Videot kryesore
Qeverita flet për rreth 12 mijë persona jashtë banesave të tyre për shkak të tërmetit. Më shumë se gjysma e tyre vijojnë të mbeten të strehuar nëpër çadra, ndërsa pjesa tjetër nëpër hotele, banesa sociale dhe ambiente të tjera publike e private.
"Strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera. Përsa i takon dëmeve, në 26 shkolla me 10300 nxënës janë me dëme, 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Nga objektet 656 janë inspektuar në Durrës, 242 të pabanueshme, 27 për t'u prishur. Në qarkun Tiranë janë 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa dhe 146 biznese”, deklaroi ministri Bledi Çuçi.
Çuçi tha se këtë të mërkurë nis dhënia e lejeve përkatëse në zonat e goditura në Durrës, Lezhë dhe Kurbin për ndërhyrjet në godinat që janë dëmtuar, por që mund të riparohen. Ai foli për 20 godina të shembura deri më tani, ku 12 janë në qytetin e Durrësit dhe 8 në zonën e Thumanës.
Sipas të dhënave të përditësuara të Qeverisë, pjesa më e madhe e personave dhe familjeve që ndodhen ende nëpër çadra janë në zonat rurale mes Durrësit, Tiranës dhe Lezhës. Për këtë arsye, zv.Kryeministri Erjon Braçe kërkoi që vëmendja tani të përqëndrohet në këto zona.
"E gjithë vëmendja të përqendrohet te zonat rurale për shkak edhe të motit. Të dërgohen çadra dimërore. Banorët e Krujës dhe Vorës të strehohen në Tiranë në banesa me qira”, tha ai.
Braçe vlerësoi punën e ekspertëve në vlerësimin e sigurisë së godinave. Ai tha se për pjesën më të madhe të ndërtesave të kontrolluara prej tyre, ekspertët kanë dhënë siguri.
Për vlerësimin e dëmeve, është bërë një punë shumë e mirë deri tani, ekspertët kanë dhënë siguri për një pjesë të madhe. Edhe në këtë aspekt, zv.Kryeministri kërkoi që vëmendja të zhvendoset tek zonat rurale, pasi siç tha, kanë mbetur mbrapa në vlerësimin e dëmeve.
Shqetësimin për mungesën e ndërhyrjes në zonat rurale e ka ngritur në ditët e fundit edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai këmbënguli në planin me tri pika të paraqitur nga opozita, ku është aktivizimi i 500 inxhinierëve për të vlerësuar dëmet, përmbylljen e procesit me shpejtësi dhe anulimin e 150 mln eurove kontrata koncesionare dhe devijimin e këtyre fondeve tek njerëzit në nevojë.
Rebelët libianë që nuk njohin qeverinë tranzitore të Tripolit kanë bombarduar një anije në portin e kryeqytetit libian ditën e martë më 18 shkurt. Lajmi u shpërnda fillimisht nga mediat vendase dhe më vonë nga televizionet arabe.
Këto media thanë fillimisht se anija ishte turke e nisur nga porti i Mersinit në Turqi dhe e ngarkuar me armë e municione për trupat e qeverisë tranzitore, të mbështetura nga Erdogan kundër rebelëve të gjeneralit Khalifa Haftar.
Por, qeveria tranzitore e Tripolit reagoi përmes një komunikate të shkurtër të përcjellë edhe nga mediat turke, duke deklaruar se anija e bombarduar nga rebelët në port as ishte turke dhe as transportonte armë. Mustafa al-Mujie, një zëdhënës i operacionit “Zemërimi i Vullkanit, një fushatë ushtarake e forcave qeveritare kundër trupave të gjeneralit Haftar, tha se nga sulmi me predha janë dëmtuar një sërë anijesh tregtare, duke deklaruar se porti përdoret vetëm për qëllime civile.
Emri i anijes u zbulua më vonë. Bëhej fjalë për transportuesen “Ana”, e regjistruar me flamur shqiptar dhe identifikuar me numër unik “IMO: 7369118” nga organizata ndërkombëtare e transportit detar, si pronë e një kompanie shqiptare. Anija është nisur pasditen e 9 shkurtit nga porti i Mersinit në Turqi. Këtu ekuipazhi shqiptar i anijes ka zbritur në tokë dhe mjeti është marrë në dorëzim nga një ekuipazh turk.
Këtu dyshohet se anija është ngarkuar me armë dhe municione, me destinacion Libinë, e cila është nën një embargo armësh nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por, më 18 shkurt anija është bombarduar nga forcat rebele dhe pak pas orës 22:00 ka fikur sinjalin satelitor të lokalizimit.
