Videot kryesore
Partia Socialiste pranoi dokumentin e Alibeajt që opozita të
ketë ekskluzivitetin për propozimin e kandidaturave për President deri në
raundin e tretë.
Pas një diskutimi për rreth një orë e gjysmë mes përfaqësuesve
socialiste dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend, palët
ranë dakord për të vijuar me propozimin e emrave që në raundin e dytë, që do të
mbahet më 23 maj.
Futbolli europian, si asnjëherë më parë dominohet nga Anglia. Pas Ligës së Kampionëve, edhe në finalen e “Europa League” do të jetë një derbi londinez, mes të cilëve do të diskutohet fituesi i këtij kompeticioni. Çesli mposhti Eintrahtin e Frankfurtit, ndërsa Arsenali fitoi edhe përballjen e dytë me Valencian.
Se çfarë është diskutuar në bisedën me dyer të mbyllura mes Lulzim Bashës dhe Yuri Kim në selinë e Partisë Demokratike pak persona mund të jenë në dijeni, por në publik kreu i opozitës dhe kryediplomatja amerikane në Tiranë lanë të kuptohej se biseda është përqëndruar vetëm tek reforma zgjedhohre.
Ambasadorja Kim kërkoi që politika t’i përmbahet zotimit që u ka bërë shqiptarëve për përmbylljen e kësaj reforme brenda 31 majit.
“Diskutimi ynë ishte përqëndruar për të vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Në veçanti folëm për rëndësinë e rolit të udhëheqësve politikë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, ashtu siç kanë premtuar për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit. Ky nuk është afat i vendosur nga SHBA, apo nga ndonjë faktor tjetër ndërkombëtar. Ky është afati i vendosur prej atyre vetë”, deklaroi Ambasarorja.
Nga 31 maji na ndajnë pak ditë dhe për gjetjen e një marrëveshjeje mes palëve në Këshillin Politik janë disa çështje të nxehta, për të cilat të paktën publikisht, socialistët dhe demokratët kanë shfaqur diferenca të mëdha. Pikërisht për këtë, Kim thotë se opozita ka një detyrë shumë të vështirë përpara, por u shpreh e inkurajuar nga mesazhi që kishte marrë nga Lulzim Basha për të përmbyllur këtë reformë.
Vetë Lulzim Basha falenderoi ambasadoren amerikane për mbështetjen që i ka dhënë reformës zgjedhore dhe u zotua se vullneti i opozitës për të përmbyllur brenda afateve këtë reformë dhe çuar vendin në zgjedhje të reja të lira dhe të ndershme sa më parë nuk ndryshon.
“Është përparësi e opozitës dhe shqiptarëve që t’u drejtohen kutive të votimit dhe të zgjedhin me vullnetin e lirë të pandikuar nga krimi dhe shit-blerja e votës. Ne do të bëjmë gjithçka që brenda 31 majit reforma të ketë përfunduar dhe gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për të zbatuar ligjin, që është problemi numër një i zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Basha.
Si Ambasadorja, ashtu edhe kryetari i PD-së shmangën komentet e mëtejshme dhe mbetet e paqartë nëse mes tyre janë diskutuar tema të tjera, siç është ajo e reformës në drejtësi, reformë e cila duket se ka rindezur përplasjet mes selisë së Rrugës së Elbasanit dhe Presidentit Ilir Meta.
Deri në momentin kur emisioni investigativ italian “Le Ienne” publikoi historinë e Alvin Berishës, 11-vjeçarit shqiptar të bllokuar në kampin Al Hol të Sirisë, publiku shqiptar pak kishte dëgjuar për këtë kamp, e aq më pak se atje, pasojat e luftës kundër ISIS-it kishin lënë pas dhjetra gra dhe fëmijë shqiptarë të izoluar në një burg natyror.
Në vjeshtë të 2019 flitej për rreth 110 gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë që i ishin bashkuar ISIS-it që në vitet e para të themelimit të tij, madje disa edhe protagonistë në front dhe në rrjetet sociale, si rasti i Lavdrim Muhaxherit, që besohet se njihej nga bashkëluftëtarët e tij edhe si “Al Albani”.
Historia e Alvinit dhe thirrja e të atit të tij, Afrimit drejtuar shtetit shqiptar për ndihmë që ta nxirrte nga ferri i Al Holit “zbuloi” se fatin e tij e kishin edhe dhjetra fëmijë të tjerë shqiptarë, që kishin mbetur të bllokuar në kampin-burg të ngritur nga kurdët për të strehuar gratë dhe fëmijët e penduar të luftëtarëve të “Kalifatit”.
