סרטונים מובילים
Kombëtarja është këtë të martë në ditën e katërt të përgatitjeve që po zhvillohen në Frankfurt për ndeshjen eliminatore me Islandën. Me grupin që ka pësuar disa ndryshime në këto ditë, pasi disa prej lojtarëve janë larguar për shkak të dëmtimeve, trajneri Edi Reja është përpjekur që të injektojë idetë e tij.
Kryeministri Edi Rama mveshi veten dhe Qeverinë që drejton me atë që e quajti sukses në frenimin e pandemisë së koronavirusit falë masave të marrë, që sipas tij, e kanë radhitur Shqipërinë mes vendeve me plagët më të lehta krahasuar me shumë vende të tjera.
Duke iu referuar parashikimeve të “ekspertëve të pavarur”, Rama tha gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend në seancën plenare, se projeksionet shkonin deri në 18 mijë të vdekur.
“Jo projeksione tona, por projeksione të pavarur që janë publikuar në krye të herës në ekrane flisnin për mundësinë potenciale, që nëse nuk do të ishte marrë asnjë maasë dhe jeta do të kishte rrjedhur sikur asgjë të mos kishte ndodhur, ne do të kishim patur 18 mijë të vdekur, ndërsa projeksionet tona, sikur masat të mos ishin imponuar dhe respektuar nga shumica dërrmuese e shqiptarëve flisnin për 2800 të vdekur. Ky është fakti!”, deklaroi Rama.
Kryeministri kërkoi që qeveria të vlerësohet për atë që bën dhe për atë që ndaloi të ndodhë, ndërsa foli me bindje se Shqipëria e ka kaluar fazën e parë të përballjes me pandeminë.
“Nuk ka asnjë argument dhe asnjë arsye mbi baza të qëndrueshme logjike që të mund të hedhë poshtë faktin se sot Shqipëria ja ka dalë fazës së parë të përballjes me këtë armik të padukshëm”, shtoi ai.
Rama u shpreh i bindur në fitoren e dyfishtë në këtë luftë.
“Po fitojmë betejën në frontin e shëndetësië dhe do ta fitojmë betejën edhe në frontin e ekonomisë. Shqipëria nuk ka kujt t’i ketë zili. Do ta fitojmë edhe betejën në frontin e ekonomisë, natyrisht me stres. Por padiskutim do t’i fitojmë të dyja betejat”, deklaroi ai.
Kryeministri mbrojti vendimin për të karantinuar në hotele të riatdhesuarit. Ai thotë se ka ndjekur shembujt e disa vendeve, që kanë gabuar me riatdhesimin, duke i karantinuar qytetarët e tyre nëpër banesa, ndërsa nënkuptoi se falë masave të ndërmarra nga Qeveria deputetët janë ende gjallë.
“Pikërisht Singapori ishte shembulli më fantastik në valën e parë. Iu rikthye, pse? Nga riatdhesimi i 500 studentëve që i rikthyen në shtëpi. Këtu thuhet çojini të punojnë tokën, a thua se ne kemi shumë lek për t’i çuar në hotele dhe të paguajmë dy të tretat e shpenzimeve dhe të vendosim edhe personel mjekësor edhe kushte anti-Covid e me radhë. Ku ka qeveri në botë, ku ka Kryeministër në botë që ka dëshirë të bëjë këto gjëra? Por, nëse nuk do bëheshin këto gjëra, sot nuk do të ishim duke i uruar shërim të shpejtë deputetit Alimadhi, që ja uroj edhe unë dhe nuk e di sa prej jush do të mungonin sot këtu”, u shpreh Kryeministri.
Rama mbrojti ndryshimet në Kodin Penal, ku parashikohet ndëshkimi deri me 15 vite burg për personaat që shkelin karantinën me pasoja vdekjen e qytetarëve të tjerë. Si referencë, Kryeministri mori Italinë, që tha se për të njëjtën vepër i dënon deri me burgim të përjetshëm.
