarisë trajektoret dhe shpejtësinë e lëvizjes së yjeve dhe të zbulojnë me përafërsi se me çfarë përmasash po zgjerohet universi.
Harta e ndërtuar deri më tani nga të dhënat 7-vjeçare të teleskopit GAIA përmban plot 1.8 miliardë yje. ESA e bëri publike përmes një videoje të shkurtër.
“Të dhënat e GAIA-s kanë mundësuar astronomët dhe shkencëtarët të gjurmojnë popullsi të ndryshme yjesh t ëvjetër dhe të rinj, nga cepat më të largët të galaksisë sonë, tek ajo që njihet si antiqendra e saj”, tha ESA.
Nga projektimet kompjuterike, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se galaksia jonë do të vazhdojë të zgjerohet, teksa yje të rinj lindin. Analizat kanë siguruar gjithashtu edhe të dhëna interesante për qendrën e galaksisë, ku ndodhet edhe një vrimë e zezë.
“Të dhënat na lejojnë që të shohim mbetjet e një disku (qendra e Rrugës së Qumështit) 10 miliardë vite të vjetër dhe kështu ta krahasojmë atë me gjendjen aktuale të këtij disku”, shtoi ESA.
Harta 3D e ESA-s publikohet në një kohë kur një studim japonez doli në përfundimin se Toka është më afër “gëlltitjes” nga një Vrimë e Zezë nga sa mendohej më parë. Sipas këtij studimi, ne po shkojmë drejt vrimës së zezë të vendosur në qendër të Rrugës së Qumështit, të quajtur Shigjetari A.
Astronomët japonezë përdorën të dhënat e siguruara në 15 vitet e fundit për të arritur në këtë përfundim. Ata thonë se nga analiza e këtyre të dhënave, sot toka është 25 mijë e 800 vite dritë larg Shigjetarit A, ndërkohë që nga matjet e vitit 1985 ishte 27 mijë e 700 vite dritë larg.
Megjithatë, nuk ka asnjë arsye për panik. 25 mijë e 800 vite dritë larg është një distancë rreth 10 trilionë kilometra dhe deri kur Toka ta ketë përshkuar këtë distancë, studime të tjera kanë dalë në përfundimin se do të jetë e pabanueshme.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e hetimeve në lidhje me kryetaren e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, pas publikimit të një serie videosh në rrjetet sociale, ku dyshohet se gjyqtarja përdor korridoret dhe zyrën e institucionit që drejton si pasarelë për të treguar luksin.
ILD thotë se është njohur me materialet filmike të shpërndarë në media ditën e diel dhe fill pas kësaj, kreu i këtij institucioni, Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor.
Mbetet për t’u parë përfundimi i këtij hetimit të nisur, nëse ILD do t’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin e saj. Ajo që dihet është se gjyqtarja Kapedani është në krye të gjykatës në një nga rrethet më problematikë sa i takon rendit e sigurisë.
Enkeleda Kapedani ka marrë drejtimin e Gjykatës së Elbasanit në shtator të vitit të kaluar, ndërsa si emër është përfolur në disa raste për vendime të dyshimta, si në rastin e 2019-ës, kur liroi nga burgu Viktor Ymerin, anëtar i bandës së Gaxhait.
Fjala hapëse e samitit informal të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian në Bërdo të Sllovenisë u mbajt nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Ai theksoi nevojën për të shfrytëzuar këtë samit për të përçuar dy mesazhe.
“Samiti është një mundësi e mirë për ne, që nga njëra anë të konfirmojmë perspektivën europiane për Ballkanin Perëndimore dhe nga ana tjetër ta bëjmë të qartë se jemi gati që të mobilizojmë miliona euro për të investuar te gjashtë vendet, për të mbështetur reformat e nevojshme ekonomike dhe ato kundër korrupsionit dhe përmirësimit të qeverisjes. Duam lidhje më të ngushta me këto vende”, deklaaroi Michel.
Deklarata bie disi ndesh me pritshmëritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm afërsia për to nuk mjafton më dhe kërkohet nga Brukseli që të japë një sinjal të qartë më shumë politik se sa ekonomik.