Në janar të 2019, Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaronte se në këtë kamp strehoheshin rreth 70 mijë banorë nga të paktën 50 vende të ndryshme të botës, mes të cilave edhe Shqipëria. Mbi 80 për qind e tyre ishin gra dhe fëmijë, që jetonin në kushte të vështira higjieno-sanitare dhe me mungesa të theksuara ushqimore.
Nga vëzhgimet në terren të atyre pak gazetarëve që kanë arritur të sigurojnë një biletë për të hyrë në këtë kamp dhe nga raportet e organizatave humanitare, Al Hol përshkruhej i ndarë në disa sektore. Pjesa më e madhe e banorëve të tij strehoheshin në sektorin e grave dhe fëmijëve, pastaj ishin edhe sektorët e fëmijëve jetimë dhe në fund edhe sektori i luftëtarëve të ISIS-it të zënë rob nga kurdët dhe “Forcat Siriane të Mbrojtjes”, grupi rebel që lufton kundër Bashar al-Assad dhe i mbështetur deri vonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kriza humanitare dhe higjieno-sanitare është panorama e përgjithshme në këtë kamp, por më e vështirë situata paraqitet në sektorin e të burgosurve, ku raportime të njëpasnjëshme flasin për mungesë ushqimi për ditë me radhë dhe tortura e keqtrajtim të të burgosurve. Në janar të këtij viti, Bedri Elezi, Drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kosovë deklaronte se një luftëtar shqiptar kishte gjetur vdekjen nga uria në një nga burgjet e ngritura nga kurdët.
Nga janari 2018, deri në qershor të 2019-ës, OKB vlerësoi se rreth 300 fëmijë nën 5 vjeç kanë gjetur vdekjen si pasojë e kequshqyerjes. Përveç kësaj, në raportet e OKB-së citohet edhe dhuna e vazhdueshme, përdhunimet dhe “vrasjet” misterioze të grave brenda kampit, ku në një pjesë të mirë të rasteve dyshohet se ato janë vepër e rojeve kurde.
Kampi është ndërtuar në periferi të qytetit me të njëjtin emër veri-lindje të Sirisë dhe pranë kufirit me Irakun. Al Holit i ka mbetur emri kamp, por në të vërtetë që prej shpërbërjes së ISIS-it ai është një prej burgjeve më të mëdha të ngritura në fushë të hapur për të mbajtur nën kontroll ekstremistët. Kampi u ngrit si një oaz shpëtimi e shprese për të strehuar të gjitha gratë dhe fëmijët të penduara nga bashkimi me ISIS-in.
Edhe sot ka ende këtë funksion, duke strehuar kryesisht gratë dhe fëmijët e atyre që kanë humbur jetën, apo janë zhdukur në luftën disavjeçare në Siri. Por, jo të gjithë brenda kampit janë të penduar. Shumë gra vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike rregullave të rrepta të Kalifatit, madje edhe duke ngritur në mënyrë vullnetare një polici që kontrollon kodin e veshjes dhe sjelljes për gratë e tjera. Nëse ky kod shkelet, ndëshkimet shkojnë nga goditja me kamxhik, deri tek gjymtimet. Ndëshkimet më të ashpra janë parashikuar për gratë që bisedojnë me personelin e sigurisë, apo me gazetarët.
Kampi ruhet vazhdimisht nga luftëtarë të armatosur sirianë, kurdë dhe irakianë të “Syrian Defence Forces”, grupim i mbështetur nga SHBA kundër regjimit të Bashar al-Assad. Por, me tërheqjen e SHBA nga zona, shumë prej luftëtarëve aktualisht funksionojnë dhe operojnë si të pavarur, pa një komandë qendrore. Ata nuk lejojnë asnjë që të largohet, apo që t’i afrohet perimetrit të kampit pa lejen e tyre.
Të vetmit që mund t’i afrohen, apo të hyjnë brenda kampit janë punonjës të organizatave humanitare, që shpërndajnë ushqime dhe ilaçe dhe me raste edhe gazetarë të mediave të ndryshme. Më 11 tetor të 2019-ës, dy ditë para se Turqia të niste ofensivën ushtarake kundër kurdëve në Siri, kampi u përfshi nga trazirat, revolta dhe përpjekjet për t’u arratisur. Situata u bë aq kaotike, sa për zyrtarët vendorë sirianë, konsiderohet si kërcënim për sigurinë për shkak të sulmeve të shpeshta të dhunshme të grave që strehohen aty.
Raportimet nga brenda kampit kanë zbuluar se shumë prej grave të mbajtura aty si të burgosura, mbeten ende besnike të ISIS-it.