Sa i takon paketës financiare, Rama iu referua Francës. Ai tha se në këtë vend Qeveria jep vetëm 150 euro mbi asistencën sociale për njerëzit në nevojë, ndërsa Shqipëria ka dyfishuar asistencën.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të beftë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan, me anë të të cilit synon që të luftojë kontrabandën e mallrave.
Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, ndërsa ka hasur në rezistencën e banorëve serbë që ashtu si përplasjet në Jarinë dhe Bërnjak kanë bllokuar disa rrugë të qytetit me kamionë.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e protestuesve, ndërsa raporton se nga aksioni ka sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash që kanë hyrë kontrabandë në Kosovë, kryesisht me prejardhje nga Serbia.
Mitrovica e Veriut, ku kontrolli i Qeverisë së Kosovës është thuajse inekzistent po përdoret prej vitesh tashmë si bazë jo vetëm e kontrabandës, por edhe e grupeve kriminale serbe që drejtojnë drejtojnë prej andej trafikun e lëndëve narkotike për në vendet e tjera, përfshirë këtu edhe anëtare të BE.
Kjo është përpjekja e radhës e Qeverisë së Kosovës për të vendosur kontrollin në këtë pjesë të vendit, ndërkohë që Serbia është akuzuar ndër vite si nxitëse e aktiviteteve të paligjshme në Mitrovicën Veriore.
“Në majën e Bylisit, në Shqipëri, mes mbetjeve arkeologjike të qytetit grek homonim”. Ky ishte mbishkrimi me anë të të cilit publicisti dhe kritiku italian i artit, Vittorio Sgarbi shoqëronte një foto në rrjetet sociale.
Postimi, në pamje të parë të krijon përshtypjen se tregon faktin historik të ndikimit të fortë të kulturës dhe stilit grek të ndërtimit të qyteteve në antikitet në këtë zonë të Ilirisë dhe referimi i Sgarbit mund të interpretohet në këtë mënyrë.
“Ju sqaroj se përkufizimi “grek” që i dha Sgarbi Bylisit është interpretativ në kuptimin e stilit. Grekë quhen edhe qytetet antike të Siçilisë, apo Italisë së Jugut, pavarësisht se qenë troje ilirësh. Grekë janë quajtur 18 qytete që themeloi Aleksandri me emrine tij, pavarësisht se ai vetë ishte maqedon, sikurse ka qytete romake nëpër Europës. Nuk është gabim! Sgarbit nuk ja ndjen për nacionalizmat e sotme ballkanike dhe po t’ia ndjente ai e ka zgjedhur me kohë anën tonë. Mandej, ju merreni kot me përkufizimin e një qyteti të vdekur, kur greku sot po ju ha hapësirat e gjalla, prej detit dhe tokës”, shkruan studiuesi Astrit Cani.
Por, arkeologu Neritan Ceka, që një pjesë të mirë të viteve të jetës i ka kaluar pikërisht në zbulimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit zbulon mes fjalëve të Sgarbit lapsusin e tij.
“Nuk e marr dot me mend përse Sgarbi e cilëson Bylisin si “citta omonima”, pra “qytet me të njejtin emër”. Me cilin qytet? I gjori Sgarbi, në shoqërinë e gjizëngrënësve dhe rakipirësve, mund të ketë mësuar së emri i qytetit fqinj të Ballshit vjen pikërisht nga emri Byllis. Por nuk besoj t’i kenë thënë se në dokumentet mesjetare Byllis/Ballsh përkthehet në greqisht si Kefalenia, ndërsa në ato sllave si Glavinica, që do të thotë “kokë”, “ballë”, pra kryevend. Sigurisht ishte një fjalë që vinte nga ilirishtja dhe jo nga greqishtja”, shkruan ai.
Kjo ka mjaftuar që një emër jo pak i njohur në Shqipëri të përfundojë në faqet e para të mediave dhe ndaj llogarive të tij në rrjetet sociale, ku është tepër aktiv, të vërshojnë një lum kritikash nga qytetarët shqiptarë. Sgarbi është njohur me këto kritika dhe ka reaguar përmes një postimi të dytë, ku thotë se nuk ka bërë asnjë lapsus dhe i referohet enciklopedisë italiane “Treçani”.