Durimi i Ballkanit Perëndimor mund të soset edhe për shkak të një dokumenti të brendshëm që qarkullon në BE, sipas të cilit disa vende anëtare propozojnë që me rajonin të ndërtohet një partneritet strategjik, por jo anëtarësim.
Njëra prej këtyre vendeve raportohet se është Holanda. Në këtë samit merr pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, që nga pamjet e shpërndara nga zyra e Kryeministrisë shfaqet në ceremoninë e pritjes duke diskutuar pikërisht me Kryeministrin holandez, Mark Rutte dhe udhëheqës të tjerë të vendeve të BE.
Duke pasur parasysh këtë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli përmes një mesazhi u kërkoi udhëheqësve të BE që të tejkalojnë ngërçin aktual dhe të ecin përpara me procesin e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Samiti mbahet në kohën më të mirë të mundshme. Sot, më shumë se kurrë procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor ka nevojë për një stimul të ri dhe të fortë. Është koha që vonesat dhe bllokadat të tejkalohen”, tha ai.
Para nisjes së samitit, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen u takuan me kryeministrin slloven, Janes Jansa, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrin bullgar, Rumen Radev. Bullgaria ka vendosur në dy raste veton ndaj Maqedonisë së veriut dhe përpjekjet po bëhen që Sofia të ndryshojë qëndrim.
Qeveria do t’i propozojë Kuvendit ndryshime në ligjin për noterinë, duke përfshirë kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetin mes kushteve për të ruajtur dhe marrë licencën për këtë profesion.
Ndryshimet e propozuara janë një formë vettingut që do t’i nënshtrohen të gjithë noterët në vend, edhe ata që gëzojnë aktualisht këtë licencë. Kriteret, ndryshe nga vettingut i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të jenë vetëm dy.
“Ndryshimet që propozohen sot jo vetëm vendosin kritere të reja në profesionin e noterit dhe zv.noterit, por është as më shumë dhe as më pak një proces vettingu për noterët që janë në këtë shërbim dhe që kanë të bëjnë me verifikimin e kontakteve të papërshtatshme, apo lidhje me krimin e organizuar, apo persona të dënuar për kryerjen e veprave të rënda penale, apo që janë pjesë e listës së personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Por, nëse për vettingun e prokurorëve dhe të gjyqtarëve u ngritën dy institucione të pavarura, vettingun e noterëve do ta realizojë vetë Qeveria.
“Ligji ka përcaktuar edhe mekanizmat e filtrimit të këtij shërbimi. Është edhe Ministria e Drejtësisë që përmes inspektimeve të planifikuara, apo hetimeve proaktive që do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi”, sqaroi ministri Manja.
Projektligji i vettingut për noterët është një ide e hershme e Qeverisë. Ndryshimet janë propozuar që para zgjedhjeve të 25 prillit, duke shkaktuar reagimin kundër të komunitetit të noterëve. Por, në propozimin fillestar mes kritereve të rivlerësimit të noterëve ishte edhe ai i justifikimit të pasurisë, që në projektligjin e miratuar këtë të mërkurë nga Qeveria mungon, të paktën sipas deklaratave të ministrit Ulsi Manja.
Naftëtarët e Ballshit kanë nisur protestën sot, të enjten, 17 shtator, përpara Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës që në orën 11 të paradites siç e kishin paralajmëruar.
“Prej shumë vitesh ne, naftëtarët e Ballshit, jemi vjedhur, tallur e nëpërkëmbur nga pronarët dhe pushtetarët. Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona! Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen dhe t’na mbështesin në kërkesat tona. Për të drejtat tona, për djersën e ballu dhe bukën e fëmijëve! PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!” – ciitohej në njoftimin e naftëtarëve ku lajmërohej mbajtja e protestës.
Ata kërkojnë nga qeveria të ndërhyjë te kompania menaxhuese e rafinerisë, e cila prej 10 muajsh nuk u ka dhënë pagat. Naftëtarët po ashtu kërkojnë rifillimin e punës së rafinerisë.
