Videot kryesore
Në një përgjim tjetër nga "Bild", Astrit Avdylaj, kreu i klanit kriminal ‘Avdylaj’ në Shijak i telefonon kryetarit të PS për Shijakun, Elton Arbana, që është aktualisht kandidat i PS për kryebashkiak në Shijak. Me një ton të irrituar të zërit, ai i telefonon Arbanës dhe i thotë se Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit po i vendos gjoba disa njerëzve në Sukth dhe se ai nuk po i telefonon dot Gjushit (Vangjush Dako- kryebashkiak i Durrësit) për t’i kërkuar që të ndalojë kjo, pasi kryebashkiaku i Durrësit është me Edi Ramën në Zvicër në një udhëtim.
Pierre Gasly fiton në mënyrë surprizë Çmimin e Madh të Italisë, i ndarë në dy akte nga një flamur i kuq në xhiron e 27-të nga një incident i Charles Leclerc. Piloti francez i skuderisë italiane AlphaTauri regjistron kështu fitoren e parë në Formula 1. Gasly mbërriti në finish para Carlos sainz, që nuk u dorëzua deri në fund, dhe Lance Stroll, të cilët kompletojnë podin.
Ishte një garë surreale, jo vetëm për mungesën e publikut për shkak të normave anti-Covid. Momenti kyç i garës lidet me një penalitet, një “stop and go” prej 10 sekondash për Lewis Hamilton dhe Antonio Giovinazzi, pasi hynë në bokse në xhiron e 21-të në një fazë të ndaluar. Deri në atë moment Hamilton po dominonte, më pas e pa veten në vend të 7-të.
Mjaft i zoti u tregua Gasly, si faktikisht, ashtu edhe në shfrytëzimin e rastit që iu krijua. I vetmi ferrarist që buzëqesh është ai i së ardhmes, Carlos Sainz, që e mbyll i dyti, duke regjistruar rezultatin më të mirë në Formula 1 pikërisht përpara atij që nga viti 2021, do të jetë publiku i tij. Për spanjollin e McLaren ishte një paraqitje solide, që e bën skuderinë e tij gjithmonë e më bindëse si forca e tretë e botërorit. Pozitive ishte edhe paraqitja e Stroll, që arrin podin e parë sezonal.
Ferrari nuk ekziston, Sebastian Vettel tërhiqet në xhiron e tetë pas një defekti në frena. Për Charles Leclerc, fitues vitin e kaluar në Itali, një përplasje e fortë ndaj barrierave i kushton shtrenjtë. Vazhdon makthi pa fund për skuderinë italiane.
Shpresa Spahiu, 49-vjeçarja paraplegjike jeton prej 5 vitesh në një garazh të një pallati 11-katësh në zonën e "Don Boskos".
Por gruaja nuk ka gjetur qetësi, megjithëse ambientin e ka përshtatur për kushtet e saj fizike, pasi sa herë bie shi, "shtëpiza" e saj përmbytet.
Shirat e rrëmbyeshëm të nëntorit ia dëmtuan pajisjet elektroshtëpiake duke nxjerrë jashtë funksioni lavatriçen, kundrabufenë, ndërsa lagështira ka prekur disa centimetra lartësi edhe muret e shtëpisë. Gjurmët e shirave më të fundit, duken akoma tek muret dhe mobiljet e shtëpisë.
Në vitin 2002, duke fituar në “Olimpico”, Lacio i hoqi nga duart Interit një një kampionat që kishte praktikisht në xhep dhe e bëri Ronaldo fenomenin të qajë. Por në vitin 2010 gjërat rrodhën ndryshe dhe shpërtheu një polemikë e madhe.
Kryeministri Edi Rama hoqi atletet me të cilat u shfaq në samitin e katër vendeve të Vishegradit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veshi këpucët në takimin e nisur me Kancelaren Angela Merkel rreth orës 09:30.
Takimi mbërrin kur duhet pak më shumë se një muaj nga vendimmarrjan e Bashkimit Europian për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Takimi është thirrur nga kancelarja Angela Merkel dhe pritet të jetë vendimtar në lidhje me qëndrimin e Gjermanisë sa i takon negociatave.
