Miratohet raporti “Meta”, nuk kërkohet shkarkimi. Rama: Por Presidenti e shkeli Kushtetutën
Votimi i raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar, të ngritur një vit më parë për hetimin e veprimtarisë së Presidentit Ilir Meta, tkurri votat e mazhorancës si rrallë herë që prej largimit të PD-së dhe LSI-së nga Kuvendit, në shkurt të 2019.
Raporti, ku theksohen një sërë shkeljesh të Presidentit Ilir Meta me vendimet dhe veprimet për zgjedhjet e 30 qershorit dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese u miratua me 78 vota pro dhe 17 kundër.
“Komisioni arriti në përfundimin se dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por edhe dekreti për emërimin e Marsida Xhaferllarit gjyqtare Kushtetuese janë akte antikushtetuese”, deklaroi Ulsi Manja, që drejtoi Komisionin Hetimor.
Megjithatë, duke iu referuar dy opinioneve të Komisionit të Venecias, dhënë fillimisht për përplasjen për 30 qershorin dhe më pas për përplasjen për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Manja tha se shkeljet jo domosdoshmërisht çojnë tek kërkesa për shkarkim. “Por janë të një natyre që diktojnë marrjen e masave për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të shmangu situata bllokuese në të ardhmen”, vijoi ai.
Për shkelje të shumëfishta të Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta foli edhe Kryeministri Edi Rama.
“Uji i venecias nuk e ka nxjerrë të larë Presidentin, por ka nxjerrë në pah një nga një të gjitha shkeljet, shkelje që janë të një natyre që lidhet me një vullnet politik për ta ushtruar detyrën në mënyrë të njëanshme dhe për t’u sjellë në zyrën e Presidentit të Republikës si tutor i opozitës, sepse kjo është e vërteta”, deklaroi Kryeministri.
Por, pengesë për të kërkuar shkarkimin, sipas kreut të mazhorancës, ishte mungesa e një përkufizimi dhe përcaktimi në kuadrin ligjor vendas se çfarë cilësohet “shkelje e rëndë” dhe “çfarë cilësohet shkelje e lehtë”. Ai nënkuptoi se vullneti i shumicës nuk përputhej me votimin në këtë rast.
“Ne nuk kemi një përkufizim të shkeljes së rëndë, por mesazhi që japim ne duke iu referuar të ardhmes dhe jo të shkuarës në këtë rast dhe duke e parë këtë rast si një mundësi për të adresuar për të ardhmen ato që rezultojnë të jenë hapësira për abuzim, është që ne nuk jemi këtu për të ushtruar vullnetin e shumicës pa marrë në konsideratë asgjë përtej këtij vullneti, që do të thotë se në respekt të Venecias, ne do të qëndrojmë tek ajo se çfarë do të bëjmë më tutje”, u shpreh ai.
Ajo që do të bëhet më tutje është nisma për rregullimin me një ligj organit të institucionit të Presidentit dhe ndryshime në ligjet e tjera, që sipas Ramës, do të qartësojnë kompetencat formale dhe thelbësore të Presidentit.
Gjatë diskutimeve të raportit në këtë Komision, nuk munguan debatet mes vetë socialistëve. Bashkim Fino kërkoi që në raportin përfundimtar, Komisioni ose të kërkonte shkarkimin, ose t’i kërkonte falje Presidentit.
Ndërkohë, ajo që këmbënguli në shkarkimin e Metës ishte opozita parlamentare. Mendimi i opozitës u paraqit nga deputeti Halit Valteri, si relator i pakicës dhe Kuvendit nuk i’u paraqit si raport më vete, por si mendim pakice brenda raportit të shumicës.