“Marine Traffic” thotë se për herë të fundit sinjali i anijes “Ana” është marrë nga porti i Tripolit, ndërkohë që mbetet e ende e paqartë se çfarë transportonte dhe nëse nga sulmi ka viktima.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit politika përkujtoi pa shumë bujë 5 Majin, Ditën e Dëshmorë. Ilir Meta, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi vendosën bashkë kurora me lule në Monumentin “Nëna Shqipëri”, ndërsa Lulzim Basha kreu të njëjtën gjë veçmas tyre.
Në këtë përkujtimore mungonin qytetarët, apo përfaqësues të shoqatave të dëshmorëve. Të vetmit që shoqëruan politikën në këtë 5 Maj ishin gazetarët. Meta, Rama dhe Ruçi mbërritën rreth orës 10 tek Varrezat “Dëshmorët e Kombit”, 30 minuta pas Lulzim Bashës.
Pas vendosjes së kurorave me lule, Rama dhe Ruçi shmangën komentet për gazetarët, ndërsa i vetmi që foli ishte Presidenti Ilir Meta. Ai u pyet në lidhje me përplasjen me Ardian Dvoranin dhe deklaratën e fundit të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që thotë se Presidenti nuk ka tagër që të kërkojë përfundimin e mandatit të tij në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Meta e shmangu përgjigjen.
“Sot është Dita e Dëshmorëve! Është dita e nderimit tonë për ata që kanë dhënë jetën dhe gjithçka për vendin tonë, kështu që është një ditë për të shprehur jo vetëm përulësi ndaj veprës së tyre, por edhe për të përshëndetur familjarët dhe pasardhërist e tyre. Është një ditë për t’u angazhuar që Shqipëria e lirë dhe demokratike të realizohet plotësisht”, deklaroi ai.
Megjithatë, Presidenti e përçoi një mesazh të tërthortë në një kohë kur shumë nga liritë e qytetarëve janë kufizuar për shkak të gjendjes së fatkeqësisë naatyrore.
“Kjo është ditë kur ata na ftojne në sakrificën sublime dhe mos të bëhemi mendjelehtë. Kjo është dita e dëshmorëve, e heronjve, e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë, të cilët na ftojnë me sakrificën e tyre më sublime që mos të bëhemi mendjelehtë dhe te marrim lirinë dhe pavarësinë si të dhëna përgjithmonë”, tha ai.
Komentin për mediat e shmangu më herët edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kreu i demokratëve vendosi lule në monumentin “Nënë Shqipërëi” dhe vendosi lule në nderim të Azem Hajdarit, Feti Voglit, që ra në Afganistan disa vite më parë dhe të Skerdilajt Llagamit, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës.
Mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe e Komisionit të Ligjeve miratoi në unanimitet me pak ndryshime, por pa cekur në thelb tre propozimet e opozitës parlamentare për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, parashikimi për koalicionet zgjedhore dhe pragu elektoral.
Ndryshimi i parë lidhej me propozimin e opozitës parlamentare që të përcaktohej që në nenin 68-të të Kushtetutës ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Relatorja socialiste, Klotilda Bushka tha se ky përcaktim kishte marrë një kuptim pezhorativ dhe se vetë hapja e listave nënkuptonte automatikisht ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
“Fjalia që ishte në nenin e mëparshëm që ndalohen koalicionet zgjedhore ka një konotacion shumë negativ. Kështu që vetëm fjalia “se kush e ka të drejtën që të paraqesë një kandidat” është e mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për dublim. Listat e hapura me koalicionet parazgjedhore siç jemi mësuar t’i kemi deri më sot nuk shkojnë dot bashkë”, deklaroi Bushka.
Me këtë formulim koalicionet parazgjedhore nuk ndalohen me ligj, por vetëm praktikisht.
“Lista do të ishte pambarim e pamundur për organet e menaxhimit zgjedhor, që të menaxhonin një sistem të tillë”, tha Bushka.
Opozita bjelloruse shpreson që të shfrytëzojë pas datës 1 janar 2022 vendin si anëtare jo e përhershme të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit për të avancuar agjendën e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Për këtë qëllim Tirana këto ditë po vizitohet nga Sviatlana Tsikhanouskaya. E vitlindjes 1982, Tsikhanouskaya u bë liderja e pazakontë e opozitës bjelloruse, pasi regjimi i Lukashenkos i burgosi bashkëshortin, Sergei Tikhanovsky që ishte kandidat për President në zgjedhjet e fundit.
Ajo zuri vendin e Sergei dhe vendosi që ta rivalizojë në zgjedhje Lukashenkon, në një proces të kritikuar ndërkombëtarisht si të manipuluar, ku u përdorën të gjitha mjetet, përfshirë këtu dhuna e tortura për të mbyllur gojën e opozitës.
Prej një viti, Svetlana Tikhanovskaya drejton opozitën bjelloruse në ekzil nga Vilniusi i Lituanisë. Ajo është rikthyer këto ditë në Tiranë, tre vite pasi e ka vizituar Shqipërinë me bashkëshortin e saj, Sergei.