“Gazetari shqiptar që ngriti një polemikë të panevojshme është thjesht një injorant i mjerë. Kur unë thashë qytet antik grek iu referova civilizimit, arkitekturës dhe jo territorit. Çfarë doni që më çani kokën! Turp për ty që nuk di se Iliria u pushtua nga grekët. Pra vajza ime duhet të më tregojë nëse një vend është grek apo ilir? Është grek, i dashur gazetar injorant”, thotë ai në videon e dytë.
Pas këtij postimi të dytë të italianit në debatin e nisur është përfshirë edhe studiuesi Auron Tare.
“Jam i sigurtë që postimi i parë i Sgarbit ka qenë një lapsus, por këmbëngulja e tij për lapsusin e mëparshëm nuk ka më sens”, shkruan Tare, duke rishpërndarë videon e hedhur nga kritiku italian.
Megjithatë, si Neritan Ceka, ashtu edhe Auron Tare shfajësojnë studiuesin italian dhe gishtin e fajit e drejtojnë nga institucionet dhe Ministria e Kulturës.
“Do t’i rekomandoja Sgarbit të shikojë me vëmendje se kush e ka rrethuar gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe sa të ndryshëm janë ata nga shqiptarët që ka njohur dhe njeh çdo ditë në Itali. Më të pakulturuarit e tyre, që drejtojnë sot kulturën shqiptare janë neofuturistët tanë, që në emër të së resë shkatërrojnë të vjetrën, teatrin kombëtar, banesat e Toptanasve në Tiranë, kishat me afreske të Myzeqesë, Beratit, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës, Korçës e Pogradecit. Janë vëllezërit e vonuar të futuristëve italianë të periudhës së fashizmit, që propozonin të lyhej me gëlqere Kapela Sistina”, shkruan arkeologu.
Ndërsa, Auron Tare imagjinon me doza të forta ironie një bashkëbisedim të titulluar “Fragment nga dy ekspertë të Ministrisë së Kulturës" që shoqëruan Vittorio Sgarbin në Parkun Arkeologjik të Bylisit.
“Po çfarë?
Romake!
Pse romake?
Po çfarë?
Bizantine!
Bizantine?
Po ca o bizantine?!
Nuk e di po varja, e kam nigju kur e thonë në televizion.
Jo me jo më mirë romake, ja gjeta edhe i mbishkrimi romak.
Ça thua? Ka mbishkrim romak?
Po ore ja ku është tek hyrja e Portës së Bylisit. E pashë se kalova andej se nuk kishte banjo gjëkundi këtu.
Dreqin! Si s’e dinim. S’na tha asnjoni, edhe Klosi që e ka shtëpinë këtu afër nuk e ditka që paska mbishkrime romake. Ta kishte pa Zgarbi të paktën nuk do bëhej gjithë kjo gjullurdi.
Po pra edhe ky ku dreqin erdhi këtu pa le po e boni me zë. Në Butrint të paktën ishte me muzikë, nuk e kuptoi njeri ça tha.
Varja! Hajde dëgjoi këta që nuk marrin vesh nga këto punë”, shkruan Tare.
Durrësi mardhte mbrëmjen e së enjtes. Jo nga era e ftohtë dhe e shpejtë, as nga shiu që i lagte shpinën, barkun, këmbët dhe sytë qytetit të lashtë, por nga braktisja.
Pas luftës me Bajlozin e Zi, ashtu rreckosur, sakatuar, plagosur deri në palcë, pa shkëlqim dhe hijeshi, Durrësi është strukur nën vete, pa bijtë e tij, i lënë në qoshkë të vajtojë i vetëm.
Tek eci me makinë nëpër Vollgë, aty ku në pikun e sezonit turistik nuk ke vend të hedhësh as një kokërr mollë, ndjen frikë vetmie.
Të ngjan sikur i je futur në bark një qyteti të basdisur dhe të hedhur në plehra. Ndjen ftohtë dhe trishtim të thellë.