Çështja e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë pritet të nisë të diskutohet që nga java e ardhshme në Parlamentin gjerman, ndërsa vendimi zyrtar do të merret më 24 shtator. Nga sinjalet e dhëna deri më tani nga përfaqësues të qeverisë dhe të Bundestagut gjerman kuptohet qartë që ka një pavendosmëri të Berlinit për çështjen e negociatave vetëm për Shqipërinë, ndërkohë që për Maqedoninë e Veriut vendimmarrja pritet që të jetë pa mëdyshje për hapjen e tyre.
Kryeministri Edi Rama e konfirmoi tërthorazi këtë, kur përmes rrjeteve sociale njoftoi takimin me përfaqësues të Komitetit për Çështjet Europiane të Bundestagut. “Për të kërkuar PO-në e Parlamentit gjerman për Shqipërinë”, shkruan ai, duke vlerësuar se takimi ishte pozitiv.
Para se të takohej me Edi Ramën, Merkel ka pritur në zyrë kreun e Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum. Me Krichbaum, veç takimit në Komitetin për Çështjet Europiane, Rama ka shkëmbyer një bisedë të shkurtër joformale para se të ulej në bisedimet me Kancelaren Merkel. Kreu për Çështjet Europiane në Bundestag është mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë, por nuk bën pjesë në listën e ligjvënësve gjermanë që kërkojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë pa rezerva.
“Nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne, ashtu si Komision i Europës, por edhe unë personalisht duam të konsultojmë edhe raportet e tjera për të marrë këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e World Bank dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Ne, si grup parlamentar i CDU-CSU, kemi formuluar pika shumë të qarta dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato”, deklaronte ai në një intervistë për DW në 2018.
Mes pikave të përcaktuara nga Bundestagu gjerman është përmbyllja e reformës në drejtësi, ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta dhe sidomos lufta ndaj krimit të organizuar.
Tifozët “Kuqezinj” kanë nisur që prej mesditës festën që i paraprin takimit të fundit për eliminatoret e Euro2020.
Shqipëria nuk ka asnjë mundësi që të kualifikohet dhe ndeshja ndaj Francës është sa për statistikë. Por, kjo nuk ka qenë aspak pengesë që 22 mijë biletat të shterojnë me shpejtësi për këtë takim, ndërkohë që rreth orës 19:00 tifozët iu drejtuan stadiumit “Air Albania”.
Para fillimit të takimit do të ketë një ceremoni përurimi, që pritet të zgjasë rreth 15 minuta. Si pjesë e koreografisë së kësaj ceremonie, por edhe përgjatë ndeshjes në të gjitha shkallët e stadiumit është shpërndarë nga një flamur kombëtar.
Edi Rama dhe Lulzim Basha pasqyruan krejt ndryshe gjendjen e fermerëve dhe të tregtarëve të fruta-perimeve në takimet që zhvilluan këtë të mërkurë në pak kilometra distancë nga njëri-tjetri. Kryeministri u ndal në tregun agro-ushqimor të Divjakës dhe tek një fermë e mbarështimit të lopëve në zonë, ndërsa kryedemokrati tek tregu agro-ushqimor i Rrogozhinës.
I shoqëruar nga kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Kryeministri vizitoi një pikë grumbullimi fruta-perimesh në Divjakë, që me financimet e BE-së në kuadër të programit IPARD ka zgjeruar kapacitetet dhe modernizuar ambientet.
Rama e solli si këtë rast si udhërrëfyes të transformimit të fshatit dhe orientimit të tregut drejt marrëdhënieve privat-privat.
Pas kësaj vizite, po në shoqërinë e ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca Kryeministri Edi Rama u zhvendos në një fabrikë të prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, që me mbështetjen e fondeve IPARD të Bashkimit Europian ka zgjeruar me një të tretën kapacitetin e prodhimit, me mbi 1 mijë kokë lopë.