“E kënaqur që u riktheva në Shqipëri. Tre vite më parë isha këtu me bashkëshortin tim dhe patëm një udhëtim të mrekullueshëm. Këtu ndjej shumë mbështetje. I kërkova Shqipërisë që të ruajë në agjendën e saj në organizatat ndërkombëtare Bjellorusinë, sidomos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Shqipëria do të ketë një zë të fuqishëm prej 1 janarit 2022”, thotë udhëheqësja e opozitës bjellruse.
Për këtë qëllim ajo ka pasur takime me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë shqiptare.
“Falenderoj Kryeministrin Edi Rama për mikpritjen. Na duhet një përgjigje më e fortë për përshkallëzimin e dhunës në Bjellorusi, zbatimi i raportit të mekanizmit OSBE-Moskë, një rezolutë e mundshme në OKB për Bjellorusinë dhe për rolin që mund të luajë Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit”, tha Svetlana Tikhanovskaya.
Kryeministri Edi Rama nuk dha detaje nga biseda me udhëheqësen e opozitës bjelloruse, por thjesht hodhi një foto nga takimi me të me shënimin e shkurtër: “Me Sviatlana Tsikhanouskaya, udhëheqësja e Lëvizjes së Demokracisë në Bjellorusi”.
Në takimin me Presidentin Ilir Meta, Sviatlana Tsikhanouskaya thotë se ka theksuar nevojën dhe rëndësinë e sanksioneve diplomatike ndaj regjimit të Lukashenkos për ta izoluar atë deri në momentin e lirimit të bjellorusëve të pafajshëm. Presidentit i ka kërkuar që të ngrejë çështjen e Bjellorusisë në Këshillin e Europës.
Gjatë këtij takimi, udhëheqësja e opozitës bjelloruse thekson gjithashtu se ka diskutuar për të shkuarën diktatoriale të Shqipërisë. “Nuk mund të ndihmoj, por mund të vë re se si tiranët janë njësoj kudo me dëshirën për të kontrolluar shoqërinë dhe shkatërruar kundërshtarët. Ashtu si shqiptarët, edhe ne po i nxjerrim këto mësime në rrugën e ashpër”, tha ajo.
“Kënaqësi të takoja udhëheqësen e guximshme të opozitës bjelloruse, znj. Sviatlana Tsikhanouskaya. I urova shumë suksese në misionin, përpjekjet frymëzuese dhe lidershipin e dëshmuar. Lirimi i të burgosurve politikë, liria e medias dhe e shprehjes, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme janë tepër të rëndësishme për të ardhmen demokratike të Bjellorusisë. Shqipëria qëndron në krah të aspiratave demokratike të popullit bjellorus!”, shkroi Presidenti Meta.
Sviatlana Tsikhanouskaya u takua edhe me ministren e Shtetit, Elisa Spiropali. Kjo e fundit e ka shoqëruar edhe në një tur vizite në ish-vilën e diktatorit Enver Hoxha.
“Diskutuam përvojën e Shqipërisë në transformimin demokratik dhe reformat ekonomike. Bjellorusët duhet të kthehen nga alternativat pozitive pas dekadash nën diktaturë për t’u zhvilluar. Bjellorusia e re ka nevojë për reforma në shumë fusha”, shkruan ajo.
“Në Tiranë pata mundësinë që të vizitoj ish-vilën e diktatorit të Shqipërisë. Diktatorët shijojnë jetën e tyre, teksa qytetarët e tyre vuajnë e shtypen. Diktatura e fundit në Europë, gjithashtu do të bjerë dhe ne do të kemi një muzeum të tillë edhe në Bjellorusi. Nuk ka vend për diktatura në Europë”, shkroi Sviatlana Tsikhanouskaya pas vizitës në këtë muze.
Por, sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, udhëheqësja e opozitës bjelloruse ka zgjedhur vendin e gabuar për të marrë përvojë mbi demokracinë. Komentet i bëri para gazetarëve pas takimit me ambasadoren e OSBE, Urszula Graçekt për raportin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Dy autorë të dyshuar për zjarrvënie në fshatin Kudhës në Himarë janë vendosur në pranga. Personat E. M., 44 vjeç dhe nipi i tij, A. L., 29 vjeç kishin marrë me qira një sipërfaqe pyjore për kullotë.
Duke pasur si qëllim rigjenerimin e saj, ata i kanë vënë zjarrin sipërfaqes pyjore. Për shkak të erës, zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke djegur dhjetëra hektarë.
Rreth 100 blegtorë kanë bllokuar rrugën nacionale Kardhiq-Delvinë në shenjë proteste.
Zemërimi i tyre është nxitur nga ulja drastike e çmimeve të qumështit nga fabrikat
përpunuese, nga 180 lekë të reja për litër vitin e shkuar, në 120 lekë të reja për litër sot.