Karantinimi ka prekur edhe sportin e tenisit, por ndryshe nga shumë sporte të tjera, që nuk mund të luhen në kushtet e shtëpisë në rastin e tenisit mjaftojnë dy raketa, një top tarracat e ndërtesave.
Shembulli vjen nga Liguria e Italisë, ky dy teniste i japin jetë një ndeshjeje sureale në kushtet e izolimit.
Videoja është publikuar në faqen zyrtare të “ATP” në rrjetet sociale si një mesazh ndërgjegjësuar për rëndësinë e qëndrimit në shtëpi në këtë periudhë pandemie.
Presidenti Ilir Meta thirri një konferencë me gazetarët për të ngritur shqetësimin e borxhit të lartë të vendit, por përballë pyetjeve të gazetarëve foli edhe për përballjen me koalicionin “Bravo-Brava”, duke nënkuptuar Edi Ramën me Lulzim Bashën, duke filluar që nga 6 marsi.
Meta i paralajmëroi që “të bëjnë kujdes me borxhin, se nuk ka borxh që nuk paguhet”, ndërsa tha se vendi mund të shkojë brenda një viti në zgjedhje të reja parlamentare.
“Unë do të marr pjesë në gara në emër të popullit të 2 marsit dhe përtej popullit të 2 marsit, që është shtuar. Të jenë të sigurt se pas ballafaqimit të parë, që do të jetë më e largëta në një vit, që janë zgjedhjet e përgjithshme vendore, por mund të ndodhë edhe më parë, koalicioni “Bravo-Brava, që ka 8 vite që qeveris Shqipërinë dhe që e di teatër politikën dhe luftën kundër korrupsionit do t’i recitoj poezi, që e ka bërë vetë shefi i koalicionit, atë “Ina, Ina”, tha Meta.
“Ina, Ina” është pjesë e publicistikës “Triptiku i laryshisë” së Edi Ramës, ku mes rreshtave të rrëfimit ka edhe një pjesë “Ina, Ina hiqi brekët”.
“Do t’i recitoj atë poezinë Ina, Ina koalicionit Bravo-Brava, meqënëse e kanë me merak që të fitojnë me Ilir Metën. Do ta dëgjojnë brenda një viti në rastin më të mirë, por mund ta dëgjojnë edhe më shpejt. Ndaj ta kënë pak kujdes borxhin, se nuk ka borxh që nuk paguhet”, deklaroi Meta.
Meta ngriti shqetësimin se Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit në rajon dhe për më tepër, ky borxh i marrë nuk është përdorur për të rritur mirëqënien e qytetarëve. Këtu, mes rreshtave Meta akuzoi Bashën se ka shitur zgjedhjet te Edi Rama.
“Por siç do të marrë fund koha e gallatave me financave dhe borxhin që merret në emër të qytetarëve për të blerë mediat, se ajo gjuhë që përdoret për të rrëmbyer ishullin e vetëm që qenka jashtë kontrollit, është gjuha e përditshme që përdoret ndaj pronarëve të mediave dhe bizneseve, kështu do të përfundojë edhe koha e ndeshjeve të shitura ende pa filluar”, u shpreh ai.
Kur flet për integrimin, Kryeministri Edi Rama preferon shpesh ta krahasojë procesin me atë të një martese.
Kështu ndodhi edhe këtë të martë në konferencën e përbashkët për shtyp me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell.
“Këta do të detyrohen të martohen me ne deri në fund, nuk kanë ku shkojnë. Është vetëm çështje kohe. Nuk e shmangin dot martesën tonë, por ne duhet të rezistojmë me të gjithë forcën e pasionit dhe dashurisë tonë që do ta tregojnë me durimin që kemi”, tha Rama.
Përgjigja që dha Borrell la një hije mjegulle dhe paqartësie mes gazetarëve në këtë konferencë.
“Nëse flasim për martesa, ka lloje të ndryshme martesash, por nuk po e ndërlikojmë më tej”, tha Borrell.