Edhe këtë rast, Kryeministri e solli si shembull se më shumë sesa vullneti për punë i fermerëve me rëndësi të madhe është orientimi dhe përfshirja në një zinxhir prodhimi e tregtimi më të madh dhe më të sigurtë. Shembullin e orientoi duke pyetur sipërmarrësin e fabrikës.
Por, pak kilometra më në veri, Lulzim Basha bënte një panoramë krejt tjetër nga ajo e Edi Ramës. I ndalur në tregun agro-ushqimor të Rrogozhinës, Basha akuzoi Qeverinë se ashtu si mijëra biznese dhe qytetarë të tjerë ka lënë në mëshirë të fatit edhe fermerët, duke mos ofruar ndihmën e nevojshme financiare për të përballuar krizën e Covid19.
“E vërteta nuk është turp. Turp është për atë që lekët e taksave tuaja ua çon oligarkëve e nuk ua jep ju. Kur vjen dita që t’ju ndihmojë, shteti i merr lekët dhe ia çon oligarkëve, jep tendera e koncensione. Ka lënë gjithë popullin në mjerim”, deklaroi Basha.
Veç Ramës dhe Bashës deklarata kundërshtuese me njëri-tjetrin dhanë edhe fermerët me të cilët ata u takuan. Sipërmarrësit me të cilët u takua Rama në Lushnje u shprehën të kënaqur në lidhje me punën e bërë, investimet në infrastrukturë dhe ndihmën e marrë dhe problematikat kryesore i lidhën përgjithësisht me mungesën e kulturës dhe mentalitetit të fermerit për t’iu bashkuar një zinxhiri prodhimi dhe tregtimi më të madh e që i garanton shitjen.
Të kundërtën shprehën fermerët dhe tregtarët me të cilët u takua Lulzim Basha në Rrogozhinë.
“Shitjet në treg kanë rënë gjysmë për gjysmë. Është krizë e thellë, e hedhim prodhimin që nuk shitet. Asnjë ndihmë nuk kemi marrë”, thanë ata, duke akuzuar drejtpërdrejtë Qeverinë se i ka braktisur në ditët e tyre më të vështira.
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar shpesh drejt Turqisë, në takime zyrtare dhe jozyrtare me Presidentin turk, Recep Taip Erdogan.
Por, vizita e fundit dyditore në Ankara duket se do të ketë një tjetër rëndësi në marrëdhëniet mes dy vendeve. Treguesi i parë për këtë është ceremonia e pritjes e organizuar nga Erdogan në kompleksin Presidencial.
Videot e kësaj ceremonie u publikuan fillimisht nga Erdogan në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale. Për thuajse 9 minuta aty tregohen rojet e nderit me kuaj, që shoqërojnë automjetin e Kryeministrit Rama.
Më pas vazhdohet me himnet e të dyja vendet dhe parakalimi para bandës muzikore të gardës turke të republikës dhe ushtarëve të veshur me uniforma ushtarake ndër vite, duke filluar që me Perandorinë Osmane.
Me dakordësinë e gjetur për përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare dhe zgjidhjen e ngërçit mes PD e LSI-së për ndarjen e vendeve në këto komisione, seanca e kësaj të enjte në Kuvend parashikohej pa debate.
Por, ndodhi sërish e kundërta! PS e PD u përplasën për formatin e zgjedhur të mbledhjeve të këtyre komisioneve. PS kishte vendosur që në bazë të një rekomandimi të Komitetit të Ekspertëve, seancat e komisioneve të zhvillohen online. PD e kundërshtoi si antikushtetues këtë vendim dhe përpjekje për t’iu shmangur transparencës.
Debati kishte nisur që në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Ai u zhvendos edhe në seancë plenare.
“Rregullorja përcakton rastet kur komisionet mund të nblidhen në distancë, çka e përjashton situatën aktuale”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat, Alfred Rushaj.
Nënkryetarët e PD, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku thanë se vendimi nuk i shërben interesit publik. “Diskutimet dhe vendimet që merren në të shumtën e rasteve nuk dëgjohen, pasi deputetët janë në makina, lokale, por jo në krye të detyrës”, thanë ata.