Me pankarta në duar me mbishkrimin “Duam punë, respekt dhe bukë”, ata kërkojnë të trajtohen me dinjitet për punën e tyre të vështirë dhe keqpaguar.
Protesta në Tiranë vjen pas disa ditësh protestë në rafinerinë e Ballshit.
Të premten 11 shtator, naftëtarët lajmëruan se i kishin lënë afat deri në 14 shtator kompanisë ‘Allun’, që menaxhon rafinerinë, për të paguar pagat e prapambetura dhe për të rinisur punën.
Naftëtarët u shprehen se të hënën, 14 shtator rinis mësimi dhe ata nuk munden të paguajnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre, pasi prej 10 muajsh nuk marrin asnjë pagë.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj është shprehur se përfaqësuesit e kompanisë janë zhdukur, megjithsë një javë më parë ata premtuan se do të nënshkruanin kontratat e reja të punës dhe do të paguanin pagat e prapambetura.
Mandej situatata në protestën e naftëtarëve është tensionuar. Ata kanë tentuar të cajnë kordonin e policisë për të hyrë në godinën e Ministrisë. Bëhet me dije se nën pranga kanë përfunduar pesë naftëtarë.
Protestuesit thonë se kanë 20 paga të pamarra dhe 11 muaj pa punë, ndërsa gjendja e tyre ekonomike është e vështirë. Naftëtarët deklarojnë se protestat dhe manifestimet kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se situata tashmë është bërë e padurueshme. “Nuk mban më ujë pilafi”- thonë ata.
Teksa naftëtarët janë mbledhur për të protestuar, forca të policisë kanë ndërhyrë për të mos lejuar mbajtjen e protestës, për shkak të mospërhapjes së COVID-19.
Partia Socialiste ka nisur diskutimet konkrete me opozitën për të identifikuar një emër që mund të marrë konsensus si pasues i Ilir Metës në Presidencë.
“Pati një informacion nga grupi i posaçëm që kemi ngritur dhe sot kanë nisur bisedimet zyrtare me palët e tjera në Kuvendin e Shqipërisë në përpjekje për të identifikuar një kandidaturë që mund të ketë një konsensus më të gjerë se sa shumica jonë”, tha në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS-së, Edi Rama.
Duke qenë se procesi i konsultimeve refuzohet nga Sali Berisha, konsensusi nuk pritet që të jetë i plotë, por mund të arrihet në një masë që do të kalojë shumicën socialiste në Kuvend. Për këtë, Rama tha se shanset janë të mëdha.
“Shanset janë shumë të mira. Jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur në funksion të zgjedhjes së një presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”, tha Rama.
Kryeministri përsëriti qëndrimin e vet karshi raportit të “Reporterëve pa Kufij” për gjendjen e medias, ndërsa në lidhje me kërkesën e Zelenskit për të kufizuar turistët rusë tha se qëndrimi i Shqipërisë do të jetë në të njëjtën linjë me atë të Bashkimit Europian.
Godina e Partisë Demokratike është ende në rikonstruksion pas përplasjes së 8 janarit mes mbështetësve të Sali Berishës dhe atyre të Lulzim Bashës për kontrollin e saj.
Në korridoret e selisë kryesore të opozitës gjenden në rrëmujë veglat e punës, nga ato që kanë përforcuar dyert e deri te fikëset e zjarrit.
Dyert e përforcuara po mbulohen me adeziv me siglat dhe logot e partisë, ndërsa mes shkallëve gjen edhe “furnizimin e ri” me fikëse zjarri.
Nga imazhet që mbërrijnë nga brenda selisë, bombolat e fikëseve të zjarrit duken të grumbulluara në një vend të vetëm, të pashpërndara nëpër kate, apo pozicione ku do të shërbenin në rast të një zjarri real.
Detaji tjetër që bie në sy është sasia e relativisht e madhe e këtyre bombolave, që tregon se godina po përgatitet për të shuar një zjarr të madh, qoftë fizik, qoftë politik.