Gazetarja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock ishte e para që vizitoi kampin Al-Hol në ditët pas nisjes së ofensivës turke vjeshtën e 2019-ës. Kjo ishte hera e tretë që Murdock ja dilte mbanë të hynte në këtë kamp brenda 10 muajve të fundit. Në artikullin e publikuar më 17 tetor tek Zëri i Amerikës (versioni ndërkombëtar) flet për kaos total.
“Zyrtarët thonë se që prej nisjes së ofensivës turke ka shtim alarmant të pasigurisë. Ka patur arratisje, kërcënime, sulme dhe thirrje të vazhdueshme në ditët e fundit për revoltë, pasi shumë prej trupave të që siguronin perimetrin dhe rendin brenda kampit janë zhvendosur në frontin e luftimeve”, rrëfente Murdock.
Layla Rezgar, koordinatore në seksionin e të huajve në kampin Al-Hol rrëfente se lajmi i nisjes së ofensivës turke u prit me protesta dhe thirrje “Rroftë ISIS” dhe “Do t’ua presim kokën!” drejtuar Turqisë dhe turqëve. Që prej asaj periudhe, për autoritetet siriane dhe irakiane, por edhe për vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara tani nuk bëhet fjalë vetëm për një krizë humanitare, por një krizë sigurie për shkak të elementëve ekstremistë.
Votimi i raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar, të ngritur një vit më parë për hetimin e veprimtarisë së Presidentit Ilir Meta, tkurri votat e mazhorancës si rrallë herë që prej largimit të PD-së dhe LSI-së nga Kuvendit, në shkurt të 2019.
Raporti, ku theksohen një sërë shkeljesh të Presidentit Ilir Meta me vendimet dhe veprimet për zgjedhjet e 30 qershorit dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese u miratua me 78 vota pro dhe 17 kundër.
“Komisioni arriti në përfundimin se dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por edhe dekreti për emërimin e Marsida Xhaferllarit gjyqtare Kushtetuese janë akte antikushtetuese”, deklaroi Ulsi Manja, që drejtoi Komisionin Hetimor.
Megjithatë, duke iu referuar dy opinioneve të Komisionit të Venecias, dhënë fillimisht për përplasjen për 30 qershorin dhe më pas për përplasjen për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Manja tha se shkeljet jo domosdoshmërisht çojnë tek kërkesa për shkarkim. “Por janë të një natyre që diktojnë marrjen e masave për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të shmangu situata bllokuese në të ardhmen”, vijoi ai.
Për shkelje të shumëfishta të Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta foli edhe Kryeministri Edi Rama.
“Uji i venecias nuk e ka nxjerrë të larë Presidentin, por ka nxjerrë në pah një nga një të gjitha shkeljet, shkelje që janë të një natyre që lidhet me një vullnet politik për ta ushtruar detyrën në mënyrë të njëanshme dhe për t’u sjellë në zyrën e Presidentit të Republikës si tutor i opozitës, sepse kjo është e vërteta”, deklaroi Kryeministri.
Por, pengesë për të kërkuar shkarkimin, sipas kreut të mazhorancës, ishte mungesa e një përkufizimi dhe përcaktimi në kuadrin ligjor vendas se çfarë cilësohet “shkelje e rëndë” dhe “çfarë cilësohet shkelje e lehtë”. Ai nënkuptoi se vullneti i shumicës nuk përputhej me votimin në këtë rast.
“Ne nuk kemi një përkufizim të shkeljes së rëndë, por mesazhi që japim ne duke iu referuar të ardhmes dhe jo të shkuarës në këtë rast dhe duke e parë këtë rast si një mundësi për të adresuar për të ardhmen ato që rezultojnë të jenë hapësira për abuzim, është që ne nuk jemi këtu për të ushtruar vullnetin e shumicës pa marrë në konsideratë asgjë përtej këtij vullneti, që do të thotë se në respekt të Venecias, ne do të qëndrojmë tek ajo se çfarë do të bëjmë më tutje”, u shpreh ai.
Ajo që do të bëhet më tutje është nisma për rregullimin me një ligj organit të institucionit të Presidentit dhe ndryshime në ligjet e tjera, që sipas Ramës, do të qartësojnë kompetencat formale dhe thelbësore të Presidentit.
Gjatë diskutimeve të raportit në këtë Komision, nuk munguan debatet mes vetë socialistëve. Bashkim Fino kërkoi që në raportin përfundimtar, Komisioni ose të kërkonte shkarkimin, ose t’i kërkonte falje Presidentit.
Ndërkohë, ajo që këmbënguli në shkarkimin e Metës ishte opozita parlamentare. Mendimi i opozitës u paraqit nga deputeti Halit Valteri, si relator i pakicës dhe Kuvendit nuk i’u paraqit si raport më vete, por si mendim pakice brenda raportit të shumicës.