PD propozoi që deputetët të vaksinohen dhe gjendja t’i kthehet normalitetit, si dhe komisionet të zhvillohen në orare të ndryshme për të pasur më shumë hapësirë.
Për vaksinimin me detyrim të deputetëve foli edhe kreu i grupit socialist, Taulant Balla. Ai tha se kishte një dakordësi për këtë çështje dhe brenda afateve që do të përcaktohen asnjë deputet të mos lejohet të hyjë në Kuvend pa certifikatën e vaksinimit.
“Kemi rënë dakord me PD që brenda një afati të caktuar asnjë deputet të mos hyjë i pavaksinuar”, tha Balla.
Kryeministri Edi Rama nuk paragjykon tre propozimet e PD për amendimin e Kushtetutës, që lidhen me vettingun e politikanëve, rikthimin e koalicioneve parazgjedhore siç ishin para ndryshimeve të njëanshme të korrikut të vitit të kaluar dhe rikthimin e komunave.
Megjithatë ai u tregua i gatshëm që të ulet në bisedime me opozitën.
“Nuk dua të jap opinione para se t’i jap këtij dialogu një mundësi reale dhe të kemi fuqi që t’i ballafaqojmë . Cilësia e një bashkëjetese, në çdo instancë nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord por nga mënyra se si nuk biem dakord. Opozita ka bërë 3 propozime, ne kemi detyrën që t’u japim mundësinë këtyre diskutimeve pa dëmtuar këtë proces diskutimi duke dhënë paraprakisht opinione përfundimtare”, tha Rama.
Kryeministri u pyet gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca. Ky i fundit i dorëzoi raportin e progresit të vendit për 2021. Rama e shfrytëzoi kohën e marrë për përgjigje duke caktuar një kusht për dialogun, që nuk lidhet me përmbajtjen e propozimeve të opozitës, por me formatin e procesit.
“Një gjë do ta përsëris edhe në sy të ambasadorit, nuk ka më dialog në anglisht me opozitën. Nuk kemi pse fusim në siklet dhe miqtë tanë. Dialogje më anglisht mes shqiptarësh…mund të ketë, por jo përsa kohë drejtoj unë Kryeministrinë”, u shpreh ai.
Sa për përmbajtjen e propozimeve, nuk përjashtoi asgjë nga ndryshimet e mundshme të Kushtetutës.
“Vetëm Biblën dhe Kur’anin nuk mund të ndryshojmë, çdo gjë tjetër po nëse biem dakort. Mund të ketë vend për diskutim, por asgjë që nuk është e pandryshueshme”, u shpreh ai.
Rëndësisë së dialogut politik, sidomos në Kuvend i mëshoi edhe ambasadori i BE, Luigi Soreca, por duke shtuar se BE mbetet e gatshme që të ofrojë ndihmën e saj në lehtësimin e këtij dialogu, pavarësisht se Rama përjashtoi “dialogun në anglisht me opozitën”.
“Kuvendi është foltorja ku bëhen diskutimet, ku dialogu dhe negociatat duhet të ndodhin. Ne inkurajomë të dyja palët të ulen në tryezë e të diskutojnë temat që janë për diskutimi. Nëse do të na kërkohet për asistencë do të shohim nëse kjo gjë është e mundshme dhe do ndihmojmë në spekterin politik siç kemi bërë gjithmonë”, deklaroi Ambasadori.
Sa i takon gjetjeve të raportit, Kryeministri tha se ai është udhërrëfyesi më i mirë për qeverinë dhe vlerësuesi më objektiv i përparimit të vendit. Rama mbrojti patronazhistët, tha se ishte krenar për ta, ndërsa u shpreh i hapur që të gjitha akuzat në lidhje me të dhënat personale të qytetarëve të hetohen.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, raporti njeh një progres të lehtë, por vë theksin te nevoja për ta luftuar sidomos korrupsionin në nivele të larta.